Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Disa gjëra gjykohen saktësisht kur ndodhesh larg prej tyre

Për këtë shkrim mora spunto nga vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave (VKM) i Qeverisë së Kosovës, lidhur me akordimin e dy pensioneve familjare të përjetshëm, pavarësisht nëse është ose jo i mbështetur në ligj.

Çdo gjë ka një kufi, një masë të caktuar. Kur sasia, thuhet në filozofi, e kalon kufirin (masën) atëherë lind një cilësi e re. Me vendimet që ka marrë gjatë vitit të parë të saj, qeveria aktuale e Kosovës është shndërruar nga një qeveri demokratike në një qeveri bajraktariste ekstreme, për të cilën po shkruajmë.

Dihet që është shumë e vështirë të vihen kufijtë ndërmjet së drejtës dhe të padrejtës. Por Qeveria aktuale e Kosovës e krijuar nga partitë e dala nga Lufta Çlirimtare e saj: PDK, AAK dhe Nisma, e kryesuar nga z. Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj e bën të lehtë këtë dallim dhe të habit me vendimet që ka marrë gjatë një viti jetë, sikundër janë: Shpërblimi i burrave nga Kosova që luftuan para dy vitesh në Kumanovë, duke i dhënë me pa të drejtë Kosovës atributet e një shteti eksportues të terrorizmit; krijimi i një numëri rekord ministrish që nuk e njeh as historia e shtetit më të madh në botë; emërimi i gati 100 zevendës-ministrash që mund të quhet rast unik në historinë e gjithë shteteve; kthesa 180 gradë e kryetarit të kësaj qeverie për faljen e 8260 hektarë bjeshkë Malit të Zi; ekstradimi në mënyrën më të ulët hajdutërisht të disa qytetarëve turq me nënshtetësi të Kosovës të cilët nuk kishin cënuar as edhe një ligj të Kosovës; përpjekjet që bëhen për të krijuar minishtetin serbe brenda në Kosovë, Zajednicën; bisedimet pa legjitimitet me Serbinë për sakrifikimin e territoreve të tjera të Kosovës; dhe së fundi VKM i veçantë ku i akordohet pension i përjetshëm mujor familjar prej 1000 Euro, bashkëshortes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe asaj të ish-futbollistit shqiptar Fadil Vokrri, i cili pat luajtur në KF Partizani i Beogradit dhe me kombëtaren e Jugosllavisë; duke i quajtur këto dy familje: ”Familje të Mëdha”.

Nëse këto VKM do t’i kishte marrë dhe ekzekutuar cilado qeveri e drejtuar nga çdo koalicion tjetër partiak i Kosovës, nuk do të kisha aspak të drejtën morale të reagoja sikundër po reagoj, pasi nuk jam as qytetar i Kosovës. Por e bëj këtë reagim si ish bashkëluftëtar i drejtuesve kryesorë të Parlamentit, Qeverisë, Presidencës të Kosovë dhe kryetarëve të këtyre tre partive qeveritare, ngaqë më vjen turp kur takohem me qytetarë të Kosovës dhe bashkëluftëtarë, të cilët, goja si me shaka më thonë: “E ndritët dhe ju komandantët e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke u kthyer në mbretër me pasuritë që keni vjedhur, me privatizimin jo vetëm të luftës që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por edhe me shitjen e pasurisë kombëtare dhe të territoreve të saj si dikur Ahmet Zogu e Esat Pashë Toptani.” Këtë gjë e shprehu para pak ditësh edhe deputeti Milaim Zeka kur tha se vetëm macet në tavan u kanë ngelë pa i punësuar në administratën shtetërore.

Pyes: Mos vallë i keni marrë këto vendime të turpshme për t’u dukur më të mëdhenj se sukseset që patët në luftë?

Këto VKM të “qeverisë së komandantëve” tingëllojnë aq absurde e të jashtëzakonshme të cilat të kujtojnë fjalët e neveritshme e të turpshme që gjenden në skenën e parë të Pompeut (tragjedia e Pjer Kornejit):

Drejtësia dhe e drejta ide të kota janë…

Të mos kursejnë asgjë të drejtë mbretërit kanë.

A janë të justifikueshëm të tilla VKM të Qeverisë Haradinaj, e veçanërisht vendimi i fundit: akordimi i pensionit mujor të përjetshëm prej 1000 Euro dy zonjave që deri dje vështirë që  populli shqiptar në Kosovë t’u ketë ditur dhe emërin? Me këtë lloj vendimi të veçantë qeveritar ju fyeni të gjitha ato nëna fëmijësh që u janë vrarë burrat në radhët e UÇK-së, të cilët nuk shkuan në luftë se u shpërblyen me para e pasuri, sikundër janë shpërblyer familjet e këtyre dy zonjave kur bashkëshortët e tyre ishin në ato funksione për të cilët ju i shpërbleni.

Nga ana tjetër, po të kemi parasysh aktivitetin e bashkëshortëve të këtyre dy zonjave, të krijohet përshtypja se Qeveria aktuale e  Kosovës është ithtare e familjeve mbretërore dhe fanse e sportit të futbollit. Kjo është ngjashëm me tifozllëkun e verbër të  tifozave të skuadrave të ndryshme të futbollit dhe me fansat militantë politikë ndaj krerëve të forcave të ndryshme politike.

Duke u mbështetur verbërisht nga militantët e tyre, prandaj forcat politike PDK, LDK, AAK dhe Nisma bënë që Kosovës t’i hiqen 11 mijë hektarë territor duke ia dhuruar këtë pjesë të Kosovës Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe nuk dihet se sa ha keni për t’i falur Serbisë. Që do të thotë se mbështetja e verbër prej elektoratit është dëmtim i vetvetes.

Ngaqë këto vendime nuk janë ndëshkuar as nga drejtësia e Kosovës dhe as nga shoqatat e dala nga lufta, u kanë krijuar udhëheqësve bajraktarë të këtyre partive hapësirë për demagogji dhe manipulim si dhe ide supermacie të pushtetit, që mua më duket e tmerrshme.

Me sa duket kryetarët e këtyre partive ngaqë kanë hedhur dhjetëra apo qindra pushkë në Luftën për Çlirimin e Kosovës e ndjejnë veten pronarë të saj, mbretër të Kosovës dhe, meqenëse mbështeten verbërisht prej militantëve, i përshtaten plotësisht fjalëve të Pompeit: Të mos kursejnë asgjë të drejtë mbretërit kanë.

Bazuar në sa më sipër na jepet e drejta të themi se këta ish-komandantë në UÇK duheshin trajtuar ashtu sikundër ka thënë filozofi kinez Konfuci, i periudhës së lashtësisë, para 2500 vjetëve, në epokën e mbretërive feudale kineze: “Lufta ka mbaruar. Fitorja është arritur. Por është e rëndësishme që njerëzit inferiorë të mos vijnë në poste. Në qoftë se ata kanë ndihmuar, pagoi ata deri më një me para, por mos i shpërble ata me prona ose privilegje të tjera, në mënyrë që të mos abuzohet.”, se të atij niveli janë.

Futbollisti  Vokrri mund të nderohej qoftë edhe me ndonjë shtatore në qytetin e tij të lindjes, por çudia është se pse duhet t’i akordohet pension i përjetshëm familjar bashkëshortes së tij, kur ajo familjarisht gjatë asaj lufte çlirimtare punonte dhe jetonte në Paris, ndërsa zonja Rugova në Gjermani!

Prandaj na jepet e drejta të shprehemi se ky lloj pensionimi familjar i këtyre dy zonjave të nderuara, duam apo nuk duam, i jep qeverisë së Kosovës etiketimin e një lloj qeverie të papjekur, adoleshente, ngaqë e përdor një yll të futbollit jugosllav si një zëdhënës për të legjitimuar veten si qeveri e idealeve të bashkim-vëllazërimit, si dhe bashkëshortes së Rugovës, i cili edhe pse ishte Komandant i Përgjithshëm i Kosovës u arratis nga Kosova, si dikur mbreti Zog, dhe i bëri thirrje NATO-s të ndalonte bombardimet ndaj Serbisë fashiste, duke u vetë shkarkuar nga ai funksion që ia kishte dhënë Kushtetuta!

Me këtë VKM qeveria e Kosovës i ka kthyer këto dy zonja në njerëz të shenjtë, gjë tregon se qeveria po vepron njësoj sic vepron feja për disa njerëz kur i shpall shënjtorë. Ky vendim është njëkohësisht rikthim tek ideologjitë ose lëvizjet me efekte katastrofike, në dukje të parrezikshme, por që transformohen shpejt në burokraci të mëdha, totalitare, të cilat më pas nisin ndëshkimin e padrejtë të njerëzve. Dhe këtë lloj ndëshkimi inkuizicional e pamë në gjyqin e ditëve në fund Dhjetorit 2018, në Prishtinë ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, dhe kryetari e nënkryetari i Parlamentit Kadri Veseli e Xhavit Haliti shpifën ndaj intelektualit Sadri Ramabaja për të akuzuar LVV për parti terroriste, ngaqë ajo parti u rrezikon pushtetin! Gjë që duket ashiqare, se koalicioni PDK+AAK+Nisma+Presidenti+Kuvendi është shndërruar në një oligarki pasi të gjitha pushtetet janë në duart e këtyre pesë personave që mbajnë lidhje të ngushta mes tyre.

Unë do të pyesja z. Ramush dhe gjithë kabinetin e tij qeveritar: Si është e mundur që të harrohet familja e heronjve Ukshin Hoti,  Behajdin Hallaçi, Ismet Jashari-Kumanova dhe e Shaban Shalës të cilët dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, ndërsa familjarët e tyre jo vetëm që nuk kanë asnjë lloj përkrahje nga qeveritë e Kosovës, ndërkohë që nuk dinë ku ata i kanë varret që të mund të shkojnë e t’u vendosin një tufë lule a t’u ndezin një qiri?! Apo këto familje nuk i plotësojnë kriteret tuaja për t’i  futur në rangun e “familjeve të mëdha”?

A mund të krahasohen, z.Ramush, këto dy “familje të mëdha” me të paktën 20 familjet e Zonës Operative të Dukagjinit që kanë dhënë nga dy e tre dëshmorë për clirimin e Kosovës? Këto 20 familje janë familje të mëdha dhe jo ato që shpërblen Qeveria e PDK, AAK dhe Nisma e drejtuar prej jush z.Ramush. E mora si shembull zonën e Dukagjinit meqenëse ata 40 dëshmorë të atyre 20 familjeve Ti Ramush Haradinaj i ka pas shokë llogoreje, të cilët kanë dhënë shpirt në duart e tua.

Nuk e di nëse i është akorduar nga kjo Qeveri, apo qoftë edhe nga qeveritë e mëparshme të këtyre 20 viteve, një shpërblim i tillë vajzës së Adem Jasharit, Besjanës, e vetmia e mbetur gjallë në atë betejë epope tre ditore të Prekazit, e cila edhe kur iu vranë babai dhe vëllai para syve të saj, duke i parë prej vrimës që predha e topit të tankut serb hapi në dy muret prej betoni të kuzhinës mbi kokën e saj, ndërsa ajo vijonte të mbushte me fishekë gjerdanët e mitralozave për babanë dhe vëllanë?!

A mund të krahasohet zonja Fane Rugova dhe zonja Vokrri me këtë vajzë?! A mund të krahasohen këto dy zonja me bashkëshortet e dëshmorëve dhe ato që edhe sot nuk e dinë ku i kanë varret e burrave të tyre të zhdukur gjatë asaj lufte?! Lutem, më thoni.

Ky VKM është një largim nga heronjtë e vërtetë: Adem Jashari, Adem Demaçi, Ukshin Hoti etj., si dhe dalje nga mjedisi i njerëzve veprimtarë kombëtarë si  Rexhep Qose me shokë që kanë ndriçuar popullin.

Unë e kam më se të qartë që shumëkush do mbetet i pakënaqur nga ky shkrim, veçanërisht ata të cilët do t’i therë çiltërsia e këtyre mendimeve. Por të tilla parregullsive duhet t’u jepet fund nga politikanët dhe qeveritarët e Kosovës, në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …