Partitë politike shqiptare nuk janë të majta, as të djathta të mirëfillta

Kushtet shoqërore ekonomike e politike,  në të cilat jetojnë shqiptarët në trojet e tyre, në rajonin e Ballkanit, janë specifike në të gjitha aspektet, meqë kemi një komb të ndarë, i cili gjallon  në dy shtete shqiptare dhe në katër shtete fqinje, ku ata jetojnë nën regjimet e huaja, të trajtuar si pakica kombëtare dhe kurdoherë të keqtrajtuar, të përndjekur e të persekutuar. Në kushte dhe rrethana të tilla, edhe organizimi politik paraqitet  i ndarë, i përçarë dhe tejet heterogjen.


 


Homogjenizimi i shqiptarëve drejt bashkimit kombëtar do të shpinte në krijimin e Shqipërisë, qoftë ajo që quhet Shqipëri Etnike, Natyrale apo e Madhe. Cila do që të jetë Shqipëria në të ardhmen, ajo do të jetë vetëm Shqipëri, pavarësisht si do të na quajnë fqinjët, miqtë apo kundërshtarët tanë. Deri atëherë, dashur pa dashur duhet pranuar faktin se nuk jemi faktor që vendosim për vetveten tonë në Kosovë, madje as në Shqipëri. Një komb i ndarë në gjashtë pjesë prodhon mungesë perspektive dhe situatë konfuze të sigurisë brenda dhe jashtë, pavarësisht se politikanët shqiptarë sillen si ua ka ëndja, ashtu sikur sillen e veprojnë liderët e rajonit e më gjerë.


 


Dhe përderisa marrëdhëniet aktuale ndër-shqiptare dhe pozita ekzistuese kërkon unifikim, homogjenizim në pikëpamje kombëtare, shumica e liderëve tanë me ndikim  veprojmë në drejtim të përforcimit të ideve partiake, meqë partitë sjellin pushtetin, pushteti i hap dyert e pasurimit dhe pasurimi është ëndrra që tani ka mbetur pa u realizuar, nga ata, të cilët tashmë e kanë mësuar artin e manipulimit të masave, përvetësimit të tyre përmes premtimeve, me qëllim për ta krijuar bindjen se tani paska ardhur edhe koha e përcaktimit ideopolitik të partive.


 


Shumica dërrmuese e liderëve partiakë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetkë kanë prejardhjen ideologjike nga e majta  dhe një pjesë krejt e vogël nga e djathta. E djathta shqiptare edhe pse pretendon ta përvetësojë nacionalizmin shqiptar, në këtë drejtim nuk ia ka arritur asnjëherë, sepse nacionalizmi shqiptar përgjithësisht i takon lëvizjes së rezistencës kundër çdo pushtimi, madje edhe kundër pushtimit ultra të djathtë, fashist, italian e gjerman. Ideologu i së djathtës shqiptare, Mit’hat Frashri ishte me origjinë nacionaliste, ndërsa në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë, nuk arriti ta tubojë rreth vetes forcën nacionaliste kombëtare për të luftuar kundër pushtimit të vendit nga Italia fashiste. E djathta shqiptare ka pësuar një komprometim të pariparueshëm sa i përket bashkëpunimet me fashizmin, ashtu sikur edhe e majta shqiptare, e cila në esencë ishte nacionaliste, përparimtare,  por koniukturat ideologjike bënë që ajo të rreshtohet në bllokun socialist,  që kishte viktimizuar çështjen shqiptare, me qëllim për të ngopur orekset hegjemoniste serbe, bullgare e greke në Ballkan. 


 


Përpjekja e parë e mirëfilltë për ta orientuar drejt të djathtën shqiptare, pas komprometimit gjatë bashkëpunimit me forcat fashiste i ka bërë Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, në Kosovë qysh në vitin 1945. Lëvizja e mirëfilltë nacionaliste ishte artikuluar nga profesor Imer Berisha. Atë e ka demonstruar politikisht para gjyqit jugosllav Gjon Serreçi. Më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, Gjon Serreçi i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar: Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta…. Platforma ideopolitike e LNDSH-së, e cila kishte korrigjuar edhe Dekalogun e Ballit Kombëtar, mund të interpretohet si fondament e së djathtës së reformuar shqiptare. Nga kjo platformë është ideuar dhe ka vepruar edhe Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Shqiptarëve, në kreun e së cilës ishte,  Adem Demaçi, qysh prej vitit 1963.


 


Nuk duhet harruar asnjëherë faktin se Revolucioni Demokratik Borgjez i Qershorit të vitit 1924 i ka dhënë shtytjen  vendimtare forcave të vërteta demokratike në Shqipëri, në kohën kur të gjitha vendet e Ballkanit, po edhe shumë vende të Evropës udhëhiqeshin nga monarkitë dhe autarkitë borgjeze.  Vrasja e deputetit të Kosovës, Avni Rrustemi, nga monarku satrap, Ahmet Zogu në maj të vitit 1924,  revoltoi të gjitha forcat përparimtare demokratike në vend dhe kjo revoltë e ligjshme rezultoi me rrëzimin e Qeverisë së Zogut, i cili migroi në Beograd, me qëllim që me përkrahjen ushtarake të ushtrisë e xhandarmërisë së Nikolla Pashiqit të vendos monarkinë në Shqipëri.


Revolucionin Demokratik të Qershorit  e kishin organizuar personalitetet më të fuqishme nacionaliste shqiptare, me bindje të avancuara dhe shumë përparimtare për kohën si: Fan Noli, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Elez Isufi e shumë të tjerë. “Organizata e Rinisë Demokratike “Bashkimi” në mëngjesin e 16 qershorit 1924 afishoi nëpër dyert e shtëpive dhe në lokalet e Tiranës, Thirrjen e saj, ku thuhej:


Sot, në kryeqytetin e lirë të Shqipërisë, kremtojmë triumfin e shkëlqyer të demokracisë. Por vepra e kryengritjes edhe s’është mbaruar. Prej kësaj lëvizjeje, që është shënja e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, shoqëria “Bashkimi”, e cila qëndron edhe sot, si gjithmonë, indipendente dhe larg çdo influence politike, pret:


1) Rrënjosjen e demokracisë së vërtetë, ruajtja e së cilës duhet të mos u besohet kurrë feudalëve dhe pseudodemokratëve…


2) Dënimin shembullor të shkaktarëve të vëllavrasjes dhe shpagimin nga pasuria e tyre e të tëra shpenzimeve dhe dëmeve materiale që pësuan shteti dhe populli.


3) Spastrimin e shtetit prej spiunëve, dallkaukëve dhe nëpunësve të pazotë dhe vegla të ambicjeve të atyre që duan të themelojnë sundimin e vet mbi shkatërrimin e Shqipërisë dhe shtypjen e popullit…


4) Çarmatimin e përgjithshëm.


5) Sigurimin e indipendencës ekonomike të popullit bujk, me anën e reformave agrare të gjera, të cilat vetëm ato kanë për ta shpëtuar kombin nga robëria shekullore e sundimit feudal.


Shoqëria “Bashkimi” është e bindur se theroritë që bëri populli dhe gjaku që ai derdhi pa u kursyer, nuk do të venë kot…”. ( Hazis Gjergji- REVOLUCIONI DEMOKRATIK I QERSHORIT 1924 (II) (RKL)


 


Organizimi partiak socialist, më vonë komunist,  në Shqipëri ka një histori më të begatë sesa organizimi i së djathtës. Ideologu i së majtës shqiptare, Ali Kelmendi, ishte anëtar i Kominternës dhe punoi e veproi me qëllim të shtrirjes së grupeve socialiste në trojet shqiptare. Ndikimi i tij në përhapjen e ideve socialiste e komuniste ka qenë vendimtar.


Po ashtu forcat politike të majta trashëguan përvojën vepruese e ideologjike të Revolucionit të Qershorit, të vitit 1924, të cilin e klasifikuan  si Revolucion Demokratik Borgjez, dhe që realisht ishte revolucioni i parë borgjez në Ballkan, që u manifestuar vetëm shtatë vjet pas Revolucionit të Tetorit në Rusi.


 


Partitë politike ekzistuese në trojet e shkapërderdhura shqiptare  u përkasin dy  rrënjëve ideologjike në formë, të artikuluara si “e Majta” dhe e “Djathta”, apo “qendra e majtë dhe e djathtë”  por përgjithësisht  kanë të njëjtën  përmbajtje  ideologjike në brendi, meqë realiteti i së kaluarës 50-vjeçare, komuniste,  ka qenë faktori vendimtar në politizimin ekstrem të krahut të majtë. E djathta shqiptare edhe pse asnjëherë e konsoliduar, gjatë kohës së komunizmit, jashtë Shqipërisë, ishte tërësisht e paorganizuar dhe si e tillë ishte e përçarë, e diskredituar në të gjitha etapat e zhvillimit dhe gjithnjë e varur nga të huajt, qofshin ata të djathtë,  të qendrave të ndryshme, apo edhe  të majtë. Sot kudo ndër shqiptarë partitë e shumta me prejardhje të mirëfilltë të djathtë  dalin krejtësisht të fragmentarizuara,  por edhe po të bashkohen të gjitha tok nuk përbëjnë dot një forcë me ndikim në politikë.


 


Po ashtu, edhe pse pluralizmi politik ndër shqiptarë daton qysh në vitet 20 të shekullit të kaluar, ai asnjëherë nuk ishte pluralizëm i mirëfilltë demokratik edhe për faktin se mendësia politike ishte dhe mbeti tipike moniste, mendësi njëdimensionale sikur paraqitet tani, qoftë ajo e majtë apo e djathtë.


Partitë e krahut të djathtë në Ballkan nuk kanë pasur asnjëherë perspektivë, meqë e djathta e vendeve ballkanike është komprometuar ideologjikisht, më shumë se e majta, e cila është parti që i josh shtresat e varfra me programe të avancuara sociale.


 


Është e mundshme, edhe pse duket anakronike, që të majtët e deridjeshëm të vetë deklarohen të djathtë, ashtu sikur ka bërë PDK-ja në Kongresin e fundit, apo sikur pretendon të jetë Partia Demokratike e Sali Berishës, por realisht si PDK-ja ashtu edhe PD-ja kanë të njëjtën origjinë ideopolitike, të majtën e PPSH-së dhe të majtën e PKJ-së.  Këto dy parti kamuflohen pas emrave, me qëllime të caktuara politike, por realisht në programet e tyre ekonomike nuk ka bazë reale zhvillimore për konsolidimin e së djathtës, karakteristikë e vendeve të zhvilluara kapitaliste, meqë Kosova dhe Shqipëria janë vendet më të varfra të Ballkanit dhe të Evropës. Me një ekonomi të shkatërruar, me një tregti të paorganizuar ku dominon monopoli tregtar i Greqisë, Serbisë dhe Italisë, Kosova dhe Shqipëria  tashmë janë në dy koloni ballkanike, dy vende që shfrytëzohen mizorisht nga fqinjët, meqë shqiptarët e ndarë në gjashtë shtete nuk përbëjnë një faktor të fuqishëm ekonomik, aq më keq kur këto dy shtete edhe i konkurrojnë njëra tjetrës në tregti. Në kushte dhe rrethana të tilla të varfërisë, të pretendosh se me orientimin dhe pozicionin djathtas e nxjerr venin nga kriza nuk është asgjë më shumë se një hipokrizi, naivitet  dhe mendjelehtësi. Por nëse ideatorët e së djathtës aktuale mendojnë se e djathta mund të ndërtohet vetëm me korrupsion, me trafiqe, mashtrim, përvetësim të pronës shoqërore, shitje të resurseve ekonomike të vendit, varfërim të popullit, dhe duke iu ofruar të huajve të gjitha koncesionet për blerjen e “stendave” publike, në një rast të tillë e djathta do të përfaqësonte vetëm klasën sunduese, një për qindëshin e popullatës. Pjesa tjetër do të mbetet fuqi punëtore e akumuluar për krime, hajni, trafiqe, drogë, mashtrime, ikje ilegale dhe legale në vendet e Evropës dhe të botës.


Nëse dikush në Kosovë e ka projektuar modelin e djathë partiak  duke e identifikuar me qeverisjen e 6 viteve të fundit, atëherë nuk është vështirë të kuptohet se çka na pret në të ardhmen, qoftë ajo e  deklaruar si e majtë apo e djathtë.


 


E majta aktuale në Shqipëri nuk është në nivelin e organizmit as perceptimit të realitetit. Përderisa e majta frikësohet nga e kaluara komuniste e socialiste, nga ku edhe e ka bazën e fortë ideologjike, ajo disi sikur në heshtje pranon “fajësinë” e prejardhjes, duke u diferencuar nga vetvetja. Me një pozitë të tillë, inferiore,  e majta nuk është e aftë të bind shqiptarët se programi socialist është i nevojshëm për një shtet të prapambetur ekonomikisht. Ajo aktualisht duket sikur kërkon “mëshirë”dhe qëllimin e vetëm e ka për ta marrë pushtetin, dhe jo për ta ndryshuar rrënjësisht sistemin ekonomik e politik në vend.


Po ashtu kufiri mes së majtës dhe së djathtës zbehet në tërësi  kur është në pyetje kapja e pushtetit, ashtu sikur ndodhi me të majtën e Ilir Metës, që iu bashkua së djathtës së Sali Berishës, apo sikur ndodhi gjashtë vjet më parë në Kosovë me koalicionin qeveritar PDK-LDK, të dyja  parti me prejardhje ideologjike të së majtës shqiptare dhe jugosllave.


Në vend se liderët tanë të bashkohen rreth idesë së krijimit të Shqipërisë, ata pozicionohen ideologjikisht kundër njëri tjetrit, edhe pse dihet mirëfilli e kaluara dhe aktualja e tyre ideologjike e politike.


(Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …