Fushata e disa kalemxhinjve të njohur të Kosovës, kundër Vetëvendosjes e në veçanti kundër Albin Kurtit, po bëhet në vazhdën e fushatave të dikurshme dhe të tanishme kundër UÇK-së, kundër dr. Rexhep Qoses, kundër Adem Demaçit, të burgosurve politikë dhe kundër liridashësve të vendit.
Përpjekjet për ta linçuar Albin Kurtin dhe për të diskredituar çdo veprim, që nuk është në akord me përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë, përpjekjet për t’i paraqitur si fashiste aksionet e vetëvendosjes, vetëm sepse ajo kërkon zbatimin e masave të reciprocitetit dhe pengimin e futjes së mallrave të Serbisë në Kosovë, i bëjnë vetëm njerëzit me sindromën e çmendurisë, ose ata të cilët për shkaqe që vetëkuptohen duhet të shkruajnë e të shkarravisin ashtu sikur iu thotë padroni, pavarësisht bindjeve të tyre.
Etiketimi, që disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës si: Berat Buzhala, Ilir Mirena e të tjerë i bëjnë Albin Kurtit, duke e krahasuar me Enver Hoxhën, Kim Il Xhongun, Mao Ce Dunin, me serbin Veselinoviq, madje edhe me Adolf Hitlerin, nuk janë vetëm krahasime groteske e qesharake, por mbi të gjitha janë krahasime ogurzeza, që bëhen me qëllim të nxitjes së revoltave dhe humbjes së durimit qytetar. Prapa këtyre krahasimeve fshihet frika deri në palcë e këtyre njerëzve për humbjen e mundshme (madje edhe të sigurt) të pushtetit dhe të favoreve, që gëzojnë, sepse aktualisht “Vetëvendosja” është e vetmja forcë opozitare në Kosovë, e cila mund ta rrezikojë koalicionin qeveritar dhe mund të fitojë edhe më shumë simpatizantë, nëse i kthehet strategjisë burimore të rezistencës, duke pezulluar aktivitetin në Kuvend. Qëndrimi i mëtejmë në Kuvend e dobëson pozitën e Vetëvendosjes, sepse ajo nuk ka arritur ta unifikojë opozitën, e cila në raport me Serbinë, dialogun, e veprime të tjera është në të njëjtën qëndrim me pozitën.
Fushata e cinikëve mafiozë kundër Albin Kurtit, nuk është thjesht një fushatë vetëm për ta përbaltur atë dhe bashkëveprimtarët e tij, por në esencë është një fushatë kundër të gjithë shqiptarëve, që nuk pajtohen me njëmendësinë politike autoritare, që nuk pajtohen me lëshimet antikombëtare, që po bën delegacioni i Kosovës në bisedime me Serbinë, që nuk pajtohen me gjendjen gjithnjë e më të rënduar të shumicës dërrmuese të popullatës. Aq më keq, kur kësaj fushate i prijnë deputetë e zëvendës-ministra, të cilët gjithsesi se shprehin edhe qëndrimet e tyre partiake, qëndrime këto që dëmtojnë, baltosin dhe diskreditojnë vetë PDK-në, sepse elektorati i kësaj partie nuk pajtohet me krahasimin, që i bëhet Albin Kurtit me Hitlerin, as me Veselinoviqin, as me diktatorët e kohëve të shkuara. Elektorati i PDK-së e di mjaft mirë se Vetëvendosja nuk ka pasur as ka pushtet faktik në institucione, por ka tubuar rreth vetes kundërshtarët e Qeverisë, opozitën e njëmendtë.
Përpjekja e këtyre mjeranëve për ta paraqitur Vetëvendosjen si një monstrum, është përpjekje në stilin e putanës, që thotë “mbama djalin, t i them sa nuk më ka thënë”. Gëzon fakti se këta zëra monstruozë nuk mund të identifikohen me PDK-në, e cila e ka shumicën e elektoratit në Kosovë dhe e cila ka edhe përgjegjësinë më të madhe për të vepruar në këtë drejtim.
Është e rrugës dhe është akt qytetërues i kreut të PDK-së që të distancohet nga etiketime të tilla, të cilat i fryjnë zjarrit të urrejtjes.
