(Recension për romanin e shkrimtarit, Muharrem Blakaj)
Ndihem i nderuar pa dyshim, duke pasur mundësinë për të thënë fjalën time për romanin më të ri të krijuesit Muharrem Blakaj, pa ekuivok, tanimë krijues që ka kaluar pragun e tre veprave në gjininë e prozës, si më të ndërlikuarën, që kërkon arkitekturën e një ndërtimi të veçantë mbi një ngjarje të caktuar e cila ngërthen në vete ne mënyrë të përsosur transformimin e një realitetit, qoftë ai i hidhur, i lumtur, romantik, apo tragjik, historik, apo filozofik, për të shtjelluar e jetësuar, apo stigmatizuar një ngjarje që ka ndodhur brenda një shoqërie në një kohë të caktuar. Futja në vorbullën e fushës së krijimtarisë letrare e cila përkon me zhvillimin e ngjarjeve reale të një vendi, dhe procedon në kohe dhe hapësire, duke paraqitur po aq besnikërisht edhe rrethanat shoqërore të asaj kohe, bartësit e tyre së bashku me personazhet real dhe të imagjinuar, duke krijuar portrete parësore e dytësore më karaktere të veçanta, punë kjo e cila do një imagjinatë të thellë krijuese, diapazon të gjerë njohurish që ka për qëllim renditjen e ngjarjeve bashkë me materien dhe elegancën e tyre të brishtë , deri tek skena të kompletuara si një galeri e madhe arti. Kjo platformë vizuale e ndërtuar në mënyrë të arrirë tek romani i zotit Blakaj:”Atentat brenda germës”L”, rezulton nëpër kohë po aq besnikërisht duke përcjellë zhvillimin e ngjarjeve, duke mos i ngatërruar ata mes vete së bashku me pozicionet e personazheve, dhe përshkrimin e rrethit ku ata veprojnë deri në imtësitë më të vogla, përshkrimin e tipareve dhe karaktereve të tyre, që kompletojnë një personazh, gjë të cilën krijuesi Blakaj e ka bërë në mënyrën më të realizuar. Kjo punë kolosale, natyrisht se do një kokë për të zënë fillin e shtrirjes në rrafshin e literaturës së bollshme të kolosëve të mëdhenj të letërsisë botërore, por edhe kombëtare të cilët autori i ka kaluar në për dorë, për të dalë deri tek uni i vet si krijues, rrugë të cilën e kanë ndjekur të gjithë njerëzit e mëdhenj të letrave.
Romani i autorit Blakaj: “ Atentat brenda germës L”, është i begatë me kulturën gjuhësore, me leksikun e saj, me të shprehurit, me përshkrimin dhe shtjellimin e ngjarjes ku fillon dhe përfunduar me sukses ngritjen e godinës brenda një kornize të një ndodhie e cila merr konotacionin e qëndrueshëm në lëmin e caktuar që i dedikohet letërsisë, historisë, apo edhe filozofisë etj. Autori Blakaj, me veprën e vet, lexuesin e mirëfilltë e bind katërçipërisht me qartësinë e konceptit të mendimit i cili vjen deri tek konstatimi se ka vrarë me punën e tij krijuese mjerimin brenda një rrethi të zbehtë, që kishte vu shumë nga krijuesit e dikurshëm para mëdyshjes: të shkruash a të mos shkruash, ca nga miklimet e sistemeve ideologjike, të cilët shkruani me porosi e për përfitime materiale, ca të tjerë vrarë nga zhgënjimi i të pa priturave, madje duke qenë fare të pa përgatitur për t’u përleshur me ndodhitë e furishme historike që pasuan brenda unazës sonë kombëtare. Autori i zhvesh këto ndrydhje fare lakuriq, duke i degraduar, demaskuar dhe zbehur në peshë sistemet e mykura moniste para ngjarjeve madhore, siç ishin tërmetet e fuqishme popullore për lirinë e atdheut tonë, pjesë e së cilës ishte edhe vet autori, që mbi kurriz kishte bartur po aq burrërisht hisen e vet të detyrimeve për çlirimin e vendit të cilën e pagoi një për një! Autori Blakaj, i vetëdijshëm se obligimet tona përball atdheut, nuk kanë përfunduar tamam, tani më nga ana e një këndvështrimi tjetër, ai që për mision ka fjalën e shkruar e cila do të mbetët në letër për brezat që pasojnë, qoftë si mision, porosi, meditim, vazhdë, apo kronikë e një kohe me plagë të shumta. Autori nuk po kursen as kohën e mbetur, nuk po gjënë qetësin shpirtërore, pa i zbrazur prurjet e veta, duke lënë gjurmët e një kohe të shkruara në letër, pa dyshim në shërbim të kulturës sonë letrare, pse jo edhe të historisë. Është fakt se krijuesit i gëzohen veprës së vet, sikurse pjellës së vet të natyrshme, po thuaj në të gjitha drejtimet e jetës: bujku i gëzohet bereqetit në ara, muratori kullës së gurit që ka ngritur me duart e veta, arkitekti urës që ka ngritur mbi lum, filozofi saktësisë së mendimit dhe humanizmit, piktori përsosmërisë dhe harmonisë se ngjyrave me plot përformancë, skulptori derdhjes së madhështisë së heroit në bronz, duke i dhënë atij mesazhe përjetësie, krijuesit e letrave në gjininë e poezisë, prozës, dramës, romanit, komedisë, satirës dhe humorit etj.
Zoti Blakaj me sukses e dashuri ka kurorëzuar pjellën e vet në jetë dhe krijimtari, kështu që meritueshëm ka të drejt të jetë i denjë për punën që ka bërë, duke e nxitur lexuesin që të krijoj konceptin e tij real dhe të paanshëm, mbi ngjarjet e ndodhitë që kanë hapëruar së bashku me ne dikur!, qoftë edhe si realitet i hidhur për kombin tonë, realitet që na ndoqi këmba- këmbës deri tek ditët e sotme! Autori na jap një përshkrim real të rrugës sonë me dhimbje e mundime, me plagë e pranga, me burgime e arratisje, me vuajtje e gjak, me bukë e barot për të shënuar epokat e triumfit bindshëm mbi të ligën e shëmtuar që pushtuesit shekullor serb mbollën mbi ne. Brezit Blakaj, dhe shumë krijueseve dhe atdhetarëve tjerë, që hise ju ra mërgimi e katandisja rrugëve të botës, ju takon që të lënë gjurmët të shkruara në letër, dhe të mburremi me modesti për këto gjurmë. Fundja ne as e kemi nisur të parët këtë rrugë as do të jemi të fundit. Që nga Rilindësit e deri më sot, letërsia jonë shqiptare, apo më mirë më thënë origjina e letrave të shkruar në gjuhën tonë të bukur ka vargëtuar si në rrugët e syrgjynit të djeshëm po aq në rrugët e kurbetit të sotëm. Prandaj porosia jonë është: Lini gjurmët tuaj të shkruara në letër, qoftë edhe me një kujtim, shkrim, poezi, ditar, shënim a diçka të vogël! Vetëm gjërat e shkruar mbesin. Që para erës sonë kemi shënime si ato të Heraklitit mbi natyrën, bie fjala. Nga ana tjetër, nuk kemi të shkruar, qoftë edhe diçka të vogël për: Milllesh Kopiliqin, që Sulltanit të madh të Turqisë, ia la kokën në Kosovës si hipotekë të historisë!? … Në mungese të një shënimi krejt të vogël edhe sot e gjithë ditën, nëpër shekuj sillet vërdallë e me kokë dhimbje historia! Mbi këtë bazë dua ta përgëzoi autorin Blakaj i cili me përkushtim të madh ka shtjelluar, ngjarjet e hidhura, por të vërteta kur UDB-ja Jugosllav me mekanizmat e saja tejet tinëzare, kishte arritur të depërtonte thellë në poret e jetës sonë, duke i vu në zbatim të gjithë mekanizmat mbytës e asgjësues të kundërshtarëve të saj e në veçanti të shqiptarëve liridashës e krejt veçantë të kokave të kombit tonë siç ishin: Haxhi Zeka, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Fazli Grajqevci, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Zija Shemsiu e dhjetëra e dhjetëra pishtarëve tjerë të lirisë.
Autori, duke e jetësuar ngjarjen deri në shkallën e një romani i cili do të jetoi gjatë, duke iu dhënë fuqi personazheve të përjetësisë siç janë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, me saktësi dhe pa e devijuar realitetin futët poreve të veprimit të Shërbimeve sekrete të UDB-së duke i gjurmuar e denoncuar ato para lexuesit dhe opinionit të gjerë përparimtarë. Për fatin tonë të mirë, sot poenta e krijuesit të ri, edhe e zotit Blakaj në këtë rast, kalon caqet e një qëllimi për të qenë vetëm emër krijues, ky brez, ka qorrur një herë e për gjithmonë shabllonet e një politike të ndyrë, që fuste hundët edhe aty ku nuk e kishte vendin, siç ishte mendimi i lirë i krijueseve në lëmit e ndryshme të artit dhe kulturës në përgjithësi. Krijuesi, si njohës i mirë i sistemit të vlerave, di ku ta fokusoi ngjarjen, di ta zbërthej atë dhe di t’i jap shpirt asaj, duke e kompletuar veprën me petkat e saj mbi anatominë e një trupi madhor. Autori Blakaj me gjithë këto peripeci, ka dhënë vlera në këtë lëmi si edhe në dy veprat e tij të më hershme: “Misioni Sekret” dhe “Thesaret e Humbura”, duke e dërguar misionin e vet edhe më tej, jo vetëm si nocion figurativ në fushën e letrave me romanin e tij më të ri: ” Atentat brenda germës L”, por edhe më gjerë. Romani plotëson të gjitha standardet e një vepre që kohës do t’i qëndroi, është voluminoz, lexohet me zgjimin e kureshtjes, është i kapshëm për lexuesin, ka porosinë dhe shpjegimin e duhur brenda. Vet titulli i romanit, fletë edhe më shumë, dhe më duket që nuk është pa shkas: “Atentat brenda germës “L”, që si nocionin na jap një shpjegim më të gjerë figurativ, si: Vrasjet që pushtuesi na i bëri në fazën e lulëzimit tonë, në rrugët e lëvizjes sonë, në prag të kurorëzimit të lojës sonë përfundimtare, vrasje në rrugët e luftës për liri, vrasje në pretendim për të arrirë lartësitë ku fluturojnë vetëm shqiponjat, dhe njëkohësisht jap mesazhin se armiqtë tanë, kurrë nuk do të arrijnë që të vrasin lartësitë ku fluturojnë shqiponjat e kombit tonë, siç janë Jusufi, Bardhoshi, Kadriu e qindra Dëshmorë tjerë të Kombit. E përgëzoi autorin Blakaj për romanin e tij më të ri, duke i dëshiruar shëndet e suksese të reja në krijimtari. Romanin Atentat brenda shkronjës “L”, lexuesi tanimë e ka në dorë dhe pa dyshim do ta jap vlerësimin më të mirë dhe më real për vlerat e tij që do t’i qëndrojnë kohës, pa dyshim.