Respektoni mësimdhënësit. Mos ua ulni dinjitetin!
Ligji i shumë përfolur për nivelizimin e pagave në gjitha institucionet publike të Republikës së Kosovës, ka vendos në njërën nga kategoritë e fundit, punëtorët arsimor që punojnë në arsimin fillor dhe të mesëm. Ky rangim i bërë, jo vetëm që është nënçmues, por edhe do ndikon në uljen e dinjitetit të mësimdhënësit. Me aprovimin e këtij kategorizimi të pagave, po nënvlerësohet arsimi, si bazamenti kryesor i një shteti.
Të nderuar anëtar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të zgjedhur me votën e popullit?!
Jam i bindur se keni lexuar apo dëgjuar për thëniet e njerëzve më eminent të botës, të cilët vlerësojnë lartë punën në arsim. Jam shumë i bindur se keni njohuri të mjaftueshme, se për të pas shoqëri të zhvilluar, për të pasur shtet të zhvilluar, duhet të ketë arsim cilësor. Duhet të jeni shumë të vetëdijshëm se “mësimdhënia është profesioni që mëson gjitha profesionet tjera”.
Duke mos dashtë të bëj dallime apo vlerësime individuale, por më së shumti kërkojmë nga deputetët të cilët vijnë nga fusha e arsimit, apo ata të cilat prindërit e tyre, ishin apo janë punëtor të arsimit. Ju, mund të vlerësoni më së miri rëndësinë që ka një mësimdhënës me dinjitet dhe profesionalisht i përgatitur. Ju, mund të kuptoni gjendjen shpirtërore të mësimdhënësit, kur s’ka mundësi për ofrim të kushteve mesatare, për fëmijët e tyre. Kuptojeni në çfarë gjendje është mësimdhënësi, kur brenda muajt as vitit, nuk mund të bën një shëtitje për qejfi, me familjen e tij. Hulumtoni dhe merrni të dhëna, se sa mësimdhënës që kanë të vetmen të hyrë buxhetore ka pagën e tij, ka qenë për pushime verore në ndonjërin nga bregdetet më të lira, kudo qofshin.
Të nderuar ligjvënës që keni përjetuar vitet e 90-ta!
Kthejeni kujtesën e juaj në ato vite, në vendosmërinë e mësimdhënësve për ti rezistuar dhunës së egër serbo-sllave. Këtë rast, nuk dëshirojmë të anashkalojmë as përkrahjen e bashkatdhetarëve, dhe njerëzve të vullnetit të mire. Kujtoni prindërit tuaj, si ballafaqoheshin si mësimdhënës, me dhunën shtetërore të Millosheviqit. Kujtoni mësimdhënësit që rrokën armët në mbrojtje të vendit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Mendoni në mësimdhënësit që dhanë jetën për këtë vend, për arsimin shqip.
Askush nuk e mohon se niveli i mësimdhënies, është i duhur. Asnjëri nga mësimdhënësit nuk është i kënaqur me rezultatet që arrihen në punën edukative-arsimore. Por, politika e “fëlliqur”, ka bërë që cilësia në arsim, të mos jetë në nivelin më të lartë. Analfabetët me diploma politike dhe punësimi i tyre në mësimdhënie, ka bërë që mos të kemi të arritura të larta në mësimdhënie. Analizoni politikat qeverisëse në fushën e arsimit, duke u thirr në emër të reformave në arsim. Apo, realizim i projekteve “madhore” për përftime personale dhe grupore. Merrni të dhëna dhe testoni njerëzit politik që janë në vendet menaxhuese në institucionet arsimore. Pastaj, do jeni në gjendje të vlerësoni profesionalizmin e vërtetë të mësimdhënësit.
Të nderuar anëtar të legjislativit të vendit!
Mendoni për të ardhmen e vendit, për periudha afatgjate, e jo për grupe të interesit. Po ua rikujtojë një thënie: “nëse mendoni për një vit, mbjellë një farë. Nëse mendoni për 10 vjet, mbjellë një pemë. Nëse mendoni për 100 vjet, mëso njerëzit”!
Arsimin në Kosovë po e shkatërron politika dhe njerëzit analfabet të pajisur me diploma politike.