Qeveria që lëshon pe ndaj disa klaneve mafioze të gazetarëve, si mund t’ i rezistojë Serbisë dhe BE-së?

Qeveria e Kosovës, e cila kishte hartuar kodin e ri penal, në mes tyre edhe dy kodet e kontestuara 37 dhe 38 ia  kishte dorëzuar Kuvendit për miratim, mirëpo ndërkohë, e frikësuar nga disa klane të medieve, ka lëshuar pe dhe ka premtuar se  së shpejti këto nene do të riformulohen në akord me kërkesat e AGPK-së e klaneve të tjera të gazetarëve mafiozë.  Kryeministri ka kërkuar nga deputetët më shumë përkushtim për riformulimin e tyre, edhe pse deputetët me shumicë votash kanë miratuar kodin e ri penal. Thaçi ka thënë se qëndrimi i prezantuar i zëvendës-kryeministrit Kuçi sa i përket neneve 37 dhe 38 është qëndrim edhe i Qeverisë së Kosovës dhe i imi. Mirëpo, sikur ndodh zakonisht  nuk ka sqaruar se a është po ky zëvendës-kryeministër, i cili i kishte propozuar dhe kishte marrë pjesë në miratimin e këtyre dy neneve, para se ato të dërgoheshin për miratim në Kuvend. Dorëzimi i Qeverisë dhe i Presidencës para disa klaneve mafioze të medieve profitere, tregon mungesë të shprehur të kredibilitetit  të institucioneve karshi qytetarëve. Është për t’ u habitur, se u desh vetëm një ditë protestë e disa gazetarëve, që Qeveria e Thaçit të “shklluqet” ndërsa po kjo Qeveri  nuk ishte dorëzuar as pas tre muaj greve të invalidëve e veteranëve të luftës, në verë e në vjeshtë të vitit të kaluar,  të cilët kanë kërkuar një ligj që t’u siguronte minimumin ekzistencial dhe  jo pasuri e kamje sikur disponojnë disa nga drejtuesit e medieve, që protestojnë për të krijuar monopol, për ta ruajtur të drejtën për të gënjyer e mashtruar me  shantazhe dhe  për të mos lejuar sanksionimin e shpifjeve dhe fyerjeve.


 


Paramendojeni një kabinet të tillë qeveritar përballë presionit të një Cuperi, Delli, apo Fyleje, në bisedime me urrejtësin patologjik të shqiptarëve, Stefanoviq?


Paramendojeni një Qeveri që lëshon pe, dhe hiq pa të keq pranon që t’ i futet Kosovës së pavarur, fusnota e OKB-së, e cila legjitimon sovranitetin e Serbisë mbi vendin tonë?


Paramedojeni një zëvendës-kryeministre narcisoide, që krekoset dhe bën poza plazhi, pastaj na  tregon se fusnota, që e përkufizon Kosovën si krahinë të Serbisë, nuk është gjë tjetër  vetëm një fjollë bore, e fjolla, sipas përrallës së gjyshes, po u shkrika në verë sapo të ngrohet moti. Natyrisht se bora është shkrirë, por fusnota ka ngelur si njollë e zezë dhe e ngrirë në zemër të pavarësisë së Kosovës.


Paramendojeni një Qeveri të tillë, që dorëzohet përballë 50 gazetarëve, por mos harroni të kujtoni se çfarë force virulence ka vënë në përdorim po kjo Qeveri, kur aktivizoi qindra  pjesëtarë të forcave speciale, në janar 2012, kundër aktivistëve të Vetëvendosjes, vetëm sepse ata bënin përpjekje të mos lejonin të futeshin në Kosovë mallrat nga Serbia?


Paramendojeni një presidencë, e cila emëron ambasador  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një rrapaçuk, “ish çebapxhi” të rrugëve të Prishtinës, pa shkollë të mesme, për të  zëvendësuar një gazetar të preferuar të ishte regjimeve okupatore, i cili u detyra të largohet nga posti i ambasadorit, pas  presionit që bënë me të drejtë disa anëtarë    Shoqatës Shqiptare- Amerikane.


Paramendojeni një presidente, këshilltarët e së cilës nuk disponojnë ose konsiderojnë se nuk iu duhet kalendari i datave të historisë sonë më të re, dhe në vend se ta udhëzojnë dhe t’ i tregojnë se është e domosdoshme dhe e moralshme të  marrë pjesë në përvjetorin e Masakrës së Mejes, në vendin  ku forcat serbe masakruan dhe zhduken rreth 500 shqiptarë brenda ditës, kryetarja Atifete Jahfaga  vesh fustanin e ballos dhe merr pjesë në “ballon vjeneze” duke vallëzuar ashtu sikur magjistricat në natën e Valpurgës, mbi tisin e gjakut të tokës ku u vranë, u ndanë nga më të dashurit e tyre dhe u masakruan nga xhelatët serbë, mbi  500 shpirtra shqiptarë.


Paramendojeni një Kuvend, ku deputetët votojnë me shumicë dërrmuese një ligj për mediet, e  miratojnë atë me shumicë dhe po të njëjti deputetë, sillen në situatë të votojnë edhe njëherë, të njëjtin ligj, tashmë kundër përmbajtjes së mëparshme, gjithnjë me shumicë votash. Nuk është tepër të pyeten deputetët  se a ndihen si deputetë në Kuvendin e Kosovës, apo si kukulla të Qeverisë dhe të Kryesisë së Kuvendit, apo të partive që i kanë emëruar deputetë? Tekefundit ky nuk është rasti i vetëm, as do të jetë i fundit.


Paramendojeni si ndihen komodë: një Presidencë, një Qeveri dhe një Kuvend kur krimineli, tani ministër i Serbisë, Daçiq në mënyrën më barbare arreston dhe sakaton shqiptarë të Kosovës Lindore, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë? Si ndihet Qeveria e Kosovës kur 800 policë sllavo-maqedonë edhe ndonjë shqiptaro-maqedon, arrestojnë shqiptarë të paragjykuar si xhihadistë e terroristë të ish-UÇK-së? Nuk po themi si ndihet, Ali Ahmeti i BDI-së, sepse ai është pjesë e po asaj Qeverie antishqiptare.


Si ndihen institucionet qendrore të shtetit të Kosovës, ku dy policë qyqarë  kapen  brenda kufirit të Kosovës, qyqarisht, me municion e armë në duar dhe poshtërohen në sy të krejt botës nga tre policë të MUP-it të Serbisë?


Si ndihet Shteti i Kosovës, kur banditet në pikë të natës vendosin trotil në shtëpinë e një shqiptari, i cili vritet mizorisht ndërsa i plagosen tërë anëtarët e familjes?


Cili është kredibiliteti i Qeverisë, e cila deklaron se kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por pas presionit të BE-së, pranon të mbahen zgjedhjet presidenciale e parlamentare, me arsyetimin se  kjo qenka praktikë e vendeve demokratike, edhe pse vendin tonë demokratit, Serbia nuk e ka njohur dhe zotohet se nuk do ta njohë kurrë.


 


Këto dhe shumë e shumë paradokse të tilla, na japim për të kuptuar se kemi një Qeveri, një Presidencë dhe një Kuvend  ashtu sikur i meritojmë, meqë vet e kemi zgjedhur, ose kemi lejuar të ndodh kjo, meqë nuk e kemi shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje, dhe mirë të na bëhet, sepse, kështu si qëndrojnë punët, kështu sikur po presim si cjapi para kasapit, nuk mund të presim tjetër perspektivë. Kemi lindur në skllavëri, kemi jetuar me shekuj nën robëri dhe nuk po mësohemi dot të jetojmë sikur duhet jetuar, në liri.


 


Dhe në përpjekje për ta shpjeguar këtë fenomene të babëzisë shqiptare, të mujsharëve tanë të vegjël e të mëdhenj, të lindorëve tanë të veshur “alla franga”, por me mendje bizantine, feudale, mesjetare, po i referohem, Kristë Malokut, filozofit të madh shqiptar, pak të njohur ndër ne. Duke folur për shqiptarin lindor, ai ka zbuluar të gjitha veset, të ligat e prapështitë e një pjesë kancerogjene të shqiptarëve, një klasë njerëzish, të veçantë,  të cilët i  kishte identifikuar si shqiptarë me prejardhje lindore. Çuditërisht kjo klasë njerëzish është postuar në kreun e institucioneve në Tiranë, në Prishtinë e në Shkup dhe të tillët nuk çajnë kokën për kombin e ndarë e të përçarë.


Ja si e përkufizon këtë zezonë filozofi ynë i madh…


 


Lindori shqiptar  nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nënë, besën e nderin e vet,  për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e për vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i  siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar,  e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet Lindori është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët si ata ujqit  që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet, kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek.  Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi.


Është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë islame, apo edhe nga populli turk. Jo, kurrsesi, Lindorizma e jonë  është një dhunti fatale e krishterimit euro-aziatik…

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …