Behxhet Sh. Shala: A jemi shqiptarë a kosovarë, apo nuk jemi as shqiptarë e as kosovarë

Kush është më…? Kemi dëgjuar shumë për dilemën se kush është më i vjetër, pula apo veja? Kjo dilemë në fakt është interpretuar në mbrojtje të interesave, kryesisht personale, prandaj edhe nuk është trajtuar si dilemë serioze. Më shumë dhe kryesisht përdoret si shaka apo përpjekje për injorim ose diskualifikim të mendimit tjetër.


Kështu veprohet edhe sot. Përdoret si mjet diferencimi apo eliminimi. Politik në radhë të parë dhe pastaj edhe për të tjera. Tash kjo dilemë përdoret edhe si metaforë kur bëhen përpjekje të mos ketë fare zgjedhje apo zgjidhje të ndonjë dileme.


 


Edhe te shqiptarët ka pasur shumë dilema, në të kaluarën, por edhe sot. Prandaj, edhe e ardhmja bëhet problematike. E diskutueshme. Dyshuese. Me dilema.


Po ndalem vetëm te historia më e re e shqiptarëve, pavarësisht ku kanë jetuar. Dilema ishte nëse duhet të kemi shtetin tonë apo të mbesim nën sovranitetin e Perandorisë Otomane. Dilema ishte se pas kujt duhet të rreshtohemi. Dilema ishte edhe për atdhedashurinë e Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Fan Nolit, Gjergj Fishtës, Ismajl Qemalit, Avni Rrustemit, Bajram Currit etj. Prandaj, disa i vramë vet, disa i qitëm në prita pas së cilave u vranë, ndërsa disa të tjerë i përdhosëm deri në fund.


Kjo ishte për shkak të mungesës së vetëdijes kombëtare dhe shtetformuese. Dhe se shiteshim shumë lirë. Për një grusht lirash të serbit, të turkut apo të austro-hungarezëve. Nuk na interesonte prejardhja etnike e këtyre lirave, për shkak të cilave ne pastaj i përgjaknim duart tona me gjakun e atyre që ishin në gjendje të derdhin gjakun për lirinë tonë!


Edhe atëherë ishim rast sui generis.


Pastaj krijonim dilema se është në interesin kombëtar dhe të shtetit që për ruajtjen e pushtetit ta sakatojmë territorin. Shtetin. Kështu shkuan Hoti dhe Gruda, Vermoshi, Shën Naumi, Ohri, territori deri te Nishi, Çamëria etj. etj. U krijuan dilemat nëse Kosova duhej t’i takonte Shqipërisë apo Jugosllavisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, ishin dy grupacione politike që nuk kishin fare dilema për këtë çështje. Një grupacion që ishte për bashkimin me Jugosllavinë dhe të cilët pastaj u shndërruan në zagarë të Jugosllavisë duke përfituar të mira materiale, poste politike, tituj akademikë dhe shkencorë. U bënë ministra, kryetarë, ambasadorë dhe çka jo tjetër. Flisnin shqip, vepronin serbisht! Flisnin shqip, vrisnin serbisht! Flisnin shqip, dënonin serbisht! Lehnin shqip, kafshonin serbisht! Mbarësoheshin shqip, pillnin serbisht! Prandaj, pjella e tillë gjenetikisht trashëgonte mendësinë jugosllave, e cila siguroi vazhdimësi deri më sot!


E kemi një vijë politike të së kaluarës të konsoliduar në institucionet e Republikës së Kosovës. Shtet i pavarur dhe sovran! Besoni nëse doni!


 


Grupacioni tjetër ishte për bashkimin me Shqipërinë. Për këtë nuk kishin fare dilema. Prandaj, mendonin shqip, vepronin shqip. Luftonin shqip, vriteshin serbisht. Burgoseshin dhe dënoheshin shqip nga grupacioni serb. Mbarësoheshin shqip, lindnin shqip! Këta nuk u dorëzuan e as nuk u nënshtruan.


 


Këto dy grupacione ishin në fakt embrion i ndarjeve të sodit. Të parët kryesisht u bënë jugosllavë të cilët po bëhen “ truri” dhe shpirti i kombit artificial, jo ekzistues, i rremë, manipulues, i trilluar me një imagjinatë të shëmtuar dhe të mbështetur ekskluzivisht në interesa të ngushta materiale, përmes një lëvyrjeje meskine për krijimin e një kombi të ri, atij kosovar!


Të dytët vuajtjet i bënë si shqiptarë, burgjet i bënë si shqiptarë, torturoheshin si shqiptarë, luftën e bënë si shqiptarë, ekzistencën e tyre e lidhin me të qenurit shqiptarë dhe janë trashëgimia gjenetike dhe etnike e një populli që edhe në kushtet e terrorit dhe përpjekjeve për shfarosje (asimilim), qëndruan në kohën kur popuj me një numër shumë më të madh të banorëve nuk i përballonin kësaj sfide dhe u asimiluan. Respekt për të gjithë ata që deklarohen ashtu si ndjehen dhe si janë.


 


Prandaj, kërkoj respekt edhe për neve që e ruajmë të drejtën të deklarohemi ashtu çfarë ishim, çfarë jemi dhe cilët do të jemi! Mos po krijohet edhe një situatë kur përsëri do të bëhen diferencime brenda llojit apo kombit. Që të parët, tash me ndihmën e “miqve“ ndërkombëtarë të diferencojnë grupacionin e dytë duke i akuzuar se janë kundër Kosovës multietnike, se janë etnocentrikë, nacionalistë, përjashtues në baza etnike dhe broçkulla të tjera.


Nëse këtë e thotë z. Fitu, se tash qytetarët e Kosovës më nuk duhet të deklarohen si shqiptarë por si kosovarë, për realizimin e projekteve politike gjithsesi, nuk e kuptoj pse këtë duhet ta bëjnë Nexhi, Halili, Migjeni apo një grup mizërishë!?


Po le të deklarohet z. Fitu se francezët prej ditës së sodit nuk mund të deklarohen francezë por se duhet të deklarohen me identitet të ri, identitetin kinez, atëherë mund të hapim diskutime lidhur me identitetin kosovar!


Fitu dhe disa ndërkombëtarë me metoda alkimike po bëjnë përpjekje që shqiptarët t’i shndërrojnë në kosovarë! Rrjedhimisht, nëse besojmë dhe pranojmë këto propozime të çoroditura, atëherë kombi kosovar duhet ta ketë gjuhën kosovare, traditën kosovare, historinë kosovare, mentalitetin kosovar, kulturën kosovare, trashëgiminë kosovare, artin kosovar etj. Nuk e ka asnjërën. Përveç përpjekjeve.


 


Shqiptarët e Kosovës e kanë shtetësinë kosovare. Shpresoj të përkohshme, sepse konsideroj se kjo shtetësi na është imponuar dhe nuk është shprehje e vullnetit. Sikur që po na imponohet kombi kosovar nga injorantë dhe dallaveraxhinj. Sikur që na është imponuar flamuri “shtetëror“. Sikur që na është imponuar himni “shtetëror“. Sikur që po na imponohet Kosova multietnike në vend të Kosovës demokratike. Sikur që po na imponohet diskriminimi pozitiv, i cili nuk zbatohet askund! Sikur që po na imponohet rregullimi i brendshëm dhe kufijtë e jashtëm! Në formë të decentralizimit në vija ekskluzivisht etnike dhe demarkacioni i kufirit me shtetet fqinje. Demarkacioni po bëhet sipas parimit: ”Kosova ka territor sa Kina dhe kush të dojë mund të marr sa të dojë“.


 


Ambasadorin Lauka e sulmuan sepse në një tryezë shkencore foli drejt! Sepse foli drejt për kombin kosovar. Duke mos ua mohuar të drejtën që edhe të deklarohen si kosovarë, kinezë, aborigjenë, eskimezë, madje edhe si serbë edhe shqipfolësit kosovarë! Që për llogari personale po duan ta formojnë kombin arian kosovar! Për ta shpëtuar nga kombi i stërkequr shqiptar! E akuzuan se Shqipëria po vepron dhe po sillet nga pozita neokolonialiste, hegjemoniste, paternaliste dhe mbase irredentiste!


 


Broçkulla mafiozësh që kontrabandohen si politikanë dhe intelektualë! Që ia fusin kot. Kësi fjalori ishte përdorur më parë kur burgoseshin shqiptarët që donin lirinë. Ky fjalor përdorej si aktakuzë dhe vendim gjyqi për dënime drakonike ndaj shqiptarëve. Ky fjalor përdorej kur shqiptarët vriteshin gjatë protestave, demonstratave dhe rebelimeve kundër bartësve të këtij fjalori! Ky fjalor solli dhe mbolli urrejtjen. Ishte shkaku që për pasojë pati luftën me përmasa të një gjenocidi.


Për mendimin tim, fatkeqësia qëndron pikërisht për faktin se Shqipëria nuk ishte paternaliste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, në ndërkohë që e ka pasur detyrim moral, kushtetues dhe shtetëror. Se nuk kishte qëllime dhe qëndrime irredentiste e që duhej t’i kishte! Qëllimi irredentist i Shqipërisë ndaj Kosovës nuk mund të interpretohet si përpjekje për kolonizimin e Kosovës, por si një e drejtë e natyrshme e bashkimit me një pjesë të territorit të saj që i është ndarë në mënyrë të dhunshme.


 


Por, e kemi një situatë jo të natyrshme kur shqiptarët e deklaruar si jugosllavë më me dëshirë e pranonin okupimin serb (që mbase e merrnin si çlirim) se irredentizmin shqiptar! Kjo trashëgimi gjenetike po manifestohet edhe sot si frikë nga ndikimi i kulturës së Shqipërisë në identitetin e ri kombëtar, identitetin kosovar!


Serialet e hegjemonizmit serb, turk dhe të tjera po pranohen si emancipim kulturor! Si kusht i domosdoshëm për integrime evropiane! Si rrip sigurie për injorantët në politikë ! Ndryshe, ma gjeni një shtet ku krahas gjuhës amtare, që nga klasa e parë mësohet gjuha e huaj – qoftë ajo edhe angleze! Në kohën kur kemi një arsim kriminal, në të cilin gjysma e profesorëve të fakulteteve lirisht mund të llogariten se kanë njohuri për shkrim lexim në gjuhën amtare, të barasvlershme me kursistët e kurseve për çrrënjosjen e analfabetizmit pas përfundimit të luftës! Në kohën kur flitej se gjuha shqipe do të futet si lëndë mësimore për stafin akademikë të Universitetit të Prishtinës, po futet gjuha angleze si gjuhë amtare që nga klasa e parë e shkollës fillore. Kështu nuk është vepruar as në sistemet kolonialiste.


 


Prandaj, na shkërdhen atij që i qohet! Prandaj na detyrojnë ta ndërrojmë historinë për të thënë se ne jemi fajtorë që i kemi cilësuar si okupatorë ata që na mbajtën 500 vjet nën okupim dhe që përsëri po na okupojnë në kulturë, ekonomi dhe mbase edhe politikisht! Po na detyrojnë ta ndajmë përgjegjësinë dhe borxhet me Serbinë për krimet e bëra në Kosovë, ndonëse ne vetëm e deshëm lirinë, duke mos ua mohuar lirinë të tjerëve!


Fara e keqe nuk kërkon tokë pjellore për të mbirë! Madje, sa më e keqe të jetë toka, fara mbinë dhe shtrihet më mirë dhe më shpejt! Edhe për kombin kosovar duket se vlen e njëjta rregull.


 


Në një mjedis të kontaminuar kulturor, me një inteligjencë false që ka fituar tituj me bythë, para, poste politike dhe kallashë, me politikanë të korruptuar materialisht dhe kombëtarisht, në kushte të mjerimit social dhe ekonomik, me një arsim kriminal, me një vetëdije sipërfaqësore dhe me një ndërdije anarkiste ndaj vlerave shtetërore dhe kombëtare, nuk është vështirë të afirmohet dhe shtyhet përpara një komb inekzistues. Kombi kosovar. Që është ngjizur në kushte të prostituimit intelektual dhe moral.


Prandaj, jam i sigurt se ky komb nuk do të ketë ardhmëri fare. Ka filluar të lodhet, sepse baballarët e këtij kombi janë shumë të lodhtë. Të mbaruar fare! Nexhi, Migjeni dhe Halili. Me do hiena të shndërruara në kockë e lëkurë e që shpresojnë të trashen. Me ndonjë kockë që ua gjuan Fitu dhe ndonjë mik i tyre ndërkombëtar. Mirëpo, duhet gjithmonë ta kenë parasysh faktin se kocka nuk të shëndoshë. Ajo është ushqim dietal. Vetëm mund të lëpihet!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …