Elife Luzha

Elife Luzha: Dhuna seksuale nga forcat ushtarake serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë I

– Pushtimi i Kosovës dhe represioni serb mbi shqiptarët etnikë

 

Shpallja e shtetit të pavarur shqiptar më 1912, në një kohë luftërash të përgjakshme mes popujve në Evropë e Ballkan, ishte ngjarja më e shënuar në historinë mbi dymijëvjeçare të rrugëtimit të shqiptarëve. Shqipëria u shpall shtet, por gjysma e territorit të saj, si Kosova dhe pjesët e tjera më vitale të kombit si në vlera gjeografie, ashtu edhe në vlera historike, iu aneksuan dhunshëm Serbisë e Malit të Zi, ndërsa Çamëria iu dha Greqisë. Më 13 qershor 1878, Fuqitë e Mëdha i copëtuan tokat shqiptare në favor të sllavëve, përkundër siç thotë Kissinger (Henry Kissinger): “As Bizmarku (OttoVon Bizmarck), as Dizraeli (Benjamin Disraeli) nuk i donin sllavët e Ballkanit, të cilët i konsideronin ngatërrestarë kronikë dhe të egër” (Kissinger, 1999:155).

Me gjithë përfitimet sllave, në Koncertin Evropian, Rusia ankohej se nuk i kishte arritur të gjitha synimet. Pansllavët, koalicionin evropian e quanin “një dash kurbani për dështimin e tyre”. E, në fakt, politika e jashtme ruse, thotë Kissingeri, vuante nga propaganda e sëmurë, tema kryesore e së cilës ishte thirrja për një politikë agresive në Ballkan.

Kurse “autorë dhe intelektualë rusë e pansllavë, si prozatori dhe nacionalisti i pasionuar, Fjodor Dostojevski apo oficeri Rotisllav Andrejeviç Fadejev, altruizmin rus e interpretonin si një obligim për të çliruar popujt sllavë” (Kissinger, 1999:143). “Por Rusia, në politikën e jashtme, nuk është përkrahur si Amerika me konceptet e saj të lirisë e barazisë, që mund t’i përqafonte kushdo. Pansllavizmi rus ishte i frikshëm dhe ekspansionist, që duhej ndalur”, thotë Kissingeri (po aty).

Shqiptarët besonin se në Konferencën e Paqes do të përmirësoheshin padrejtësitë e bëra ndaj tyre, gjë që nuk ndodhi. Përkundrazi, më 1913, gjashtë Fuqitë e Mëdha e legalizuan ndërkombëtarisht copëtimin e Shqipërisë.

Sipas Kissingerit, në Konferencën e Londrës, Britania e Madhe e pengoi aneksimin e Shqipërisë nga Serbia, sepse ishte e papranueshme për Austrinë (Kissinger, 1999:199).

Megjithatë, më 1912, serbët e rikthyen kontrollin mbi Kosovën, kurse sipas raportit të Carnegie Endowment*, të vitit 1914, serbët gjatë kësaj kohe shkatërruan fshatra të tëra, duke vrarë 25 000 shqiptarë etnikë (Sullivan, 2009: 45). “Kështu, një territor i vogël si Kosova, për shkak të konkurrencës së Fuqive të Mëdha, ndër vite shërbeu si një fushëbetejë në vijën e parë të frontit, dhe si një vend nga i cili nxirreshin burime ose kërkohej shpagim. Për këtë shembull është miniera e plumbit në Trepçë, e cila u shfrytëzua nga serbët, dhe po nga ata u përdor më 1999, për të djegur kufomat e viktimave të vrasjeve e përdhunimeve masive nga forcat ushtarake serbe” (Dervishi & Shatku, 2001, 31).“Më 1992, agresioni serbo-sllav e ktheu rajonin, e sidomos Bosnjën dhe Kosovën, “në një kazan që ziente, ku serbët prinin në larje të hesapeve të vjetra, në një mënyrë të egër” (Kissinger, 1999:195).

Gjithsesi, kjo egërsi serbe burimin e kishte te lëvizja politiko-kulturore serbe zenitizmi, që kishte lindur mes dy Luftërave Botërore dhe gjatë shek. XIX përhapte ide të kontaminuara kundër Evropës. Kjo lëvizje pretendonte se ka ardhur koha që në skenë historike të dal barbaro-gjeniu, pra njeriu i natyrës, i egër e fisnik, që duhet ta rigjeneroj qytetërimin e kalbur perëndimor. Ky gjeni barbar ishte serbi.

Janë pikërisht këto ide, që çuan në krimet barbare serbe gjatë luftës në Kosovë”, shpjegon Arbër Xhaferi, në librin Kombi, identiteti dhe shteti (Xhaferi, 2005: 322, 323).

Shqiptarët e pushtuar në tokat e tyre ishin të detyruar që, krahas luftës për mbijetesë, të organizoheshin në luftën për çlirim, deri në realizimin e aspiratës kombëtare sipas parimit për të drejtën e popujve për vetëvendosje, sepse “fjala ishte për një popull që jeton në një territor të përcaktuar qartë, nga pikëpamja gjeografike; popull kompakt, homogjen e autokton në trojet e veta” (Nasi, 1994:17). “Ky fakt ishte jo vetëm bindës, por edhe i arsyeshëm për çdo pretendim të shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë, e sidomos tanimë që e drejta ndërkombëtare e kishte legjitimuar parimin e Versajës, për vetëvendosje dhe dekolonizim” (po aty).

Megjithatë, edhe për shumë vite në vijim Kosova nuk u bë e lirë. Terrori dhe dhuna ndaj shqiptarëve vazhdoi deri më 1998-‘99, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja), bashkë me NATO-n e çliruan Kosovën.

Krimi i dhunës seksuale ndaj grave shqiptare nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë

Përgjatë më se njëqind vjet të pushtimit serb në Kosovë, shqiptarët përjetuan dhunë të egër e të paparë në historinë më të re të kontinentit tonë. Doktrina serbe për asimilimin e shqiptarëve është e hershme dhe “që nga viti 1844 e deri më 1999 serbo-sllavët kanë projektuar dhe zbatuar 24 projekte për shfarosjen e shqiptarëve” (Mehmetaj, 2009:15). Me një fjalë, që nga “Millosh Obrenoviçi e deri te plani Patkoi më 1999, të gjitha planet serbe mbështeteshin nga qarqet më të larta shtetërore dhe kishin një synim të vetëm: shkatërrimin fizik të shqiptarëve në Kosovës. “Sulmet sistematike kundër popullsisë civile, vrasja e mbi 13 000 shqiptarëve, dhunimi i 20 000 grave shqiptare, vrasja e 1392 fëmijëve, vrasja e 1739 grave, vrasja e 10 000 civilëve të tjerë shqiptarë dhe zhdukja e 1653 kufomave civile” (Mahmuti, 2015:293). kishin si synim realizimin e këtij plani.

Është e vërtetë ajo që besonte Gandi (Mahatma Gandhi), se “vrasja nuk vret vetëm të vrarët, por edhe vrasësit”. Mirëpo në këtë rast, krimet serbe në Kosovë ishin më shumë se aq. Serbët duke aplikuar përdhunimin e grave shqiptare si mjet lufte, donin të vrisnin edhe moralin shqiptar. “Ky ishte kulmi i mizorisë njerëzore, një mënyrë i njohur edhe më parë, por asnjëherë qëllimi kryesor i përdhunimit nuk u kthye si ndihmës kryesor i një doktrine: thyerjes morale të një populli. Jo vetëm i grave, siç mund të merret në vështrim të parë, por, në radhë të parë, i burrave. Jo vetëm për brezin që po pësonte goditjen, por po aq edhe për brezin e ardhshëm”, thotë shkrimtari ynë, Ismail Kadare (Kadare, 2011:15).

Sipas Protokollit Ndërkombëtar për Dokumentimin dhe Hetimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, “dhuna seksuale është formë e urryer e dhunës, që përfshin përdhunimin dhe sulme të tjera të natyrës seksuale, të kryer kundër grave dhe vajzave, burrave dhe djemve, që mund të ketë pasoja brutale, ku përfshihen pasojat fizike dhe psikologjike për të mbijetuarit dhe dëshmitarët, por mund të ketë ndikim të thellë destabilizues në komunitetet dhe popullatat në tërësi” (assets.publishing.service.gov.uk/).

Dhuna seksuale mund të ketë pasoja fizike dhe psikologjike afatgjata. Në disa raste viktimat e dhunës seksuale, si dhe dëshmitarët, nën ndikimin e ngarkesës emocionale humbin arsyen e gjykimit, që mund të çojë në humbjen e dëshirës për jetë. Trajtimi i viktimave të dhunës seksuale nga institucionet relevante në këtë rast është jetik! Ndërsa të kuptosh drejt pasojat e dhunës seksuale është burimi për ofrimin e ndihmës adekuate për të mbijetuarit. Por për këtë do të diskutojmë në kapitujt në vijim. Tani po u lëmë hapësirë të flasin viktimat e dhunës seksuale, sepse siç thotë Roberto Saviano*, “nuk mund të ketë rrëfim të vërtetë të një lufte, pa rrëfimin e grave që e kanë përjetuar atë”.

Mimoza ishte 24 vjeçe dhe kujdesej për prindërit e saj. Ajo ishte personi më i dashur në familje, por një ditë jeta e saj mori një kthesë tjetër “Unë kam qenë fëmija i vetëm në familje. Nuk kam as motër, as vëlla. Për prindërit e mi kam qenë gjithçka. Në vitin 1999në shtëpi hynë tre policë serbë dhe filluan të rrihnin prindërit e mi. Më pas u kthyen nga unë dhe njëri prej tre policëve më dhunoi para syve të prindërve. Prindërit e përjetuan shumë keq. Më pas më kanë tërhequr zvarrë dhe më kanë lënë në rrugë. Më kanë rrahur shumë. Edhe sot ndiej dhembje në trup. Kam bërtitur sa kam mundur, por askush nuk më erdhi në ndihmë, pasi ishte luftë. Më pas edhe në rrugë më kanë dhunuar dhe më thoshin se do të ma merrnin zemrën dhe do ta peshonin sa kilogram ishte. Kanë pasur një thikë të gjakosur. Pikte gjak të nxehtë”…

Pas disa orësh, një fqinj i ka ardhur në ndihmë dhe e ka strehuar në shtëpinë e tij. Në gjendje të rëndë psikike, Mimoza donte t’i jepte fund jetës. Fqinji i ka folur me shumë kujdes dhe e ka qetësuar. Pas kthimit të saj në shtëpi, fillon tragjedia. Rrëfen Mimoza: “Për një kohë kam qëndruar e mbyllur në dhomë. Pas njëfarë kohe të shkurtër, më vdiq babai nga sulmi në zemër. Mërzitej shumë, pasi unë nuk mund të flisja me të. Nuk mundja ta shihja në sy. Më lutej shumë ta pinim një kafe bashkë, pasi e kemi pasur rutinë ditore. Pas ngjarjes, edhe nëna nuk ka qenë më asnjëherë në gjendje të mirë psikike, pasi e ka përjetuar shumë keq dhunimin tim. Një mëngjes nëna ishte afruar pranë bunarit 20 metra dhe ishte hedhur për të vdekur” (https://drenicapress.info). “Krimi më pak se çdo gjë, duron dhunimin e të vërtetës. E heshtja për krimin është më i pafalshmi gabim!”, thotë Kadareja. Të heshtësh të vërtetat tronditëse të grave si kjo, apo ndryshe si kjo, do të thotë ta lëndosh për vdekje apo ta varrosësh atë me duart e tua.

 

Aplikimi i gjenocidit biologjik si mjet lufte nga forcat serbe në Kosovë

Në vitin 1998 gjashtë policë për tri ditë me radhë kanë dhunuar Vjollcën. Më pas e kanë futur në një kamion me kufoma, ku ka përjetuar tmerrin e vërtetë. “Kisha dërguar djalin në spital, pasi ishte i paralizuar. I gjithë vendi ka qenë me policë. Atë ditë më morën burrin dhe e vranë. Mbeta me fëmijët. Hyra në shtëpinë e dajës së burrit për të shpëtuar. Por edhe aty hynë policë. Dhe të gjithë i qitën jashtë shtëpisë. Vetëm mua më mbajtën brenda. Më kanë dhunuar gjashtë policë, për tri ditë rresht”.

Anëtarët e familjes kishin menduar se Vjollcën e kishin vrarë policët serbë. Kur të afërmit e takuan pas disa ditësh, u gëzuan, sidomos fëmijët. Por ngjarja nuk përfundoi aty. “Pas disa muajsh kuptova se isha shtatzënë. Nëna më dërgoi te mjeku, që ta heq fëmijën. Prej asaj kohe nuk isha mirë. Në vitin 2000 më sollën trupin e burrit nga varreza masive. Më ftuan në morg që të identifikoja burrin dhe aty kam pësuar shumë trauma, sepse të gjitha kufomat më dukeshin të njëjta. Të gjithë meshkuj civilë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. (https://drenicapress.info)

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në nenin 5 të saj thotë: “Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, veprimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”. “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve e trajtimeve çnjerëzore ose degraduese”, thuhet edhe në nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Por, përkundër këtyre të drejtave, që bota i krijoi për të mirën e njerëzimit, gjatë më se njëqind viteve të pushtimit serb në Kosovë, këto të drejta janë shkelur dhe janë përmbysur tërësisht. Ndaj me të drejtë shkrimtari ynë Ismail Kadare thotë se “marrëzitë serbe i kanë kaluar veprimet e nazistëve në gadishullin e Ballkanit”.

Krahas dhunës sistematike kundër popullsisë civile në Kosovë, barbaria serbe “aplikoi edhe formën e gjenocidit biologjik, “që  është më i fshehtë dhe nuk manifestohet me viktima të mëdha”, thotë politologu Bardhyl Mahmuti (Mahmuti, 2015:291). Gjatë luftës në Kosovë u dhunuan mbi 20000 gra dhe vajza shqiptare, “me qëllim që të goditet gruaja, simboli i vazhdimësisë biologjike të grupit. Këto akte kishin për qëllim të goditej gruaja si nënë e ardhshme, qoftë për të cenuar integritetin e saj fizik dhe moral, qoftë për ta penguar të krijojë vazhdimësinë e grupit” (Mahmuti, 2015:293).

Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, cenimi i integritetit fizik dhe mental të anëtarëve të grupit nacional, etnik, racor apo religjioz përbën akt gjenocidi. “Sot askush nuk mund ta kontestojë faktin, se dhunimi dhe dhuna seksuale mbi gruan përbën cenim të rëndë të integritetit fizik apo mental të saj. Dhunimet seksuale në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë u bënë mjet bashkëkohor i luftës dhe synonin shkaktimin e dëmeve të pariparueshme ndaj anëtarëve të grupit” (Mahmuti, 2015: 292). “Pra, dhunimi dhe dhuna seksuale përbëjnë shkelje të konventës së lartpërmendur, sepse dhunimi i shkakton viktimës trauma dhe plagë të pashlyera psikologjike” (po aty).

Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se në Ballkan (Kosovë, Kroaci e Bosnjë) janë dhunuar seksualisht60 000 femra. “Megjithatë, kjo organizatë më 1992, pas një presioni publik për përdhunimet në ish-Jugosllavi, bëri që në vitin 2008, Këshilli i Sigurimit të miratojë Rezolutën 1820, e cila përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale i njohu si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” https://www.koha.net/.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 1820 (2008) pranon se dhuna seksuale është përdorur si taktikë lufte për të poshtëruar, dominuar, frikësuar ose zhvendosur me forcë anëtarët civilë të një komuniteti apo grupi etnik. Ajo kërkon nga vendet anëtare, që përdoruesit e dhunës seksuale t’i ndjekin penalisht dhe të gjitha viktimat, sidomos gratë dhe vajzat, të kenë mbrojtje të barabartë në drejtësi. Rezoluta kërkon gjithashtu, që t’i jepet fund mosndëshkimit për dhunë seksuale. “Organizata për të Drejtat e Njeriut Amnesty International,dhunën seksuale lidhur me konfliktin e përkufizon si dhunë kundër grave, burrave, vajzave dhe djemve, që ndodh në rrethana konflikti ose paskonflikti dhe që ka lidhje të drejtpërdrejtë me vetë konfliktin” www.amnesty.org/.

Siç bënte ditur kjo organizatë, në Kosovën e viteve 1998-99, gjatë fushatës së përndjekjes dhe dhunës kundër shqiptarëve nga forcat ushtarake e policore serbe, në mënyrë sistematike janë përdhunuar mijëra gra. Në raportin me titull “Plagët që djegin shpirtrat tanë” shpalosen pasojat shkatërruese fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale të provuara nga të mbijetuarat. “Gratë dhe vajzat shqiptare iu nënshtruan përdhunimit dhe formave të tjera të dhunës, që përbëjnë torturë. Shumë të mbijetuara i njohin dhunuesit e tyre edhe me emër. Megjithatë, deri tani vetëm 4 udhëheqës ushtarakë dhe politikë serbë janë dënuar për dhunë seksuale, si një krim kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi” (www.amnesty.org).

 “Nuk kemi asnjë shpresë në drejtësi”, thotë një e mbijetuar e dhunës. “Unë isha 30 vjeçe kur u ushtrua dhunë mbi mua dhe tani gati mbush të 50-at”. Përdhunimi “është një plagë që ta djeg shpirtin ditë për ditë”, e të bën të turpërohesh para familjes e komunitetit. Atë e mban me vete gjithë jetën (po aty). “Me një fjalë, pas aktit të dhunimit, në vend të ngushëllimit e të kujdesit, ato përjetonin një shkretëtirë tjetër, të panjohur, të palogjikshme, sikur të kishin dalë në anën tjetër të pasqyrës, atje ku nuk ka më asgjë të kësaj bote”(Kadare, 2011: 10).

Duhet thënë se një ndër gratë e para që ka ngritur zërin për të dëshmuar për aktin e dhunës seksuale të ushtruar ndaj saj, nga dy persona të maskuar, në shtëpinë e saj dhe para burrit dhe fëmijëve të saj, është Sevdie Ahmeti, bashkëthemeluesja e OJQ-së, Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …