Babai, emigrant në Korfuz, vret të bijën 29 vjeçare. Jo me armë. Mund të të erren sytë, të humbasësh kontrollin dhe, larg qoftë, ta vrasësh tjetrin, qoftë ky edhe evlati yt. E vrau me një shufër hekuri, rrëmbyer nga soba. Fatzeza u hodh nga dritarja përdhese dhe tentoi të shpëtonte me këmbë. Por i ati e ndoqi dhe, si e arriti, nuk reshti së godituri, deri sa i mori jetën.
S’mjaftoi kaq, por pati zemër e kurajo ta groposte në oborr. Natyrisht për të shpëtuar kokën, për t’iu shmangur dënimit. Kafshëri, mund të thotë shumkush. Në fakt kafshës i merr të keqen, se nuk i arrin as te maja e thoit. Qeni i vajzës e donte të zonjën shumë më tepër se i ati.
Madje edhe vdekjen e vuajti shumë më thellë se i pashpirti. Ishte qeni që, në kërkim të së zonjës, i shpuri policët te vendi i groposjes. Babai e vrau bijën se nuk duronte dot që ajo bashkjetonte me një afgan. Medemek shqetësohej për të bijën, për të ardhmen e saj. Në fakt shqetësohej për namin, për opinionin e të tjerëve ose thjesht për qibër raciste.
Qeni dëshmoi se e donte të zonjën, ashtu siç ishte e për çka ishte. E donte duke respektuar jetën, dëshirat dhe lirinë e saj.
Jo se ia kishin mësuar që tjetri duhet ashtu si është, por se ndjenja i buronte nga zemra dhe realizohej e pa trubulluar nga konfirmizma, racizma e gjithfarë izmash të tjera që, të mësuara liksht, kthehen në dogma dhe denatyrojnë jo vetëm njeriun dhe njerëzoren por edhe vetë natyrën. (Dita)