leoni

Sylejman Abazi: Rrëzimi i Qeverisë në Kosovë në rrugë demokratike, pa i cënuar institucionet

Kërkesa e ditës: Rrëzimi i qeverisë aktuale në Kosovë në rrugë demokratike, duke mos cënuar institucionet shtetërore të saj. Rrëzimi i kësaj qeverie, është dështimi i Hashim Thaçit dhe klanit të tij uzurpator në pushtet. Në Kosovë shteti rezulton i paralizuar, për shkak se kriza politike nga Parlamenti ka zbritur në institucionet vendore, në sheshe me protesta mbarëpopullore, që kërkon ndryshimin e situatës.

 

Në këtë situatë të zhvilluar, Presidentja e Republikës të pozicionohet hapur dhe të mos behet palë me qeverinë Mustafa – Thaçi. Ajo duhet të rreshtohet në krahun e popullit dhe të mbrojë interesat e Kosovës mbi të drejtën e saj kushtetuese. Ajo ka për detyrë të ruajë funksionimin e shtetit në kushte të reja. Ajo dhe të tjerë duhet ta kuptojnë se, kolapsi politik në Parlamentin e Kosovës ka bllokuar gjithçka.

 

Opozita politike në Kosovë, duke bashkërenduar të gjithë faktorët, e ka të nevojëshme pas protestës masive të 9 janarit, të dalë me platformën e saj politike, për mënyrën e rrëzimit të qeverisë dhe kalimin e Kosovës në zgjedhje të parakohëshme, nën autoritetin e një qeverisje teknike të unitetit popullor, për ta çuar institucionalisht vendin në zgjedhje. Këta faktorë që drejtojnë sot Kosovën janë diskretituar.

 

Me protestën e 9 janarit opozita politike e realizoi qëllimin e saj të parë, duke arritur të sensibilizojë dhe të organizojë protestën e gjerë popullore të ngritur mbi bazën e protestave periferike në çdo qytet të Kosovës. Sernsibilizimi në këtë kohë u arrit.

 

Të gjithë duhet të hedhin poshtë me përbuzje arrivizimin politik të njerëzve të demaskuar, të cilët vazhdojnë të këmëngulin për të drejtuar për një kohë të gjatë pushtetin dhe shtetin në Kosovë, kur vullneti popullor kërkon largimin e tyre pa kushte. Kapja pas karrigeve të pushtetit tregon frikën që ka mbërthyer politikanët kryesorë, të cilët rezultojnë të inkriminuar, të diskretituar moralisht dhe politikisht, servilë pa kushte kundër interesave kombëtare, duke u qepur me thonj e me dhëmbë pas karrigeve të pushtetit, si i vetmi mjet shpëtimi për të mos dalë para drejtësisë. Populli këtyre njerëzve të diskretituar nuk u beson më.

 

Opozita duhet të tentojë bashkimin e të gjithë atyre që mund të bashkohen në një veprimtari të hapur politike, për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe interesat kombëtare.

 

Synimi duhet të jetë në bazë, në komuna, qytete, katunde ku të krijohet shumica mbështetëse dhe të arrihet të diferencohen njerëzit e ndershëm nga përfituesit prej të mirave të pushtetit.

 

Kjo lëvizje taktike e diferencimit të njerëzve, do të vetëdijësojë mjaftë familje të lidhura me luftën, të ish luftëtarëve dhe dëshmorëve të luftës, të cilët nuk mund të shkojnë më qorrazi pas atyre që sollën zhgënjimin më të madh politik dhe atdhetar në keqpërdorimin e vlerave të luftës çlirimtare.

 

Lufta për shumicën nuk është luftë për karrige pushteti, por për interesat e shumicës së popullit. Të mos biem pre e shpifjeve të shëbimeve inteligjente, por të ruhet uniteti opozitar, si e vetmja forcë bashkimi që shpëton sot Kosovën.

 

Pozicioni ndaj vlerësimit të UÇK-së duhet të jetë si elementi i diferencimit të njerëzve dhe familjeve të tyre. Ky diferencim të shtrihet nga lartë deri poshtë, nga strukturat politike deri në familjet e thjeshta shqiptare.

 

Pushteti dhe shteti nuk bëhen dhe nuk mbahen më me të shiturit, kapitullantët, përfituesit, mashtruesit, grabitësit e pasurisë kombëtare, as me mbeturinat e pushtetit të vjetër titist dhe veglave të tyre të shërbimit inteligjent.

 

Të vlerësojmë qëndrimin dhe distancimin e Adem Demaçit dhe Rexhep Qosjes nga pozicioni i pushtetit politik, nga Hashim Thaçi dhe thirrja e tyre për të mbrojtur interesat kombëtare në Prishtinë.

 

Mjaftë më me demagogjinë politike mbi luftën dhe njerëzit e saj. Ish luftëtarët, njerëzit e ndershëm, familjet e tyre atdhetare, nuk duhet të lejojnë më një klan të caktuar të keqpërdorin mbështetjen e tyre në emër të luftës çlirimtare. Thirrja është edhe për organizatat e dala nga lufta. Ato duhet të kthejnë sytë nga populli.

 

Ata që vazhdojnë të hedhin baltë mbi vlerat e luftës së UÇK-së, pa marrë parasysh gjakun e derdhur, sakrificën njerëzore, marrëdhëniet e saj me faktorin ndërkombëtare dhe plotësimin e misionit kombëtar, janë pikërisht ata njerëz që sot në emër të kësaj lufte, janë bërë sheikët e rinj – shtypës në Kosovë.

 

Në këtë kohë të vështirë, por jo pa shpresë, ky është kriteri për të stimuluar situatën reale sociale dhe politike në Kosovë.

 

Një fakt që meriton vëmendje: A nuk u bën përshtypje mënjanimi i plotë i flamurit shtetëror të Kosovës në protesta dhe valvitja vetëm e flamurit kombëtar kuq e zi dhe përkrah tij të flamurit amerikan?

 

Sigurisht kjo i vret sytë politikanëve të kapitulluar të BE-së, të cilët me qëndrimin që mbajnë, duke u fokusuar vetëm tek disa elementë dhune (që në fakt duhet të hetohen me kujdes se cilët qëndrojnë pas tyre), po shikojnë dështimin e tyre në Kosovë dhe merakosen vetëm për klanin Mustafa – Thaçi, si ushtarë e tyre të bindur, që mund të firmosin gjithçka që ata u vënë përpara.

 

Të mos harrojmë dhe t’u themi me zë të lartë: Ne shqiptarët kemi bërë shumë për këtë Evropë, ne jemi më evropian se vetë evropianët, ne e duam Evropën, por më shumë në këtë situatë kaotike kombëtare ne duam Shqipërinë dhe Kombin tonë, të cilat për shkak të kësaj Evrope, sot vuajnë nën tragjedinë historike të coptimit dhe diskriminimit. Vërtet sot brenda nesh, në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup nuk ka platformë zyrtare qeverisëse për të mbrojtur interesat kombëtar, por mos anashkaloni vullnetin e shqiptarëve, aspiratën e tyre, organizimin kuq e zi të rinisë shqiptare kudo, dhe bindjen se vetë shqiptarët do t’i dalin për zot vendit të tyre.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …