leoni

Dr. Jakup Krasniqi: Me gjysmë të vërteta nuk bëhet shkenca

 I.


 


Oliver Jens Schmitt-i me librin “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” (botim i kompanisë “Koha”, Prishtinë, nëntor 2012), pa dyshim i bën antitezë librit pothuajse me të njëjtin titull të Noel Malcolm-it, “Kosova – një histori e shkurtër” (edhe ky botim i kompanisë “Koha”, Prishtinë, 2001) dhe, jo vetëm këtij libri. Antitezë, po, por me një dallim tepër esencial: Noel Malcolm-i ka pasur si qëllim parësor të ndriçojë historinë e Kosovës dhe të popullit të saj me të dhëna të plota, reale, të paanshme, ndërsa Schmitt-i – për t’i rrënuar shtyllat kryesore të historisë së Kosovës, sidomos të qytetarëve shumicë (shqiptarëve) dhe të ngjarjeve kryesore të saj me gjysmë të vërteta! Duhet  thënë që në fillim se këtë ky autor (historian?!) e bën këtë me një prefiditet tejet të madh.


Lexuesi i vëmendshëm, lëre më hisotirani e njeriu i shkencës, duke lexuar qysh kapitullin e parë të librit, nuk ka se si të mos bindet e ribindet se gjysmë të vërtetat janë më të rrezikshme se të pavërtetat, të cilën gjë me mjeshtëri e bën Oliver Jens-i, sa edhe e ka lajthitur një akademi të tërë, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Oliver Jens Schmitt-i ka tentuar t’i përmbysë të gjitha të arriturat e shkencës së albanologjisë (si të gjuhësisë, ashtu dhe të historisë), vendore e ndërkombëtare të të dy shekujve të fundit. Shikuar në këtë kontekst, ngase libri është shkruar nga një i huaj dhe emri i të cilit nuk është i pandikim në qarqet shkencore, dhe, le ta themi, edhe vendimmarrëse politike, kam bindjen e plotë se dëmi që shkakton ky liber është shumëfish më i madh sesa dëmi që kanë shkaktuar apo mund të shkaktojnë pseudolibrat e akademikëve serbë me të pavërtetat e tyre për Kosovën dhe shqiptarët. Në këtë kapitull, të marrë në shqyrtim, Schmitt-i i ka mohuar shtyllat më të rëndësishme të historiografisë shqiptare dhe të huaj, siç janë prejardhja e shqiptarëve (të cilëve, kryesisht, u referohet me “myslimanët e Kosovës”!!!), ngushtimi i hapësirës jetësore të shqiptarëve, duke mos e pranuar edhe karakterin kombëtar të kryengritjeve shqiptare, si ato të viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ashtu edhe ato të viteve 1908-1912. Edhe pse në shikim të parë i “kundervihet” historiografisë serbe, sidomos vrazhdësisë së Vladan Gjorgjeviçit, përfundimet e tij nuk janë më pak mohuese për kombin shqiptar në Kosovë, përfundime këto që në njëfarë mënyre dhëmbin më pak, meqenëse interesi i tij është i vetëkuptueshëm. Natyrisht për këtë që thashë është e udhës, por edhe duhet të flasim me gjuhën e autorit: si i bën ai goditjet “shkencore”? Natyrisht, jam më se i ndërgjegjshëm dhe i shtrënguar ta ndjek rrjedhën e librit, meqenëse edhe kjo anë është tejet kontraverze, kundërthënëse, duke qenë se duhet filluar me kryengritjet antiosmane të viteve 1908-1912, për ta mbyllur me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të vitit 1878 (mënyra sesi Schmitt-i lëviz nëpër kohë), por për këtë le të mendojë dhe rezonojë edhe lexuesi i vëmendshëm, si i librit në fjalë, ashtu edhe ai i këtij shkrimi. Libri, nuk e mohoj, sigurisht që ka edhe saktësitë e tij, por unë me këtë rast do të merrem me disa shkarje tejet të rënda dhe shkencërisht të paargumentuara.


                Në faqen 66 të librit Jens Schmitt-i shkruan: “Në vitin 1909 ata mbështetën  kundërpuçin e dështuar të myslimanëve konservatorë dhe besnik ndaj Sulltanit kundër xhonturqëve. Ata e shikonin veten si mbrojtës besnik të Sulltanit dhe besimit. Në vazhdim, në vitet 1908-1912, ata e përplasën Kosovën në kaos të përgjithshëm, me ç’rast në vitin 1911 Qeveria serbe përmes furnizimeve të gjithanshme me armë nxiti destabilizimin e Kosovës. Kryengritjet drejtoheshin kundër politikës së centralizimit dhe turqizimit nga ana e Qeverisë xhonturke, domethënë kundër tatimeve e rekrutimit të ushtarëve”. Këto konstatime që mohojnë karakterin nacionalçlirimtar të shqiptarëve në rrugën e tyre për liri, autonomi e pavarësi nuk ke mundësi t’i hasësh tek asnjë autor serioz të djeshëm (apo të sotshëm), qofshin ata udhëpërshkrues francezë, gjermanë, anglezë apo amerikanë, qofshin ata edhe konsuj të huaj, të cilët edhe atëbotë nuk kanë qenë të disponueshëm miqësisht për shqiptarët. Sigurisht që këto vlerësime “shkencore” nuk i has askund në librin e Noel Malcolm-it dhe të tjerëve, që s’’është në natyrën e ketij shkrimi t’i përmendim. Duke lexuar këtë libër, pra, “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” të Oliver Jens Schmitti-it, të krijohet përshtypja se shqiptarët, sidomos këta të Kosovës, jo vetëm që janë pa histori, por janë një amalgamë, njëfarë përzierjeje që mbase është goxha e vështirë të mund të krijohet në laboratorët kimikë më të sofistikuar! Kjo “amalgamë” kombesh është krijuar nga disa malësorë katolikë të armatosur të Shqipërisë, që ua kanë imponuar shqiptarizmin gjithë të tjerëve (të gjithë atyre që kanë arritur të bashkëjetojnë me ta). Këtu, natyrisht që skencëtari ynë nuk heziton të tërheqë paralele dalluese mes shqiptarëve të Shqipërisë Jugore, siç thotë ai, dhe myslimanëve të Kosovës, siç i pëlqen atij t’i quajë shqiptarët e Kosovës, të cilët nëse nuk janë njerëz me bisht, siç i quan V. Gjorgjeviçi, nuk janë intelektualë, siç thotë Schmitt-i.


Ç’është e vërteta, unë nuk di ku qëndron dallimi në mes njerëzve (shqiptarëve) me bisht të Gjorgjeviçit dhe jointelektualëve myslimanë (shqiptarëve të Kosovës) të Schmitt-it!? Këtë çështje shkencëtari, historiani dhe autori Schmitt do të duhej ta argumentonte më mirë, nëse ka mundësi, nëse di dhe nëse do! Kuptohet, nëse dëshiron të jetë më i besueshëm.


                Në faqën 107 Schmitt-i shkruan: “Ata (historianët shqiptarë – J. K.), kështu ndjekin tezën e linguistit të njohur shqiptar, Eqrem Çabej, sipas të cilit viset e banuara me shqiptarë janë rrudhur vazhdimisht që nga antikiteti”. Këtu Jens-i e gjen një kundërshtar të këtij konstatimi, për të cilin do të thotë: “Afërmendsh që kjo metodë (metoda e Çabejt – J. K.), zor se është rrugë e drejtë” (faqe 108). Me një fjalë, Schmitt-i është i mendimit se hapësira shqiptare jo vetëm që nuk është tkurrur (rrudhur), por është zgjeruar në dëm të të tjerëve. Nuk besoj që ka njohës të historisë së Ballkanit, i cili do të pajtohet me “argumentet” që sjellë Schmitt-i.  Sigurisht që këtu Jens Schmitt-i me asgjë nuk bie ndesh me historiografinë shoviniste serbe dhe greke, anipse e thotë këtë gjoja me gjuhën e një të “paanshmi” dhe pretendon se ka gjetur një mes të artë.


                Ndërsa, në faqën 117, Oliver Jens Schmitt-i arrin në një konstatim interesant. Le ta shohim me pak vëmendje: “… para vitit 1912 ishte ikja (veni re – ikja! – J. K.) masive e myslimanëve kryesisht shqipfolës nga rajoni i Nishit, Leskovcit dhe Vranjës”. Sipas këtij autori (akademik i ASHAK-ut!), “në Kosovë u vendosën 50 mijë myslimanë”!  Po, kjo është më se e vërtetë, por nuk tregon për fatin e mijëra të tjerëve. Këta 50 mijë, që erdhen në Kosovë, sipas Schmitt-it, do të asimilohen në shqiptarë dhe kështu do ta ndryshojnë përbërjen etnike të Kosovës, kuptohet në dem të serbëve. Dhe kjo nuk na qenka tkurrje e hapësirës shqiptare, të cilën gjë nuk e mohon as akademiku serb Çubriloviç, i cili në programin e tij ka shkruar: “Vetëm duke ndjekur këtë shembull (fjala është për ikjet për të cilat foli Schmitt-i – J. K.) dhe duke e ditur se çfarë kërkohet, duke mos u kursyer as në gjak e as në para, shteti ynë do të mund të krijojë nga Kosova e Metohija një Toplicë të Re”. Nëse edhe ajo që ndodhi në vitet 1876/78 me mbi 500 vendbanimet shqiptare, që autorët e huaj e kanë quajtur Shqipëria në Toplicë, atëherë nuk di se çka qenkërka rrudhja?!


                Kurse krejt në fund të kapitullit të parë e hasim edhe një xhevahir të këtij akademiku. Le ta shohim: “Myslimanët shqipfolës në Evropën Juglindore shqipfolëse para vitit 1945 nuk kanë nxjerrë asnjë shkrimtar apo artist në rang që vlen të përmendet”. Ndoshta udhëheqja shqiptare e Kosovës as sot nuk shquhet për intelektualizëm të nivelit botëror, por a është e mjaftueshme kjo që shqiptarëve të Kosovës t’u mohohet e drejta për jetë të lirë e të pavarur? Edhe nëse është kështu, siç thotë Jens-i, ky akademik i nivelit të lartë evropian, a nuk paraqet kjo, thënë më së buti, njëfarë racizmi intelektual?!  Apo edhe një dakordimi me të “drejtën” e civilizimit për të cilën ka shkruar e kërkuar Vladan Gjorgjeviçi? Por Oliver Jens Schmitt-i ynë nuk e lë me kaq. Ai vazhdon: “E ashtuquajtura ‘Lidhje e Prizrenit’ ishte, siç u tregua, një bashkim i shefave rajonalë shqipfolës dhe sllavishtfolës të Kosovës së sotme, të Maqedonisë së sotme Perëndimore dhe të Sanxhakut të Novi-Pazarit. Në qershor të vitit 1878 programi i këtyre shefave në përgjithësi bazohej në kërkesën për ruajtjen e integritetit territorial të Perandorisë Osmane (pas pushtimit serb të Luginës së epërme të Moravës) dhe mbrojtjen e ‘jetës, (…) pronës dhe nderit të pjestarëve lojalë konfesionalë jomyslimanë (…) në përputhje me ligjin fisnik fetar (sheriatin)’ – me fjalë të tjera: kërkohej kthimi i status quo-së para luftës së viteve 1877/78 dhe ruajtja e privilegjeve për myslimanët në raport me të krishterët…” (faqe 131). Historiani-studiuesi-autori-akademiku Schmitt nuk e thotë asnjë fjalë për Konferencën-Marrëveshjen-Traktatin e Shën Stefanit dhe reagimin e Fuqive të Mëdha të kohës. Nuk flet për Kongresin e Berlinit dhe vendimet e tij të padrejta karshi shqiptarëve. Natyrisht, nuk flet as për kërkesat e memorandumet e ndryshme të shqiptarëve të trevave të ndryshme. Nuk flet as për luftimet e shumta të shqiptarëve edhe kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe ushtrive të Kral Nikollës së Malit të Zi. Askush nuk mund ta mohojë faktin, qoftë ai edhe akademik i privilegjuar si ky Jens-i ynë, se shqiptarët, për t’i mbrojtur trojet e tyre nga copëtimi, luftuan në tri fronte: kundër Turqisë (Perandorisë Osmane), kundër Malit të Zi (Rusisë) dhe kundër Fuqive të Mëdha!


Kapitullin e parë akademiku ynë e mbyll duke i amnistuar Fuqitë e Mëdha, të kohës, nga vendimet e tyre të padrejta dhe gjithë përgjegjësinë ua lë “shqipfolësve” të Kosovës, kur konstaton: “…është për t’u befasuar se para vitit 1912 pothuaj nuk ishte ngritur asnjë zë i shqiptarëve të Kosovës kundër pretendimit serb për interpretimin e rajonit, historisë dhe shoqërisë shqiptare në Evropën Juglindore”. Kjo që thotë O. J. Schmitt-i është aq joserioze sa nuk ia vlen as ta komentoj më shumë, meqenëse shqiptarët problemin e kishin me armikun shekullor, i cili i përdorte tokat e tyre si monedhë kusuritjeje. Kafshimi i gjarprit nuk e hap plagën e kafshimit të ujkut, por kjo nuk do të thotë se kafshimi i tij është më pak vdekjeprurës.


 


 


II


 


 Kohë më parë, po me këtë titull, reagova për disa të meta të librit të Oliver Jens Schmittit: “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, botim i kompanisë “Koha”, 2012. Reagimi kishte të bënte  kryesisht për kapitullin e parë të librit. Duhet kuptuar që në fillim se se qëllimi im, si njohës i historisë së popullit shqiptar, të shkruar edhe nga autorë të huaj, nuk ishte e as që është të bëhesha zëdhënës i anëve të mira të librit, se shkenca nuk e ka këtë qëllim (shkenca është debat dhe diskutim mes të barabartëve, gjithnjë me forcën e argumentit e jo përkatësisë së shkencëtarit-historianit, qoftë ai shqiptar, gjerman, zviceran, sllav apo grek, etj.), por të merresha në radhë të parë me konstatimet e paqëndrueshme të autorit dhe të tilla, fatkeqësisht, ka shumë në librin që kemi në shqyrtim. Ato nuk i bëjnë nder as autorit, as shkencës, as çështjeve ende të pazgjidhura objektivisht të supremacionit etnik e politik.


Unë, sigurisht që nuk jam një nga ata që mendojnë se Oliveri ua hoqi bishtin shqiptarëve, se njerëz të tillë as që kanë ekzistuar, por nëse është dikush ai që ua hoqi bishtin shqiptarëve në sytë e Evropës, ai është pikërisht Fan S. Noli, i cili  në Konferencën e Paqes në fund të vitit 1920 i sqaroi bukur pretendimet sharlataneske pseudshkencore, të cilat në gjeostrategjitë e kohës shiteshin si sapuni për djathë. Pra për “bishtin”, nëse duhet falënderuar dikë, këtë meritë e ka populli shqiptar që ishte si gjithë të tjerët, dhe, Noli ynë si përfaqësues i denjë i tij. Edhe pse për atë fenomen, ndoshta as që ia ka vlejtur si dje, si sot të flitet, pasi ka qenë “zbulim” i një politike të dëshmuar të egër e raciste. Pastaj po të kishte ekzistuar bishti dhe po ta heqnin me “dashamirësi” të tjerët nuk do t’ia vlente.


                Autori Oliver Schmitt, thuhet se është shkencëtar i mirë, historian i mirë dhe se ka shkruar libra të mirë dhe, njëri nga ta, është edhe libri në fjalë, ndaj sipas një logjike, shpërblyese nga ASHAK, sikur autori paska dhënë aksioma matematikore për historinë e Kosovës që nuk mund të ndryshohen, diskutohen apo përgenjeshtrohen! Analiza ime, si një diskutim dhe debat shkencor, nuk mohon kualitetet dhe as veprën e autorit, nëse vërtetë ka kualitet shkencor, por disa teza, përfundime apo shkarje të autorit në librin e tij për Kosovën janë të shpeshta. Ndoshta autori nuk ka faj, pasi ka mundësi që disa informacione që i ka pasur, apo edhe vetë premisat prej nga është nisur, e kanë çuar autorin në disa përfundime të gabuara. Pasi autori niset nga qellimi për t’i pajtuar dy gjëra të papajtueshme: 1. “konceptin serb të historisë për Kosovën” dhe 2. “imazhin shqiptar për Kosovën”. Pajtimi, gjithësesi më tepër është çështje e politikës se sa e shkencës. Madje, përse njërën e quan “koncept historik” e tjetrin “imazh”, është çështje e autorit, e shkollës së tij të formimit historik apo ndoshta, le ta themi pa ekuivok, edhe politik e kulluar e aspak shkencë. Nuk ka më vështirë sesa të gjesh një mes të artë shkencor në mes “konceptit serb të historisë për Kosovën” dhe “imazhit shqiptar për Kosovën”. Sigurisht se është e pamundshme dhe aq më pak mund të jetë e përkryer një përpjekje e tillë. Ndoshta, edhe pala serbe ka shumë arsye të jetë falënderuese për ato përfundime të autorit. Unë nuk e vlerësoj si arritje angazhimin e autorit për të barazuar politikën serbe të shfarosjes për shqiptarët me përpjekjen e shqiptarëve për mbijetesë. Por, njëkohësisht e vlerësoj për shumë përfundime të qëndrueshme e të njohura për historinë e shqiptarëve, të cilën gjë ndoshta ne shqiptarët do ta kishim vështirë ta bënim. Por edhe këto më tepër janë të natyrës politike.


                Libri në fjalë, për njerëzit që e dinë se ç’është shkenca, nuk është krejt shkencë e as krejt i papajtueshëm me të dhënat shkencore. Ndoshta më shumë është një ligjëratë politike, siç e cilëson edhe vetë autori (për studentët serbë e shqiptarë), e ngritur mbi bazë të dijeve shkencore të përziera, sesa një libër i mirëfilltë shkencor, të shumtën mund të jetë një publicistikë shkencore. Në analizën time të dytë do të merrem kryesisht me kapitullin e dytë dhe më pas edhe me të tretin, gjithnjë duke ndjekur të njëjtën metodologji të punës si të kapitullit të parë si dhe duke i krahasuar vlerësimet e Schmittit me ato të autorëve tjerë të huaj, që kanë shkruar po për atë/ato periudhë/a. Në faqen 141 të librit, në nëntitullin “Administrata serbe dhe malazeze e Kosovës (1912-1915)”, autori e fillon mirë duke na përkujtuar një proklamatë të mbretërisë serbe, e cila ishte në frymën e shumë planeve e projekteve nacionaliste serbe, por këtu nuk është problemi. Problemi është se në vazhdim, autori jep konstatime të gabueshme kur të gjitha politikat e qeverive serbe, nga viti 1912-1999 (ku e përmend edhe Arkanin), i shfajëson të gjitha (qeveritë serbe) dhe fajet ua ngarkon paramilitarëve serbë të të gjitha kohërave. Schmitt “arsyeton” kështu: “Serbia kishte vështirësi të mëdha (ia qan hallin kalorësit! – nënvizimi im, J.K.), të rekrutonte numër të mjaftueshëm të zyrtarëve të administratës, aq më tepër që puna në Kosovë, e cila ishte jopaqësore, konsiderohej si e rrezikshme”. Shkuarja në tokë të huaj Z. Schmitt gjithnjë e kudo është me rrezik dhe është mirë që është kështu! Kërkoj nga lexuesit që të jenë të vëmendshëm sesi autori i arsyeton dhe amniston politikën zyrtare serbe, duke ia hedhur të gjitha fajet nëntokës së Beogradit. Autori vazhdon: “Derisa zyrtarët e kualifikuar preferonin të rrinin në Serbinë Qendrore, në funksionet e larta në Kosovë u ngjitën shumë avanturierë, si dhe kriminelë nga nëntoka e Beogradit; paramilitarët frikësonin popullsinë. Kosova dhe Maqedonia e Vardarit, e cila po ashtu ishte (të cilat po ashtu ishin – J.K.) pushtuar nga Serbia, qeverisesishin nga një shtresë zyrtarësh të korruptuar, ndërsa popullsia joserbe terrorizohej prej njësive të parregullta. […] Korrupsioni dhe keqmenaxhimi(sic! – J. K.) nga ana e administratës serbe në territoret e pushtuara morën përmasa groteske dhe bashkë me krimet e luftës ishin tallje ndaj pretendimit se në Kosovë po sillej civilizimi.” (Faqe 142). Për autorin, krejt ajo që ndodhte gjatë viteve 1912-1999 e quante “yshtje të dhunës kundër joserbëve” (po aty). Bindja ime është se autori me këto konstatime është përpjekur t’i amnistojë regjimet e dy jugosllavive, politikat e tyre të dominimit e të shfarosjes se joserbëve (shqiptarëve, – J.K.) në Kosovë e në Maqedoninë Perëndimore. Me këtë Oliver Jens Schmitt ka amnistuar të gjitha pushtetet që ishin në shërbim të atyre politikave shfarosëse, si të qeverive, të gjykatave, të fesë, të ASHAS-së dhe të mediave serbe gjithë deri në ditët tona. Dhe kësaj unë nuk mund t’i them shkencë e as ta falënderoj autorin. Përse politikat qeveritare serbe e jugosllave “nuk mund” të gjenin administratorë të mirë, çka nuk ishte qëllimi i tyre dhe as kolonizatorë të mjaftueshëm për t’i dominuar shqiptarët në Kosovë e në Maqedoninë Perëndimore, nuk mund të mohohet qëllimi i tyre programor që as autorët serbë nuk e kanë mohuar asnjëherë deri më sot. As korrupsioni si fenomen nuk e kishte formën që ka sot, ndonëse ai nuk mungonte. Policia e tyre, kufitare e rrugore, edhe sot e gjithë ditën i plaçkisin udhëtarët shqiptarë kur kalojnë nëpër Serbi, pavarësisht faktit nëse kanë apo jo nënshtetësi zvicerane, gjermane, suedeze, shqiptare, madje edhe pashaporta serbe! Në faqën 143 të librit autori jep një konstatim të gabuar kur thotë: “Pas vitit 1918 Serbia kërkoi çmimin për meritat e saj, ndërsa fuqitë e mëdha i konsideronin shqiptarët e Kosovës si grup armiqësor”. Më saktë do të ishte po të thuhej, Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore. Por, edhe këtu ka një përparim, emri i shqiptarëve nuk shoqërohet me cilësorin musliman. Gjersa në faqen 145 jep një të dhënë krejt të gabuar kur thotë: “Në vitin 1918 serbët në Kosovë përbënin një të tretën e popullsisë”. Për të njëjtën gjë, Noel Malcolm në librin “Kosova – një histori e shkurtër”, në faqen 293 shkruan: “Gjorgje Kërstiqi, një zyrtar serb, duke paraqitur, më 1928, programin e kolonizimit si një ‘sukses’ të madh demografik, pohon: ndërsa, ‘ne’ ishim vetëm 24 për qind e popullsisë së Kosovës, më 1919, tashti numri ynë është shtuar në 38 për qind.” Pra, Z. Schmitt, cila është e vërteta?


Po ashtu, e konsideroj një pasaktësi jo të vogël të autorit Jens edhe kur thotë: “Pas vitit 1920 kaçakët sulmuan fshatrat serbe, por edhe shqiptarët, të cilët bashkëpunonin me autoritetet (e pushtetit – J.K). Pasojë e këtij konflikti ishte një polarizim enorm etnik”. Konsideroj që këtu ka shumë pasaktësi, duke qenë se kaçakët kanë zhvilluar luftime mbrojtëse dhe kryesisht kundër forcave policore e ushtarake serbe, gjithnjë në mbrojtje të familjes e të pasurisë familjare dhe sigurisht edhe për bashkimin me Shqipërinë, që ishte aspiratë e popullit shqiptar. Luftërat e shqiptarëve të Kosovës në asnjë kohë nuk kanë qenë kundër serbëve të Kosovës pasi ata gjithnjë ishin pakicë, por kundër politikave pushtuese, dëbuese e shfarosëse të Beogradit. Ndërsa për sa u përket bashkëpunëtorëve të armikut në atë kohë e as më vonë, as në Evropë nuk ka pasur ndonjë mirëkuptim që meriton vëmendje dhe se “sulmi mbi bashkëpunëtorët e autoriteteve” as që mund të konsiderohet specialitet i kaçakëve të Kosovës. Për Lëvizjen Kaçake, Noel Malcolmi në librin e përmendur më lart, në faqën 289 shkruan: “Në një sulm të papritur në fshatin e tij (në Galicë, fjala është për Azem Bejtën, – J.K.), u vranë pothuajse të gjithë bashkëluftëtarët e tij, kurse Azem Bejta i plagosur rëndë, iku në një shpellë në male, por vdiq atje më 24 korrik.” Sulmi ishte bërë pas një marrëveshjeje armëpushimi mes pushtetit të Beogradit dhe Azem Bejtës, shkruan autori i përmendur. Si përfundim të luftës së kaçakëve, Noel Malcolmi konstaton: “Kaçakët arritën vetëm dy gjëra: së pari, ata bënë një demonstrim simbolik të faktit se shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk e pranonte legjitimitetin e sundimit serb ose jugosllav dhe, së dyti, ata, në të vërtetë e penguan mjaft realizimin e programit të kolonizimit deri në atë shkallë saqë as kolonistët eventualë nuk kishin dëshirë që të shkonin në Kosovë, kurse shumë të tjerë u kthyen në shtëpitë e tyre” (faqe 290). I mbetet lexuesit t’i bëjë krahasimet mes këtyre dy autorëve të huaj, gjithsesi dashamirës ndaj shqiptarëve.


                Oliver Jens Schmitti vazhdon të ketë një shpjegim të paqëndrueshëm edhe për sa i përket demonstratave të shqiptarëve të vitit 1968, për të cilat shkruan: “Pasi ishte lejuar përdorimi i flamurit shqiptar, në shumë qytete të Kosovës u zhvilluan demonstrata nacionale shqiptare, të cilat u shoqëruan me aksione të dhunshme” (faqe 180). Në atë kohë në shumë vende (qytete) të Evropës janë zhvilluar demonstrata, madje edhe në Beograd dhe sjelljet e demonstruesve kudo kanë qenë pothuajse të njëjta, por askund nuk është përdor dhunë nga pushtetmbajtësit si në Kosovë dhe kjo nuk është e paditur për shkencën apo edhe për politikën. Schmitti nuk ndalet shumë në kërkesat bosht të shqiptarëve e të cilat ishin: Kosova Republikë, kërkesa për Universitet dhe Kushtetutë, por për t’i devalvuar apo minimizuar ato demonstrime, si “mëkat” ua mvesh atyre brohoritjen për Enver Hoxhën, që edhe mund të këtë qenë një brohoritje sporodake dhe thuaja periferike në instancë të fundit meqenëse kërkesat ishin për avancimin e statusit politik të shqiptarëve në kuadër të Federatës Jugosllave dhe nuk ishin për bashkimin me Shqipërinë, ndonëse për ilegalen shqiptare, aspirata për bashkim nuk ishte e huaj. E përmenda këtë fakt, se autori të njëjtën gjë do ta përsëritë për Demonstratat e vitit 1981, ku shkruan: “Dhjetëra e mijëra shqiptarë të Kosovës (dhe lehtë mund të thuhej: qindra mijëra! – J.K.) demonstruan pjesërisht dhunshëm, kërkuan statusin e Republikës për Kosovën dhe i brohoritën diktatorit shqiptar Enver Hoxha”. Për të njajten ngjarje Misha Glenny në librin e tij Historia e Ballkanit 1804-1999, në faqën 624, shkruan: “Ajo çka kërkonin kosovarët (lexo: shqiptarët, – J.K.), ishte barazia me kombësitë e tjera në Jugosllavi dhe lëvizja e tyre në thelb ishte një rilindje e çelur vonë, ata nuk kërkonin vetëvendosje për krahinën, por këmbëngulnin që Krahina Autonome Socialiste e Kosovës të bëhej republikë”. Ngjashëm, një vezhgues më i afërt i atyre ngjarjeve, gazetari Victor Meier në librin e tij “Fundi i Jugosllavisë, goditja në Kosovë” shkruan: “Por nga ana tjetër, protestuesit në Kosovë nuk shprehnin ndonjë simpati të madhe për regjimin e Enver Hoxhës; për ta, në plan të parë vinte çështja kombëtare” (faqe 52). Ndërsa, për kërkesat e shqiptarëve, N. Malcolmi thotë se ishin: “I duam shokët”, “Për kë punon Trepça”, “Kosova Republikë”, “Ne jemi shqiptarë – nuk jemi jugoslavë!”, “Duam të bashkohemi me Shqipërinë” dhe “Roftë Adem Demaçi” (faqe 348 – 349). Ndoshta më larg se të gjithë, për demonstratat e vitit 1981 shkon Serge Metais, në librin “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Ai konstaton: “Madje mund të thuhet se, më 1981, qendra e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, ashtu si më 1878 apo si në pragun e pavarësisë së konfiskuar më 1912, nuk ishte në Tiranë dhe në Shqipërinë bregdetare, por pikërisht në Kosovë. Pikërisht andej po vinte kushtrimi i luftës për lirinë e shqiptarëve. Sigurisht, thotë ai , Tirana kishte dhënë ndihmesën e saj, por padashur” (faqe 347). Por, të njëjtat ngjarje, Schmitti i vlerëson krejt ndryshe, derisa në faqen 233 shkruan: “Trazirat e vitit 1981 paraqesin fillimin e krizës politike dhe socioekonomike të Kosovës, e cila zgjati më shumë se një çerekshekull. Nxitësit dhe përkrahësit e trazirave janë bashkëpërgjegjës për ashpërsimin e gjendjes në vitet tetëdhjetë. Ata dëshironin të impononin dominimin shqiptar në Kosovë”. Për Victor Meierin “terrori i ushtruar kundër ‘nacionalistëve’ ishte i natyrës ofensive, që do të thotë se armiqtë e popullit jugosllav kërkoheshin në menyrë aktive, dhe aty ku nuk gjendeshin, krijoheshin” (faqe 56). Po i njëjti autor, duke folur për Memorandumin serb të ASHAS-së dhe për politikat e tij nacionaliste thotë: “Në dorën e një politikani të shkathët dhe brutal si Millosheviçi, memorandumi u shndërrua në veglën e përkryer të torturës etnike”. (faqe 84) Zhvillimet e mëvonshme që ndodhën në hapësirën e Federatës Jugosllave e konfirmojnë katërcipërisht konstatimin e Meierit.


                E gjithë qasja e autorit, Oliver Jens Schmitt për ngjarjet e vitit 1981 është pothuajse në të njëjtit binar me qasjen e politikës historiografike serbe. Për shembull, ai në faqën 236 shkruan: “Pa dyshim shoqëria fshatare e Kosovës (çfarë ndarjeje u bën qytetarëve të Kosovës?! Sikur të ishte gjakovar i viteve të ’70-ta! – J.K), nuk mbeti e paprekur nga etnizimi. Sulmet kundër bujqve serbë dhe pronës së tyre u shtuan që nga vitet e shtatëdhjetë. Krahas shkaqeve ekonomike këto sulme hynë në mesin e shkaqeve të shpërnguljes. Po ashtu shumë serbë ishin të pakënaqur me dominimin politik të shqiptarëve të Kosovës dhe e ndienin veten të lënë pas dore”. Nuk e di si dhe pse vjen në përfundime të tilla një shkencëtar siç është Oliver Schmiti?! Po për këtë çështje, autori Raymond Detrez në librin “Kosova – një luftë e shtyrë”, shkruan: “Kuptohet që të gjitha këto ndodhnin në të vërtetë, por ishin ngjarje sporadike dhe nuk kishin një karakter sistematik”. (Faqe 73). Ndërsa për ndjenjën e pasigurisë autori do të thotë: “Ndjenja e pasigurisë si motiv emigrimi, ishte padyshim, më reale se vetë pasiguria”. (Po aty). Në faqen vijuese, autori për emigrimin, shkruan: “Së pari, emigrimi në masë nga fshati në qytet, ishte një fenomen që ndodhte në tërë Jugosllavinë. Serbët e Kosovës largoheshin për në Beograd. Së dyti, shumica e emigrantëve serbë nga ato troje në Kosovë, ku serbët përbënin shumicën ku edhe presioni shqiptar ishte minimal. Së treti, vetë shqiptarët në shifra relativisht të mëdha largoheshin për të njëjtat arsye nga Kosova”. Sa i përket luftës për të drejtat e serbëve, autori me të drejtë thotë se “… ajo që kërkonin serbët, ishte ruajtja jo e të drejtave, por e privilegjeve të tyre të vjetra, me të cilët kosovarët (lexo shqiptarët, – J.K), “paguanin” autonominë e tyre”. (faqe 74). Ashtu siç po e paguajnë sot pavarësinë e Kosovës, duke i ruajtur privilegjet e jo të drejtat e tyre njerëzore e etnike. Ndërsa për dhunimet e grave e vajzave serbe që ishte një akuzë tjetër serbe në drejtim të shqiptarëve, historiani britanez, Noel Malcolm thotë: “E vetmja analizë serioze e kësaj çështje u bë nga një komitet i juristëve serbë dhe i ekspertëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, më 1990. Duke i analizuar të gjitha statistikat e dhunimeve dhe të përpjekjeve për dhunime të viteve ’80-të, ata konstatuan, së pari, se shpejtësia e këtij krimi ishte shumë më e ultë në Kosovë sesa në pjesët të tjera të Jugosllavisë; së dyti, ndërsa në Serbinë e ngushtë, mesatarja ishte 2.43 raste në vit në çdo 10.000 banorë, shifra për Kosovë ishte 0,96. Përos kësaj, ata konstatuan se në shumicën e rasteve në Kosovë (71%), sulmuesi dhe viktima ishin të po të njëjtit komb. Numri i përgjithshëm i rasteve, ku shqiptarët kishin bërë dhunime, ose ishin përpjekur të dhunonin femra serbe, ishte vetëm 31, gjatë tërë periudhës prej vitit 1982 deri më 1989; një mesatare nga më pak se 5 raste në vit”. (Faqe 353). Edhe për sa i përket natalitetit të shqiptarëve, qëndrimet e Oliver Schmittit nuk dallojnë shumë nga qëndrimi zyrtar i politikës serbe, i cili qëndrim ishte më shumë se përbuzës, por për atë nuk do të ndalem më shumë, pasi kjo periudhë, 1981-1990, ka dobësi të shumta ose thënë më se buti është e përmbysur me kokë poshtë.


Jam i bindur se sikur autori, historiani, studiuesi Oliver Jens Schmitt, të kishte shfletuar shtypin e vendeve gjermanfolëse të kohës (të Gjermanisë, të Austrisë e të Zvicrës), nuk do të vinte në këto përfundime joshkencore dhe të gabuara, qofshin edhe vetëm këto konstatime që u cekën në këtë analizë. Përpjekja për të mbajtur balanca në çdo gjë dhe me çdo kusht, nuk mund të mos çojë në përfundime e konstatime të gabuara. Ndërsa, krejt në fund, lexuesit ia kujtoj se për periudhën që kemi në shqyrtim, kam shkruar dy libra, dhe asnjë citim nuk solla këtu nga të dhënat e shtypit të kohës, i cili për “tezat” e Schmitit edhe nuk do të ishte fort i këndshëm. Kryesisht jam përqendruar, duke shkëputur vlerësime nga autorët e huaj, edhe për të mos u zgjatur, çfarë nuk ishte qëllimi im, edhe për të bindur Z. Schmitt se diçka nuk është në rregull me “shkencën balancuese” të tij…


 


 III


 


                Në kapitullin e tretë, edhe pse të titulluar “Kosova si protektorat ndërkombëtar (1999-2008)”, Oliver Jens Schmitti kryesisht merret me “fajet” e UÇK-së dhe fare pak me Administrimin Ndërkombëtar të Kosovës, si barrë apo si lehtësim për zhvillimin e demokracinë për një vend të porsaçliruar. Autori ynë sikur e ka për ëndje ta demonizojë skajshmërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe “mbase” shumëçka që është bërë në emër të saj edhe në vitet kur ajo nuk ka ekzistuar. Nuk mund ta ngarkosh me faje UÇK-në (si organizim politik dhe ushtarak) për kohën kur ajo nuk ka ekzistuar, edhe nëse keqbërës të ndryshëm kanë vazhduar t’i keqpërdorin ato tri shkronja që shndërritën dhe do të shëndërrsin gjithmonë. Për faktin se pjestarët e UÇK-së kanë kryer një mision të rëndësishëm kombëtar, aspiratën e brezave për çlirim kombëtar. Këtë Schmitti do të duhej ta dinte! Por jo vetëm kaq, autori sikur ka marrë, të paktën, njëfarë misioni çudibërës për t’i barazuar krimet dhe gjenocidin e regjimit serb të Millosheviçit me “krimet” e “kryera” pas luftës në Kosovë nga UÇK-ja e demilitarizuar, atëbotë (mbase më saktë: tashmë!) nën ombrellën e UNMIK-ut. Dhe jo vetëm e demilitarizuar, por edhe çdo organ i saj, në të gjitha nivelet e saja ishin të shpërbëra dhe aspak nuk ishin funksionale. Pse ajo vazhdonte të ishte një “gogol” i imagjinuar, nuk është çështje apo “dobësi” e saj, sa të stigmatizohet koti.


Për ta përforcuar edhe më këtë, dua të them se për periudhën në fjalë edhe unë kam pasur vërejtje të shumta, të shfaqura edhe publikisht, po ashtu edhe për shtrembërimet që u bëheshin idealeve të çlirimtarëve qoftë nga komandantët e luftës apo ata të pasluftës, por që gjithsesi nuk ishin veprime të UÇK-së. Për këtë çështje Oliver Jens Schmitti shkruan: “UÇK-ja filloi me dëbimet gjithëpërfshirëse të serbëve dhe romëve; këta të fundit u akuzuan për bashkëpunim me autoritetet serbe. Edhe kësaj here pala shqiptare e Kosovës u tregua si imituese e politikës serbe” (faqe 263). Pa dashur t’i mohoj veprimet individualiste të njerëzve të frustruar nga fatkeqësitë që ua kishte sjellë lufta dhe pushtimi i gjatë e i egër i politikës shoviniste të qeveritarëve në Beograd, ato veprime që i thekson autori në asnjë formë nuk kanë qenë organizim i ndonjë politike shqiptare dhe as i politikës çlirimtare të UÇK-së. Dhe si të tilla në asnjë formë ato veprime nuk mund të quhen “si imitim i politikës serbe”, siç konstaton autori. Është e vërtetë që ka pasur krime ordinere, tepër të dëmshme e jocivilizuese mbi pjesëtarë të komunitetit serb e rom në Kosovë dhe jo vetëm mbi ta, por jo ashtu si thotë autori. Gjithashtu, është e vërtetë se ka pasur serbë e romë të larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, por edhe një pjesë e tyre, duke qenë nën psikologjinë e peshës së fajit, së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe janë larguar nga Kosova. Prandaj Republika e Kosovës, në hallin e saj financiar, është duke financuar në riatdhesimin e qytetarëve të saj që nuk kanë qenë pjesë e veprimeve kriminale. Sikundër ka financuar në riparimin e dëmeve të kryera në ngjarjet e marsit 2004 gjë e ditur kjo botërisht. Ndërsa Serbia, për dëmet e shumta që u ka shkaktuar shqiptarëve, dhe dëmet janë kolasale, nuk ka paguar asnjë qindarkë. Në faqën 268 të librit, Schmitti sikur nxjerr një konstatim politik të thënë në kafenetë, zanzibaret e tymosura të Prishtinës, apo meihaneve që veç ai i di, kur konstaton: “Gjatë kultivimit të imazhit të saj UÇK-ja pretendonte se NATO-ja kishte qenë forca e saj ajrore dhe ajo, jo NATO-ja, e paskësh arritur fitoren kundër Serbisë. Sado i pavërtetë që është ky përfundim, sepse UÇK-ja në luftë me armatën serbe do të ishte mposhtur si në vitin 1998, prapëseprapë UÇK-ja e mbështeste pretendimin e saj për pushtet në mitin e suksesit të saj ushtarak. Në vijim lartësimi i ‘martirëve’ të UÇK-së mori përmasa pothuajse religjioze. Me mitin për fitoren në fushëbetejë guerilja u pozicionua jo vetëm në shoqërinë shqiptare të Kosovës, por edhe kundër KFOR-it. Kështu që në fillim të pretektoratit të Kombeve të Bashkuara ajo paraqiste një sfidë të hapur.” Konstatoj se në këtë paragraf autori ka grumbulluar pasaktësi të shumta, të cilave duhet t’u shkoj me radhë. Nuk e di nga cili burim e nxjerr autori këtë konstatim dhe a i lejohet nivelit të këtij shkencëtari përfundimi se “UÇK-ja pretendonte se NATO-ja kishte qenë forca e saj ajrore.” Kush është ai fëmijë, qoftë edhe me shkollë fillore që nuk e di dhe nuk e njeh fuqinë ushtarake të NATO-s, sidomos tani pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës? Është fakt që NATO-ja e ka arritur fitoren, por sa do të lëvizte NATO pa veprimet luftarake të UÇK-së dhe a ka ndodhur ndonjë veprim i tillë i NATO-s në gjithë historinë e saj të ekzistimit? I gabuar është edhe konstatimi i prerë se “armata serbe do ta mposhte si në vitin 1998” UÇK-në, ndërsa UÇK-ja mobilizimin e saj më të madh e ka pasur në vjeshtën e vitit 1998. Për shqiptarët dhe pjesëtarët e UÇK-së më e rendësishme madje do të thoja edhe tepër jetike ishte çlirimi i Kosovës nga pushtimi i gjatë. Ata ishin të kënaqur, së pari, që ishin të lirë dhe, së dyti, pse kishin arritur të bënin aleatë siç ishin NATO-ja, SHBA-të, BE-ja dhe Bashkësia Ndërkombëtare. Autori heziton ta thotë edhe një fakt, pse komuniteti ndërkombëtar nuk e lejonte bashkimin e shqiptarëve në luftën çlirimtare? Prej nga e nxjerr autori këtë përfundim? Pastaj, autorin e shqetëson edhe fakti i lartësimit të “martirëve” të UÇK-së!!! Po cili popull i robëruar i botës nuk i ka lartësuar dëshmorët e vet. Le ta thotë qoftë edhe vetëm një fakt? Ndërsa unë mendoj që është tëpër vështirë të gjesh edhe një rast në botë që të jenë më mosmirënjohes të vetvetes sesa te shqiptarët. Madje të rënët, edhe kur ka ndodhur kjo në luftërat pushtuese, kombet e botës edhe europerëndimorët, jo pak herë u bëjnë nderime edhe pas dekadave të përfundimeve të aksioneve ushtarake. Kujtoni dhe nderimet që populli amerikan ua bën luftëtarëve të Vietnamit, veç kësaj për shumë vite në SHBA edhe kandidatët për president gëzonin respekt nëse ishin pjesëtarë të luftës së Vietnamit. Lufta nën flamurin amerikan, kurdo e kudo merrej si përparësi. Përse neve duhet të vepronim ndryshe? Ndërsa, në literaturën politike e ushtarake, UÇK-ja është konsideruar e konsiderohet guerilja më e suksesshme në historinë e të gjitha guerileve botërore, ndonëse UÇK-ja ishte më shumë se guerile. Gjatë gjithë këtyre viteve, as populli shqiptar e as UÇK-ja, jo vetëm që nuk kanë qenë kundër KFOR-it, por kanë pasur dhe kanë konsiderata të larta për të. Gjithashtu edhe përsa i përket Administrimit Ndërkombëtar, shqiptarët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, kanë vazhduar për vite të kenë qendrim inferiorë. Prandaj asnjë nga konstatimet e përmendura të autorit nuk u bëjnë ballë fakteve historike të realitetit të Kosovës. Natyrisht që, jo vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së, por asnjë shqiptar nuk do ta pranonte, pas gjithë atyre viktimave dhe dëmeve të shumta të shkaktuara nga regjimet e Beogradit për gati 100 vjet, ta riniste jetën sërish nën Serbinë e Millosheviçit dhe të trashëgimtarëve të tij.