Është edhe e vërteta tjetër, se në mesin e Vetëvendosjes ka edhe aktivistë, që veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme dhe me një gjuhë të keqe, por nuk ka ndodhur të kemi dëgjuar se kryetari i PDK-së Hashim Thaçi është krahasuar me Adolf Hitlerin. Mirëpo, ka të atillë që i bëjnë argat të panevojshëm instruktimeve të Dik Martit dhe të tillë që për inate personale do të donin që kreu i luftës në Kosovë të shpallet i inkriminuar, vetëm sepse kështu do Serbia e në një masë edhe Brukseli. Edhe Vetëvendosja, pavarësisht të gjitha sulmeve, me të cilat është ballafaquar, duhet të distancohet nga disa veprime jo serioze dhe të ulëta, të cilat fyejnë ndjenjat njerëzore.
Ja çfarë shkruan, zëvendës-ministri Ilir Mirena në shkrimin e tij botuar në Ekspress lidhur me Vetëvendosjen. ”Veprimet e tilla të papërgjegjshme të një partie politike, fatkeqësisht me sjellje fashiste, ndodhin bash në kohën kur Kosova pritet të nisë dialogun për heqjen e vizave me BE’në. Dalldia për pushtet e drejtuesve të Vetëvendosjes i vë pikëpyetje aspiratës së gjithë qytetarëve tanë të cilët duan të dalin e të kthehen në këtë vend pa ndjenjën përulëse që të krijon procesi i marrjes së një vize. Uzurpatorët e një patriotizmi primitiv, duke u tallur me ne, kanë vendosur t’u vënë flakën ëndrrave tona – që kurrë nuk i kemi pasur aq afër sa tani. Thjesht, sepse nuk është mënyra e vetme se si duhet vendi, ajo që na ofron Vetëvendosje. A nuk e ka dashur vendin e vet edhe diaboliku Adolf Hitler? Një dashuri mbi miliona kufoma, që u vranë vetëm se nuk menduan dhe nuk ishin si ai”.
Këto krahasime dhe këto aludime i bën vetëm një njeri i sëmurë mendërisht. Ai, nuk paraqet as edhe një fakt, për të argumentuar bindjet e tij. Dhe pikërisht kur të tillëve iu mungojnë faktet, ata tërë mllefin e derdhin duke u mbështetur në etiketime, gënjeshtra e mashtrime, të cilat, njerëzit e painformuar i marrin për të vërteta.
Ndërkohë, po në këtë linjë urrejtje, por me një fjalor të përmbajtur ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje, në Merdare është “ushtrim i dhunës që mund të përsëritet” në veri të Kosovës. Ai për mediet serbe, ka thënë se “nuk është e rastit që një gjë e tillë të ndodhë pikërisht tani, kur bisedimet në Bruksel kanë dhënë rezultate”. “Tani, kur bisedimet kanë dhënë rezultate dhe kur marrëveshjet po zbatohen plotësisht, është e qartë se dikush ka nevojë për provokime dhe t’i kthejë gjërat prapa. Është e qartë se dikujt nuk i konvenon stabiliteti”, është shprehur Bogdanoviq, i cili duke u shprehur në mënyrë cinike thotë se nuk e kupton “çfarë reciprociteti kërkon “Vetëvendosja” në eksport dhe import, kur Kosova nuk prodhon gati asgjë”. Ai nuk e etiketon “Vetëvendosjen” si parti fashiste, apo anarkiste, por krejt natyrshëm frikësohet se kjo parti apo Lëvizje, nëse përkrahet nga shumica shqiptare, mund t’ ia prish planet Serbisë, për t’u kthyer në Kosovë, plane këto që po vihen në jetë hap pas hapi, përmes dialogut, gjithnjë në favor të Serbisë, sepse janë shqiptarët ata, që kur duan të hyjnë në Serbi detyrohen të heqin dorë nga identiteti shtetëror dhe jo serbët të cilët e mbajnë me vete identitetin e shtetit të tyre, kudo në Kosovë.
Gjuha e pa frenuar e urrejtjes, nuk i sjellë dobi Kosovës, aq më tepër kur kjo gjuhë po dobësohet në drejtim të kriminelëve serbë, në drejtim të atyre që na vranë e masakruan dhe po bëjnë përpjekje të pareshtura për tu kthyer në vendin e krimit, dhe po sforcohet brendapërbrenda shqiptarëve.