Me rastin e 20-vjetorit te themelimit dhe punës së suksesshme të RKL, ju uroj këtë jubile tuajin të punës, si bashkë-udhëtare dhe bashkëluftëtare me trimat e UÇK-së, të cilëve nuk iu ndatë kurrë, as në luftë, as në paqe; ata luftuan me pushkë, e ju me penë dhe zëri juaj jehonte shumë më larg se krismat e pushkëve të luftëtarëve të lirisë, apo krismat e topave dhe raketave të armikut serb.
Zëri i RKL u jepte shpresë, kurajo e moral luftëtarëve, dhe popullit shqiptar, se liria do të fitohet, pa marrë parasysh çmimin që do të paguhet. Zëri juaj ishte motivim e shpresëdhënës për luftëtarët dhe për popullin.
Kur armiku i kishte mbyllur ose uzurpuar burimet e informimit dhe mediumet nëpër qytete, Radio Kosova e Lirë i jepte lajmet nga fshati Berishë dhe nga vendi i ngjarjes ku zhvilloheshin përleshjet me armikun.
Radio Kosova e Lirë, edhe pas çlirimit i mbeti konsekuent konceptit të vet liridashës e kombëtar dhe vazhdon të ngritë zërin e ndërgjegjes, dinjitetit dhe aspiratës për unitet e bashkim kombëtar, si e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e synuar qysh prej rilindësve e deri te çlirimtarët e luftës së fundit, dhe do të vazhdojë deri në realizimin e plotë të kësaj aspirate.
Të gjithë pjesëtarëve të Stafit të RKL, prej themelimit e deri më sot, ju uroj:
Gëzuar 20-vjetorin e themelimit dhe të punës së suksesshme të RKL!