Kadri Rexha

Kadri Rexha: Radio-Kosova e Lirë zëdhënëse besnike e UÇK-së dhe aspiratave të bashkimit kombëtar

(Në 20-vjetorin e lindjes dhe të punës së RKL-së)

Rrëfimi për lindjen dhe rritën e institucionit Radio “Kosova e lirë” mund të fillojë edhe si tregim legjende, por edhe si dëshmi reale konkrete historike. Të këtillë e bënë rrethanat e vështira të lindjes. Të këtillë e bëri roli historik i misionit që e luajti dhe po e luan ajo në kohën tonë të madhe… U lind në flakët e luftës, lëshoi shtat nën gjëmimin e armëve të luftëtarëve të lirisë, u rrit në betejat e reja për jetësimin e pavarësisë së shqiptarëve të robëruar me synim të qartë bashkimin legjitim të tyre në një shtet të vetëm kombëtar.

Institucioni Radio “Kosova e lirë”, bashkë me luftën e armatosur të UÇK-së, lindi si imperativ i kohës. Lindi si zë dhe si veprim konkret i domosdoshëm në shërbim të realizimit të aspiratave shekullore për bashkimin e Kombit Shqiptar… Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po e kërkonte lirinë… Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po përpiqej të shpërthente me zërin e lirë të saj. Idetë, përpjekjet dhe veprimet konkrete, për arsye të ndryshme, dështonin që në nismë. Vetëm lufta e armatosur e UÇK-së kundër pushtuesit serb, në këtë drejtim, krijoi realitet të ri. Vetëm vendosmëria e paepur dhe e qartë e luftëtarëve të lirisë ëndrrën e brezave për një radio të lirë të Kosovës e bënë realitet. Vetëm 4 janari i vitit 1999 arriti ta jetësojë ëndrrën e madhe, zërin e lirisë, zërin e popullit…

Institucionin Radio “Kosova e lirë” e krijuan, e udhëhoqën dhe e mbajtën gjallë bijtë dhe bijat më të mirë të popullit. Ata ishin të vetëdijshëm se krahas frontit të luftës së armatosur për liri ishte më se i domosdoshëm edhe krijimi i frontit tjetër të rëndësishëm, krijimi i zërit të luftës. Veprimeve në sheshin e betejës, vendimeve në shtabet ushtarake vendore dhe armike, qëndrimeve zyrtare të qendrave vendim marrëse botërore duhej përgjigjur flakë për flakë…

Radio “Kosova e lirë” nuk veproi nga distanca vend dhe kohë, por nga mjedisi i ngjarjeve, nga epiqendra e luftës. E rrahur nga breshëritë e plumbave, e bombarduar nga aeroplanët e armikut, e mbuluar nga tymi i barotit ajo u përgjigjej në të njëjtën kohë ngjarjeve të zhvilluara në terren. Stafi i radios aq sa për mjet pune kishte lapsin dhe fjalën, po aq e shtrëngonte pushkën besnike. Veprimtaria luftarake e Radio “Kosovës së lirë” aq sa mbante aromën dhe ngjyrën e gjakut po aq mbillte flladin e lirisë dhe farën e fitores…

Me veprimtarinë e saj të vështirë dhe fisnike, si bashkëpjesëmarrëse e proceseve politike dhe ushtarake në Kosovë, Radio “Kosova e Lirë” propagandoi luftën çlirimtare, aksionet dhe zhvillimet frontale të UÇK-së, kontribuoi në informimin e drejtë të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar mbi zhvillimet në frontin e luftës çlirimtare, komentoi të gjitha ngjarjet e rëndësishme luftarake dhe politike që u zhvilluan në Kosovë si dhe vendimet që merreshin për Kosovën. Nëpërmjet lajmeve, vështrimeve dhe komenteve, Radio “Kosova e lirë”, si zëdhënëse besnike e UÇK-së, nga sheshi i betejave transmetonte veprimet luftarake të ushtarëve që luftonin për lirinë Kosovës, kërkonte bashkimin e popullit rreth luftës çlirimtare, demaskonte veprimtarinë përçarëse dhe antikombëtare të partive politike pacifiste të kohës, shfaqte bindjen e fitores së sigurt të luftës së drejtë të UÇK-së si dhe bindjen e thellë për humbjen e pa shmangur të makinerisë ushtarake pushtuese të Serbisë.

Armikun serb aq sa e tmerronte pushka liridashëse e UÇK-së, po aq e tmerronte zëri kushtrimtar i Radios “Kosova e lirë”, zëdhënëses së drejtpërdrejtë të idealeve të ushtrisë së komandantit legjendar Adem Jashari, zëdhënëses së drejtpërdrejtë të aspiratave shekullore të Kombit Shqiptar. Sepse në pushkët e luftëtarëve të lirisë dhe në zërin e Radios “Kosova e lirë” Serbia shihte disfatën e saj të plotë, shihte fundin e saj kolonialist në tokat shqiptare. Kosova tashmë kishte një ushtri, një emblemë, një radio, një agjenci lajmesh dhe një komandë supreme ushtarake. Dhe të gjitha këto frymonin dhe vepronin të lidhura kurorë nën betimin kuptimplotë: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!”

Prandaj, armata serbe aq sa kishte cak sulmi formacionet e luftëtarëve të UÇK-së, po aq kishte në shënjestër Radion “Kosova e lirë”, në mbrojtje të së cilës ranë dëshmoret e fjalës së lirë, dëshmorët e lirisë…

Vështrimet, komentet dhe analizat e Radios “Kosova e lirë” mbi zhvillimet e ngjarjeve në fushat e luftës, ato mbi veprimet e diplomacisë evroatlantike dhe asaj botërore kishin për bazë vërtetësinë, drejtësinë dhe objektivitetin, ndërsa në bërthamën e tyre ato mbronin kërkesat legjitime për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve si dhe logjikën e progresit të përgjithshëm historik të së nesërmes.

E vetëdijshme për situatën e rëndë aktuale kombëtare si dhe për kërcënimet e vazhdueshme antishqiptare që po shfaqeshin në horizont Radio “Kosova e lirë” shtrëngoi radhët dhe u mobilizua për beteja të reja. Përkundër presioneve shumëdrejtimshe, përkundër kërcënimeve nga individë “të moderuar” antikombëtarë, atdhemohues, të pa identitet dhe amoral, e sulmuar nga qarqe titiste-rankoviçiste, e etiketuar për “radikalizëm”, për “primitivizëm” dhe për “patriotizëm vulgar”, Radio “Kosova e lirë”, si promethe bashkëkohor, qëndroi në istikamet e nderit dhe me stoicizëm të pashoq e ruajti kursin e pandryshuar kombëtar dhe frymën militante të programeve të saj. Përmbajtja e programit të Radios “Kosova e lirë”, në radhë të parë, për bazë mbajti kursin e vlerave të dëshmuara kombëtare dhe atyre të përbotshme, vlerat e vërteta të krijuara me shekuj gjatë historisë së popullit shqiptar dhe të njerëzimit mbarë. Konkretisht në institucionin Radio “Kosova e lirë” vlerat e mirëfillta njerëzore u shpalosen nëpërmjet emisioneve të veçanta ku trajtohen tema nga lëmi i diturisë së përgjithshme, arsimit, pedagogjisë, moralit, arteve, shkencës, filozofisë e deri tek temat e përditshmërisë politike, ekonomike dhe kulturore të realizuara përmes lajmit, analizës dhe komentit.

Në vlugun e stinës se fushatës së madhe të medieve për shpëlarjen e trurit shqiptar, me qëndrimin e vet të paepur, mediumi informativ dhe kulturor Radio “Kosova e lirë” ndryshe mund të quhet institut i mbamendjes, i antiharresës, i ruajtjes, i mbrojtjes dhe i propagandimit të kulturës kombëtare shqiptare. Në favor të këtij pohimi flasin emisionet 20-vjeçare të Radios “Kosova e lirë” kushtuar historisë kombëtare, heroizmit të popullit tonë ndër shekuj, figurave të shquara kombëtare, dëshmorëve të atdheut, letërsisë së traditës dhe asaj bashkëkohore, muzikës së traditës dhe asaj bashkëkohore, traditave, zakoneve dhe kulturës shpirtërore e materiale përparimtare kombëtare… emisione të mbrujtura me përmbajtje të shëndoshë e të pastër, me frymë të gjerë popullore e liridashëse, me të cilat prekë thellë në zemrat e shqiptarëve, frymëzon dhe mobilizon masat për vepra të mëdha.

Në 20-vjetorin e lindjes dhe të veprimtarisë së dëshmuar përparimtare institucionit Radio “Kosova e Lirë” i uroj që edhe në të ardhmen puna dhe fjala e saj të buçet me forcë hala më të madhe, që vija e saj atdhetare dhe fryma militante të thellohet edhe më shumë, që fshikullima e kamxhikut të saj të bie edhe me më ashpërsi mbi dukuritë e dëmshme politike, shoqërore dhe kulturore dhe mbi bartësit e tyre që pengojnë progresin, prosperitetin dhe unifikimin e Kombit Shqiptar. Stafit, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të institucionit Radio “Kosova e lirë”, në radhë të parë, iu uroj vetëdije edhe më të thellë kombëtare, përgjegjësi edhe më të madhe politike, aftësi edhe më të theksuar në kapjen e temave aktuale dhe mjeshtri edhe më profesionale në interpretimin dhe zbërthimin e problemeve kyçe me të cilat po ballafaqohet Kombi ynë.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …