Ismet Azizi

Ismet Azizi: Emërvendet (toponimet) tregues të denjë të autoktonisë shqiptare në Sanxhak

 Valentin Vasileviç Sjedov: “Shqiptarët e sotëm janë  mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe  në hapësirat e tjera… në shekullin e VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”…

Në mënyrë që të ruhet trashëgimia e toponomastikës, të paktën pjesërisht, duhet shënuar dhe me kujdes të hulumtohet kjo çështje nga perspektiva të ndryshme shkencore. Me hulumtimin e toponimeve merren shkenca të ndryshme, sidomos linguistika, por edhe gjeografia, hartografia, historia, arkeologjia etj. Metodologjia e hulumtimeve shkencore të toponimeve më së miri e elaboron toponomastika, dega e linguistikës, në kuadër të onomastikës, disiplinë shkencore e cila merret me emrat. Studiuesit e toponomastikës japin njohuri themelore për zhvillimin e toponimeve, format e tyre gjuhësore, ndryshimet, dhe në përgjithësi të funksionit në gjuhë. Këto punime janë të pashmangshme, pa marrë parasysh se nga cili këndvështrim shqyrtohet kjo problematikë. Megjithatë, kur shqyrtohen emrat gjeografik në kontekstin hapësinor, sidomos kur përcaktojnë lidhjet e tyre me funksionet hapësinore, rëndësi të veçantë kanë hulumtimet gjeografike.

Gjeografët, bashkë me gjuhëtarët, janë të pashmangshëm gjatë standardizimit të emrave gjeografik në botimet e ndryshme dhe publikimet gjeografike-hartografike (p.sh. Atllaset) si dhe në të gjitha tekstet tjera që përdoren emrat gjeografik. Kjo është një mënyrë e mundshme e afirmimit të gjeografëve dhe gjeografisë në shoqërinë tonë. Gjeografët duhet të ri pozicionohen në trajtimin e këtyre çështjeve në të cilat gjithnjë e më shumë, për fat të keq, shpesh ndërhyjnë hulumtuesit e disiplinave tjera. Kjo nuk do të thotë që gjeografët duhet të kenë ekskluzivitet por është i nevojshëm bashkëpunimi me disiplina të tjera shkencore në punën e përhershme ndërdisiplinore në standardizimin e emrave gjeografik të trojeve shqiptare.

Sanxhaku paraqet një krahinë të caktuar shoqërore-ekonomike dhe territoriale-administrative. Në aspektin ushtarak emri “sanxhak” do të thotë flamur, që nënkupton përfshirjen e ushtrisë nën një flamur të caktuar. Emri sanxhak është me prejardhje turke (sancak) dhe fillimisht ka përfaqësuar flamurin, e që më vonë ka marrë kuptimin e krahinës të cilën sulltanët ua kanë dhënë nën administrim ushtarëve të vet, të cilët mandej e kanë ndarë administrimin në krahina më të vogla, duke marrë kuptimin e Sanxhakut të sotëm. Territori i Ilirisë gjatë administrimit nga Perandoria Osmane, ka qenë e ndarë në disa vilajete. Sanxhaku i Jeni Pazarit i ka takuar vilajetit të Kosovës.

Kur është populluar Sanxhaku për herë të parë dhe nga kush, nuk dihet. Por, saktësisht dihet se ka qenë i populluar në kohën e neolitit. Për këtë ekzistojnë dëshmi të shumta të cilat ruhen në muzetë e ndryshme. Fragmentet e kulturës ilire-romake dëshmojnë se në epokën ilire dhe romake kjo krahinë ka qenë e populluar nga ilirët, gjegjësisht nga fisi Dardan.

Se Sanxhaku gjatë gjithë historisë ka qenë i banuar nga Ilirët, pastaj nga shqiptarët, dëshmojnë të gjeturat në fshatin Pruzhanj ( Prush,-i, -it.) në Rrafshnaltën e Peshterit, ku arkeologët kanë zbuluar prushin (hirin) e trupave të të vdekurve të djegur. Këto të gjetura datojnë mijëra vjet para Krishtit që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të kësaj popullate

Sa i përket ekzistencës së Stari Rasit serb, për të cilën shkenca serbe pretendon se ishte selia dhe djepi i shtetit serb, në fakt ky vend është Arsa, kryeqyteti i vjetër i ilir dhe nuk ka lidhje me atë që pretendojnë serbët.

Para ardhjes së sllavëve këto vise kanë qenë të populluara nga ilirët. Për këtë fakt flasin hulumtimet e shumta arkeologjike: Në Pazarin e Ri, në vendin e tanishëm të kombinatit të Tekstilit “Rashka”, mandej të mbeturat nga ari dhe qelibari të gjetura para shumë viteve te Kisha e Petrovës. Kjo e fundit na jep njohuri për mundësinë e ekzistimit të një lidhjeje të fiseve ilire, selia e së cilës ka qenë në vendin e kishës së përmendur.

Mbështetur mbi faktorin kohë, historia e Ballkanit dhe e popujve autokton të tij: dardanëve, grekëve, ilirëve, trakasve dhe të etnive të tjera me të vogla të kohës së para invadimit të sllavëve në këtë hapësirë, nuk mund të jenë objekt trajtimi i sllavistikës. Kohë më parë, albanologu i njohur Idriz Ajeti në një simpozium të mbajtur në Beograd, ka deklaruar se kjo gjë nuk është punë e sllavistikës (dijës filologjike mbi sllavët e mbi degëzimet e gjuhëve sllave) që të nxjerr përfundime së në cilat territore jetuan dhe u individualizuan gjuhët indoevropiane të atyre popujve para se ne këtë hapësirë të vinin sllavët.1

Për gjendjen e gjetur nga sllavet dhe pasojat që i solli ardhja e tyre në gadishullin e Ballkanit shkroi edhe dijetari i merituar serb I. Popov.2

Sllavët, sipas këtij studiuesi, kanë ardhur në Ballkan padyshim në shek. VI-të dhe që nga ajo kohë janë bërë popullatë e përhershme e Ballkanit.

Përhapja me forcë e serbëve, përkatësisht pushtimi i hapësirës etnolinguistike shqiptare të Dardanisë antike në shek. XII nga serbet, mbështetet edhe nga historianët serbë të gjuhësisë. Kështu, dialektologu serb A. Beli konstatonte se zhvillimi i dialekteve të gjuhës serbe është i pandashëm nga procesi i kolonizimit serb të Shqipërisë së Epërme. Menjëherë pas pushtimit të Sanxhakut dhe Kosovës, gjegjësisht Shqipërisë së Epërme që u bë në vitin 1912, ai shkruante se “Drejtimin e kolonizimit serb mund ta karakterizojmë përgjithësisht sipas qendrave dhe selive të sundimtarëve serbë si para ashtu edhe pas Betejës së Kosovës. Këto qendra e seli, u shtrinë në shek. XIII në Ras i (Arsa parasllave, serbisht: Raška- afër Novi Pazarit). Prej këndej depërtoi pastaj në shek. XIV, gjatë kohës së sundimit të Dushanit, në drejtim të Prizrenit e të Shkupit. Në mbështetje të gjithë kësaj mund të thuhet se gjuha e shtetit të vjetër serb e kishte për qendër Rashkën”3. Kur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Serbe në vitin 1986 u mbajt një cikël ligjëratave shkencore në të cilat u kontestua origjina ilire e shqiptarëve, arkeologu i shquar serb Milutin Garashanin në ligjëratën “Krijimi dhe origjina e ilirëve”, në mënyrë të prerë theksoi se për origjinën paleoballkanike të “shqiptarëve nuk mund të dyshohet”.

Valentin Vasileviç Sjedov, arkeolog rus, i pyetur nga gazetari  i gazetës “Blic” të Beogradit më 2. 11. 2000, se “Kush janë shqiptarët, nga erdhën dhe që kur janë këtu”, iu përgjigj: “Shqiptarët e sotëm janë  mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe  në hapësirat e tjera… në shekullin e VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”…

Mbi bazën e gjendjes së hidronimisë së sistemit të lumit Kollubara ( kuptimi i kryehershëm ilir i emrit të lumit Kolubara, sipas I. Duridanov, është “lumë i zi, i erret”) dhe lumenjve tjerë në jug të Savës dhe Danubit, dijetari bullgar Ivan Duridanov nxjerr tri përfundime në lidhje me popullatën ilire të kësaj hapësire.4

Pazai i Ri, Jenji Pazar, Novi Pazar, Tregu i Ri, Pazar, Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište, është vendbanimi më i rëndësishëm i Sanxhakut. Rrënjët i ka në Arsa, qytetin Ilir. Rrëzë këtij qyteti është zhvilluar tregtia dhe ky lokalitet ka marrë emrin në shumë gjuhë si; Bazar (persishtja I. A.), Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište. Themelet e qytetit të sotshëm i ka vu Isa Beg Isaku. Pasi pushtoi këto treva e themeloi qytetin dhe e quajti Yeni Pazar. Shqiptarët e quajtën Pazari i Ri dhe Tregu i Ri kurse serbët Novi Pazar. Ky qytet që nga themelimi u shqua për tregti dhe vazhdoi të jetë deri më sot qytet i tregtisë. Përveç këtyre të dhënave, autori i mirënjohur Mushoviq në monografinë Novi Pazar i Okolina, shkruan: “Lumi Ibër– serbisht: Ibar nga i Bard, në gjuhën shqipe: i bardhë, Lumi i Bardhë; Lumi Lim– nga gjuha shqipe: Lum-i; Lumi dhe liqeni Vapa– nga gjuha shqipe: Vapë, vapa-ë; në serbisht: morina; Peshter-Pesh- peshë; ter- terr (terrësi), ter – thatësi, etj.5

Prania e shqiptarëve në Sanxhak tashmë nuk diskutohet, sepse  janë gjetur shumë dëshmi se nga këtu ata u zgjeruan edhe në  Dalmaci, Hercegovinë dhe në Bosnjë gjë që dëshmojnë edhe shumë emra të vendbanimeve të atjeshme Bare( nga “Bari”), Burmazi ( njeri i madh), Buna (bujanë/vërshim ujërash), Bukamire (bukë e mirë), Butmir (tokë e mirë), Curi (shkëmb), Dretel ( “dredhel” bimë këmbanare), Kukusi, Muraj, Vuçaj, Gurjevaçë, Otimir, Skoçaj, Vajmezi, Kokona, korça( toponim me të njëjtin emërtim në Shqipëri, Ibali, Ligati, Gjeç, Tuçep,Tulë, Zavallë Gurjevaç etj…..Për prezencën e shqiptarëve  në këto treva dëshmojnë edhe, mbiemrat e ruajtur si sot: Barzeta, Burmaz, Dodosh, Dukaxhiç, Gurakuq, Ibal, Kalimanoviq, Keça, Keçanoviq, Kokeza, Lekiq, Mushkinja, Perëndia, Preka etj. Në Hercegovinë Jugore, në Lubomir, një vëllazëri shumë e njohur u quajt Zotoviq nga fjala shqipe “zot” –zotni).6

Në lidhje me toponimet në Peshter dhe për ta ilustruar më mirë, po i referohemi monografisë Koniçanët të autorit Sh. Numanoviq.7

Sipas autorit Numanoviq, themeluese e vendbanimit Koniçë konsiderohet të jetë Kona, një e ve e cila me djemtë e saj është vendosur në këtë vendbanim. Pas saj, mandej thuhet se këtu u vendosën Koliqët e ardhur nga veriu i Shqipërisë. Shumë shpejt atyre iu bashkuan  Nikiqët (Nikqët) kushërinjtë e tyre nga Shala, të cilët pa hamendje i mirëpriti trimi i familjes, Avdi Kola. Shumë shpejt Nikiqët ( Nikajt) u zgjeruan dhe populluan fshatrat Plenibabë, Zhirqe, Rugja dhe Smaluçe.

Banorët e sotshëm të Koniçës nuk flasin gjuhën shqipe, mirëpo toponimet flasin se paraardhësit e tyre kanë shfrytëzuar gjuhën nga kanë ardhur. Është e ditur që Shaljanët kanë përdorur toponim në gjuhën e tyre, por pasardhësit e tyre, duke harruar gjuhën e tyre, i kanë deformuar aq sa  sot vështirë mund të identifikohen, shkruan Numanoviq. Tutje autori në fjalë shkruan: “Për këtë më së miri flasin këto toponime:

 

Ostrijelo- Ostri vrh

 

Darda ( dardha) – krusska

 

Kronpele( kroni i peles) – Kobilin izvor.

 

Hasinikinkron (Kroni i Hasa Nikës) –Hasan Ikin izvor.

 

Livadhajdukin(t) (Livadhi i hajdukit)- hajduška livada,

 

Gura( gurra I. A.)- Kamenjča (izvor iz kamenja)

 

Gurišta (Gurishtë)- Kamenjar (kamenica)

 

Ljug (Lug-u)–Dolina ( do).

 

Kruja( krye)- Glava.

 

Krštujit (krshi i  ujit)- Vodeni krš.

 

Livadmas ( Livadhi i madh) – velika livada

 

Lazdemin ( Lazi i Demes) –Demin laz

 

Vrhalili (vorii i Halilit)- halilov grob.

 

Špata ( shpata) – Sablja ( kosa).

 

Rapš ( Rrafshi) – Ravan

 

Gurbut ( Guri i but) – Meki kamen.

 

Lazbrahimit (Lazi i Brahimit) – Ibrahimov Laz.

 

Kodrkolips (Kodra e kolibës) –Kolibin laz.

 

Kršpolin – (Krshi i pulës) Kokosji krš.

 

Lazmilunit (Lazi i Mullinit) Vodeni Laz.

 

Lazbukur ( Laz i i bukur) – Ljepi Laz.

 

Ljukmandupit( Lugu i maxhupit) – Ciganski do.

 

Kodrbunarit ( kodra e bunarit) – Bunarsko brdo

 

Aštujć ( Asht i Ujqve) – Vučja kost

 

Dušk ( Dushku) – Hrast

 

Kron ( kroni)- Izvor.“

 

 

 

 

 

 

1 Dr. Skënder Gashi,http://www.shkoder.net/fjala/2006/sgashi.htm

 

2 I. Popov: Bemerkungen über die vorslavischen Ortsnamen in Serbien, ne Zeitschrift für slavische Philologie Bd. XXVIII, Heidelberg 1960

 

3 Dr. Skënder Gashi,po aty.

 

4I.Duridanov,Illyrische Flussnamen in Serbien, ne Linguistique Balkanique VI/ 1963, Sofia, 163, fq. 102 117

 

5 Grup autorësh, Monografi, Novi Pazar i okolina, Beograd, 197

 

6 Petrit Imami, Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj (2016) vëllimi I, SAMIZDAT B92, Beograd, fq 34

 

7 Numanović Š. (2004),Koničani, Botues:Šefkija Numanović,Tutin.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …