Fushata e egër e disa medieve shqipshkruese e shqipfolëse të Kosovës kundër vlerave të luftës së UÇK-së, kohëve të fundit është drejtuar në veçanti kundër Radi0s-Kosova e Lirë, zëdhënësja e zërit të lirisë gjatë luftës dhe trashëgimtarja e paepur e vlerave më të fisnikëruara informative e kulturore të kombit.
Edhe pse kritikët, shpifësit dhe gënjeshtarët në këtë rast janë emra që nuk i njeh as mëhalla apo familja e tyre, në të shumtën anonimë, të cilët shkarravisin nëpër portale pa adresë, ata përfaqësojnë mendësinë retrograde të përpjekjeve për rikthimin e kohës së bashkim vëllazërimit, nën maskën e multietnicitetit. Dihet se kush qëndron prapa këtyre zërave agresivë, këtyre “trimoshëve” të cilëve gjatë kohës së luftës iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e përgjakur e Atdheut, ndërsa pas luftës pezmin për ikjen e tyre e kishin zbrazur kundër UÇK-së, e cila u kishte sjellë lirinë, por shumicës prej tyre iu kishte prishur gjumin shekullor të skllavërisë dhe bashkëjetesës së panatyrshme me kombet e kombësitë e ish-Jugosllavisë.
Për hir të informimit të asaj pjese të opinionit, e cila nuk ka sa duhet informacion, drejtoria e Radios-Kosova e Lirë, sqaron se prej 11 korrikut të vitit 1999, selinë e vet e ka në një objekt-vetëshërbim të ish-Voçarit, më vonë ndërmarrja tregtare, URATA. Objekti ndodhet në lagjen “Bregu i Diellit”, rruga Thimi Mitko nr. 6 në Prishtinë.
Prej kohës kur jemi vendosur e deri tani kemi bashkëpunuar me drejtorët e Voçarit-Uratës. Ata na e kanë lënë në shfrytëzim një pjesë të këtij objekti, të cilin e kanë shfrytëzuar edhe partitë politike.
Në adresë të Radios-Kosova e Lirë, prej korrikut të vitit 1999 e deri tani, në shtator të vitit 2012, nuk ka ardhur asnjë shkresë zyrtare lidhur me lirimin e objektit. Nuk kemi marrë asnjë padi private apo zyrtare lidhur me këtë objekt, një pjesë të cilit e shfrytëzon edhe Radio-Kosova e Lirë.
Në kohën kur Urata ka kaluar në procesin e likuidimit, kemi kontaktuar me zyrtarët e AKP-së. Ata kanë kërkuar qiranë, të cilën e kemi paguar dhe e paguajmë rregullisht.
Kjo është tërë e vërteta zyrtare, e cila argumentohet në këto relacione.
Në objektin ku ndodhet Radio-Kosova e Lirë punon edhe Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së, e cila deri tani ka nxjerrë në dritë 14 vëllime të monografisë “Feniksët e Lirisë”.
Liridashësit e Kosovës e dinë se në çfarë kushte ka punuar dhe punon Radio-Kosova e Lirë dhe kjo nuk është diçka që mund të fshihet. Po ashtu dihet diskriminimi që i ka bërë dhe vazhdon t i bëjë Radios-Kosova e Lirë Komisioni i Pavarur i Medieve, duke i reduktuar fuqinë transmetuese dhe duke mos ia njohur të drejtën legjitime të mbulimit me valë të territorit të Kosovës, meqë kjo radio dëgjohet nga familjet e dëshmorëve, nga veteranët e invalidët, që shtrihen në tërë territorin e vendit dhe jo vetëm në kryeqytet.
Radion-Kosova e Lirë nuk ka ndihmuar financiarisht asnjë organizatë e huaj apo vendore, për shkak se ka prejardhje nga UÇK-ja. RKL-ja nuk financohet nga buxheti i Kosovës ashtu si RTK-ja, Ansambli Shota, apo mediume të tjera multietnike. Kontratat që ka lidhë Radio-Kosova e lirë me disa ministri dhe kuvende komunale janë kontrata legjitime për shërbimet që kemi kryer dhe kryejmë në këtë drejtim, ashti sikur të gjitha mediet.
Zërat e drejtuar kundër Radios-Kosova e Lirë aktualizohen sa herë që ne demaskojmë politikat antikombëtare të disa medieve multietnike, sa herë që thumbojmë të kaluarën antikombëtare të individëve të caktuar, qofshin këta edhe ministra apo deputetë, me prejardhje nga ish regjimet, sa herë që zbulojmë fakte relevante lidhur me bashkëpunimin e këtyre dhe të tillëve me qarqet serbe, sa herë që demaskojmë dëshmitarët bashkëpunues të EULEX-it, sa herë që zbulojmë emrat e gazetarëve që bashkëpunojnë me Dik Martin, Beogradin e Athinën zyrtare.
Këtë aktivitet patriotik të Radios-Kosova e Lirë nuk kanë arritur ta shuajnë, as ta ndalojnë topat apo avionët e Milosheviqit, nuk kanë arritur ta ndërpresin UNMIK-u, as EULEX-i dhe nuk do të ketë forcë, e cila do ta ngufasë zërin e lirisë, sepse ai zë ka filluar së kumbuari në jehonën e armës çlirimtare të Adem Jasharit, ka kumbuar në frontet dhe bunkerët e luftës çlirimtare dhe është bërë pjesë emblematike e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në mbrojte të zërit të Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress kanë rënë sa e sa dëshmorë, në mesin e tyre edhe tre gazetarë e reporterë.
Karvani, i cili rrugëton pandashëm drejt çlirimit të të gjitha trojeve shqiptare dhe bashkimit të tyre në një Shqipëri të vetme është koncepti dhe programi i Radios-Kosova e Lirë, është alfa dhe omega e saj. Këtë aspiratë, këtë rrugë historike dhe të natyrshme nuk e ndalojnë zërat e sorrashkinave, as zërat e mekur dhe eunukët e multietnicitetit as yshtjet e ndërsyerjet që vijnë nga Beogradi, as gazetarët nga Serbia, që habiten sesi është e mundur që 13 vjet pas luftës ende në Kosovë të zërohet singla e UÇK-së dhe radioja e saj.
Radio-Kosova e Lirë ka folur dhe ju flet për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e kombit.