leoni

Frank Shkreli: Neni që ndalon hetimin e krimeve të komunizmit


Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shkodër, Pëllumb Sulo njoftoi të hënën që kaloi se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani mori pjesë në veprimtarinë përkujtimore me rastin e 71-vjetorit të revoltës historike anti-komuniste të Malësisë së Madhe.  Gjatë ceremonisë që u zhvillua në Koplik,Presidenti Nishani  nderoi Kryengritjen Antikomuniste të Malësisë së Madhe Janarin e 1945, me Dekoratën e Artë të Flamurit me këtë motivacion: “Në vlerësim të lartë ndaj revoltës popullore të organizuar nga burra kuvendi të shquar për urtësi dhe autoritet, të cilët me heroizëm të pashoq, me pushkë në dorë e me besën e shqiptarit, luftuan pa kompromis kundër vendosjes së diktaturës së pashpirt komuniste, deri në sakrificën sublime të vetëmohimit për një Shqipëri vërtet të lirë dhe demokratike.”


Në fjalimin e tij me këtë rast, sipas Zërit të Amerikës,  Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani kritikoi ashpër atë që ai e quajti, “tentativë me kurajo të paimagjinueshme për rishfaqjen e simboleve të egra të diktaturës”, kohët e fundit.   Presidenti Nishani theksoi gjithashtu nevojën për dënimin e krimeve të komunizmit dhe të ish sigurimit të shtetit.  Udhëheqsi shqiptar shprehu gjithashtu shqetësimin e tij se, “Dosjet e krimeve të komunizmit kanë 71 vjet që mbeten pa hetuar dhe pa gjykuar.”  Ai u duk se shprehi gjithashtu zhgënjimin e tij  për mos-zbatimin e ligjit të dosjeve ndërsa shtoi se, “Ligji për hapjen e dosjeve, ndonëse dhe i paplotë, ende nuk ka filluar të zbatohet. Ligji i hapjes së dosjeve nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë kurrë i plotë pa ligjin e lustracionit”, ka thënë Presidenti Nishani në fjalimin e tij.  “Hetimi i krimeve të komunizmit dhe i sigurimit të shtetit nuk është çështje revanshi dhe hakmarrjeje”, ka theksuar udhëheqsi shqiptar por, “Është pazgjidhshmërisht i lidhur me çështjet e interesit të sigurisë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik”.  Si i tillë, nënvijoi Presidenti Nishani, “E quaj të pa-pranueshme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ekspertë të reformës në drejtësi, për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që e ndalon një herë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit.”  Ai tha se i konsideron këto si përpjekje për të provokuar, “përsëri Shqipërinë dhe shqiptarët me tendenca për të rehabilituar ideologjinë, platformën dhe figurat e asaj kohe kriminale.”


Unë nuk jam në dijeni të ndonjë kushtetute tjetër në botë që haptas, me ligj dhe kushtetutë të ndalojë hetimin e krimeve të komunizmit, ose të krimeve të çfarë do lloji tjetër qofshin, ose të lirive të shtetasve të vet, me përjashtim të ligjit mbi ndalimin e fesë në Shqipërinë komuniste.  Në vend që të dënohen krimet e komunizmit, Shqipëria jonë pas 25 vitesh të shembjes së Murit të Berlinit, jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë masë gjatë kësaj periudhe për të  denoncuar dhe dënuar zyrtarisht krimet e diktaturës komuniste ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish komuniste, por në vend të kësaj propozon miratimin e një neni kushtetues që do të ndalonte përgjithmonë hetimin e krimeve të atij regjimi diktatorial.   Të një regjimi i cili për pothuaj një gjysëm shekulli vrau, burgosi, torturoi dhe dërgoi në kampet e përqendrimit mijëra shqiptarë, jo se ata kishin bërë ndonjë krim, por vetëm e vetëm sepse  i konsideronte ata si kundërshtarë të tij politikë, të cilët aspironin një të ardhme tjetër për Atdheun e tyre. Të një diktature komuniste që karakterizohej  nga krime dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, një sistemi i cili për të ruajtur pushtetin mbi popullësinë ka bërë më shumë se vrasje të personave të caktuar dhe masakrime të ndryshme. Në të vërtetë ishte një sistem, aktivitetet kriminale të të cilit ishin bërë pjesë  e pandashme e  sistemit qeverisës.


Është i pabesueshëm fakti se përpilimi i këtij draft neni përflitet dhe propozohet nga qeveria shqiptare në kuadër të reformës në drejtësi! Reformë në drejtësi, për të ndaluar hetimin e krimeve të njërit prej regjimeve më kriminale në Europë e ndoshta në botë. Këta propozues të këtij neni duhet të detyrohen të vizitojnë Spaçin dhe të gjitha burgjet komuniste dhe qendrat e përqendrimit anë e mbanë Shqipërisë, ashtuqë, ndonëse ka kaluar një kohë, të shohin me sytë e vet natyrën kriminale dhe jo legjitime të regjimit enverist.  Këto ishin krime kundër njerëzimit dhe si të tilla në bazë të ligjeve ndërkombëtare nuk kanë afat të caktuar për dënimin e kriminelve dhe të abuzuesve që kryen krime në emër të atij regjimi. Mos hetimi dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit u mohon të drejtën e viktimave të komunizmit, nëqoftse besohet se ata kishin ose kanë ndonjë të drejtë. Përpjekje të tilla për një “reformë” të tillë në drejtësinë në një shoqëri demokratike, sado të brishtë, jo vetëm që nuk reformon sistemin e drejtësisë në Shqipëri, por e përçudnon atë.


]Një shoqëri demokratike duhet të jetë e zoja që të dënojë krimet e komunizmit dhe jo t’i mbrojë atë me ligj.  Ideologjia dhe krimet komuniste që kanë shkaktuar aq shumë vuajtje dhe mjerim në Shqipëri dhe anë e  mbanë Europës, me sjelljet dhe krime e tyre kriminale, kanë qenë dhe janë në kundërshtim të plotë me Konventat e ndryshme Europiane dhe ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, përfshirë Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.  Për më tepër,  Asamblea parlamentare e Këshillit të Europës dhe Bashkimi Europian, të cilit Shqipëria spiron ti bashkohet, nepërmjet  rezolutash të ndryshme kanë dënuar ish-regjimet komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore dhe u kanë bërë thirrje ish-vendeve komuniste që të rivlerësojnë historinë e komunizmit dhe të dënojnë ish-regjimet komuniste, në përpjekje që ajo histori të mos harrohet nga brezat e ardhëshëm. Janë caktuar data mbarë europiane për të kujtuar viktimat e komunizmit dhe janë ndërtuar monumente kushtuar këtyre viktimave, jo vetëm anë e mbanë Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada.  Është qesharake që Shqipëria pretendon t’i bashkohet Europës, ndërsa njëkohësisht propozon nene me të cilat do të ndalojë hetimin e krimeve të komunizmit.  Kësaj i thonë, jo vetëm politizim i historisë, por edhe mohim i historisë dhe i drejtësisë për të gjallët dhe të vdekurit të cilët e pësuan aq rëndë nga regjimi komunist.  Duket se inati kundër viktimave të komunizmit ende vazhdon në shoqërinë shqiptare. Çfarë mund tu bëhet më shumë këtyre viktimave – të cilët fundi i fundit ishin shqiptarë dhe jo të huaj. Shqiptarët po pajtohen me armiqtë shekullorë të shqpitarëve, por nuk pajtohen dot me njëri tjetërin! Viktimat e komunizmit nuk ishin as robër lufte, as serbë, grekë turq ose italianë, por vëllezër të një gjuhe, të një gjaku të një kulture, e të cilët regjimi komunist i viktimizojë, vetëm e vetëm, sepse kishin një ide tjetër për të siguruar lirinë dhe demokracinë e vendit të tyre. Se çfarë poshtërimi tjetër mund tu bëhet këtyre viktimave ndoshta iu përgjigj më së miri, Profesor Sami Repishti, intelektuali i njohur shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur politik i komunizmit enverist, në një komunikim dërguar Drejtorit te ISKPKSH( Institutit të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa, Profesor Repishti reagoi ndaj draftit të qeveverisë shqiptare që do të ndalonte hetimin dhe ndërshkimin e krimeve komuniste duke shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tij të thellë ndaj nenit të propozuar:  “Ky paragraf ashtë shumë shqetësues” ka thënë Profesor Repishti. “Po të vërtetohej do të ishte nji nga turpet ma të mëdha në ish botën komuniste, dhe nji njollë e pashlyeshme për të gjithë ne shqiptaret të rezistencës anti-komuniste.  Edhe të vdekunit nga varri do të protestojshin këte padrejtësi monumentale. Tashti, ajo që mbetet nga sulmi pro-komunist ashtë kërkesa pë ri-arrestimin tonë për “fajet” e se kaluemës….E pabesueshme!, përfundon Profesor Repishti mesazhin e tij dërguar Agron Tufës.


 


Me të vërtet e pabesueshme! Njeriut i mungojnë fjalët për të reaguar ndaj një absurditeti të tillë. Është sikur vdes një i ri dhe njeriu nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjet për humbjen e madhe. Njësoj mungojnë fjalët për të përshkruar dhimbjet tona për vdekjen e drejtësisë në demokracinë re e të brishtë shqiptare. Njeriut i mungojnë fjalët për të reaguar ndaj një absurditeti të tillë.


 


Por ishte një kohë, 25 vite më parë, kur shpresonim për një Shqipëri ndryshe nga ajo e 50-viteve më parë nën regjimin komunist.  Fatkeqsisht, drafti nenit të qeverisë shqiptare për të ndaluar hetimin e krimeve të komunizmit dhe personave që i kryen ato të bindë se—përveç pallateve të mëdha, pronë e oligarkëve të ri – asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitet as në moral nga periudha komuniste. Shpresohej se një brez i ri udhëheqsish shqiptarë do bënin ndryshimet e nevojshme të kërkuara nga shoqëria shqiptare e shumë vuajtur dhe nga miqtë e Shqipërisë, mbi të gjitha ndryshimet në drejtësi, pasi ajo është baza e çdo zhvillimi tjetër të shoqërisë. Kjo nuk ka ndodhur!  Nëqoftse mohohen krimet dhe nëqoftse me ligj ndalohet ndëshkimi i këtyre krimeve të bëra nga shqiptarët kundër shqiptarëve, si mund të kërkohen zbulimi, hetimi dhe ndëshkimi i  krimeve të shumëta, që historikisht, janë bër kundër shqiptarëve nga armqiët e tij gjatë shekujve në mbarë torjet shqioptare në Ballkan?


 Por megjithë dhimbjen dhe pesimizmin me të cilin të mbulon një lajm i tillë, dhe me gjithë kohën e kaluar ç’prej shembjes së atij regjimi, nuk është vonë kurrë për t’u përballur me krimet e komunizmit, me drejtësinë për viktimat e tij, si dhe me dilemat dhe sfidat që paraqet historia fatkeqe e kësaj të kaluare totalitare për të ardhmen e kombit shqiptar. Por, pa një angazhim të tillë serioz për rivlersimin e asaj historie — përfshirë krimet dhe ndëshkimin e tyre — kamë drojë se shoqëria shqiptare nuk do të gjëjë paqen për të cilën ka aq shumë nevojë për të ecur përpara me vendet e tjera si motra europiane.


 


 


 


Frank Shkreli: Bacë nuk është krye!


 


Javën që kaloi në Kosovë u shënua 17-vjetori i masakrës së Reçakut, aty ku me 15 Janar të vitit 1999 forcat kriminele ushtarake dhe policore të Serbisë masakruan lartë nga 45 shqiptarë civilë të pa-armatosur. Ishte kjo një masakër që lau me gjak Recakun.  Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara, William Walker i cili në atë kohë kryesonte Misionin Verifikues të OSBE-së në Prishtinë, me të marrë vesh lajmin e hidhur të kësaj masakre, vajti në vendin e ngjarjes. Dëshmia e ambasadorit Walker për masakrën tragjike që kishte parë në Reçak, njëkohsisht tmerroi botën e qytetëruar dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos asaj amerikane  se diçka duhej bërë dhe shumë shpejt për të ndaluar masakrimin e një populli të tërë nga forcat kriminale të Millosheviqit në Kosovë.


 


Qeveria dhe populli i Kosovës me të drejtë nderuan Ambasadorin Walker me rastin e 17-vjetorit të masakrës në Reçak. Respekti dhe nderimi për William Walker javën që kaloi nga institucionet dhe nga populli i Kosovës nderon mbarë kombin shqiptar kudo. Duhet thekësuar  nuk dihet se si do të kishin rrjedhë punët në Kosovë në vitin 1999 po të kishte qenë në Prishtinë një përfaqësues jo amerikan, si kryetar i Misionit të OSBE-së.


 


Kosova me të vërtetë nderoi këtë hero të drejtësisë, mbrojtjës i të drejtave të njeriut dhe mik i shqiptarëve, miqësi të cilën ai e dëshmon edhe tani pas 17 vjetësh, ndërkohë që nuk pushon së punuari për të mirën dhe mbarvajtjen e  Republikës së  Kosovës. 


 


Ashtu si edhe në vitin 1999 kur ai alarmoi botën dhe diplomacinë perëndimore mbi masakrën e Reçakut dhe mbi politikën e Millosheviqit prej gjenocidi ndaj shqiptarëve në trojet e veta shekullore, William Walker, në vizitën e tij javën që kaloi në Kosovë për të shënuar 17-vjetorin e masakrës së Reçakut – nuk ngurroi të shprehte merakun e tij të madh ndaj gjëndjes aktuale politike atje duke bëri një thirrje prej miku dhe një paralajmërim ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij të thellë me gjëndjen politike të Kosovës. 


 


Ishte ky një paralajmërim prej një miku të madh të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.   Besoj se dëshmitari i masakrës së Reçakut as nuk mund të paramendonte në Janarin e vitit 1999 se sot, 17-vjetë më vonë do të detyrohej të deklaronte se Republika e Kosovës — shtet i lirë dhe i pavarur pas aq shumë vuajtjesh e sakrificash njerëzore dhe humbjesh materiale prej dekadash,  e udhëhequr nga vet shqiptarët — “Është në rrugën e gabuar.” 


 


Për gjendjen politike të krijuar gjatë vitit të kaluar, William Walker ia tha troç klasës politike në Prishtinë duke e ngarkuar atë me fajin më të madh për aktualitetin dhe për grindjet dhe mosmarrëveshjet politike në vend, duke theksuar se, “Klasa politike është një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova”, dhe si e tillë shtoi ai, “Kjo klasë politike nuk është e aftë të zgjidhë problemet me të cilat përballet Republika e Kosovës” dhe si përfundim sugjeroi ai, në atë vend duhet të ketë një ndryshim brezash politikë të cilët të jenë të aftë për tu përballur me sfidat e reja të Kosovës.   Ndërkohë që ish-ambasadori Walker mbështeti protestat e fundit si një shprehje e lirisë dhe demokracisë në vend, duke iu referuar protestave të fundit dhe dhunës së përdorur, ai nënvijoi se në qoftë se po “teprohen, atëherë diçka nuk është në rregull dhe është një problem që duhet të zgjidhet”.  Por, ai deklaroi se problemet serioze me të cilat përballe sot Kosova, “nuk mund të “zgjidhen nga klasa e tanishme politike”, citohet nga media e Kosovës, të ketë  thënë William Walker. Ai ka thënë se edhe qeveria i ka përgjegjësitë e veta në këtë mes, duke thënë se ajo mund të ishte sjellë më mirë gjatë protestave, citohet të ketë thënë Z. Walker.


 


Ambasadori Walker u shpreh se komentet e tija shqetësuese mbi gjëndjen në Kosovë dhe sidomos mbi klasën e tanishme politike atje, pasqyrojnë njëkohësisht edhe, “Mendimet e shumë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë e me të cilët pajtohem”, ka pohuar ai, “se një prej problemeve më të theksuara në Kosovë është klasa politike, e cila mendoj unë, nuk po ndjekë një rrugë e cila do ta çonte Kosovën në drejtimin e duhur”, ka theksuar Walker. Ambasadori Walker dhe komuniteti shqiptaro-amerikan, që për dekada punuan dhe shpenzuan, madje dhe luftuan, për ta parë Kosovën të pavarur, të lirë dhe demokratike, janë të zhgënjyer nga ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë, ngase duke marrë para sysh historinë moderne të Kosovës, nuk prisnin kurrë krijimin e një situate si politika aktuale në Prishtinë.   Shpresohej për një politikë dhe për politikanë ndryshe!


 


William Walker, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë javën që kaloi, hodhi poshtë sugjerimet se problemet dhe grindjet e tanishme politike midis përfaqësuesve të kësaj klase politike, duhet të zgjidhen nga ndërmjetës ndërkombëtarë. Ai ka thënë për median se ndërkombëtarët mund të kenë ndonjë rol tjetër, por jo rolin e ndërmjetësit në politikën e brendshme politike të Kosovës.


 


Fatkeqësisht, në trojet shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë ose në Maqedoni dhe në Mal të Zi, politikanët shqiptarë presin që — në grindjet dhe  mosmarrëveshjet e shumta politike midis tyre, të cilat politikisht dhe ekonomikisht por edhe në fusha të tjera, kanë paralizuar botën shqiptare – ndërkombëtarët të luajnë rolin e ndërmjetësit, me shpresë që të huajt të mbështesin qëndrimin e njërës ose tjetrës palë. E vërteta është se askush nuk mund dhe nuk duhet as të përpiqet të zgjidhë problemet politike të brendshme të shqiptarëve, as në Tiranë as në Prishtinë. Është kjo klasë politike në të gjitha trojet shqiptare që vet duhet të bëjë një gjë të tillë – me një dialog politik dhe tolerancë politike midis tyre — nëse me të vërtetë dëshirojnë të krijojnë shoqëri të lira e demokratike, pikëspari në frymën e vlerave dhe traditave jetike arbënore, për të cilat ndërkombëtarët nuk kanë asnjë ide, por edhe në përputhje me vlerat e botës moderne në të cilën jetojmë.


 


Ambasadori William Walker shprehi me këtë rast shqetësimet e tija për gjëndjen aktuale në Kosovë, por do të shtoja se edhe gjendja aktuale politike dhe grindjet e pafund midis partive në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare, pasqyrojnë gjithashtu edhe shqetësimet e komunitetit shqiptaro-amerikan, e si përfundim edhe shqetësimet e shprehura nga  politika zyrtare amerikane, se punët e shqiptarëve — 25-vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit – nuk janë në rrugën e duhur.


 


Ne dëshirojmë që Atdheu i të parëve tanë — me këtë kam para sysh mbarë trojet shqiptare në Ballkan — të realizojë një nivel të kulturës politike dhe një shkallë qytetërimi politik që do të siguronte një bashkëjetesë kombëtare midis grupeve të ndryshme politike për të mirën, lavdinë dhe përparimin e të gjithë shqiptarëve.   Për ndryshe, situata e tanishme dhe ngërçi politik dhe bojkotet politike në mbarë botën shqiptare, sidomos në Kosovë dhe në Shqipëri, fatkeqësisht thonë disa se gjendja e krijuar, vërteton pretendimet shekullore të armiqve të kombit shqiptar se shqiptarët nuk mund të vetëqeverisen. Sa i tmerrshëm do të ishte vërtetimi i këtij konkluzioni!


 


Sot për sot, fatkeqësisht, kombi shqiptar gjendet në një udhëkryq.  Falë kësaj klase politike, duket se shqiptarët nuk po dinë të gjejnë rrugën e tolerancës dhe bashkjetesës kombëtare dhe politike midis tyre që do t’a çonte atë në udhën që ia ka caktuar Perëndia dhe historia — drejtë realizimit të idealeve kombëtare. Është e vërtetë se gjatë shekullit të kaluar, Shqiptarët u gjendën, ndoshta si asnjë popull tjetër në Europë, i hudhur, i përbuzur, i shkelur e i harruar dhe i përsekutuar nga një ideologji e huaj e imponuar sllavo-aziatike dhe nga fqinjtë që kurrë nuk ia deshtën të mirën këtij kombi. Mirëpo, anë e mbanë trojeve shqiptare, për këtë situatë aktuale absurde mosmarrveshjesh e grindjesh të pafund të klasës politike — sot për sot — nuk mund të fajësohet komunizmi, as sllavi, as greku, as turku dhe as ndonjë tjetër, por vetë shqiptarët. Pa një ndjenjë dhe realizim për nevojën e doemosdoshme të bashkjetesës politike dhe kombëtare – pa një diskurs politik i denjë për shekullin 21 në radhët e klasës politike të shqiptarëve kudo, që do t’i jepte një hov të ri jetës kombëtare, politike, dhe ekonomike të shqiptarëve, sot për sot nuk mund të thuhet se, “Bacë u kry”, jo vetëm në Kosovë por askund tjetër në trojet shqiptare. Zemreku i orës së historisë së kombit shqiptar po pret gjithnjë të këthehet në rrugën e duhur. Kjo mund të arrihet vetëm nga vetë Shqiptarët.


 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …