Aktualisht e vetmja mundësi e shqiptarëve për të mbijetuar në veri të Mitrovicës është vetëmbrojtja, meqë ata nuk i mbron Policia e Kosovës, ndërsa EULEX-i, UNMIK-u dhe KFOR-i, tashmë krejt hapur e kanë konfirmuar pozicionin e tyre, në ruajtjen e status-quosë, edhe nëse për çdo ditë vriten shqiptarët. Një dritë të gjelbër për vetëmbrojtjen e ka dhënë edhe kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili nuk sheh asnjë alternativë tjetër për mbetjen e qytetarëve shqiptarë në veri, ku ata qysh prej qershorit të vitit 1999 kanë mbetur të okupuar nga Serbia, ashtu sikur ishte e okupuar edhe krejt Kosova deri në ditën e çlirimit, më 11 qershor të vitit 1999.
Përpjekjet hipokrite të kreut politik e institucional të vendit për ta interpretuar ndryshe situatën në veri, për ta ruajtur status-quonë, për t’ i bërë qejf vetit se edhe në atë pjesë Prishtina zyrtare ka shtrirë sovranitetin, nuk janë aspak bindëse dhe i shkojnë përshtati politikës serbe të spastrimit etnik, proces ky i cili ka rezultuar me dëbimin masiv të shumicës shqiptare nga ajo pjesë, dhe pasigurinë konstante të atyre, të cilët kanë mbetur atje, ku dhe jetojnë nën presion sistematik nga frika dhe pasiguria.
Kosova nuk ka një qëndrim politik, unik, lidhur me veriun dhe mungesa e këtij qëndrimi nënkupton lëshimin pe, në mënyrë graduale nga mbrojtja e tërësisë territoriale të vendit, për shkak se miqtë tanë, “të dashur dhe largpamës”, po mundohen të na bindin se ajo pjesë, me shumicë serbe po i takuaka Serbisë, sepse serbët nuk dëshirojnë të jetojnë nën qeverisjen e shqiptarëve, ashtu sikur shqiptarët nuk kanë dëshiruar të jetojnë nën Serbi.
Përpjekjet e BE-së për të gjetur një zgjidhje politike për veriun, duke i dhënë veriut, fillimisht autonomi të plotë vetëqeverisëse, janë fare të mundshme të realizohen meqë delegacioni i Qeverisë së Kosovës në bisedime të Serbisë, ashtu sikur ka lëshuar pe në tërë procesin e marrëveshjeve, ashtu do të pranojë çdo zgjidhje, që do ta kërkojë Brukseli dhe që do të jetë në interes të Serbisë. Sepse edhe bisedimet si të tilla, nuk po bëhen mes dy shteteve sikur dërdëllis, Edita Tahiri, por mes Beogradit dhe Brukselit, i cili ka prezantuar edhe palën e Kosovës në rolin marionet, me qëllim që marrëveshjet të realizohen, edhe pse ato nuk kanë protokoll si marrëveshje ndërshtetërore, as e kanë një kredibilitet të tillë, meqë Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Pikërisht për këtë Serbia ka insistuar që bisedimet të quhen, teknike, dhe ato po zhvillohen mes dy palësh të interesuara, për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe lëvizjes së tyre të lirë, por pa paragjykuar statusin e Kosovës.
Përpjekjet për vetëmbrojtje të shqiptarëve, në veri janë tejet të vështira në kushte dhe rrethana të tilla, dhe nuk do të sjellin asnjë rezultat konkret, nëse ato përpjekje nuk materializohen me shtrirjen e Policisë së Kosovës, në të gjitha pjesët e territorit. Ky opsion, të paktën deri tani ka qenë krejtësisht i dështuar, për shkak se EULEX-i i respekton protokollet e lidhura me Beogradin, lidhur me veriun dhe nuk lejon që Policia e Kosovës të shtrihet në veri. Kjo u pa edhe më 9 e 10 prill, kur EULEX-i, nuk intervenoi me rastin e vrasjes së Selver Haradinajt, as me rastin e ndjekjet së policëve të Kosovës nga bandat serbe, por me tërë virulencën spektakulare u shfaq para një qind protestuesve shqiptarë afër Urës së Ibrit, duke lënë të kuptohet fare qartë se cilën vijë të demarkacionit dhe cilin opsion e mbështet misioni i BE-së, për sundimin e ligjit. Ata madje u gjeten të befasuar kur një komandant policie i pyeti, përse kishin ardhur dhe kush i kishte ftuar?
Ata, që derisa sot nuk e kanë kuptuar rolin dhe veprimet thellësisht antishqiptare të EULEX-it, atyre nuk iu intereson fare veriu, por vetëm pushteti i tyre vasal dhe i mjerë nën EULEX-in, ashtu si dikur nën regjimin e Milosheviqit. Pikërisht me zyrtarë të tillë të lakueshëm, me një pjesë e tyre me prejardhje ideologjike projugosllave, BE-ja po e ruan status-quonë në veri, po i arreston dhe po i dënon shqiptarët, të cilët kanë luftuar kundër Serbisë, dhe po i lë të lëvizin lirshëm dhe të vrasin sërish shqiptarë, ata që kanë vrarë dhe kanë masakruar popullatën civile, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Kjo është e vërteta e tejdukshme, ky është realiteti me të cilin po ballafaqohemi, meqë “miqtë tanë” dhe Brukseli kanë hallin e pranimit të Serbisë në BE, qoftë edhe duke e lejuar, apo duke e sugjeruar rikthimin e regjimit të Beogradit në Kosovë, meqë pranimi në BE i Serbisë dhe i Kosovës, “i bën të pavlefshëm kufijtë dhe i pajton popujt”(!). Kështu të paktën preferon Brukseli. Kështu mendojnë politikanët e moderuar të Kosovës, ashtu sikur dikur këta politikanë na sugjeronin të futemi në Parlamentin e Serbisë, sikur kishin marrë pjesë baballarët tanë 500 vjet në Parlamentin e Turqisë. Ka mjaft të tillë në Kosovë, madje ata janë shumë të respektuar nga “miqtë tanë” sidomos për qëndrimin e tyre të fortë kundër UÇK-së, të cilën madje e kanë quajtur edhe fashiste. Ata gjithnjë kanë qenë dhe po tregohen të gatshëm për t’ u marrë ngryk me serbët, madje sa më parë aq më mirë, për t u pajtuar edhe kur na vrasin, sepse, sipas tyre ai që falë është shumë më trim sesa ai që hakmerret, pavarësisht se vrasësi nuk ta shtrin dorën, por ta fut thikën prapa shpine, ta minon shtëpinë në gjysmë të natës, të vret në treg, në pikë të ditës.
E vetmja mundësi për mbijetesën e shqiptarëve në veriun e vendit tonë është mobilizimi gjithë-popullor në krye me veteranët e luftës së UÇK-së dhe me të gjithë shqiptarët liridashës. Të përkujtojmë faktin se kur Kosova ndodhej në luftë me Serbinë, kishin ardhur për të na ndihmuar vëllezërit tanë, oficerë dhe ushtarë nga Shqipëria, nga Maqedonia, nga Kosova Lindore madje kishin ardhur edhe internacionalistë nga vendet e ndryshme të botës. Ne nuk duhet të presim që vëllezërit tanë në veri, me një pushkallë apo pushkë gjuetie të mbrohen nga kriminelët serbë, sikur thuhet “për ta mbrojtur pragun”, sepse nuk bëhet fjalë për ta mbrojtur pragun, por jetën e njerëzve, të ardhmen e tyre, shtetin e pavarur të Kosovës, territorin e së cilës e kanë njohur 88 shtete të botës. Duhet të insistojmë, që me forcë ta kthejmë nën sovranitetin e Kosovës çdo pëllëmbë të territorit të vendit, sepse për këtë na obligon Kushtetuta. Në rast se veriu i jepet Serbisë, nesër do të kërkojnë të bashkohen me Serbinë edhe oazat serbe të Kosovës.
Nëse nuk reagojmë të gjithë tok, është turp i madh t’iu themi vëllezërve tanë ne veri, qëndroni, rrini atje, se nëse i lëshoni trojet, Serbia i realizon qëllimet e veta. Kjo është hipokrizi, sepse nuk bëhet fjalë për një oazë shqiptarësh në një territor të një vendi fqinj, por bëhet fjalë për territorin e vendit tonë të pranuar ndërkombëtarisht, të cilin duhet ta mbrojmë me çdo çmim, nëse vërtetë ende besojmë se veriu i takon Kosovës.