A.Q. Milush Kopiliqi në këngët historike me elemente legjendare të Betejës së Kosovës

Figurat qendrore të Betejës së Kosovës të vitit 1389, pa dyshim se kanë qenë dhe mbeten, Sulltan Murati i Parë dhe  Milush Nikollë Kopiliqi, që njëherë janë edhe përfaqësues të dy botëve, të botës islame,  e cila po zgjerohej me Perandorinë osmane dhe botës së krishterë, e cila ishte vënë në mbrojtje të Evropës nga dominimi i furishëm osman. Pushtimi turk në këto troje dhe në Evropë, shikuar realisht, ishte hakmarrja e botës islame për kryqëzatat që ndërmori Evropa, kundër myslimanëve dhe hebrenjve në shekujt XI e XII.


 


Sot, në këtë tryezë shkencore do të kufizohem në paraqitjen e  Milush Kopiliqit, mbështetur në këngët e Betejës së Kosovës, të cilat janë përcjellë nga brezi në brez nga rapsodët tanë, dhe të cilat janë shënuar në anë të ndryshme të trojeve shqiptare nga hulumtues të lëndës folklorike, vendorë dhe të huaj.


 


Cikli i këngëve të Luftës së Kosovës në folkloristikën shqiptare është trajtuar si cikël i këngëve legjendare, edhe pse mendoj se kemi të bëjmë me këngë të mirëfillta historike, por të veshura me elemente legjendare, ashtu sikur janë të veshura edhe të gjitha eposet e botës, duke filluar nga Mahabharata, Ramajana, Epi i Gilgameshit,  Iliada e  Odiseja e Homerit e deri të këngët e mirëfillta historike të popujve të ndryshëm.


 


Këngën e parë, të plotë, për “Betejën e Kosovës” me sa dimë ne, e ka shënuar studiuesi serb, Gligorije Elezoviq, në vitin 1923. Këngën e ka botuar në “Arkivin për lashtësinë shqiptare, gjuhën dhe etnologjinë”, në Beograd. Realisht ky është edhe varianti më i plotë dhe artistikisht më i godituri, edhe pse atë e ka shënuar në kushte dhe rrethana specifike. Këngën e ka rrëfyer, rapsodi shqiptar, Hamëz Xhemë, Bojku, i cili ndodhej në burg, i arrestuar nga regjimi serb i asaj kohe. Studiuesi, Elezoviq, ka vërejtur me të drejtë se po të ishte kënduar kënga, ajo do të kishte dalë shumë më origjinale dhe e pasur me elemente stilistike. Ky variant, në vitin 1937 është botuar në “Visaret e kombit”, në Shkodër.


Një variant të kësaj kënge e ka shënuar studiuesja angleze, Margaret Haslluk, në fshatin Suhogerllë të Pejës, në vitin 1931, ndërsa e ka botuar në vitin 1936. Po në atë vit, një variant të kësaj kënge, në Krasniqe  të Tropojës, e ka shënuar, anglezi, Albert Lord.


Në vitin 1952, profesor, Anton Çetta një variant të këngës së Betejës së Kosovës e ka shënuar në fshatin Polac të Drenicës, ndërsa në vitin 1954 në Vllahi të Kosovës veriore. Varianti i kënduar nga rapsodi, Halim Dauti, në Vllahi, po ashtu është një variant me përmbajtje më të specifikuar dhe më të plotë se të gjitha variantet e tjera, përveç variantit të kënduar nga Hamëz Bojku.  Po në vitin 1954, në Karaqevë, është shënuar një variant i shkurtë i këngës, që flet vetëm për pushtimin e Kosovës nga Sulltan Muradi i parë. Në vitin 1955, në Rahavec, është shënuar një variant i plotë këngës së Betejës së Kosovës së vitit 1389.


Në festivalin e Gjirokastrës në vitin 1988 një variant të shkurtë të kësaj kënge e ka kënduar, Prentash Nilaj. Këtë variant e këndojnë edhe motrat Krasniqi e këngëtarë  të tjerë.


Në vitin 1998, një variant i kësaj kënge është shënuar edhe në Shkodër. Këtë këngë e ka kënduar rapsodi i mirënjohur shqiptar, Sali Mani.


Në vitin 2006, gazetarja dhe intelektualja e shquar, Anna di Lellio, ka shënuar një fragment të Këngës së Betejës së Kosovës, kënduar nga këngëtarët: Halim Budakova nga fshati Budakovë dhe Azem Tahiri nga Godanci i Shtimes.  Këtë variant, Halim Budakova e ka mësuar nga daja i tij, rapsodi i mirënjohur, Riza Bllaca.


Tetë këngët e para të luftës së Kosovës, i ka përkthyer dhe i ka botuar në gjuhën angleze, studiuesja, dhe diplomatja amerikane, me origjinë italiane, Anna di Lellio. Këngët nga gjuha shqipe në gjuhën angleze i ka përkthyer studiuesi i zellshëm i historisë dhe kulturës shqiptare, Robert Elsie.


 


E prezantova këtë kronologji për të spikatur një të vërtetë të pamohueshme, se variantet e këngëve për Betejën e Kosovës, janë kënduar dhe këndohen edhe sot e kësaj dite nga shqiptarët. Dhe, logjikisht lind pyetja. Si ndodhi që ky cikël këngësh, ky epos shqiptar, të mbijetojë deri në kohën tonë, nëse ngjarjet që rrëfehen në këto variante këngësh nuk u përkasin shqiptarëve të Kosovës, mbamendjes së tyre historike?


 


Sa do të ishte e logjikshme dhe e besueshme që shqiptarët ta kenë ruajtur një epos këngësh për Betejën e Kosovës dhe për prijësin Milush Nikollë Kopiliqi, po të mos kishte qenë kjo pjesë e historisë  së tyre?


Ta veçojnë rastin se nuk kemi të bëjmë me një këngë, por me disa variante këngësh me 3000 e më shumë vargje, të shënuara në Shalë të Bajgorës, në Drenicë, në Dukagjin, në Anadrin, Tropojë, Shkodër, Shtime, Karadak e gjetkë.


 


Kush ishte Milush Kopiliqi, sipas këtyre këngëve?


 


Mbi të gjitha, në saje të mbiemrit të shënuar qysh në kronikat turke, sllave e evropiane, ai ishte banor nga fshati Kopiliq i Drenicës. Ky fshat ka ekzistuar shumë kohë para Betejës së Kosovës. Ndërsa po në këtë fshat, në vitin 1986 janë gjetur tri monumente prej gurit të kohës ilire romake, të cilat janë të vendosura, në Skënderaj, këtu afër. Edhe këngët serbe për Luftën e Kosovës, të cilat janë mjaft të pasura në përmbajtje, të sajuara nga autorë anonimë dhe me qëllime të caktuara ekspansioniste e  hegjemoniste, pranojnë faktin se ai kishte lindur në Kopiliq. Atë si fëmijë gjashtëvjeçar, të mbetur jetim, e kishte marrë në pallat, Mbreti Dushan.


 


Në ciklin e këngëve për Luftën e Kosovës të vitit 1389, Milush Kopiliqi është heroi kryesor, është trimi i cili kishte paralajmëruar vrasjen e sulltan Muratit të Parë, ndërkohë që kishte reaguar me indinjatë kundër vjehrrit, mbretit Llazar dhe kundërshtarëve e armiqve të tij, të cilën e quanin tradhtar. Po të analizojmë në thellësi vargjet e këngëve, hetojmë se mosbesimi që kishin shprehur sllavët, serbët, mbreti Llazar, Vuk Brankoviqi e të tjerë në veprimet e Milush Kopiliqit, del se ai  mbante lidhje me turqit, të cilët po ashtu nuk i besonin. Në fakt, sipas këtij eposi del se atij nuk i besonte askush, dhe ai duke qenë i bindur në fitoren e turqve, kishte insistuar me çdo kusht të zhvillohej një luftë, në të cilën, ai do të përfitonte më shumë për faktin se nuk ishte serb as turk, por vendës.


 


Kqyr Milushi shka ju paska thanë:


-Ndal kadal’, o kral, ja ban,


-Edhe un’ kam me u shtrëngue,


-Vet te mbreti un’ kam me shkue,


-Se n’ ma dhashtë mbreti dorën mue,


-Unë atij kam me ju dorëzue,


-Se n ma dhashtë ai kamben mue,


-Me hanxhar un’ kam me shitue!


 


Milushi kishte depërtuar te Sulltani, jo rastësisht por me marrëveshje dhe e dinte se po t’ ia jepte Sulltani dorën, do ta pranonte për sundimtar vasal, po t’ ia jepte këmbën, do ta pranonte vetëm si të nënshtruar. Ai, kishte fshehur në rroba një hanxhar të vogël, meqë nuk ishte i sigurt në veprimet e Sulltanit. Në kohën kur ai po futej te çadra, Sulltani e kishte pyetur Shejhul-islamin se do t ia zgjaste dorën apo këmbën. Shejhul-islami  i bindur në fitoren kundër të krishterëve i kishte preferuar Sulltanit, që t ia zgjaste këmbën.


 


Nibetxhitë Milushin e kanë ndalue.


-Kah po don Milush ti me shkue?


-Un’ te mreti du me shkue.


Atëherë mreti shka ka marue,


Shejhul islamit iu ka drejtue:


-Qysh po ban, ti, qysh po m thue?


-Ne Milushi tash qi po na vjen,


-Ma lypë dorën aj me ja dhanë,


-Me ja dhanë a mos me ja dhanë?


-Ktu Milushi kur të vjen,


-Atij dorën mos me ja dhanë,


-Kambën n’ vend dorës me ja dhanë.


Fill Milushi te mreti ka shkue,


Qojke kambën mreti ja ka dhanë,


Milushi hanxharin në dorë e kish pasë,


Me hanxhar mretit i ka ra,


Dekun në tokë mbretin e ka la.


 


Deri këtu përmbajtjet e këngëve përputhen me shumë të dhëna historike. Pjesa në vazhdim ka të bëjë me elemente fantastike, të cilat nuk i përkasin realitet faktik, por mitologjisë, e cila fillon atje ku mbaron historia dhe në asnjë mënyrë, me asnjë mjet, miti dhe historia nuk mund të bashkohen. Mitologjia edhe mund ta ketë mbështetjen në histori, por është e mjerë historia që mbështetet në mitologji, sikur është historia e serbëve.


Këngëtari popullor, duke idealizuar aktin e trimërisë së Milush Kopiliqit, atë e paraqet të pavdekshëm, të pa prekshëm për turqit. Ai është tamam si Akili i Homerit, për më tepër i veshur me rroba çeliku, por ka pikën e dobët, e cila qëndron te këmba e kalit dhe çelësat e rrobave të tij, nën mustaqe. Këtë të fshehtë e di një shkinë plakë. Në këngën e Hamëz Bojkut, kemi për herë të parë të paraqitur  edhe versionin etnik. Plaka ishte shkinë, e krishterë, mbase edhe serbe, dhe duke qenë e tillë, edhe pse Milushi e e kishte therë Sulltanin, ajo pranon ta rrëfejë pikën e dobët të kryetrimit, pavarësisht se askush nuk ia  kishte kërkuar këtë fshehtësi, as kishte qenë e kërcënuar, por thjesht sepse e urrente atë, sikur e urrenin të gjithë prijësit sllavë.


 


Nji shkinë plakë turqit e kanë gjetë,


Ata shkinës i kanë kallxue,


Ata shkinës i kanë thanë,


Miloshi, Sulltanin na e ka therrë,


Nuk po mundemi Milushin me pre.


 


Në çastin e fundit, Milushi tashmë i dorëzuar kërkon nga turqit t’ia sjellin shkinën plakë, të cilën ai e mbyt me kafshim, meqë ishte duarlidhur.


 


-Amanet po thot’ e kam ni fjalë,


-Ni shkinë plakë ktu ju me ma thirrë,


-Fort për mallë un’ shkinën qi e kam,


-Kam dy fjalë shkinës me ja thanë,


 


Ky është një element që flet në të mirë të konstatimit se Milush Kopiliqi, nuk ishte serb, nuk ishte sllav as grek por vendës, shqiptar i kohës  së Mesjetës, i miqësuar me mbretin Llazer Hebrelani, dhëndër i të cilit ishte, interpretuar  sipas “Historisë së Perandorisë Osmane”,  shkruar nga historiani austriak, Jozef Von Hamer. 


 


Në ciklin e këngëve për Betejën  e Kosovës, figura e Kopiliqit përfaqëson prijësin vendor, i cili nuk pajtohet me sllavët, as me turqit, por angazhohet  me çdo kusht që t’i fus në luftë forcat e bashkuara të krishtera kundër turqve, me qëllim që të përfitonte vetë. Ai mbante kontakte me të dyja palët kundërshtare dhe priste momentin kur ato të ndesheshin. Përderisa mbreti Llazër dhe Vuk Brankoviqi tregojnë gatishmëri për t’ u dorëzuar, për ta pranuar autoritetin e Sulltanit dhe për t’ u bërë turq, ai nuk pajtohet me ta dhe paralajmëron se vetë do ta vrasë Sulltanin dhe kurrë nuk do të pranojë të bëhet turk. Mbreti Llazar  dërgon në taboret turke 30 vajza të bukura e të teleisura për të vërtetuar moralin e ushtrisë, Milushi, i kërcënon ato se po ta tregojnë të vërtetën, se asnjë turk nuk i kishte prekë me dorë, as i kishte plaçkitur,  ai do t’ ua shkurtonte kokat. Në këtë mënyrë ai e mashtron Llazarin dhe  kjo ndikon në vendimmarrjen për luftë.


 


Figura e Kopiliqit në ciklin e këngëve të Betejës  së Kosovës, është shumë komplekse, e skalitur me të gjitha mjetet artistike të një heroi sypatrembur, i cili ka një qëndrim të prerë, si kundër Aleancës së krishterë, ashtu edhe kundër Sulltanit. Ai është prijësi, i cili mbi të gjitha ruan nderin, dinjitetin, besën, traditën, por edhe njeriu i cili mendonte se mund të përfitonte nga ndeshja e të krishterëve kundër myslimanëve.


 


Sot,  623 vjet pas  Luftës së Kosovës, kujtimi për trimin e mesjetës, përveç në mbamendjen popullore shprehur përmes këngëve, vepra dhe jeta e tij po përkujtohet  me restaurimin dhe inaugurimin e Bunarit, në fshatin Kopiliq i Ulët. Po kështu edhe në Kopiliq të Epërm, ndodhet një “Bunar”, i cili sipas kujtesës popullore i përket Milush Kopiliqit. Mendoj se edhe atje duhet të vendoset një shenj kujtimi, edhe për faktin se atje  ndodhen  edhe varrezat e krishtera, “Vorret e Llatinve” ende të patrajtuara nga arkeologët dhe studiuesit e mbishkrimeve  të varrezave.  Nuk duhet lënë pas dore as shënimin e  vendit ku legjenda thotë  se pushojnë eshtrat e tij, në varrezat e fshatit, Rezallë.


 


Ky aktivitet shkencor dhe kulturor në përkujtim të trimit të Mesjetës, Milush Kopiliqi,  është vetëm nisma e pasurimit dhe begatimit të një pjese të historisë sonë të harruar, një pjese të saj të abortuar, për shkak të pranimit të islamit nga shumica dërrmuese e popullatës. Rikthimi, me qëllim të ndriçimit të së kaluarës nuk e lëndon islamin, as krishterimin. Ky rikthim e lëndon pseudoshkencën serbe, hegjemonizmin politik dhe kulturor serb dhe në këtë drejtim, duhet t’ia presim edhe rrënjët, por nuk duhet  të lejojmë që falsifikimit t’i përgjigjemi me falsifikim, gënjeshtrës me gënjeshtër, sikur kanë bërë dhe bëjnë historianët serbë.


 


Për fund fare nuk e anashkaloj dot mendimin kritik dhe realist të arkimandritit serb, Ilarion Ruvarasi ( 1823-1905) i cili, duke vërejtur gënjeshtrat, nacionalizmin ekstrem e mitologjik serb dhe hegjemonizmin pa fre kishte saktësuar: Këta trabantë (është fjala për Milojeviqin dhe bashkëkohësit e tij) të tërbuar me nacionalizmin e tyre,  kanë gjetur serbë në tërë Ballkanin, madje edhe në Kinën e largët. Ai i quan sharlatanë, për të cilët nuk ia vlen të merresh.  Mitet serbe sipas tij e kanë mjegulluar të vërtetën historike për Betejën  e Kosovës. Ruvarasi po ashtu vë në pikëpyetje edhe “Darkën e princërve” dhe shumëçka nga historia serbe e Mesjetës.


 


Ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi pretendime ta përvetësojmë një figurë të huaj, meqë Milush Kopiliqi nuk ishte i huaj, por ishte i këtij trualli, kishte rënë në këtë truall, ku edhe ka ngelur mbamendja popullore qindra-vjeçare, ku kanë ngelur toponime dhe antroponime të shumta, që lidhen me praninë, pse jo edhe me përkatësinë e tij. Ata që kanë çelur “vezët” e tyre në “çerdhet e Kosovës”, janë si zogjtë e Qyqes. Ata, u munduan dhe po mundohem me çdo kusht ta shfrytëzojnë të ashtuquajturën “të drejtë historike”, duke qenë se nuk mund të mbështeten në të drejtën etnike. Kosova, kurrë, madje  as në mesjetë nuk ka qenë e banuar me shumicë dërrmuese serbe. Ata, do të tronditën edhe me këtë rast, kur të mësojnë për këto aktivitete, që minojnë edhe të ashtuquajturën të drejtë të tyre, historike.


 


 


  (Kjo kumtesë është lexuar në Tryezën shkencore për Betejen e Kosovës, mbajtur në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj, më 21. 7. 2012)


 


Literatura:


 


1. Visaret e Kombit, I, Shkodër, 1937.


2. Selami Pulaha: Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV- (burime osmane), Tiranë, 1968.


3. Joseph von Hammer “Historia Turskog Osmanskog Cartsva” Zagreb 1979.


4. Gjurmime albanologjike, Prishtinë, 1. 1962.


5. Studime orientale, Prishtinë, 2002.


6. T. Vukanoviq Drenica, Druga Sveta Srpska Gora.


Prishtinë, 1998.


7. Këngë popullore historike, Prishtinë 1973.


8. M. Tërnava Popullsia e Kosovës në shekullin XIV-XVI. Prishtinë, 1995.


9. Këngë legjendare për Milush Kopiliqin, kënduar në festivalin e Gjirokastrës 1988.


10. Prentash Nilaj: Këngë për Milush Kopiliqin.


11. Motrat Krasniqi, Kënë për Luftën e Kosovës së vitit 1389.


12. Islam Dobra: “Lufta e Drenicës 1941-1945” Prishtinë 1997.


13. Gligorije Elezoviq: “Kënga e Milosh Kopiliqit”, Arhiv sa arbanasku starinu, Beograd 1923, 


14. Të dhëna të studiuesve të njohur serbë, në internet: Boj na Kosovu……


15. Portali, “Srpski Nacionalisti”.


16. Ahmet Qeriqi: Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar Prishtinë 2003.


17. Ana di Lellio: The Battle of Kosovo 1389,  Londër, 2009.


18. Ana di Lellio: Lufta e Kosovës e vitit 1389, epos shqiptar, 2010.


19. Ahmet Qeriqi: Gjurmime dhe studime, Prishtinë 2011.


20. Ibrahim Çitaku, monografia “Drenica”, botim i vitit 2004.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …