RKL: Bisedime të detyrueshme dhe të preferuara me Serbinë

Bisedimet e Kosovës me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt së vitit 2008 me të drejtë kanë ngjallur dhe po ngjallin  reagime dhe shqetësime te të gjithë shqiptarët e Kosovës e më gjerë. Klasa politike e cila pranoi të bisedojë me Serbinë, pas shpalljes së legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nuk ishte treguar në nivel të përgjegjësisë dhe i kishte hapur rrugë një procesi të dëmshëm për pavarësinë dhe zhvillimin e vendit.


Prej kohës kur kanë rifilluar bisedimet ka stagnuar skajshëm procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet e botës, është thelluar edhe më tej përçarja mes partive politike dhe brenda tyre, është krijuar një klime e mosbesimit në institucione dhe përgjithësisht është dëmtuar imazhi i shtetit më të ri të botës, meqë në arenën ndërkombëtare po krijohet bindja se shpallja e pavarësisë ka qenë e ngutshme, e pa konsultuar, madje edhe e dëmshme për stabilitetin në vend dhe në rajon.  Krijimit të kësaj klime i ka kontribuar sidomos diplomacia serbe, e cila nuk ka lënë gurë pa lëvizur me qëllim të diskreditimit të pavarësisë së Kosovës.


Beogradi zyrtar, me rifillimin e bisedimeve kishte fituar një pozicion të fortë negociues duke ofruar zgjidhjen e problemeve me kompromis, fillimisht zgjidhjen e disa problemeve të ashtuquajtura  teknike, por duke lënë të kuptohej se me kohë do të hapeshin edhe bisedimet politike, që prekin pavarësinë, tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit.


Kreu politik dhe institucional i Kosovës, asokohe ishte zotuar se kurrë nuk do të pranonte  të zhvillonte  bisedime politike dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejonte të bisedonte me Serbinë për veriun e Kosovës.


Tani bisedimet kanë rifilluar dhe ato nuk janë më bisedime teknike në nivel ekspertësh, por bisedime politike në nivel qeveritar në mes  të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.


Në këto bisedime do të hapen të gjitha temat, të gjitha çështjet për të cilat Serbia shfaq interesim.


 


Përderisa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi disa herë ka deklaruar se nuk po zhvillon bisedime me Serbinë sipas vullnetit as dëshirës së tij, por sipas obligimeve që ka marrë nga “partnerët” ndërkombëtarë, veçmas nga Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar, kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga e zgjedhur në këtë post me marrëveshje politike,  qysh në deklaratat e para për opinion kishte shfaqur gatishmëri të takohej me kryetarin e Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili fillimisht kishte përjashtuar mundësinë e takimit me Thaçin, meqë  nga Serbia ai konsiderohet si kriminel lufte,  ashtu sikur të gjithë eprorët dhe ushtarët e UÇK-së.


Me shpejtësi dhe pa asnjë kusht paraprak,  kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga  ka pranuar ofertën e kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq  për t’ u takuar dhe për të biseduar me të.  Shpejtësia me të cilën iu ka  përgjigjur Jahjaga, një kryetari të një shteti okupator, i cili harton platforma kundër pavarësisë së Kosovës dhe kërcënohet se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e vendit tonë, lë shije shumë të keqe  te opinioni liridashës i vendit dhe krejt kjo me të drejtë interpretohet edhe si naivitet dhe papjekuri diplomatike nga ana e kryetares dhe këshilltarëve të saj. Duke qenë në njohuri për një gatishmëri të tillë të autoriteteve të caktuara të vendit,  Nikoliq nga ana e tij në mënyrë cinike ka shfaqur gatishmëri për ta prezantuar platformën antishqiptare madje edhe në Kuvendin e Kosovës. Këtij cinizmi të një kryetari që rrjedh nga mendësia politike çetnike e shesheliste e shtetit të  Serbisë, kryetarja Jahjaga i përgjigjet me dashamirësi, duke arsyetuar se Nikoliq ka pranuar të bisedojë me të, në nivel përfaqësues shtetëror me Kosovën, edhe pse Beogradi zyrtar me qindra herë deri tani e ka bërë të ditur se as e njeh as do ta njohë pavarësinë e Kosovës.


Gatishmëria e kryetares “me marrëveshje” Atifete Jahjaga për të biseduar me kryetarin e Serbisë, kudo qoftë dhe kurdo qoftë, nuk del e motivuar nga asnjë arsye e shëndoshë, meqë kryetari i Serbisë me asnjë deklaratë nuk ka lënë të kuptohet se do të takohet me kryetaren e një shteti, që e ka pranuar Beogradi, por vetëm me një përfaqësuese të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë, me të cilën do të bisedojë për gjetjen e një modeli të bashkëjetesës e bashkëqeverisjes, të një autonomie të gjerë për Kosovën nën Serbi dhe për autonominë e plotë të veriut.


Nën kushte të tilla, Jahjaga pranon të bisedojë me Nikoliqin pa i shtruar asnjë kusht, madje as edhe një kusht të vetëm, sikur do të ishte pranimi në parim i pavarësisë së Kosovës, nga Nikoliqi  deri në mbarim të bisedimeve.


Thjesht, kryetarja, Jahjaga në kohën kur me të drejtë po kontestohet pozita e saj si uzurpatore e postit, meqë është kryetare e marrëveshjeve të tre krerëve politikë dhe nuk është zgjedhur  me asnjë votë të vetme të qytetarëve të Kosovës,  dëshiron të futet në një aventurë të papërgjegjshme, vetëm për të marrë përkrahjen dhe pëlqimin e diplomatëve të huaj për gatishmërinë që po ofron për dialog, me qëllim për ta përforcuar  pozitën e saj tashmë krejt të luhatshme  në Presidencë.


Bisedimet e kryet politik dhe institucional të Kosovës me Serbinë nuk po bëhen për të mirën e  shqiptarëve në Kosovë, por po bëhen për “rehabilitimin” e krimeve të Serbisë në Kosovë dhe në tërë rajonin, dhe për t’ ia hapur rrugën këtij shteti “xhandar” të Ballkanit drejt Bashkimit Evropian. Këtë ndihmesë Serbisë nuk po ia jep populli shqiptar i Kosovës, por politika poltrone e marionete, e cila është në gjendje të bëjë sa e sa pazare të tilla vetëm për të mbetur në pushtet dhe për të gëzuar favoret e përfitimet e pakufishme që po iu sjell pushteti i kontrolluar dhe i dirigjuar nga BE-ja dhe OKB-ja.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …