Fushata e disa medieve, por edhe e një pjesë të opozitës kundër luftëtarëve të lirisë, të cilët aktivitetin e tyre gjatë dhe pas luftës e zhvilluan në Shërbimin Informativ të Kosovës, po vazhdon si konsum ditor për gazeta. Edhe pse kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli ka bërë të ditur tërë aktivitetin e kësaj organizate, e cila me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është shuar, ndërkohë që është formuar Agjencia e Inteligjencies së Kosovës, mediet anti-UÇK, në vendin tonë, nuk lënë ditë pa atakuar SHIK-un dhe pjesëtarët e këtij shërbimi, duke i etiketuar ata si “spiunë e vrastarë”. Çuditërisht, këtyre medieve, të cilat udhëhiqen nga të ashtuquajturit gazetarë “profesionistë”, nuk u ka penguar as u pengon shërbimi sekret serb, UDB-ja e dikurshme dhe një segment i saj, që është instruktuar në Kosovë dhe vepron edhe në mesin e disa medieve, nuk u pengojnë as shërbimet e huaja sekrete, madje as MUP-i serb, por pengesa kryesore për ta janë ish pjesëtarët e SHIK-ut, me prejardhje nga UÇK-ja, të cilët sipas tyre do të duhej të dënoheshin dhe në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejoheshin të gëzojnë frytet e fitores dhe çlirimit të vendit. >>>
Ata habiten përse ish pjesëtarët e SHIK-ut janë zgjedhur deputetë, përse ndonjë syresh punon në institucionet e vendit, përse mbajnë pozita kyçe në disa institucione? Sipas tyre këta luftëtarë të lirisë do të duhej të ndiqeshin penalisht, sepse paskan vrarë pas shpine ndonjë pjesëtar të UDB-së, sepse paskan denoncuar veprimtarinë e ndonjë spiuni të Arkanit, Stanishiqit, Sheshelit etj, sepse kanë njohuri, fakte e dëshmi se kush ka votuar për Sheshelin, e Milosheviqin në vitet para luftës, sepse kanë njohuri e fakte për lidhjet sekrete që i mbajnë disa autoritete të Kosovë me krerët e regjimit serb, sepse i dinë me emër e mbiemër dëshmitarët bashkëpunues të EULEX-it, por edhe ata të Dik Martit, sepse kanë zbuluar lidhjet e fshehta të spiunëve të djeshëm e të sotëm, sepse kanë përcjellë aktivitetin e ndonjë prokurori, gjykatësi apo milici shqipfolës, sepse disponojnë shumë dosje sekrete për persona të caktuar të involvuar në trafiqe, prostitucion, bashkëpunim me serbët etj.
Pikërisht kjo “pasuri informative” që disponojnë ish pjesëtarët e SHIK-ut është halë në sy e bashkëpunëtorëve të dikurshëm e të sotëm të Beogradit, të cilët nuk ndihen kurrë të qetë, meqë janë të vetëdijshëm se një ditë do të denoncohen. Dhe, mu për këtë po vazhdon fushata kundër ish-pjesëtarëve të SHIK-ut, po instruktohen ish dhe tani bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja, me qëllim për ta diskredituar sa më shumë që të jetë e mundur këtë shërbim.
SHIK-u vazhdon të mbetet “gogoli” numër një për të gjithë spiunët e Serbisë, të moshuarit e të rinjtë, bijtë e bijat e tyre, të afërmit e farefisi. Ata kurrë nuk do të ndihen të qetë, sa herë që përmendet emri i SHIK-ut, sepse u shkakton turbullirë në lukth, sepse u ngrit tensionin, sepse u përkujton kohën e zezë të bashkëpunimit të tyre me kriminelët serbë, sepse thellë në qenien e tyre ata e ndjejnë se një ditë do t’u dalin në sheh të gjitha të palarat…
Faqja tjetër e medaljes është se në kuadër të SHIK-ut, si gjatë, ashtu edhe pas luftës kanë qenë të rekrutuar edhe elementë pro serbë, madje edhe bashkëpunëtorë të dyanshëm, identiteti i disa prej të cilëve dihet. Prania e një segmenti të tillë në kuadër të SHIK-ut, ka dëmtuar këtë organizatë, e cila nuk ka qenë sa duhet syçelë në zgjedhjen e kuadrit. Ka mjaftuar që në fillim të inkuadrohet në radha një i instruktuar, e pastaj ai ka futur edhe të tjerë dhe krejt kjo ka rezultuar me disa deformitete, që kanë pasur për qëllim minimin nga brenda të organizatës. Realisht, një minim i tillë edhe ka ndodhur në një segment, ku edhe janë vërejtur dështime të kësaj organizate.
Mirëpo, marrë në përgjithësi, aktiviteti dhjetëvjeçar i SHIK-ut ka qenë i suksesshëm, me faktin se ka grumbulluar të dhëna specifike lidhur me aktivitetet antikombëtare të personave të caktuar. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë pjesëtar të ketë abuzuar me besimin që i është dhënë, nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri syresh të ketë vepruar për qëllime individuale, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë pjesëtarë të ketë vepruar kokë me vete…. Rastet e tilla janë raste të izoluara dhe nuk mund të identifikohen me veprimtarinë e përgjithshme të SHIK-ut.
Deri tani, nga mesi i shumë të akuzuarve, vetëm i instruktuari, Nazim Bllaca ka deklaruar botërisht se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe ka vepruar në kuadër të kësaj organizate. Ai, të gjitha vrasjet e krimet e pas luftës ia vesh kësaj organizate, por tash për tash nuk ekziston as edhe një dëshmitar tjetër, i cili do të mbështeste deponimet e instruktuara të Bllacës. Këtu qëndron edhe paradoksi kryesor. Si është e mundur që, nga qindra pjesëtarë të SHIK-ut të mos gjendet qoftë edhe një i dytë, i cili do të dëshmonte njëjtë me Nazim Bllacën?
Ky fakt flet shumë dhe këtu duhet kërkuar esencën e tërë fushatës, që po zhvillohet kundër UÇK-së. Nga mesi i 25.000 luftëtarëve të lirisë, të mos gjendet as edhe i “lemë i së ëmës” që do të vepronte sikur Bllaca. A mund t’i besohet një personi, cilido qoftë ai, dhe të shpallën të pabesueshëm 25.000 të tjerë? Ky është një shembull shumë domethënës, që do ta varros edhe “drejtësinë” e EULEX-it, e cila do të jetë e detyruar të tërhiqet para raportit 1 me 25.000. Kjo është diçka e çuditshme, diçka e pa parë dhe e pashënuar në analet e gjyqeve kudo në botë. Po e zëmë se EULEX-i ka edhe disa dëshmitarë bashkëpunues dhe të mbrojtur, por asnjëri prej tyre nuk po deklarohet publikisht, sikur Bllaca, i cili ka shumë përkrahës në forumet e pis-hanet e disa gazetave, të cilët e përkrahin fuqishëm Bllacën, por të tillët fshihen pas emrave të rremë. Ata nuk kanë as një gram të guximit qytetar për të thënë haptas atë që mendojnë. Mos daljen publike të dëshmitarëve bashkëpunues dhe të mbrojtur, EULEX-i e arsyeton me faktin se ata mund të likuidohen, nëse identifikohen publikisht. Por, shtrohet pyetja kush do t’ i likuidojë ata, meqë SHIK-u i paragjykuar për likuidime është shpërbërë. AIK-u nuk merret me likuidime. Policia e Kosovës nuk përzihet në këto raste. SHIK-u edhe për shumë kohë do të sillet si gogol në ndërgjegjen e tradhtuar të të gjithë atyre, që kanë bashkëpunuar me UDB-së, me MUP-n dhe me shërbimet antishqiptare. Pikërisht për këtë po bëhen përpjekje që kjo organizatë të demonizohet nga të gjithë shpirtshiturit, nga ata që kanë bashkëpunuar dhe ende bashkëpunojnë me serbët, nga dëshmitarët bashkëpunues të EULEX-it, nga dëshmitarët e mbrojtur të Dik Martit.
Përpjekjet e një pjese të opozitës për ta “nxirosur” PDK-në, duke e identifikuar me SHIK-un, janë përpjekje të mjera, të cilat jo vetëm që nuk e dëmtojnë këtë parti, por përkundrazi e mobilizojnë dhe e forcojnë, sepse shumica dërrmuese e pjesëtarëve të SHIK-ut kanë qenë luftëtarë të lirisë.
Nuk duhet harruar faktin se pikërisht me përpjekje për të nxirosur këtë segment të luftës së UÇK-së, me fushatat që i ndërmori LDD-ja, dhe dy nga aktorët e njohur të saj, ajo dështoi fatalisht në zgjedhjet e fundit. Përpjekjet për të fituar vota duke diskredituar luftën e UÇK-së, u pa se ishin fatale. Këtë e kanë paguar shtrenjtë disa parti, të cilat çuditërisht nuk e kanë ndërruar këtë qëndrim bizar, të paarsyeshëm dhe të papërgjegjshëm.
Devijimet e mundshme të pjesëtarëve të caktuar të SHIK-ut, nuk çojnë peshë, me fatin se devijime të tilla kanë qenë dhe janë të pranishme edhe në partitë e tjera. Po ashtu nuk duhet harruar faktin se të gjitha partitë në Kosovë kanë nga një “SHIK” të vetin, që merret me punë të fshehta, me tenderë, me larje e shpërlarje parash e punët të tilla të njohura, pavarësisht se ato nuk deklarohen. LDK-ja, për dallim nga PDK-ja nuk ka pranuar kurrë se e kishte SHIK-un e vetë, që quhej “Sigurimi i Atdheut”. Andaj, të kota dhe të mjera janë përpjekjet për damkosje e nxirosje nga të damkosurit e të nxirosurit, të cilët mendojnë se me fushata të stilit “T’i them sa nuk më ka thënë”, të paken mund të mjegullohet situata. Ata besojnë se me përsëritjen e përditshme të gënjeshtrës do të arrijnë efektet e dëshirueshme, por nuk kanë llogaritur edhe në kundër-efekte, të cilat hakmerren.