RKL: Zbogar dhe BE-ja po projektojnë një model bashkëjetese mes Kosovës dhe Serbisë, pa e përjashtuar modelin gjerman që nënkupton bashkimin e Kosovës me Serbinë okupatore

Pavarësisht retorikës së ashpër dhe të fortë të kreut institucional të Kosovës, lidhur me, sikur thuhet,  ruajtjen e pavarësisë së vendit në bisedimet që po zhvillohen me Serbinë, tashmë po shihet qartë se këto bisedime po zhvillohen me qëllim të korrigjimit të pavarësisë dhe pranimit të një kompromisi nga të dyja palët. Po ashtu, tashmë po kuptohet qartë se bisedimet janë të karakterit politik dhe gjatë këtij procesi do të bisedohet për të gjitha çështjet, për të cilat ka interes  Serbia dhe për asnjë çështje në dobi, apo në interes të Kosovës. Fjalimet dhe retorika e njohur për vija të kuqe apo të zeza, po e humbasin kuptimin, meqë bisedimet nuk po zhvillohen mes dy shteteve të pranuara ndërkombëtarisht, mes dy shteteve që e kanë njohur njëri tjetrin,  por  bisedimet po zhvillohen në mes të Serbisë si shtet i pranuar ndërkombëtarisht  dhe Kosovës si provincë e Serbisë, me mundësi reale që kjo provincë edhe mund të trajtohet si një shtet gjysmak, pa ushtri dhe pa ulëse në OKB.


Gjatë muajit të fundit, të fund-vitit 2012,  shumë nga diplomatët me ndikim në BE-së e më tej, kanë nxjerrë në tavolinat e tyre të punës modelet e autonomive dhe shteteve xhuxhe  me qëllim për t’ iu paraprirë  dhe për t’ i kornizuar bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës.


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar ka thënë sot se modeli i dy  shteteve gjermane  pritet keq  nga shqiptarët e Kosovës për shkak të bashkimit të këtyre dy shteteve në një të vetëm. Mirëpo për Kosovën dhe Serbinë, ai propozon të gjendet një model i veçantë, një model special, një model unik për Serbinë dhe Kosovën, ka saktësuar Zhbogar i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e ndonjë formule edhe nga modeli i dy shteteve Gjermane, apo të modeleve të tjera, për të cilin do të binin në ujdi të dyja palët. Modeli i dy shteteve gjermane iu ka dukur bukur interesant edhe ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, por edhe shumë politikanëve të vendit tonë.  Një model të tillë do ta përkrah edhe Tirana zyrtare, e cila është zotuar se kurrë nuk do të lejojë që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Këtë e ka thënë sa e sa herë kryeministri Sali Berisha, Ilir Meta, Edmond Haxhinastosi, Fatos Nano e shumë të tjerë.


Dhe, përderisa Shqipëria e Kosova nuk duan të bashkohen, dhe këtë e kanë konfirmuar sa e sa herë krerët në Prishtinë dhe në Tiranë,  atëherë vetvetiu nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të Kosovës me Serbinë, meqë Serbia është e gatshme për një bashkim të tillë, qoftë edhe pas dhjetë vitesh, pikërisht sipas modelit të bashkimit të dy shteteve gjermane, edhe pse këto dy raste janë krejtësisht të kundërta.


Shteti i Gjermanisë ishte ndarë dhunshëm  nga Fuqitë e Mëdha, të cilat e kishin fituar luftën e Dytë Botërore, në maj të vitit 1945, ndërsa ndarja e izolimi kishte qenë ndëshkim për kombin gjerman, për shkak të pasojave fatale të luftës pushtuese, të cilën e kishte udhëhequr Gjermania në krye me diktatorin monstruoz, Adolf Hitler.


Me këtë rast anashkalohet fakti i pamohueshëm, historik, se Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë, por ajo është okupuar nga sllavët në vitin 1912, me rastin e Luftërave Ballkanike të Koalicionit të shteteve sllave dhe të disa shteteve evropiane. Po ashtu harrohet edhe fakti se ishte pikërisht Aleanca Ushtarake Veriatlantike, ajo e cila gjatë muajve mars, prill, maj qershor 1999 e ndëshkoi nga ajri regjimin  kriminal serb të Milosheviqit, për të parandaluar zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë dhe e detyroi atë të kapitullonte dhe të tërhiqej nga Kosova. NATO-ja nuk i kishte bombarduar pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqë UÇK-në e konsideronte aleate, edhe pse  të pashpallur si të tillë.


Modeli i bashkimit të dy shteteve gjermane, që do të  nënkuptonte bashkimin e Kosovës me Serbinë në të ardhmen, është kulmi i hipokrizisë politike të Brukselit zyrtar, është fyerja më e rëndë dhe më antinjerëzore që i bëhet popullit të Kosovës, dëshmorëve e martirëve dhe të gjithë shqiptarëve liridashës, kudo ku ata jetojnë.


Ky model nuk ka asnjë bazë historike, po megjithatë ka një bazë taktike, pse jo edhe teorike, meqë plani i Ahtisarit shqiptarët e Kosovës i trajton si “kosovarë”,  Kosovën e trajton si një ish provincë historikisht dhe gjeografikisht serbe. Dhe kjo histori e përpjekjeve për ta shpërlarë identitetin kombëtar e historik të shqiptarëve u bë realitet me rastin e afishimit të flamurit dhe të himnit të Kosovës, që nuk kanë as edhe një element të kombit apo të historisë shqiptare.


Politikanët e pas luftës në Kosovë, po thuajse të gjithë janë pajtuar me planin e Ahtisarit, që ka për qëllim krijimin e kombit kosovar, që e le hapur mundësinë e bashkimit të Kosovës me Serbinë, por që përjashton kategorikisht mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.


Ata politikanë shqiptarë të Kosovës, të cilët e kanë pranuar planin e Ahtisarit, dhe të cilët e kanë hartuar Kushtetutën e Kosovës mbi atë plan, fare lehtë pranojnë edhe perspektiven e këtij plani, për hir të ruajtjen së paqes në rajon dhe për hir të partneritet miqësor me ndërkombëtarët, të cilët na kanë ndihmuar për t’ u çliruar dhe tash po na ndihmojnë për t’u integruar në Evropë së bashku me Serbinë, sepse as Kosova, as Serbia nuk do të pranohen në BE pa një marrëveshje, apo pa një pajtim paraprak, sikur po quhet pajtimi  “historik” mes serbëve dhe shqiptarëve.


BE-ja do të bëjë çmos, që t’ i bind përfaqësuesit politikë të Kosovës se inkuadrimi në BE pa Serbinë është i pamundshëm. Po ashtu politikanët aktualë të vendit janë tërësisht të bindur se e vetmja rrugë për ta është dëgjueshmëria maksimale dhe bindja krejtësisht e verbër ndaj Brukselit, në mënyrë që ata të mbijetojnë, të rrinë në pushtet krejt derisa BE-ja t’i arrijë synimet e veta, të cilat kanë prioritet pranimin e Serbisë në radhët e unionit, pavarësisht çfarë dëmi i shkaktohet Kosovës dhe ardhmërisë së shqiptarëve në përgjithësi.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …