A. Q. Edhe 13 vjet pas luftës, kolonel, Bardhyl Tahiri nuk gjen dot punë në Prishtinë, as në Tiranë

Nuk është e largët koha kur fronteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu kishin bashkuar edhe disa oficerë të lartë nga Shqipëria, të cilët së bashku me trimat e trimëreshat e UÇK-së luftuan ballë për ballë kundër forcave armike serbe në frontet e luftës, në Drenicë, Dukagjin, Pashtrik, Neredime e në Llap. Në mesin e atyre, qysh prej vjeshtës së vitit 1998 e deri në mbarimin e luftës më 1999 ishte edhe koloneli i Ushtrisë së Shqipërisë, Bardhyl Tahiri, i cili nuk pranoi vetëm të stërviste vullnetarët e lirisë në kazermat e Shqipërisë, ku ishte caktuar fillimisht,  por me një grup oficerësh dhe me një pjesë të kreut të luftës, hyri për të luftuar në Kosovë.


Përveç Tahir Sinanit, më vonë dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në frontet e luftës u dalluan edhe kolonel, Bardhyl Tahiri, në Shtabin e Operativës, kolonel, Dilaver Goxhai, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa oficeri, Adem Shehu në Zonën Operative të Llapit. Fryma mobilizuese që sollën në mesin e luftëtarëve të lirisë, angazhimi i këtyre dhe oficerëve të tjerë nga Shqipëria ishte shumë i mirëseardhur në kalitjen e moralit dhe forcimit  të besimit në fitore, përveç punëve me përgjegjësi, që kanë kryer gjatë luftës këta ushtarakë të lartë nga Shqipëria.


Për dallim nga oficerët e tjerë të Shqipërisë, që u angazhuan me detyrë ushtarake, zyrtare në Divizionin e Kukësit e gjithandej në Shqipëri, të cilët po ashtu u angazhuan në segmente të ndryshme të luftës,  prania e këtyre oficerëve në luftën tonë çlirimtare, brenda territorit të Kosovës i kishte dhënë shtytje besimit për fitore, meqë po krijohej bindja se në një segment të rëndësishëm organizativo-ushtarak ishte inkuadruar edhe vetë Shqipëria, e cila edhe  botërisht e kishte mbështetur luftën e drejtë të UÇK-së.


Me mbarimin e luftës dhe fitores mbi forcat policore e ushtarake serbe, në qershor të vitit 1999, fati i këtyre oficerëve ashtu sikur edhe i shumë luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, u la në mëshirë të kohës. Me pretekstin se ishin qytetarë të Shqipërisë, sipas udhëzimeve të “miqve” tanë në UNMIK, oficerëve nga Shqipëria, të cilët kishin luftuar në Kosovë  iu pamundësua angazhimi në TMK dhe në organizimin politik të pas luftës. Ata mbeten pa punë. Disa prej tyre madje u shpallen edhe dezertorë, nga një segment i ushtrisë,  meqë kishin ikur nga armata e Shqipërisë dhe iu kishin bashkuar radhëve të UÇK-së. Pati në mesin e tyre edhe oficerë që u dënuan me burg për shkak të këtij “dezertimi” ashtu sikur ishte rasti i oficerit, Dritan Goxhai. Pati edhe etiketime të pamoralshme të shpifarakëve të ndryshëm, këndej e andej, të cilët përhapnin gënjeshtra pa pikë turpi se këta oficerë  paskëshin qenë “mercenarë”, për shkak se familjet e tyre në Shqipëri, gjatë kohës sa kishte zgjatur lufta në Kosovë, paskëshin marrë të holla në vlerë, 200 apo 300 euro të sotme. Ata që shpifin kështu, me paratë e fondit “Vendlindja thërret” kanë ndërtuar banesa pesë e shumëkatëshe dhe udhëheqin me sukses firma të mëdha përfitimi jo vetëm në Prishtinë,  por edhe në disa qytete të Shqipërisë. Të tillët nuk begenisin  madje as edhe të flasin me Bardhyl Tahirin dhe me veteranët e mbetur në mëshirë të kohës.


 



Tahir Sinani, ( me automatik) ka rënë dëshmor.


Fatmir Limaj, po mbahet  padrejtësisht në burg


Bardhyl Tahiri,  qe 13 vjet kërkon punë… (Fotografoi: Martin Çuni)


 


Injorimi, që iu bë këtyre oficerëve, nga shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës, shënon një damkë  të zezë, jo edhe aq të izoluar të historisë sonë të pas luftës, meqë për shumë kohë asnjëri prej këtyre ushtarakëve nuk gjeti punë, në Kosovë, as në Shqipëri, edhe pse me vjet të tëra u mbajtën me premtime, sidomos nga shokët e tyre në Kosovë. Ndërkohë, për ta mbajtur familjen, disa nga këta oficerë u detyruan të punojnë punë të rënda fizike, punë në roje objektesh, shërbyes nëpër  hotele, ngarkim shkarkim në transport etj. Pas shumë vite  të sorollatjes, pak vjet  para pensionimit e pranuan  në Akademi, Dilaver Goxhajn. U angazhua me një punë edhe Adem Shehu, ndërsa Bardhyl Tahiri qysh prej mbarimit të luftës nuk gjeti dot asnjë punë për të qenë, nga e cila mund ta mbante familjen. Ai merr pensionin e ulët të oficerit të liruar dhe aktualisht kërkon punë, çfarëdo pune qoftë edhe roje nate a dite, apo edhe punë fizike, meqë me 100 eurot e pensionit nuk mbulon dot as shpenzimet elementare për jetë.


 



 (Bardhyl Tahiri me Kadri Veselin) Foto: Martin Çuni


 


Kolonel, Bardhyl Tahiri, i buzëqeshur nga natyra, i dashur dhe i afërt me shokët e bashkëluftëtarët, vjen shpeshherë në Kosovë, me shpresë mos do të gjejë ndokund ndonjë punë. Sa herë vjen i merr në telefon shokët e dikurshëm, tani “shefa”, me qëllim për t’ i takuar, për të pirë me ta ndokund ndonjë kafe, për t’ u çmallur tekefundit dhe  për t’ i njoftuar me gjendjen e rëndë sociale të tij e të shumë veteranëve. Por nuk i kontakton dot, meqë “shefat” kanë nga dy e më shumë  telefona, të cilët i ndërrojnë orë e çast  dhe nuk i përgjigjen. Takon pastaj ndonjë shofer apo truproje të tyre, dhe iu lutet që t’ i caktojnë një takim me  ish-shokët, por as kjo nuk shkrep, sepse “shefat” kanë aq shumë “punë e angazhim” për fatin e Kosovës”, sa e kanë të pamundur të ndajnë qoftë edhe pesë minuta për të biseduar me kolonelin, Bardhyl Tahiri.  Ka ndodhur që njërin nga krye-shefat kurrë nuk e ka takuar, as edhe pas shumë e shumë përpjekjeve. Ka ndodhur që është takuar me ndonjë këshilltar të ndonjë “shefi” dhe ky i ka premtuar se sapo të vijë herën tjetër, patjetër do t’ i organizojë një takim. Herën tjetër ai nuk i hap as telefonin. Ka ndodhur, që ndonjërin prej tyre ta takojë ballë për ballë, në dalje  të Pallatit të Qeverisë apo të Kuvendit të Kosovës, por ish shoku i luftës ka qenë aq shumë duke nxituar sa mezi ia ka dhënë dorën, duke i premtuar se pas pak do të kthehet dhe do të takohet. Por nuk është parë as  është takuar më me të. Ka ndodhur madje që njëri prej shokëve të Shtabit të luftës, ta pranojë në zyrën e tij, por mezi e kishte njohur, meqë nuk ishin parë qysh prej përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në të cilën ka marrë pjesë edhe koloneli, të cilit nuk ia çelin derën ata me të cilët kishte ndarë çastet më të rënda dhe më të rrezikshme të jetës.


 


Bardhyl Tahiri është optimist nga natyra, madje edhe  i vetëdijshëm se askush nuk i ka borxh për t’ia gjetur një punë. Ai, borxhin që konsideronte se e kishte ndaj Kosovës e lau me faqe të bardhë. Por, po ashtu është i ndërgjegjshëm se me pak vullnet e mirëkuptim, të shokëve të tij, me të cilët kishte ndarë kafshatën e bukës  gjatë luftës, mund të gjendet ndonjë punë, meqë kolonel Bardhyli ka shumë me tepër meritë për çlirimin e Kosovës, sesa të gjithë ata oficerë të APJ-së nga Kosova e trevat e tjera shqiptare, të cilët  gjatë tërë kohës së luftës , së bashku me familjet e tyre  qëndruan gjithandej nëpër Evropë, ku jetuan me paratë e fondit të Tre-përqindëshit. Ata pas luftës erdhën “fitimtarë” në Kosovë dhe zunë poste me rëndësi në të gjitha institucionet. Ka shumë më tepër meritë se disa anëtarë të Shtabit, të cilët tërë kohën e luftës kanë qëndruar në Tiranë e gjithandej nëpër Shqipëri, ndërsa Bardhyli gjatë tërë kohës ka qenë në frontin e luftimeve.


 



(Sylejman Selimi e Bardhyl Tahiri me bashkëluftëtarë) Foto: Martin Çuni


 


Bardhyli nuk dorëzohet. Ai ka shumë shokë si vetë në Kosovë, të cilët po ashtu jetojnë në kushte minimale ekzistenciale. I viziton ata dhe në mesin e tyre  gjen mirëpritjen vëllazërore. Ata i bëjnë vend, e dëgjojnë duke evokuar sa e sa kujtime të luftës, sidomos rrëfime të kohës së luftës në Drenicë, pas intervenimit të NATO-s, në mars të vitit 1999, kur serbët kishin filluar masakrimin masiv të shqiptarëve. E dëgjojnë  duke rrëfyer ngjarje e ndodhi, kurdoherë buzëqeshur, kurdoherë i disponuar, sepse më në fund Kosova është pavarësuar dhe shqiptarët në Ballkan, edhe pse të ndarë në pesë shtete, jetojnë më mirë sesa kanë jetuar në të kaluarën.


Dhe,  Bardhyli pret ditë më të bardha, ashtu sikur pjesa dërrmuese e veteranëve të UÇK-së. Pret që të takojë ndonjërin nga shefat e shumtë, të paktën t’ ia qajë hallin, të vetin dhe të bashkëluftëtarëve, por ata, shokët e kohës së luftës,  disa prej kanë hipur shumë lart dhe nuk i arrin më, nuk ua dëgjon as zërin përmes telefonit. Tekefundit, ata i sheh për çdo mbrëmje, në emisionet e TV-ve të shumta të Kosovës e të Shqipërisë. Kështu e ka jeta. Thonë se luftën e bëjnë idealistët, ndërsa maskarenjtë e shfrytëzojnë fitoren për vete. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, derisa nuk mendojmë dhe nuk besojmë se mund ta kthejmë e ta bëjmë ndryshe…


Pas tri ditë qëndrimi te shokët e luftës në Kosovë, Bardhyli niset shpresëhumbur për në Tiranë. Edhe atje do të vazhdojë avazi i kërkimit të punës, herë në një qytet, herë në tjetrin.  Edhe atje “shefat” kanë hallet e tyre, të pasurisë së tyre, të zgjedhjeve që po afrohen, të garës, të premtimeve për punë dhe për një jetë më të mirë…


 19. 1. 2013.


 


 


 


 A. Qeriqi: Politikanët e “Dolinës” dhe çështja e Kosovës Lindore


Sintagma serbe, “Preshevska Dolina”, që nënkupton tri komunat në lindje të Kosovës, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, tashmë është bërë pjesë e deklaratave të të gjithë politikanëve shqiptarë të kësaj pjese të Kosovës, ende të mbetur nën robërinë e Serbisë. Emërtimi historik, Kosova Lindore, i specifikuar sidomos nga dr. Muhamet Pirraku në monografinë e tij, “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore”, i pasuar edhe nga rinia militante e kësaj pjese përbërëse të trojeve etnike të Shqipërisë, tashmë ka krijuar një ndarje edhe në qasjen politike të çështjes së pazgjidhur të këtyre tri komunave shqiptare.


Në kohën e luftës së UÇPMB-së, në fund të vitit 2000, një analist rus i emisionit të Radio-Moskës në gjuhën serbe, kërkonte që me të gjitha format e mundshme të përjashtohej termi “Kosovë Lindore”, me qëllim për të mos lejuar madje as edhe gjuhësisht paragjykimin se kjo pjesë i ka takuar dikur Kosovës. Analisti bënte thirrje se tri komunat të përkufizoheshin si pjesë të Luginës së Preshevës, edhe pse fshatrat e komunës së Medevegjës dhe të Bujanovcit shtrihen shumë larg nga Presheva.


Shumica dërrmuese e medieve shqiptare dhe të gjithë politikanët tanë pa dallim, madje edhe ata që angazhohen politikisht për zgjidhjen e çështjes së tri komunave shqiptare në Lindje, përdorin sintagmën serbe, “Preshevska Dolina” përkthyer në gjuhën shqipe si “Lugina e Preshevës”, edhe pse Lugina e Preshevës nuk përfshin Bujanocin as Medvegjën madje nuk përfshin as edhe një të pestën e territorit gjeografik, ku shtrihen këto tri komuna denbabaden shqiptare. Po ashtu dihet botërisht se këto tri komuna, Jugosllavia e kohës së Rankoviqit, qysh në vitin 1956 ia kishte amputuar Kosovës, e cila ishte shpallur krahinë autonome në kuadër të Serbisë.


Politikanët shqiptarë të “Dolinës”, në vazhdimësi i kanë ikur termit, “Kosovë Lindore” sepse Serbia shfaq një averzion të pakëndshëm ndaj këtij emërtimi dhe nuk e kanë parë të arsyeshme që për një diçka të tillë, sipas tyre pa asnjë peshë, të japin shkas për t’ u kritikuar nga Beogradi, i cili madje shqiptarëve të kësaj ane u ka siguruar edhe vendin e një deputeti të përjetshëm në Kuvendin e Serbisë, qysh nga koha e Titos dhe Rankoviqit.


Insistimi i shqiptarëve militantë në përdorimin e termit, Kosova Lindore nuk është vetëm qasje politike, por edhe historike e gjeografike. Në analogji me këtë term ne përdorim sintagmën, Kosova e Veriut, e cila nënkupton komunat në veri të vendit, të cilat qysh prej qershorit të vitit 1999 i ka aneksuar Serbia dhe vazhdon t’ i mbajë nën okupim, pavarësisht se qeveritarët tanë tërë pompozitet dërdëllisin se Qeveria e Kosovës e ka shtirë autoritetin në çdo metër katrorë të vendit.


Emërtimi, “Preshevska Dolina’, i pranuar nga shumica e politikanëve shqiptarë, nuk bëhet nga mos dija, apo nga rutina e përditshmërisë gjuhësore, por thjesht spikatet me qëllim për të krijuar bindjen, se atje diku në lindje përtej kufirit të Kosovës ekziston një rajon që quhet Lugina e Preshevës, ashtu sikur Lugina e Muqivercit apo lugina e çdo fshati malor.


Dallimi mes emërtimit “Kosova Lindore” apo tri komunat e Kosovës Lindore me emërtimin zyrtar serb, Lugina e Preshevës, në radhë të parë ka peshë politike, historike dhe gjeografike. Andaj është e pafalshme që ta përdorim përkthimin zyrtar serb, ashtu sikur është edhe më e pafalshme, që afër 14 vjet pas luftës në Kosovë dhe pas dëbimit të forcave okupatore serbe nga vendi ynë, politikanët tanë dhe shumica e medieve ende të përdorin trajtat sllave si: Podujevo, Suvareka, Istog, Obiliq, Novobërdo, Kamenica e Kosovës e të tjera.


Shumica e politikanëve të ”Luginës së Preshevës”, duket se janë pajtuar me realitetin ekzistues, të cilin e ka vendosur me dhunë Serbia, andaj edhe janë zbehur kërkesat për bashkim me Kosovën, edhe pse në vitin 1992, shqiptarët e kësaj ane përmes një Referendumi janë përcaktuar që Medvegja, Bujanoci dhe Presheva t’i bashkohen Kosovës. Në vend të insistimit në Referendum, në kërkesën e ligjshme dhe të natyrshme të shqiptarëve shumicë të këtyre trojeve për ribashkim me Kosovën, politikanët shqiptarë jo vetëm të “Dolinës” por edhe të Kosovës e Shqipërisë, në fjalorin e tyre të matur dhe të balancuar politik, të gjithë pa dallim, përdorin termin, “Lugina e Preshevës”. Natyrisht se shqiptarët e atyre tri komunave nuk kanë mundësi që vetë ta bëjnë realitetet këtë aspiratë nëse Tirana dhe Prishtina nuk e mbështesin edhe me punë aspiratën e ligjshme për bashkim me Kosovën, ashtu sikur e mbështesin me parulla politike, gjithnjë e më demagogjike.


Mbase dikujt do t’ i duket se nuk qon peshë çështja e emërtimit në këtë mes, kur situata në Preshevë e më gjerë përditë po bëhet edhe më dramatike, por duhet pasur para sysh edhe faktin se kudo në botë emërtimi përcakton formën, përmbajtjen, brendinë, në këtë rast edhe historinë e gjeografinë tonë kombëtare.


Serbët vazhdojnë që vendin tonë ta quajnë, “Kosovo i Metohija” dhe këtë sintagmë e përfillin të gjitha mediet e politikanët e Serbisë, ashtu sikur dikur e kanë përfillur shpirtshiturit e shqipfolësit e Krahinës autonome Socialiste të Kosovës e Metohisë.


Mendësia miope politike, e shprehur me gojën e politikanëve të “Dolinës” se nuk duhet ta kopjojmë Serbinë dhe nuk duhet t’ i përgjigjem me dhunë dhunës së mundshme nga Daçiqi, është pjellë e fatkeqësisë tonë historike, e vasalitetit të lindur e të trashëguar nëpër shekujt e gjatë të robërisë.


Lapidari i UÇPMB-së, në Preshevë do të ruhet me çdo kusht, madje edhe me kundërvënie, madje edhe me masa reciprociteti në tërë Kosovën, ku ngrenë kokë pllakat përkujtimore të shqiptarë-vrasësve serbë.


Nëse, në rastin e shkatërrimit të lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, shkatërrohen më shumë se dhjetë monumente serbe në Kosov, ashtu sikur në vitin 2004, atëherë zëdhënësi i gjallë i Milosheviqit të vdekur, Ivica Daçiq do të zgjohet nga jermia jetësore e para 14 viteve dhe do të kuptojë se nuk mund të ngjallet më Milosheviqi, as edhe me bekimin e 10 mijë popave e popadicave serbe.


Kosova Lindore do të qëndrojë para kësaj sfide dhe kjo çështje dashur pa dashur do të bëhet pjesë e dialogut lidhur me statusin e ardhshëm në marrëdhëniet me Serbinë. Nëse BE-ja vendos autonomi për veriun e Kosovës, dhe kjo me siguri se do të ndodh, atëherë edhe Kosova Lindore duhet dhe patjetër ta ketë autonominë e vetë substanciale. Në të kundërtën nuk mund të garantojë askush sigurinë në rajon, tashmë të brishtë dhe me paralajmërime për konflikte nga ana e Beogradit zyrtar.


10. 1. 2013


 


 



Ahmet Qeriqi: Mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë tregon mungesën e ndërgjegjes dhe njerëzisë


 


Aktualisht politika shqiptare në tri qendrat e saj në Tiranë, Prishtinë e në Shkup karakterizohet me shumë ngjashmëri dhe më së miri i akordon asaj fjalës së urtë që thotë: “Bëmë baba, të të ngjaj”. Edhe pse politikanët tanë jetojnë në tri shtete të njohura ndërkombëtarisht, të tria të cunguara e invalide në shumë pikëpamje, ata kanë të përbashkët mënyrën e “kulturën” e qeverisjes dhe kapjes fort pas pushtetit. Aq shumë e duan pushtetin këta të “zgjedhurit tanë” sa më me dëshirë  ta japin kokën, sesa postin. Në këtë aspekt, burrështetasit tanë të sotëm, në njëfarë mënyre përngjajnë me mbretërit arabë, me fallahet e Egjiptit dhe asadët e Sirisë, të cilët të ngjizur me pushtetin si mishi me thoin, nuk shqiten për së gjalli nga posti, sepse thellë në qeniet e tyre besojnë se janë të vetmit që i duhen popullit, sepse mendojnë se populli është krijuar  dhe rron vetëm që ata ta sundojnë, sepse mendojnë se ditën kur ata bien nga pushteti ndodh kataklizma, sikur ajo që kishte paralajmëruar populli kanibal i Mayave.


 


Mungesa e përgjegjësisë së shumicës së politikanëve shqiptarë mbase mund të shpjegohet me rrojtjen dhe trashëgiminë e gjatë të shqiptarëve në feudalizëm, në krahina e bajraqe në 12 fise e në shumë klane. Mbase, pikërisht për këtë edhe kemi një politikë tipike feudale, të mbylljes në bastione, në 100 e më shumë parti, në 500 e më shumë klane marionete, që sillen rreth strumbullarit të pushtetit dhe nuk ka forcë që i largon.


Këta politikanët tanë për nga fanatizmi që kanë për rrëmbimin e pushtetit i përngjajnë Lakademonit antik, luftëtarit grek që kishte kapur  me dorë anijen persiane dhe nuk e lëshonte, derisa ata ia prenë dorën. Pastaj ai e kapi me dorën tjetër. Ata ia prenë edhe atë. Lakademoni e kapi anijen me dhëmbë, derisa persianët ia prenë edhe kokën. Por, politikanët tanë në Tiranë, Prishtinë e në Shkup, përkushtimin e tillë lakademonian e shprehin në luftë për ta rrëmbyer pushtetin dhe për ta mbajtur atë sa më gjatë që të jetë e mundshme, deri edhe në vdekje dhe kurrsesi për ta mbrojtur interesin e kombit e atdheut të ndarë në pesë pjesë.


Ky krahasim në dukje cinik dhe injorues, në vetvete  ka shumëçka që i akordon pasionit të çmendur të politikanëve tanë për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, sa më gjatë që të jetë e mundur, edhe atëherë kur bëjnë gabime të rënda, kur vjedhin dhe kur bëjnë  keqpërdorime, abuzime dhe skandale të neveritshme.


 


Politikanët tanë, në tri qendrat e politikë-bërjes vasale shqiptare, duket se nuk e kanë të instaluar në qenien e tyre motivin e dhënies së përgjegjësisë, i cili në botën e kulturuar e të emancipuar shprehet me kërkim-falje dhe pasohet me dorëheqjen e përjetshme  nga institucionet, nëse konsiderohet se shkelja e tillë ka pasur pasoja të dënueshme, politike e morale. Edhe kur ndodh që ndonjë politikan feudal të detyrohet të kërkojë falje për abuzime, ai mendon se me kërkim falje e ka kryer detyrën dhe as që i shkon mendja të ofrojë edhe dorëheqje, si akt moral që buron nga ndërgjegjja e njerëzia.


Kjo mënyrë e kuptimit dhe e zbatimit të politikës, kjo metodë e mbetjes me çdo kusht në pushtet edhe kur shkelmohen të gjitha vlerat e kodeksit moral e njerëzor, është sa e neveritshme aq edhe e tmerrshme. Instalimi i një mendësie të tillë qeverisjeje makiaveliste në kreun e politikës dhe të institucioneve tona është i kobshëm dhe tepër i rrezikshëm për të ardhmen e vendit dhe të kombit. Mjerisht, kjo mënyrë e qeverisjes po legalizohet, duke shkelur me të dyja këmbët vlerat e demokracisë dhe vlerat universale të njerëzisë.


Të tillë janë shumica dërrmuese e politikanëve tanë.


Ky soj i politikanëve janë të verbëruar me sindromën e pushtetit. Janë si ai zogu që e sheh kokrrën e melit në kurth, por nuk e sheh kurthin dhe ngel në të. Shpeshherë veprojnë  si struci. Kundër njëri tjetrit, kreshpërohen dhe ndërsehen si ujku, ndërsa ndaj të huajve sillen sikur viktima para xhelatit. Qeshin, kur duhet qarë dhe qajnë kur duhet qeshur. I shajnë nënë e babë njëri tjetrit dhe arsyetohen se të sharat  e tilla janë biseda miqsh, janë pjesë e “kulturës dhe emancipimit” të tyre kombëtar e njerëzor. I shajnë deputetët në Kuvend, madje u shajnë edhe gratë e motrat dhe natyrisht se kurrë nuk kërkojnë falje, përkundrazi bëjnë përpjekje t’ i zhdukin edhe fizikisht, ashtu sikur në shumë raste edhe i kanë zhdukur pa shenj e doke. Nuk na ka rënë të dëgjojmë asnjë ministër apo deputet shqiptar që të jetë shprehur aq i ashpër kundër ndonjë zyrtari grek, serb apo sllavomaqedon, as në rastet kur ata injorojnë, përbuzin e përdhosin madje edhe kombin shqiptar.


Të tillë janë sot politikanët shqiptarë. Mbase të tillë më duken vetëm mua dhe disave si unë, që kemi qenë e kemi ngelur në shënjestër të tyre, vetëm sepse shprehim lirshëm mendimet e bindjet tona, duke u mbështetur në fakte e argumente.


Mjerisht, politikanët e sojit tjetër, të njerëzishëm, të përgjegjshëm, të emancipuar nga pikëpamja njerëzore e politike  nuk po duken në horizont. Mbase unë jam miop dhe nuk po i shoh.  Të njerëzishëm  dhe përgjegjshëm ata paraqiten para opinionit derisa janë në opozitë dhe derisa e kapin pushtetin, pastaj fillon avazi i vjetër.


S’ më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem për një çast  me vargjet e Ndre Mjedës së Madh.


 


Bylbyl ky shekull


Or e çast ndërrohet,


Binë poshtë të naltit


Dhe i vogli qohet.


 


Po e keqja e këtij konstatimi të Mjedës ndodh me faktin se kur ngrihet i vogli, përnjëherë bëhet i madh dhe nuk çan kokën, as për Zot se lerë më për të tjerat, sepse qysh moti është edukuar me bindjen se bota dhe historia fillon prej ditës kur ai e merr pushtetin. Dhe i tilli, vepron sipas bindjes internacionaliste edhe pse na paraqitet si antikomunist i përbetuar. Ai na premton se po ta marrë pushtetin


 


“Botën mizore do ta shkatërrojë


Që nga themeli e paskëtaj


Për veten e vetë do ta ndërtojë


Botën e re në vend të saj”.


 


Dhe, kjo bota jonë e mjerë shqiptare, e ndarë në pesë pjesë nga jashtë dhe në 50 pjesë nga brenda, vazhdon të jetë invalide. E tillë do të jetë derisa këto pesë pjesët të bëhen një  dhe shqiptarët të bëhen faktor i njësuar, kulturor, ekonomik,  ushtarak e politik, në rajon dhe në Evropë ashtu sikur kombet e tjera, pjesëtarët e të cilëve jetojnë tok në një shtet.  Deri atëherë do të vazhdojmë të gjallojmë me zorrët nëpër këmbë, duke ngritur gurin përpjetë e duke e rrokullisur teposhtë, ashtu si Sizifi i moçëm.


 


15. 1. 2013


 


Ahmet Qeriqi: Luftëtari i lirisë dhe ish i burgosuri politik, Qerim Arifi nuk kërkon mëshirë, por drejtësi


 


Se ku e si janë katandisur dhe si jetojnë sot shumë nga më meritorët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, flet edhe rasti i ish të burgosurit politik të viteve  ‘80, asokohe djaloshi 20 vjeçar, Qerim Arifi nga fshati Rimanishtë, i cili me protestuesit e tjerë, më 2 prill të vitit 1981 u kishte rrëmbyer armët forcave rezerviste e policore jugosllave, me qëllim  për të mos i lejuar të futeshin në Prishtinë, ku policia jugosllave dhe ajo e Krahinës Autonome të Kosovës kishin martirizuar dhjetëra protestues dhe kishin plagosur qindra të tjerë.


I dënuar tetë burg të rëndë, në mesin e 38 flakadanëve të parë të Republikës së Kosovës, Qerim Arifi kryen burgun dhe kthehet në familje. Prej atëherë e deri sot, kanë kaluar afër 25 vjet dhe Qerimi nuk ka gjetur punë asnjëherë. Në kohën e regjimit okupator nuk gjeti punë meqë konsiderohej kundërshtar i regjimit, në vitet 90 nuk gjeti punë meqë konsiderohej militant dhe jo urtak pacifist. Edhe pse mori pjesë aktive në Lëvizjen ilegale dhe  në luftën e UÇK-së, Qerimi nuk  i gëzoi frytet e fitores, për të cilën kishte dhënë aq shumë. Ai nuk uzurpoi, nuk reketoi, nuk  plaçkiti, nuk u dallua si ndonjë tifoz apo militant partie dhe mbeti ashtu sikur kanë mbetur mijëra luftëtarë të lirisë, mijëra të burgosur politikë dhe  dhjetëra-mijëra varfanjakë të Kosovës.


 


Mirëpo Qerim Arifi, ashtu si shumë bashkëvuajtës dhe çlirimtarë të Kosovës ka realizuar synimin e tij jetësor. Ka arritur ta shohë Kosovën e lirë dhe të pavarur, për të cilën ka kontribuar me krejt fuqinë e tij. Por,  realizimi i këtij qëllimi historik, nuk ia zgjodhi asnjë problem jetësor, meqë ai u lind jetoi (dhe tashmë i ka mbushur 52 vjet) në varfëri ekstreme. Me bashkëshorten dhe tre fëmijë jeton me qira në një shtëpi në rrugën “Fitush Kuka” nr. 7. në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë, në kushte dhe rrethana minimale për ekzistencë.


Qerimi nuk kërkon lëmoshë, nuk kërkon të jetojë si parazit, edhe pse vitet e rënda të burgut dhe të luftës  ia kanë shkalluar shëndetin. Ai kërkon të trajtohet si qytetar i barabartë me të tjerët, me kategorinë së cilës i takon. Nuk merr ndihma si veteran i luftës as si i burgosur politik. Ai kërkon punë, por punë nuk ka, ose ka ndonjë ditë dhe disa ditë të tjera kthehet duarbosh në shtëpi. Për ditë del në “Tregun e Prishtinës”, por shpeshherë kthehet pa fituar asnjë qindarkë. Ndihma sociale nuk i mjafton, as për pesë ditë të muajit. Për të ekzistuar, ditët e tjera duhet të rropatet, sepse fëmijët janë në shkollë e mbi të gjitha janë të zgjuar në mësime.


Duke qenë se nuk ka trashëguar ndonjë pasuri të luajtshme, duke qenë se jeton me qira dhe në kushte tejet të rënda sociale, ai kishte paraqitur kërkesë për një banesë të solidaritetit, të cilat qe dy vjet rresht  i ndan komuna e Prishtinës. Kishte kompletuar të gjitha dokumentet dhe kishte arritur në radhën e parë për t’ iu ndarë banesa, meqë kishte plotësuar kushtet optimale, si asnjë tjetër. Në kohën kur u bë ndarja, emri i tij kishte rënë nga regjistri, me motivacion se atje në djerrinat  e Rimanishtes, kishte 3o ari tokë.


Realisht, atë pasuri, tokë djerrinë ai ua ka lënë vëllezërve dhe nuk posedon asnjë ari tokë, në Rimanishtë, as në Prishtinë. Këtë të dhënë ai e ka vërtetuar dhe e vërteton me dëshmi relevante nga kadastra e komunës.


I pakënaqur me vendimin e  komunës së Prishtinës për ndarjen e banesave të solidaritetit, Qerim Arifi iu ka drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës, më 30. 9 2011.  Pasi Gjykata ka marrë në shqyrtim ankesën e tij, duke u mbështetur në dokumentacionin e prezantuar si dhe në kopjen e kadastrës, ku shihet se ai nuk posedon pasuri të paluajtshme, kishte aprovuar padinë e ankuesit, Qerim Arifi dhe lëndën e kishte kthyer për rishqyrtim.


 


Ndërkohë, komuna e Prishtinës më datë 13. 10. 2011, A.nr. 985/2011 ka kontestuar  vendimin e Gjykatës Supreme, duke u thirrur si gjithnjë në të dhënën se Qerim Arfi ka 30 ari tokë në Rimanishtë të komunës së Prishtinës.


 


 Qerim Arifi nuk kërkon lëmoshë. Ai ka konkurruar për një banesë solidariteti, meqë i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara me konkurs. Për më tepër, ai do të duhej të kishte përparësi, në krahasim me shumë aplikues të tjerë për  faktin se ka kaluar shumë vite në burg, ka marrë pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është i papunë, jeton me qira në një banesë ku nuk ka kushte minimale për ekzistencë. I bindur se iu ka shkelur e drejta, Qerim Arifi sërish iu ka drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më 21. 12. 2012  ka kërkuar nga Komisioni për Dhënien e Banesave në komunën e Prishtinës, ta rishqyrtojë lëndën me arsyetimin se i ka plotësuar të gjitha kushtet për të marrë banesë, meqë kjo është dëshmuar me prova të pakontestueshme.


Në padi sërish është vërtetuar e dhëna se  Qerim Arifi ka qenë i burgosur politik, ka qenë ushtar i UÇK-së dhe e gëzon të drejtën për të qenë shfrytëzues i banesës, për rastet me përkujdesje sociale, pasi që jeton me gruan dhe tre fëmijë në kushte të këqija të banimit. Pikërisht për këtë, vendimi refuzues i organit të Shkallës së Parë është në kundërshtim me kriteret e kërkuara për të qenë shfrytëzues i banesës.


 


Gjykata Supreme e Kosovës më 12. 11. 2012,  përmes Aktgjykimit, ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Komunës së Prishtinës dhe ka vërtetuar Aktgjykimin, A. Nr 985/2011 i datës, 19. 4. 2012, me arsyetimin se ankesa e paditësit, Qerim Arifi është e bazuar….


 


Kolegji i Shkallës së Dytë i kësaj gjykate, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm një konkludim të tillë juridik të Kolegjit të Shkallës së Parë, sepse me rastin e pranimit të padisë së komunës në mënyrë të drejtë janë zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale.


 


Gjykata Supreme e Kosovës në bazë të nenit 200 të LPK, të zbatueshëm sipas nenit 63 të LKA, u vendos si në dispozitën të këtij Aktgjykimi. Gjykata Supreme e Kosovës, A.A. 86/2012, më 12. 11. 2012. Kryetari i Kolegjit Shukri  Sylejmani.


 


Qerim Arifi ka fituar gjyqin në Gjykatën Supreme të Kosovës, por komuna e Prishtinës, nuk e merr fare para sysh këtë vendim të kësaj Gjykate, edhe pse nuk ka paraqitur asnjë dëshmi konkrete për injorimin e vendimit por vetëm të dhëna gojore se paditësi, Qerim Arifi, paska apo paska pasur tokë në Rimanishtë. Komuna nuk merr parasysh as edhe Certifikatën e Ministrisë së Administratës Publike të Qeverisë së Kosovës, e cila më datë 27. 12. 2012 ka vërtetuar se Qerim Arifi nuk posedon pasuri të paluajtshme, në rajonin e komunës së Prishtinës, as gjetkë.


 


Qerim Arifi pret të realizohet e drejta e tij.


 


1. Gjykata Supreme e Kosovës dy herë deri tani ka marrë vendin në dobi të padisë së tij.


2. Ministria e Administratës Publike  ka vërtetuar faktin se Qerim Arifi nuk posedon pronë të paluajtshme.


3. Shoqata e të Burgosurve Politikë vërteton se ai ka mbajtur 8 vjet burg për veprimtari të organizuar kundër regjimit okupator jugosllav.


4. Shoqata e Veteranëve të Luftës, vërteton pjesëmarrjen e tij në UÇK.


5. Komuna është në njohuri të faktit se ai jeton me ndihma sociale.


6. Komuna po ashtu ka të dhëna se ai jeton në një kthinë ku nuk ka kushte elementare për jetesë.


 


Faksimile e dokumente


Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …