Elife Luzha

Elife Luzha: Dhuna seksuale nga forcat ushtarake serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë II

Kohët e fundit edhe znj. Vasfije Krasniqi-Gudman, rrëfeu historinë e saj të dhimbjes, duke inkurajuar edhe gratë e tjera që të flasin për dhimbjen e tyre, për të mos jetuar në stigmë. Heshtja në lidhje me krimin dhe çfarëdo forme tjetër të dhunës, nuk çon kah shërimi i plagëve të të mbijetuarve e as të shoqërisë.

Ndryshimet ligjore më 2014, në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, që njohu edhe statusin e viktimave, me mundësi kompensimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, si dhe hapjen e procesit të verifikimit për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përbënë një pikë kthese në mbështetjen e të mbijetuarve. Por ndihma financiare e ofruar që nga 5 shkurti i vitit 2018, natyrisht nuk paraqet asgjë më shumë se vëmendje simbolike nga ana shtetërore, që në fakt edhe sipas ligjeve ndërkombëtare, vetëm përmbush detyrimet ndaj viktimave të luftës, që nuk do të guxonte të përfundonte me aq. Gjithsesi, të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për rehabilitim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë psikologjike. Ato, më shumë se për çdo gjë tjetër, kanë nevojë për vëmendjen tonë.

Krimi i dhunës seksuale është krim kundër njerëzimit

“Krimet e kryera në Kosovë kanë qenë plotësisht nën kontrollin e strukturave politike, ushtarake dhe policore serbe, që synonin shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë dhe ndryshimin e strukturës së popullsisë së Kosovës, thotë politologu Bardhyl Mahmuti (Mahmuti, 2015:291), ndaj kjo ishte edhe arsyeja e themelimit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, me qëllim dënimin e përgjegjësve të krimit të kryer.

Pas themelimit të Tribunalit në Nurnberg më 1945, për dënimin e përgjegjësve të Holokaustit për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Tribunalit të Tokios më 1946, bota pak kishte besuar se do të rikthehej koha e rithemelimit të tribunaleve të ngjashme për dënimin e krimeve të luftës, si Tribunali për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe Tribunali për Ruandën, më vonë edhe Tribunalin për Siera Leonen.

“Tribunali i Hagës u themelua pas shthurjes së Federatës Jugosllave më 1991 dhe shkeljeve flagrante të ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë vrasjet masive, përdhunimet sistematike e krimet e tjera çnjerëzore” (www.academia.edu).

“Tribunali Penal Ndërkombëtar (TPNJ) përdhunimin gjatë kohës së luftës e definoi si veprim të torturës dhe skllavërisë seksuale, si krim ndaj njerëzimit, që konsiderohet arritje e jashtëzakonshme në luftën kundër mosndëshkimit të kriminelëve të luftës” (kosovotwopointzero.com).

Megjithatë, ky tribunal është ndeshur me kritika të ashpra për mosdënimin e kriminelëve, e sidomos të krimeve të dhunës seksuale. Fondi për të Drejta Humanitare (FDH) kritikon Tribunalin për një numër të vogël të akuzave për krimet ndaj civilëve në Kosovë. Madje sipas FDH-së, në disa raste “gjykimet janë shumë të buta dhe me shumë favore për të dënuarit”.

Po rikujtoj se, për të plotësuar sistemet penale kombëtare, më 1995 u krijua Gjykata Ndërkombëtare Penale e Përhershme,“e cila dhunimin e cilësoi si formë gjenocidi” (Mahmuti, 2015:292). Kurse po e “njëjta gjykatë për Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën deklaroi se nuk ka pasur gjenocid” (Mahmuti, 2015:295).

Janë të papranueshme këto anësime të gjykatave respektive, në një kohë kur një numër i konsiderueshëm i organizatave kombëtare e ndërkombëtare tanimë kanë publikuar një varg raportesh, përmes të cilave japin të dhëna për krimet seksuale nga forcat serbe ndaj 20000 grave shqiptare të dhunuara në Kosovë, në shërbim të spastrimit etnik.

E për ta dëshmuar këtë që po them, do të përmend vetëm disa nga këto organizata, si: Organizata e Kombeve të Bashkuara, Amnesty International; Organizata Botërore e Shëndetësisë, Human Rights Watch, World Health Organization, US-based Centreof Diseaseetj., që kanë publikuar edhe në internet me mijëra faqe të krimit të dhunës seksuale nga forcat serbe ndaj 20000 grave shqiptare në Kosovë.

Konventa e Gjenevës për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte, në nenin 27 të saj shpreh qartë të drejtën e grave për t’u mbrojtur kundër çdo shkeljeje të nderit të tyre, dhe sidomos kundër dhunimit, por edhe kundër çdo akti fyes. Forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë aplikuan dhunën seksuale si mjet lufte duke shkelur jo vetëm nenin 27 të Konventës së Gjenevës, por edhe “nenin 7 të Statutit të Romës, ku specifikohet qartë se përdhunimi, si dhe çdo formë tjetër e dhunës seksuale që përdoren si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik drejtuar kundër cilësdo popullsi civile,është krim kundër njerëzimit. Në anën tjetër, sipas nenit 6 të Statusit të Romës,shkaktimi i dëmeve të rënda trupore ose mendore anëtarëve të grupit,me qëllim që të shkatërrojë, në tërësi ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racial apo fetar përbën akt të gjenocidit” (www.academia.edu).

Aplikimi i dhunës seksuale si mjet lufte nga forcat ushtarake serbe në Kosovë, në shërbim të spastrimit etnik, ishte akti më brutal i gjenocidit serb në historinë më të re të kontinentit tonë. Serbia edhe pas 20 vjetësh të përfundimit të luftës, nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë e as i ka dënuar ato. Por, siç thuhet, “historia është kryeneçe”, kurse “krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë”.

E drejta ndërkombëtare nuk u zbatua edhe në rastin e Kosovës

Filozofi francez i së drejtës së shtetit, Monteskje (Montesquieu),dyqind vjet më parë thoshte: “Në paqe duhet të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrit. Kurse në luftë duhet të kujdesemi të bëjmë sa më pak të këqija”.

Natyrisht, gjenialiteti i Monteskjesë në këtë rast nuk e kishte në mendje barbaro-gjeniun serb, që në emër të luftës bën krime, e në emër të paqes abuzon. Krimet e forcave ushtarake policore serbe në Kosovë kundër popullsisë civile, (vrasjet, burgosjet, gjymtimet, keqtrajtimet, dhunimet në masë, deportimet) që nga Millosh Obrenoviqi e deri te Sllobodan Millosheviqi, ende nuk i ka të dëgjuara historia më e re e kontinentit tonë. Në Beograd, serbët shpërthejnë shampanja kur marrin vesh mizoritë e shkaktuara nga trupat e tyre. “Ky është qëndrim kafshëror e shtazarak. Kur të mund të shfaqen provat për krimet serbe në Kosovë, Perëndimi do të tmerrohet”, thotë shkrimtari ynë I. Kadare, në një intervistë dhënë gazetarit Alan Bosquet.

Vitet e fundit, e drejta ndërkombëtare është zhvilluar mjaft në drejtim të kërkimit të përgjegjësive më të mëdha për krimet e dhunës seksuale, kur kryhen me qëllim që të shkatërrojnë një grup etnik, nacional apo racor në tërësi ose pjesërisht, që pretendohet se po aplikohen si mjet bashkëkohor i luftës.

Forcat ushtarake policore serbe gjatë luftërave të zhvilluara kundër republikave ish-Jugosllave më 1991-1999, në Bosnjë e Kroaci, më vonë edhe në Kosovë, “dhunimet seksuale i aplikuan si mjete bashkëkohore të luftës dhe synonin shkaktimin e dëmeve të pariparueshme ndaj anëtarëve të grupit”, thotë politologu Bardhyl Mahmuti (Mahmuti, 2015:292).

Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën e cilësoi dhunimin si formë e gjenocidit, gjë që nuk ndodhi edhe për Kosovën e Bosnjën. Edhe në Siera Leone, Gjykata Speciale dhunimin dhe format e tjera të dhunës seksuale i ka ndjekur penalisht si akte gjenocidi, kur kryhen me qëllim që të shkatërrojnë një grup etnik, fetar, nacional apo racor në tërësi ose pjesërisht.

Në Bosnjë, gjatë agresionit serb më 1991, siç thotë gazetari Denis Dzidic, “forcat ushtarake policore kishin dhunuar seksualisht 50000 gra, por vetëm 30 autorë krimesh të drejtpërdrejta janë dënuar nga gjykatat vendore dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Ai thotë gjithashtu, se çështja e përdhunimit të grave në Bosnjë mori përmasa ndërkombëtare, sidomos nga kontributi i regjisores së njohur Angelina Jolie me filmin “Në tokën e gjakut dhe të mjaltit” (www.balkaninsight.com).

Në këtë drejtim, kontribut të madh ka dhënë edhe Qeveria e Britanisë, në krye me kryeministrin William Hague, i cili, për shkak të numrit të madh të krimeve të pandëshkuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnjë, kishte krijuar një ekip hetuesish për ta gjykuar dhunën seksuale. Në ekip bënin pjesë oficerë policie, avokatë, psikologë dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët ishin udhëzuar që të mblidhnin prova për dhunën seksuale në masë sepse, siç ishte shprehur z. Hague, duhen siguruar të drejta të barabarta për gratë në çdo nivel të shoqërisë dhe duhen mbrojtur të pambrojturit (po aty).

Gazetari Dzidic njofton, gjithashtu, se prej 161 të paditurve, Tribunali i Hagës ka dënuar vetëm78 persona për krime seksuale. Kurse gjykata në Bosnjë-Hercegovinë ka pasur rreth 20 gjyqe për të paditur të akuzuarit për krime seksuale (po aty). Ndërsa Amnesty International për krime të dhunës seksuale në Bosnjë thotë se janë dënuar 134 persona (https://www.amnesty.org).

Duhet thënë se në Bosnjë, për dhunën seksuale gjatë luftës janë gjykuar më shumë persona se në çdo vend tjetër të botës. Bosnja, pavarësisht problemeve, është shembull edhe sa i përket përmbushjes së të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Kosova në raport me Bosnjën ka dallime të mëdha sa u përket të dënuarve për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Organizata për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, ka publikuar vetëm 7 raste të lidhura me përdhunimet sistematike në gjykatat e Kosovës. “Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka shpallur fajtorë 4 persona për dhunime gjatë kohës së luftës në Kosovë,përderisa shumë pak gra kanë dëshmuar në proceset gjyqësore. Fondi për të Drejta Humanitare, që monitoron gjykimin e krimeve të luftës, paralajmëron se në shumë raste dëshmitarët në gjykime kundër të pandehurve që akuzohen për përdhunim janë fyer dhe janë ekspozuar ndaj sjelljeve degraduese nëpër gjykime(kosovotwopointzero.com).

Komisioni i Verifikimit të të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë ka raportuar se mbi 750 të mbijetuara kanë aplikuar për statusin e të mbijetuarve, por vetëm 140 kanë marrë përgjigje pozitive.

“Në Kroaci, Ligji për të Drejtat e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Agresionit të Armatosur kundër Republikës së Kroacisë në Luftën për Atdhe u miratua më 2015, duke themeluar statusin ligjor të viktimës së dhunës seksuale. Ky ligj u ofron atyre që e marrin këtë status një pagesë mujore, si dhe të drejtën për kujdes shëndetësor, rehabilitim mjekësor dhe ndihmë psikologjike. Ndryshe nga Kosova, në Kroaci nuk ka afat të fundit për dorëzim të kërkesave” (po aty).

Sipas Rosa Centerfor Women Victimsof War, një OJQ me qendër në Zagreb, që ofron mbështetje për viktimat e luftës dhe të formave të tjera të dhunës, vetëm 215 persona kanë aplikuar për statusin formal deri në mes të vitit 2018 dhe vetëm 132 prej tyre ishin të suksesshëm. Dhënia e dëmshpërblimit për personat që i mbijetuan dhunës seksuale duhet të shoqërohet me përpjekje nga e gjithë shoqëria për ta njohur problemin dhe për të luftuar kundër stigmatizimit dhe viktimizimit dytësor të personave që i mbijetuan dhunës dhe familjarëve të tyre (po aty).

Diplomacia kosovare dështoi të dëshmonte krimin e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë!

Njohja e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ishte synim, por edhe detyrë e udhëheqësve të vendit. Funksionimi i shtetit pritej të realizohej përmes fuqizimit të institucioneve të pavarura, demokratike dhe zhvillimit të gjithanshëm shoqëror. Por, që në hapat e parë të shtet-ndërtimit, Kosova ka ngecur sidomos në përkujdesjen dhe rehabilitimin e nevojshëm të të mbijetuarve nga lufta, siç janë gratë, ndaj të cilave u aplikua krimi i dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

U deshën 15 vite pritje, deri më 2014, që të miratohet Ligji për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës Seksuale, por në asnjë mënyrë ky ligj nuk mund të ofronte edhe drejtësinë e munguar. “Unë jetoj e vdekur dhe më marrin për të gjallë”, ishte rrëfimi i njërës nga gratë, por në fakt, me dhunimin e tyre “a s’jemi të dhunuar të gjithë?” (Kadare, 2011:18). Madje, qeveritë e pasluftës nuk e panë të udhës që çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale ta shtrojnë në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Tribunali Penal Ndërkombëtar (TPNJ) dhunën seksuale ndaj grave gjatë luftës në ish- Jugosllavie definoi si krim kundër njerëzimit. Por institucionet e Kosovës, krimin serb në Kosovë nuk arritën ta dëshmojnë para këtij tribunali. “Etja për pushtet e para, e hiç më pak edhe për lavdi, ka bërë që udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të humbin rastet për dëshmimin e krimit serb në Kosovë. Sado paradoksale të duket, nga dëshmimi i krimeve do të përfitonin të gjithë, duke përfshirë edhe ata që i kishin kryer ato” (Kadare, 2011: 12).

“Heshtimi për krime është më i pafalshmi gabim i shqiptarëve”, thotë I. Kadare (Kadare, 2011, 11). Madje është rrezik që “mosndëshkimi të mbetet tmerri më i madh i Kosovës, që edhe mund të dyzohet (Kadare, 2011, 11).

Politika e jashtme kosovare nëpërmjet diplomacisë publike, (diplomacia publike përfshin aktivizimin e një grupi të madh “lojtarësh” të organizuar për arritjen e synimeve të caktuara) dhe takimeve me shtete e organizata të ndryshme, duhet ta ndërkombëtarizojë krimin e gjenocidit serb në Kosovë. Të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë duhet të jenë të pajisura me informata të mjaftueshme, qoftë edhe me botime të broshurave shtesë, ku specifikohen rastet e dhunës dhe të udhëzohen për njoftimin e shteteve pritëse për krimin e ndodhur në Kosovë.

Edhe përfaqësitë e huaja në Kosovë duhet të informohen për krimin e gjenocidit serb në Kosovë. Diplomacia aktive e Kosovës do të duhej të ushtronte trysni, që shteti serb të pranonte krimin e gjenocidit të kryer në Kosovë, ashtu siç pranoi të nënshkruajë në Stamboll rezolutën, e cila dënonte si gjenocid masakrën e Srebrenicës në Bosnjë. Me çdo kusht, diplomacia kosovare duhet të zgjojë interesimin e bashkësisë ndërkombëtare për krimin e dhunës seksuale nga forcat serbe ndaj 20000 grave shqiptare në Kosovë, me këtë edhe dënimin e tij. Kjo zaten është në të mirën edhe të vetë Serbisë. Ndryshe, “duke mos i dhënë lamtumirë krimit, do të dëmtohej më tej jo vetëm Serbia, por krejt programi i paqes në Ballkan”, thotë I. Kadare (Kadare, 2011:15).

BIBLIOGRAFIA

Mahmuti Bardhyl, Mashtrimi i Madh, “Çabej” Botimi i dytë, 2015 Tetovë.

Kadare Ismail, Mbi krimin në Ballkan, Letërkëmbim i zymtë, “Onufri” 2011, Tiranë

Mehmetaj Faton, Kosova dhe sfidat e sigurisë (artikuj, analiza, vështrime), “Anatema”, 2009, Prishtinë,

Sullivan Stacy, Mos kij frikë, se i ke djemtë në Amerikë, “Koha”. 2009, Prishtinë,

Dervishi Lutfi&ShtakuAnjeza, Shqiptarët në Ballkan, Instituti shqiptar për studime ndërkombëtare, 2001, Tiranë,

Nasi Lefter, Ripushtimi i Kosovës, shtator 1944-korrik1945, “Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë Instituti i Historisë”, 1994 Tiranë,

Kissinger Henry, Diplomacia, “Leart” 1999, Tiranë

https://zeri.info/aktuale/129174/thyerja-e-heshtjes-se-zgjatur-mbi-perdhunim-gjenocidal-ne-kosove/

https://drenicapress.info/rrefime-rreqethese-te-dhunuarave-nga-serbet-video/

https://www.koha.net/veshtrime/100100/dhuna-seksuale-krim-lufte-dhe-krim-kunder-njerezimit/

https://sq.wikipedia.org/wiki/Rezolutat_e_K%C3%ABshillit_t%C3%AB_Sigurimit_t%C3%AB_Kombeve_t%C3%AB_Bashkuara_p%C3%ABr_Grat%C3%AB,_Paqen_dhe_Sigurin%C3%AB

https://www.academia.edu/33100193/Aspekti_juridiko-penal_dhe_krahasues_s%C3%AB_vepr%C3%ABs_penale_Krimeve_kund%C3%ABr_njer%C3%ABzimit_

http://www.balkaninsight.com/al/article/ekspertet-britanike-ndihmojne-viktimat-e-perdhunuara-gjate-luftes

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …