Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, austriaku Busek, njeri nder analistet me te shquar te çeshtjeve te Ballkanit, hodhi idenë që “Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë negociatat për ndarjen e territoreve, pasi kjo është zgjidhja më e mirë tash për tash, meqë si shpërblim, Kosova do të njihej nga Serbia dhe nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës…. të bëhet shkëmbimi i territoreve, në mënyrë që komunat e Kosovës Lindore t’ i bashkohen Kosovës, ndërsa komunat e veriut t’i bashkohen Serbisë. Jam i bindur që në fund të fundit nëse asgjë nuk do të jetë e mundur, atëherë ndarja është zgjidhja e fundit e mundshme”, përfundon Busek.
Menjëherë pati reagime kundërshtuese jo vetëm nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga LPK-ja, edhe nga Aleanca Kuq e Zi dhe ca të tjerë si dhe nga Qeveia e Tiranës si dhe nga partia came pati kundërshtim ndaj kësaj ideje, e cila nuk duhet të jetë vetëm e z. Busek. Një akordancë interesnte, e veshur me mantel patriotik! Argumenti i këtyre kundërshtuesve të ndërimit të territoreve, është që ne të mbajmë jo vetëm territoret e banuara me serbë ose me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, por edhe të marrim të gjitha territoret matanë Kosovës Lindore, që kanë qenë tonat por që tashmë nuk banohen nga shqiptarë. Madje dikush shkon edhe deri në Nish.
Menjëherë pas gjithë këtyre reagimeve “patriotike” u shfaq në media intelektuali i shquar dhe me autoritet mbarë kombëtar, Profesor Rexhep Qosja, i cili ka vlerësuar se shkëmbimi i territoreve do të ishte zgjidhja më e mirë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, meqë është jo demokratike të mbahen serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës Lindore në një shtet që nuk e duan. Unë mendoj se për t’u zgjidhur përfundimisht çështja e Kosovës, duhet të zgjidhet edhe një brengë e brendshme në Kosovë, për t’u çliruar nga serbët e veriut dhe kush është interesuar nga këta serbë nga brendia e Kosovës, mund të kalojnë atje në veri dhe ajo pjesë t’i jepet Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Do të thotë të bëhet shkëmbimi i territoreve, për të cilin opsion unë jam dakord”.
Menjëherë pas kësaj deklarate të qartë e të guximshme, në një moment të rëndësishëm historik, lexova një reagim të z. Gjokë Dabaj në ë.pashtriku.org, të datës 15 shkurt 2012, ku midis të tjerave, deklaratën e z. Qose e quajnë “Vetvrasja e Rexhep Qoses”, dhe gati, gati sa nuk e cilësojnë edhe tradhëtar. Dhe për këtë sjellin shumë fakte historike, madje edhe të dokumdntuara, ku vërtetohet katërcipërisht që serbët na kanë marrë ne shqiptarëve edhe shumë herë më shumë troje se sa kemi sot. Nuk kam asnjë kundërshtim rreth fakteve që ata sjellin, madje të ilustruar edhe me harta origjinale, por nuk jam dakort me shembujt që na i sjellin për krahasim, pasi nuk janë të ngjashëm me Preshevën tonë dhe me pjesën në veri të Mitrovicës.
Kur lexova këtë reagim kundër Qoses, por edhe kundër propozimit ndaj idesë së z. Busek, m’u kujtua menjëherë reagimi i ngjashëm që bënë të gjitha partitë shqiptare, në të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët, në janar 1998, kur qeveria Greke, krejt papritur, doli me një nismë të re diplomatike për çështjen e Kosovës. Ajo propozoi që zgjidhja e krizës së Kosovës të gjendej brenda kuadrit rajonal. Për këtë qëllim Greqia shprehu gatishmërinë për të qenë moderatore e një takimi ndërmjet tre faktorëve kryesorë të krizës: presidentit serb Sllobodan Milosheviç, presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Fatos Nano. Një çudi, pasi vinte nga Greqia. PS-ja e mirëpriti këtë propozim grek, por të gjitha partitë “nacionaliste” shqiptare dhe LDK-ja, bashkë me to, e akuzuan Nanon për herë të dytë tradhëtar, prandaj, kur pas grekërve dolën Bullgarët dhe propozuan që të zgjerohej tavolina e bisedimebe, të futej edhe Turqia, edhe Bullgaria, edhe Rumania, PS-ja, nga frika se mos shpallej përsëri tradhëtare, doli e para kundër, e mbështetur edhe nga Greqia. Greqia e mori shpejt kthesën, se e kuptoi që, po të ulet në bisedime treshja: Tiranë – Prishtinë-Beograd, vetëm atëherë ka zgjidhje problemi midis Serbisë dhe Kosovës. Mirëpo, këtë rast ideal “nacionalistët” tanë “patriotë” e kundërshtuan, sepse duan që Serbia të na kthejë Nishin, pastaj të ulemi në bisedime. Andej nga jam unë, pretendimeve të tilla u themi: “Edhe kacidhjar, edhe fudull”, ose, “Edhe dhi e krimbur, edhe bishtin përpjetë”. Ke takat t’i imponohesh që të t’i japi me vullnet? Jo. Atëherë bëj si të thnë të mënçurit dhe jo hajdutët “patriotë”.
Madje ua pamë forcën dhe patriotizmin e këtyre “patriotëve” të flaktë kur shpërtheu lufta e armatosur në Kosovë dhe kur doli në skenë edhe UÇK-ja, ku asnjë antar i këtyre partive “nacionaliste” dhe “patriote” nuk iu bashkua asaj lufte dhe asaj ushtrie e jo më politikanët “nacionalistë”, e kryetarët dhe kryesitë e atyre partive, pa folur për intelektualët “patriotë” e “nacionalistë”, përves Qoses dhe Kadaresë. Madje “patriotët” e mësipërm nuk u bënë patriotë të pakëtn as me artikuj e as me biseda televizive, ndersa tashti na kërkojnë Nishin e Tivarin. Pse nuk u ngritën kur probledmi na erdhi në derë dhe në dorë? Mitrovicën Veriore e lanë vetë, këta “patriotët” e Qeverisë aktuale të Thaçit, në 12 qershorin e vitit 1999, kur kishin edhe ushtri, edhe armë, edhe të gjithë popullin në këmbë, dhe nukm e vendosën komandën e Zonës Operative të Shalës në Mitrivicën Veriore, bashkë me gjithë ushtarët e saj, madje të çonin edhe një e më shumë zona të tjera me ushtarë të armatosur, por e vendosën në jug. Edhe kur u bë marrshimi i madh i gjithë Kosovës në dhjetorine atij viti drejt Mitrovicës së Veriut, ishin Thaçi dhe Çeku ata që u dolën përpara te ura mbi lumin Ibër dhe i ndaluan, duke u premtuar se Mitrovica e Veriut nuk do të ndahej, siç i mbajnë me gajret edhe sot.
Trima pas beteje ka e do të ketë shumë. Trima deklarativë ka e do të ketë edhe më shumë, por trima të fjalës, të pushkës e të veprës ka pak. Dhe një nga këta të paktit është edhe z. Rexhep Qose, i cili me guxim tha atëherë se jam dakort me UÇK-në dhe sot thotë plot guxim se, jam dakort me shkëmbimin e territoreve. Edhe tashti që ndërkombëtarët na vinë në ndihmë, përsëri na dalin kundra.
Këta zotërinj që dolën kundër z. Busek dhe z. Qose, pse nuk na japin zgjidhjen e tyre alternativë, por mjaftohen duke na lexuar legjendat dhe këngët e Mujit e të Halilit? Nuk je dakort me Qosen? Mirë. Po cili është varjanti yt i zgjidhjes së problemit, kur edhe vet Serbia thotë ejani të bëjmë shkëmbim?
Qëndrimi i kritikuesve të idesë së Busekut dhe të Qoses, mua nuk më duket i drejtë, pasi ka rrezik ta pësojmë si te fabula e Çajupit, “Qeni dhe hija e tij”, ku, përveç veriut të Mitrovicës të mos i marrim kurrë edhe ato territore shqiptare që banohen deri sot me shqiptarë dhe me shumicë shqiptare në Kosovën Lindore, se nesër nuk dihet. Historia botërore ka treguar se ndarjet e territoreve dhe rivendosja e kufijve është bërë dhe bëhet sipas faktit të kryer dhe jo sipas dëshirave. Aq më shumë kjo ndaj popujve të vegjël. Dhe aq më shumë kjo, kur popujt e vegjël, njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, njëri reciton rapsoditë heroike e tjetri historitë.
Historia ka treguar se Fuqitë e Mëdha veprojnë sipas faktit të kryer dhe jo sipas padrejtësive që ka bërë historia. Kjo që thonë kryetarët dhe zëdhënësit e partive kundërshtare të Busekut dhe Qoses si dhe z. Gjokë Dabaj, është një dëshirë e drejtë por e parealizueshme, për mos të thënë budallalliki: “Na jepni tërë territoret e banuara me serbë në veri të Mitrovicës, na jepni tërë territoret e Kosovës Lindore, na jepni edhe Nishin, na jepni edhe Tivarin dhe rrini drejt!” Bukur frt! Por, ja, nuk t’i dhanë,. Ti dhe ata “patriotë” që mendojnë si ti, ç’do të bëni? Ju dhe unë kemi fuqi t’i marrim vetë? Të kuptohemi drejt: a kemi fuqi t’i marrim dhe jo dëshirë për t’i marrë.
Ndoshta e kam gabim, por historia e kombit tonë këtë ka treguar deri sot. Duhet të jemi pragmatistë, të shfrytëzojmë momentin se, nesër nuk i gjejmë me këtë mënde as serbët dhe as ndërkombëtarët, që të jenë të gatshëm të bëjmë këtë ndërim territoresh që po diskutohet sot. Madje unë do të jepja edhe një argument më shumë, ludhur me Preshevën. Ta marrim sa s’është vonë, pasi Kosovës do t’i rriteshin të ardhurat financiare shumë shpejt, ngaqë, si hekurudha ndërkombëtare edhe autostrada ndërkombëtare që lidh Evropën Qëndrore me Mesdheun kalojnë në atë luginë,. Është luginë strategjike. Këto llogari të bëjnë politikanët , historianët, nacionalistët dhe patriotët tanë, dhe jo të na tregojnë atdhedashuri me përralla e me poezi. Si thotë poeti Dritero Agolli” “Sikur Kosova të çlirohej me poezi, unë do të isha gjenerali më i madh, pasi në Fushë Kosovë do kisha prerë njëqind sulltanë”.
Tiranë, 15.2.2012