Përfaqësuesi i Kishës Katolike të Kosovës, Lush Gjergji tha se Vatikani ka bërë një hap të madh drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe qysh para 4 viteve paska emëruar Nuncin Apostolik për Kosovën, në Slloveni, ku nga atje do të jetë si një zyrtar i Vatikanit për vendin tonë.
Krerët e vendit, sipas tij, ende nuk kanë bërë një lëvizje të tillë, apo emërimin e një diplomati i cili do ta mbulonte Vatikanin. “Kjo mund të jetë një gabim i madh, apo mungesa e përvojave diplomatike, në diplomaci nuk ka fjalë të mira, ka plane dhe veprime të matura dhe strategjike. Diplomacia kosovare nuk i ka njerëzit e duhur në vendin e duhur dhe ka njerëz jo adekuatë dhe të papërvojë për të udhëhequr diplomacinë. Ky përgjithësim i Lush Gjergjit nuk mbështet asnjë fakt relevant, sepse të gjithë zyrtarët e lartë të vendit janë treguar jo vetëm të përkushtuar ndaj Vatikanit, por edhe servilë, njëjtë sikur ndaj Izraelit. Por Vatikani as Izraeli kurrë nuk do ta njohin shtetin e Kosovës, meqë shumica e popullatës i takon besimit islam. Kjo është e vërteta lakuriqe, pavarësisht si i lakon fjalët Lush Gjergji, Enver Hoxhaj, Behxhet Pacolli e shumë të tjerë.
Nëse z. Gjergji ka menduar se në “diplomacinë kosovare” duhet të ketë vetëm emra si Gjergj Dedaj, i cili fyen shqiptarët myslimanë dhe turqit, atëherë del të ketë gabuar rëndë, sepse rendi demokratik përparimtar botëror nuk diskriminon njerëzit në pikëpamje të besimit, racës, gjuhës e kulturave që u takojnë, të paktën kështu shkruan në kartat e të drejtave dhe lirive të njeriut, pavarësisht si realizohen ato.
Pritjet donkishoteske të dikujt që shqiptarët e Kosovës të rikonvertohen për hir të pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Vatikani, apo nga Izraeli nuk janë vetëm pritje qesharake dhe naive, por në esenë janë edhe të rrezikshme, sepse në heshtje e në prapaskenë mbjellin urrejtjen, intolerancën fetare, hipokrizinë, nënçmimin e fesë së shumicës, duke e lidhur me luftën aktuale mes krishterimit dhe islamit në Lindjen e Mesme.
Se cilët duhet të jenë njerëzit e duhur dhe në vendin e duhur dhe të tillë, që kanë përvojë të udhëheqin diplomacinë të cilën e kërkon dhe e kushtëzon, Vatikani, këtë më së miri e di z. Lush Gjergji, edhe pse rezervohet ta thotë hapur, për shkaqe që i kuptojnë të gjithë.
Ishte pikërisht, Ibrahim Rugova ai i cili shpirtërisht ishte drejtuar nga Vatikani dhe Katedralja e sotme në Prishtinë është vepër e angazhimit të tij, por as kjo nuk i mjafton Papës e Vatikanit. Ata duan shumë e më shumë, e shqiptarët duket se nuk po ia kanë ngenë Vatikanit, ata kërkojnë vizat, kërkojnë të dalin nga getoja, por ja që “Evropa e mrrytë dhe e ndytë, të cilës Zoti ia plasi dy sytë, nuk po e sheh më turpin”…, ajo sërish kërkon që “shqiptarët, pas sotit t’iu rrinë urtë e butë shkive të Ballkanit, pikërisht ashtu sikur thoshte Fishta i Madh 100 e sa vjet më parë.
Nuk do të mbetet asgjë keq Kosova nëse nuk e njeh Vatikani apo Izraeli. Krerët më të lartë të Vatikanit, sa e sa herë e kanë bërë të ditur arsyen pse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Izraeli nuk e njeh Kosovën, për shkak se këtu mijëra shqiptarë rrezikuan kokat e tyre dhe nuk ua dorëzuan hebrenjtë gjermanëve, jo gjithaq për dashurinë që kishin ndaj tyre, por sepse i qëndruan besnikë besës së tyre, të mos e dorëzojnë mikun që u kishte rënë në besë. Ngritja e sinagogave për dhjetëra besimtarë, ngritja e katedraleve dhe kishave pa besimtarë, është politikë që nuk jep fryt dhe nuk mashtrohet dot Evropa me dokrra të tilla. Ajo do shumë më tepër sesa mund të japim ne. Historia e 140 viteve të fundit e ka treguar mjaft mirë fytyrën e saj të vërtetë, por edhe anakronizmin tonë naiv dhe ulok, fiksionin tonë të sëmurë, ta duam me çdo kusht atë që kurrë nuk na ka dashur, as nuk na do. Nuk na do kështu si jemi, por ashtu sikur do të dëshironin të ishim, në mënyrë që t iu përshtatemi atyre. U desh të merret një qëndrim kundërshtues,krejt normal për raportet tona me Serbinë, për ta parë se cilin do më shumë Evropa, xhelatin apo viktimën.