Në “Thirrjen” që Albin Kurti i bën Hashim Thacit për të shkuar ai në Gjykatën Speciale në Hagë dhe jo dikush tjetër: “Ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015.”, ai e bën këtë thirrje duke u nisur nga fakti se Hashimi ka qenë Komandanti de fakto i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, gjë që vetë ai e ka përsëritur shpesh herë, duke thënë nëpër mitingje: “Unë ua solla lirinë!”.
Dhe më poshtë Albini e thotë shumë qartë se ka qnë dhe është kundër asaj Gjykate, por meqenëse ishte Hashimi që këmbënguli të njihej ajo gjykatë nga Kosova, prandaj bën mirë që të shkoi vetë atje: “Kosova nuk është dashur të ketë gjykatë speciale me paracaktim etnik, por gjykata normale dhe zbatim të ligjit. Tash, edhe nuk kemi gjykata normale e zbatim të ligjit, si në shtetet demokratike, por edhe na është sipërvendosur gjykata speciale si asnjë shteti tjetër. Për të dyja këto je ti që mban përgjegjësi. Për ato normalet që s’i kemi dhe për këtë anormalen që na e solle. Prandaj, shko Hashim.”
Dhe nuk është ashtu sikundër kërkon ta interpretojë, deputeti Dardan Mulliqaj, se Albinin e dashka Gjykatën Spciale, ngaqë zotëria deputet e përjashton kryekomandantin të shkojë në gjykatë, si dhe thotë: ”Sipas liderit të VV’së, nuk mund të shkojnë luftëtarët e tjerë në një institucion të krijuar me vota të deputetëve.”
Unë mendoj se Albini e ka bërë këtë thirrje ngaqë duhet ta dijë se krimet e luftës kundër civilëve janë krimet që përcaktohen prej Konventës së Gjenevës, (12 gusht 1949), dhe në Protokollet e saj, si dhe nga Statuti i Romës, i nënshkruar në 17.7.1998, në Romë, (i cili është Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë). Kështu që Albini nuk bën gjë tjetër, vec se interpreton përgjegjësinë që ka Hashimi sipas këtij Statuti në cilësinë e kryekomandantit të UCK-së.
Ndërsa analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Gazetën Express se shkrimin e Kurtit e konsideron si shprehje të mllefit ndaj Thaçit. Nuk përjashtohet që të jetë edhe kështu, por ama Albini shfrytëzon Statusin e Romës, ku sipas Nenin 28 dhe 33 të Statusit të Romës theksohet se edhe personat përgjegjës (titullarë) akuzohen si autorë të krimit, (shih), në rastet kur shkelja e rregullave të së drejtës ndërkombëtare është kryer prej vartësve të tyre.
Mosnjohjen e këtij Statusi e ka edhe nënkryetari prej 10 vjetësh i pushtetit legjislativ në Kosovë, i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, prandaj i tha gazetës “Express” dje: “Është degradim moral i individit i cili dëshiron ta çojë një njeri tepër të rëndësishëm të skenës politike në burg për luftën që e ka bo. Është tejet e papranueshme për mua. Nuk besoj që duhet gëzuar për ata që kanë luftuar e që shkojnë në burg….Nëse ka bërë krime, nëse ka vrarë njerëz të pafajshëm pas lufte, është tjetër muhabet, por duket tepër e ulët kjo, që t’i thuash në fund të fundit, një ish-kolegu tënd, shko në Hagë. Nëse e thërrasin, edhe ai shkon, nuk është prej atyre burrave që nuk shkon.”
Gjithashtu, në Nenin 28 dhe 33 të Statusit të Romës theksohet se një urdhër mund të lëshohet vetëm nga një person që në një rast të caktuar ka statusin e autoritetit, dmth të drejtën e urdhërit. Autoritetin e dhënies së urdhëri, theksohet atje, e ka një person i cili në jetën e tij ushtarake, është zyrtar ose ndonjë kapacitet tjetër, i cili ka një mundësi për të porositur personin tjetër të kryejë një veprim të ndaluar; p.sh. një komandant ushtarak, një zyrtar i shtetit, një zyrtar i qeverisë.
Madje, në ato nene theksohet edhe tjetra: pavarësisht se edhe kur kemi një urdhër nga lart, ai nuk e shfajëson autorin e veprimtarisë së paligjshme. Në këtë kuptim, Albini bazohet në përgjegjësinë që ka pas Hashimi në cilësinë e kryekomandantit të UCK-së. Sipas Statusit të Romës pjestarët e forcave të armatosura të cilët komandojnë, urdhërojnë, ndihmojnë, dhe që nuk parandalojnë ose nuk raportojnë shkeljet e rënda të së drejtës së konfliktit të armatosur të bërë nga cdo lloj vartësi i tyre, bazuar në Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë, ata kryejnë krime lufte për të cilat ata mund të gjykohen, dhe po të shpallen fajtorë, ndëshkohen.
Për ngarkimin me përgjegjësinë e lartëpërmendur, për krime lufte kundër popullsisë civile, sikundër duan të dënojnë pothuaj gjithë piramidën komanduese të UCK-së, (sipas nenit 7, paragr.1, pika “d” dhe “b” dhe Neni 8, paragr. 2, pika “d”, nënpika (ii) të Statutit të Romës), cilësohen autorë krimi edhe ata persona ushtarakë që nuk porositin vartësit e tyre dhe personat e tjerë nën kontrollin e tyre, për të parandaluar krimin, të cilët duhet të raportojnë te kompetentët dhe autoritetet për çfarëdo shkelje të Konventës dhe këtij Protokolli.
Kështu që Albini, duke e njohur legjislacionin ndërkombëtar për krime lufte, prandaj i thotë Hashimit: “Shko Hashim në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon.”
Tiranë, 10.01.2019