Fatmir Graiçevci: Gënjeshtra dhe insinuata të një truthari kundër Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress

Vështirë se do të gjejë njeriu sot ndonjë vend si Kosova ku abuzohet në emër të lirisë së fjalës, ku shpifet në emër të së vërtetës dhe ku lehet në mungesë të guximit për të kafshuar. Dhe është mirë që çakejtë vetëm lehin dhe nuk kanë guximin e luanit, sepse po ta kishin një guxim të tillë, mllefi dhe egërsia e tyre nuk kishin për të lënë qenie të gjallë mbi tokë.  Numri i madh i medieve dhe faqeve të ndryshme elektronike, të pista e të ndershme, ka krijuar mundësi që për çështje vizionore të shkruajnë miopët, që për tema serioze e të mëdha dhe për personalitete të dëshmuara të shkruajnë minorët. Psikologët do të thoshin se motiv kryesor që njerëzit e vegjël merren me tema të mëdha është kompleksi i inferioritetit që ju vjen nga vogëlsia.


 


Ashku sikur herëve të tjera, Radio Kosova e Lirë, Agjencia e Lajmeve “KosovaPress” dhe drejtuesit e tyre u sulmuan sërish, por kësaj radhe jo nga makineria vrastare serbe dhe regjimi shqiptarë-vrasës, e as nga pjata-lëpirësit e moçëm por nga  një Visari që ka sajuar disa simotra negative të visareve. Nuk është kjo hera e parë që sulmohet drejtori i Radios Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi, i cili vazhdon ta drejtoj këtë medium me vetëmohim të pashembullt. Ai, familja e tij e gjerë dhe institucioni që drejton është sulmuar e vazhdon të sulmohet vazhdimisht nga të soji i shpirt robëruarve që ju ka penguar lufta liridashëse, ndriçimi i të vërtetës për Kosovën dhe demaskimi i të gjithë atyre që ishin vënë në shërbim të regjimit shqiptar-vrasës. Z. Qeriqi do të vazhdoj edhe më tutje në këtë drejtim e as që do ta kthej kokën nga drejtimi nga vijnë zërat ulëritës të çakejve. I ka vënë obligime të tjera vetes, dhe mirë bënë që nuk merret me ulërimat e çakejve të cilët mund ta frikësojnë vetëm ndonjë viktimë të gjymtuar nga ndonjë kafshë e fuqishme e që nuk mund të bëjë lëvizjen më të vogël për t’u mbrojtur.


 


Mungesa e vlerave dhe kompleksi i inferioritetit i shtyjnë njerëzit të identifikohen me të tjerët, me tjetrën ashtu sikur ndjenja përbuzëse ndaj gjuhës amtare i shtynë njerëzit që të përdorin një gjuhë tjetër. Kjo i ka ngjarë edhe Visarit. Do të ishte mirë që para se të filloj të shkruaj të konsultohet me fjalorin e gjuhës shqipe dhe do të konstatonte se fjala e gjuhës serbe profiter në gjuhën shqipe do të thotë përfitues. Por ky sugjerim do të vlente vetëm nëse ai me këtë shkrim ju ka drejtuar lexuesve shqiptar e nëse ju ka drejtuar lexuesve melez dhe krijesave të vëllazërim bashkimit, le të më fal për sugjerimin se ka qenë i panevojshëm sepse ka zgjedhur gjuhën adekuate. Ashtu sikur mund të jenë këta lexues gjysmë shqiptar e gjysmë serbe e tillë duhet të jetë edhe gjuha e Visarit, pak serbisht e pak shqip.


 


Por jo vetëm kaq. Nga shkrimi i tij kuptohet shumë lehtë se ai nuk e njeh as esencën e fjalës profiter. Çdokush që ka sadopak informata për Radion Kosova e Lirë, që ka qëndruar pak minuata në objektin në të cilin gjendet që 13 vite apo që dëshiron të ketë njohuri për kushtet në të cilat funksionon mund të konstatoj se shkrimi i tij është fund e krye shpifje duke filluar që nga titulli. Kushtet dhe rrethanat në të cilat ka funksionuar dhe funksionon kjo radio demaskon në mënyrën më të mirë Visarinn e vogël me mllefin e stërmadh brenda tij kundër Radios Kosova e Lirë dhe drejtuesit të saj. Dhe këtë e dëshmojnë shumë fakte të cilat mund t’i verifikoj kush të dojë.


 


Nëse mund të quhet përfitim i luftës ( Duriqi do të thoshte profit i luftës ) hyrja në kredi për të paguar pagat e punëtorëve, ai ka plotësisht të drejtë. Fatkeqësisht sipas meje dhe fatmirësisht sipas tij, kjo i ka ndodhur dikur Radios Kosova e Lirë. Nëse është përfitim i luftës të jesh në shënjestër e makinerisë vrastare dhe regjimit shqiptarvrasës serb dje dhe puthadorëve të tyre sot, po, ka të drejtë koncept manipuluesi, Visar Duriqi, ngase radioja ka përfituar këso sulme me bollëk sa që të gjitha mediet marrë së bashku nuk kanë përfituar më shumë sulme se sa RKL-ja e vetme, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj. Nëse është përfitim që gjatë luftës së pastër çlirimtare e jo sikur thotë ky Visari, luftës së pretenduar për pastërti, të raportohet nga vijat e frontit e jo nga kafiterit dhe restorantet me muzikë dalldisëse, po ka të drejt. Por jo vetëm kaq ngase përfitimet e luftës sipas kutit të Duriqit, kanë vazhduar edhe pas luftës. Që nga përfundimi i luftës së pastër çlirimtare për të cilën në kuzhinat e Beogradit dhe nga pjatalëpirësit e saj ende sajohen lajme se k ka qenë luftë kriminale, Radio Kosova e Lirë emeton program nga një objekt që më së shumti i ngjanë burgut. Nëse ky është përfitim, Duriqi ka të drejt kur thotë se Ahmet Qeriqi është profiter i luftës sepse Radioja Kosova e Lirë funksionon në një objekt me dyer e dritare me grila dhe me dhoma në formë të qelive me mjaftë errësirë, lagështirë e myk. Për kushtet në të cilat funksionon Radioja kemi biseduar disa here me Visarin kur udhëtonim bashkërisht për në Prishtinë dhe atëherë ai shprehte keqardhje. Nëse nuk i është bërë fare shpërlarja e trurit me siguri se i kujtohen përshkrimet e ambientit të saj.


 


Në artikullin e tij shpifës dhe mllefëzbrazës, Duriqi në mes tjerash shkruan se thuhet që Ahmet Qeriqi është në lidhje familjare me biznesmenin e dënuar për vrasje, Fahredin Gashin- Farukun e SHIK-ut. Kjo më ngjanë në thashë e themet gjatë luftës, kur puthadorët e regjimit kriminal përhapnin dezinformata denigruese në stilin e njëjtë me këtë Duriqin. Gjatë përshkallëzimit të luftës kundër UCK-së në verën e vitit 1998, pjatalëpirësit dhe rrogtarët e shqiptarëvrasëve thonin: po thuhet se Ahmet Qeriqi nuk është më në rrafshnaltën e Drenicës por së bashku me familjen e tij ka shkuar në Itali dhe prej atje do të shkoj te kushërijt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa larg Kosovës e dëshironin shpirt shiturit atëherë dhe sa të mllefosur janë filizat e tyre sot që ai asnjëherë nuk u largua nga Kosova dhe nuk ndalet së demaskuari veprimtarët e përkushtuar të regjimit kriminal të Serbisë!


Dikur mahnitesha me Migjenin, me shqetësimin e tij human për mjerimin e madh që shihte në trupin e vogël të fëmijëve. Këto ditë u mahnita me mllefin e stërmadh që përmban trupi i vogël i Visarit që Radion Kosova e Lirë nuk e ka mbuluar pluhuri e harresa por që ajo dhe drejtuesi i sajë angazhohen me vetëmohim dhe përkushtim për afirmimin e luftës liridashëse, afirmimin e jetës dhe veprës heroike të dëshmorëve të kombit, shpërndarjen e të vërtetës për Kosovën dhe mbrojtëseve të sajë. RKL-ja dhe drejtuesi i saj përveç afirmimit të luftës çlirimtare dhe kontribuesve të saj ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe demaskimin e të gjithë kundërshtarëve të saj, të cilët nën maska të ndryshme sabotuan dhe mallkuan luftën liridashëse ndërsa pas ngadhënjimit të saj, ata sot si egërsira e uritur kafshojnë frytet e lirisë!


Nëse diskriminimi i skajshëm negativ do të thotë përfitim, atëherë Duriqi ka plotësisht të drejt sepse asnjë medium nuk ka qenë përfitues më i madh i diskriminimit se sa Radio Kosova e Lirë. Këtë më së miri e dëshmon fakti sepse asaj nuk i është lëshuar licencë si radio kombëtare por lokale e kjo ka pamundësuar jashtëzakonisht shumë realizimin e të hyrave nga marketingu. Përveç kësaj RKL-së i janë dhënë frekuenca në të cilat shumë lehtë mund të ndërhyjnë valët e medieve sllave! Nuk ia vlen të merret më shumë me shpifjet e Duriqit kundër Radios Kosova e Lirë dhe themeluesit të saj gjatë luftës, Ahmet Qeriqi, e jo sikur e quan Duriqi, përfitues i mediumit të luftës.


Në artikullin e tij shpifës dhe plotë mllef, Visari ka bërë edhe shpifje të tjera dhe ka treguar se ka guxim të hyjë edhe ne fusha ku i mungojnë edhe njohuritë më elementare dhe me ose pa vetëdije bëhet argat i propagandës sllave kundër liridashësve më dëshmuar të Shqipërisë. Ai thekson se Ahmet Qeriqi shkruan edhe për Ballin Kombëtar ndërsa e vërteta është se ai ka shkruar për pjesëtarët e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Çdo gjimnazist me njohuri mesatare e dinë dallimin në mes të Ballit Kombëtar dhe NDSH-së por këtë nuk arrin dot ta dallojë gazetari “profesionist e hulumtues” e me fakultet, Visar Duriqi! Duke iu referuar ndriçimit të biografive që ju ka bërë luftëtarëve të përkushtuar të NDSH-së, ai shprehet më tutje se Ahmet Qeriqi nga Krojmiri i Lipjanit, herë-herë na shpërfaqet edhe si historian madhështor i historive lokale të Lipjanit. Por si duket gazetarit hulumtues, Visar Duriqi, i mungojnë njohuritë elementare edhe nga gjeografia, mësues të së cilës e ka pasur Nazim Bllacën, kolegun e shokun e pandarë të prindit të tij, Vehbi Duriqi. Është e vërtetë se në librin Luftëtar të NDSH-së ka biografi të luftëtarëve të paepur të komunës së Lypjanit por ka edhe biografi të luftëtarëve të paepur nga komunat dhe rajonet e tjera, Gjon Serreqi ( Ferizaj ), Shemsi Mramori ( Prishtinë ), Osman Mustafë Bunjaku ( Vushtrri ), Azem Bellaqevci ( Vushtrri ) Hilmi Zariqi ( Drenas ), Jetullah Rezalla ( Skenderaj ) e dhjetëra luftëtarë të vendeve të tjera. Si duket Duriqi nuk ka njohuri se deri ku shtrihen kufijtë e komunës së Lipjanit. Sa për informat të lexuesve të shkrimit shpifës të Visar Duriqit, Ahmet Qeriqi, është marrë dhe vazhdon të merret me afirmimin e biografive të luftëtarëve të lirisë edhe jashtë kufijve të Kosovës ahtisariane e madje edhe për biografitë e luftëtarëve të kombeve të tjera që ndjenja liridashëse i ka shtyrë të luftojnë për çlirimin e Kosovës deri në rënien e tyre heroike! Po Ju Visar Duriqi, a keni shkruar ndonjëherë për bashkëfshatarët e mbytur barbarisht nga forcat serbe! Që jeni plotë mllef kundër Radios Kosova e Lirë dhe Ahmet Qeriqit shihet por a ndjeni ndonjëherë mllef edhe për masakrimin barbar të tre bashkëfshatarëve, vrasjen dhe plagosjen e shumë të tjerëve dhe për dhunimin e mijëra vajzave nga ushtria e policia serbe e ndihmuar here pas here nga shqipfolës.


Ahmet Qeriqi ka shkruar për luftëtarët e NDSH-së, ( Bujku, nr. Viti 1996) edhe para fillimit të luftës çlirimtare dhe atë me shumë respekt e jo sikur historianët shpirtshitur që për dekada me radhë kanë satanizuar atë periudhë. Ai ka shkruar edhe gjatë viteve të robërisë kur propaganda jugosllave dhe çakejt e saj hidhnin vrerë e mllef kundër veprimtarisë liridashëse të pjesëtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare ashtu sikur hedhë plotë vrerë dhe mllef gazetari hulumtues por që në histori e gjeografi nuk ka as njohurit e një gjimnazisti mesatar, Visar Duriqi. Ai do të ishte mirë të interesohej pak më shumë për veprimtarinë e shumë anshme të Ahmet Qeriqit dhe do të konstatonte se ai është marrë merret dhe to të vazhdoj të merret me afirmimin e jetës dhe veprës heroike të të dëshmorëve dhe veprimtarëve liridashës nga të gjitha trojet etnike. Por jo vetëm kaq. Ish i burgosuri politik tri herë radhazi, drejtuesi i Radios Kosova e Lirë, pjesëmarrësi dhe frymëzuesi i luftës çlirimtare, albanologu, studjuesi, Ahmet Qeriqi, është marrë, merret dhe do të merret edhe në të ardhmen edhe me demaskimin e të gjithë atyre që nën maska të ndryshme i kanë shërbyer regjimeve vrastare e që ia kanë shitur shpirtin djallit, pavarësisht mllefit që mund t’ju shkaktoj.


Sipas vizionit dhe dioptrisë së gazetarëve miop të sojit të Visarit, i cili shquhet për disharmoninë në mes trupit dhe mllefit, guximit dhe naivitetit, Ahmet Qeriqi do të duhej që Radion Kosova e Lirë ta poziciononte sipas koncepteve të sojit: Zogu, Xharra, Surra e të tillëve të tjerë, gjurmëve të të cilëve po ec duke u krekosur Duriqi. Z. Qeriqi nuk do të pranojë të bëjë një gjë të tillë për asnjë çmim por këtë nuk mund ta akceptojnë ata që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për para. Ai i përmbahet motos “Karvani le të ecë përpara e qentë le të lehin prapa”. Është ngushëllues fakti se qentë që kanë kafshuar dikur tani janë duke lëpirë ndonjë kockë në ndonjë qoshkë në Beograd ndërsa këta çakejt që ulërijnë sot herë pas here në Kosovë, nuk kanë guxim për të kafshuar burra ndonëse mund t’ia mësyjnë ndonjë fëmije apo viktime të plagosur për vdekje nga ndonjë kafshë tjetër.


 Autori i këtij reagimi është profesor në Gjimnazin e Lypjanit, ish-gazetar i Radios-Kosova e Lirë

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …