“Epoka” e demokracisë u solli shqiptarëve shumë liri dhe favore, fjalën dhe mendimin e lirë, kapardisjen intelektuale, mujsharinë politike dhe garën pa fre për ta reklamuar veten, për ta rishikuar të kaluarën, për ta rishkruar atë, secili sipas mënyrës dhe bindjes së vet. Kjo garë marramendëse, ky “turr” i të gjithëve kundër të gjithëve, ka krijuar një atmosferë kaosi dhe përzierje të vlerave deri në atë nivel, sa tashmë nuk dihet se kush çka shkruan, kush çka boton, kush kë e sulmon apo e denigron. Kjo liri pa fre, pa kufi, ka bërë që secili shqiptar që di shkrim lexim të ndihet intelektual, shkrimtar, shkencëtar, poet, politikan, patriot, publicist, e çka jo. Kjo gjendje konfuze me institucione të brishta dhe mungesë elementare të përgjegjësisë individuale, deri në një masë edhe kolektive, ka bërë që vlerat e mirëfillta krijuese të shpallen antivlera dhe antivlerat të reklamohen si vlera. Në këtë rashomoniadë tragjike-komike, sjellim, në kujtesë “Pesë anarkitë” e Nolit për të zbuluar se sa aktuale janë sot, afër 90-vjet pas, këto dhe shumë anarki e marrëzi të tjera me të cilat po ballafaqohemi përditë.
Noli, duke i bërë një përshkrim realist gjendjes në Shqipëri në vitet ’20, thoshte:
“Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
Këtu brenda një dite, si me magji, tradhtari bëhet patriot dhe patrioti, tradhtar. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme, ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu, si më thoshte një mik, është më mirë që njeriu të jetë tradhtar e të shikojë interesat e tij, sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh. Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buharasë, përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla, më elegante e më të ndritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këto mund ti copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën e anijeve të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’iu presësh jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin”.
Kështu thoshte Noli i Madh duke stigmatizuar karakteret e dobëta dhe të qullëta të disa njerëzve tanë, të cilët nuk lënë gurë pa lëvizur vetëm për të arritur qëllimet e tyre, për ta pasur kungullin çdoherë mbi ujë. E interpretova Nolin, me qëllim për të përkujtuar se zezonat tona nuk janë prodhim vetëm i kohës sonë, por janë edhe trashëgimi gjenetike e lindorëve shqiptarë, që pretendojnë se janë perëndimorë, sikur i kishte identifikuar, po në atë kohë, edhe mendimtari i madh shqiptar, Kristë Maloku. Për më shumë, mendoj se tashmë lindori dhe perëndimori janë bërë një dhe kanë krijuar përfaqësuesin tipik të shqiptarit aktual, që pretendon se është mjaft i pajisur me dije, shqiptarin tjetër, që është i veshur me pushtet, që thirret në meritat e tij individuale, familjare, në meritat e fisit, të bajrakut e të oxhakut, që ka krijuar pasuri dhe begati dhe me këtë mundohet ta fshijë të kaluarën e errët, mundohet ta minojë atë, ta përshtatë për vete, ta adaptojë, ta amputojë si ia ka qejfi dhe skizofrenia e tij e sëmurë.
Sharllatanët e lagjeve duan të na rishkruajnë historinë, sipas shijeve dhe dijeve të tyre. Ata, me mendjet e tyre, kanë krijuar bindjen se janë më të diturit, më trimat dhe më kompetentët për të na treguar se për 100 vjet e paskemi mësuar gabimisht historinë e kombit tonë. Këta,100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duan të na bindin se vetëm një shqiptar paska qenë shqiptar i vërtetë, i vetmi prej tyre na qenka, Hasan Prishtina, ndërsa të tjerët: si Ismail Qemali, Isa Boletini, Idriz Seferi, Fan Noli, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Çerçiz Topulli, nuk paskan asnjë meritë, madje-madje u dashka të gërmohet në të kaluarën e tyre, për t i paraqitur si pro-serbë, pro-grekë e pro-pro të tjerë, por kurrsesi atdhetarë. (!) Këta mendje-terratisur na sjellin në kujtesë bëmat fantastike të Don Kishotit e të Sanço Panços, por edhe personazhin e Bali Katravellës të humorit e satirës popullore shqiptare.
Sa të mjerë janë këta njerëz përderisa mendojnë se me para, me botime e ribotime librash, me blerjen e pakurrizorëve, që shkruajnë me porosi, mund të rrënohet historia e përgjakshme e këtij kombi, pa na treguar se çka kanë dhënë për kombin ata vetë, përveç “kontributit” që kanë dhënë dhe po i japin përçarjes, pa na treguar se ku kanë fshehur prapanicat, bashkë me kokat e tyre, kur luftohej në Kosovë, pa na treguar përse aq e rrëshqitshme ishte bërë toka e atdheut për të ikur prej serbit, pa na treguar përse bënë turr për t’ u kthyer sa më parë në Kosovën e çliruar nga çlirimtarët e saj, të cilët, sipas tyre as nuk paskan ditur përse paskan luftuar.
Këta “taksimistë” të vonuar, po bëjnë përpjekje që me libra autorialë, të cilët për fat të mirë pak kush po i lexon, të na bindin se ne, për 100 vjet paskemi mësuar gabimisht historinë dhe tani paska ardhur koha që të mësohet historia e re, e këtyre dër-mërëve, me tituj “shkencorë” dhe hiq pa tituj, me dije nën mesatare, por të aspiruar si “dije enciklopedike”, pa e lexuar madje as tekstin e Historisë së popullit shqiptar për shkollat e mesme. Afishimi i dijes në tekstet e tilla lë të kuptosh se ky soj skribësh është “arsimuar” duke lexuar gazeta, duke shfletuar portale në internet dhe duke u mbështetur në “muhabetet” e iks-ipsilonëve të forumeve të pista, që përhapin gënjeshtra duke u fshehur pas emrave të rrejshëm.
Ky deformimet i njerëzve të stresuar e të hallakatur, qoftë nga konfliktet familjare, apo klanore, qoftë nga seniliteti, qoftë nga marrëzia gjenetike, qoftë nga e kaluara shumë e përfolur për të keq, është vënë në shërbim të politikave shkombëtarizuese, që mbështeten fort nga politikat globaliste evropiane, nga ata që për ditë na japin porosi, sesi u dashka ta harrojmë të kaluarën për hir të pajtimit me serbët, edhe pse këta “komshitë” e veriut nuk na bëjnë hesap dhe kërkojnë që ne, jo vetëm t’ u kërkojmë falje për luftën që kemi bërë, por të heqim dorë edhe nga pavarësia, e cila është shpallur pa lejen e Serbisë, ashtu sikur e kishte shpallur Ismail Qemali, pavarësinë e Shqipërisë pa lejen e Turqisë, të Greqisë apo Serbisë, pa lejen dhe pëlqimin e Evropës, por që çuditërisht, vendin e shpalljes së pavarësisë ia paska pas caktuar një dhespot grek.(!)
Këta matrapazë të tregjeve e trafiqeve e tarafeve të zeza, këta “parelij” mendojnë se gjithçka blihet me para, për faktin se gjatë gjithë jetës janë shitur me para dhe janë blerë me para. Nuk është e çuditshme se të tillët kanë gjetur kalemxhinj, të cilët i paguajnë për të shkruar me porosi, për të njollosur këtë apo atë personalitet, për të nxjerrë të pastër disa dhe për të lërosur disa të tjerë, gjithnjë duke jetuar nën ombrellat e të tjerëve. Dikur të gjithë tok ishin futur nën ombrellat e Enver Hoxhës dhe të Fadil Hoxhës, më vonë nën ombrellat e Ibrahim Rugovës e Sali Berishës. E nesërmja ku di ku do t’i gdhijë!
Këta matrapazë dhe tregtarë flamujsh, në mungesë të dijes dhe arsimimit, apo për qëllime të caktuara politike, fetare e ideologjike janë vënë në shërbim të mendësisë kolaboracioniste dhe nën petkun e luftës kundër komunizmit, ata po bëjnë përpjekje ta rehabilitojnë fashizmin dhe satrapët e kësaj ideologjie, po bëjnë përpjekje ta amnistojnë Esat Pashë Toptanin, pro-serbin më besnik që ka njohur historia, Ahmet Zogun, Ceno beg Kryeziun, Xhafer Devën dhe kolaboracionistë të tjerë me damkë, të cilët për fatin tonë të keq, kanë lënë prapa viruse të rrezikshme.
Përpjekjet për ta rishkruar një histori tjetër, nga ajo që kemi, përpjekjet për ta bindur se ne qenkemi trojanë, dardanë e kosovarë, po jo ilirë, arbër e shqiptarë, përpjekjet për ta devalvuar luftën e UÇK-së, Shtabin e Përgjithshëm dhe stafin e krijuar në kohën e luftës së përgjakshme, përpjekjet për t i paraqitur atdhetarë farkistët, që kishin “mrizuar” në hotelet dhe plazhet e Shqipërisë derisa ishte kryer lufta kundër Serbisë, përpjekjet për të rehabilituar bashkëpunëtorët e UDB-së, kolonelët shqipfolës të Titos e Milosheviqit dhe të agjenturave të huaja që u kontrabanduan në Kosovë pas mbarimit të luftës, përpjekjet për ta vënë në shënjestër luftën e pastër të UÇK-së, vetëm për faktin se janë vrarë disa kolaboracionistë shqipfolës, natyrisht se do të mbesin përpjekje të mjera, të përçudnuara, të neveritshme (ashtu sikur shumë përpjekje të tilla në të kaluarën) të cilat po përhapin një mjegullnajë me duhmë të keqe, por nuk do të kalojnë, sepse e vërteta dhe e drejta mund të lakohen nëpër rasat gramatikore, por nuk lakohen kurrë në përballje me realitetin, me faktet e argumentet, mbi të cilat është shkruar dhe shkruhet çdo histori e çdo kombi në botë.