                Mbase ia vlen ta shohim se si e kanë vlerësuar UÇK-në edhe autorë të tjerë të huaj. Pasi ata vlerësimet i kanë pa emocione dhe si të tilla, gjithsesi janë më realiste apo kuptohen si të tilla. Ta shohim se çka thotë Misha Glenny në librin e tij “Historia e Ballkanit (1804-1999)”. Ai shkruan: “Politika e vetëpërmbajtjes e ndjekur nga Rugova bëri që Kosova të mbetej në paqe gjatë gjithë kohës së luftërave në Kroaci e Bosnjë. Mirëpo kjo paqe u shoqërua nga një gjendje stanjacioni politik dhe nga vazhdimi i shtypjes sistematike mbi shqiptarët”. (Faqe 653). Më pas autori vazhdon: “Mësymja serbe në Drenicë pati tri pasoja, që Millosheviçi thuajse me siguri i kishte parashikuar. Së pari, UÇK-ja erdhi duke u bërë dita-ditës më e fuqishme, sepse mijëra të rinj shqiptarë mbushën radhët e saj. Së dyi, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë më shumë në çështjet e këtij konflikti. Së treti, stabiliteti rajonal u turbullua nga polarizimi i shoqërisë malazeze dhe nga ngritja e tensionit në vendet fqinje, sidomos në Shqipëri e në Maqedoni”. (Faqe 655). Një konstatim mjaft interesant e gjejmë te libri i Raymond Detrez “Kosova – luftë e shtyrë”, ku thuhet: “Ndoshta edhe UÇK-ja vetë nuk besonte të ishte në gjendje të ‘çlironte’ Kosovën, përfshirë qytetet e mëdha dhe thjesht provonte atë taktikë që në Ballkan ishte provuar me dhjetëra herë – disa herë me sukses: organizimi i një kryengritje të armatosur, kur dihet se kundërshtari do të kundërveprojë me dhunë të jashtëzakonshme, duke synuar kështu ndërhyrje nga jashtë, që sjell zgjidhjen e pritur politike”. (Faqe 137). Për rolin e UÇK-aë në çlirimin e Kosovës, ndoshta vlerësimin më të saktë e jep Serge Metais në librin e cituar, “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Ai shkruan: “Sigurisht, opinioni publik perëndimor ishte i ndjeshëm ndaj padrejtësisë që po u bëhej shqiptarëve, mirëpo për të ky nuk ishte veçse një nga rastet e panumërta të padrejtësive në këtë botë. Dhe, për sa kohë që nuk kishte përleshje të përgjakshme, Kosova nuk kishte as sesi të zinte faqet e para të gazetave, as sesi të mallëngjente me të vërtetë ndokënd. U desht të shpërthente një luftë e re në ish-Jugosllavi (dhe pamjet e saj të përhapura përmes televizionit), në mënyrë që udhëheqësit perëndimorë të bindeshin se kësaj radhe nevojitej të ndërhyhej ushtarakisht. Kjo luftë u nis nga UÇK-ja në pranverën e vitit 1998”. Ndërsa për Noel Malcolmin, si për shumë autorë të tjerë, “meritat” për formimin e UÇK-së i përkisnin politikës shtypëse të Sllobodan Millosheviçit. Ai në parathënien e librit të cituar “Kosova – një histori e shkurtër” (botimi i dytë), shkruan: “Politika serbe nxiti shtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekzistimi i së cilës atëbotë, u mor si pretekst i fushatës serbe të shkatërrimit të fshatrave të Kosovës në verën e vitit 1998. Së këndejmi, përpjekjet e qeverive të Perëndimit për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, bazë e se cilës ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës, dolën të pasuksesshme”. Në këtë rrafsh, ndoshta më i qarti është John G. Stoessinnger, i cili në librin e tij “Përse kombet shkojnë në luftë”, shkruan: “Nuk është për t’u çuditur që pas çdo barbarie radhët e UÇK-së shtoheshin në numër dhe me vrull. Nga pikëpamja historike Millosheviqi mund të dukej fare mirë si shef rekrutimi pa dashje i UÇK-së”. (Faqe 153). Nëse kështu flasin shumë autorë që kanë bërë emër në fushat e dijes dhe vlerësimet e tyre janë shumë të përafërta, atëherë cila është mundësia e barazpeshimit të dhunës e krimeve të qeveritarëve të Beogradit me atë të shqiptarëve të Kosovës?! Dhe shumica prej tyre i konfirmojnë meritat dhe sukseset që natyrshëm i shkojnë, kujt tjetër veçse Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politikës së saj të vendosur, liridashëse dhe largpamëse. Veprimet individualiste me nota të theksuara kriminale, qofshin ato të pjesëtarëve të vërtetë apo të rremë të pas Luftës Çlirimtare apo kushdo qofshin ata, nuk i japin askujt të drejtë t’i përdhosë apo nëpërkëmbë idealët e dëshmorëve e as idealet e kombit shqiptar për liri, pavarësi e demokraci. Qoftë ky edhe një shkencëtar i madh. Historia na ka mësuar se edhe shkencëtarët e nobelistët e mëdhenj kanë gabuar. Nga gabimet nuk duhet pretenduar të largohet askush, jo më kotë thuhet se “kush punon gabon”.


                Për rrugën e shtetndërtimit të Kosovës është marrë edhe Marc Velleri, profesor dhe studiues i të Drejtës ndërkombëtare, pjesëmarrës i Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën dhe këshilltar ligjor i Delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës. Pra kemi të bëjmë me një njohës të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe angazhimit ndërkombëtar për Kosovën. Ai, në librin e tij “Shtetësia e kontestuar – Administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”, shkruan: “Përmbyllja e Marrëveshjes së Daytonit pa u përmendur Kosova në të, në thelb e minoi besueshmërinë e qeverisë Rugova (Bukoshi – J.K.). Haptazi rezistenca pasive kishte dështuar […] Në këtë klimë dekurajuese, ata që kishin insistuar për zgjidhje ushtarake menjëherë u bënë me ndikim”. (Faqe 144). Autori për drejtuesit e UÇK-së, të cilëve jo pak herë, kundërshtarët politikë dhe armiqtë e lirisë së Kosovës ua mvishnin petkun ideologjik, ai thotë se “qasja e tyre ishte më pak ideologjike e më shumë pragmatike”. (Faqe 145). Sipas autorit të përmendur, “jo të gjitha mjetet që po mblidhte diaspora shqiptare po shkonin për të financuar fushatën e armatosur të UÇK-së”. (Faqe 145). Përveç kësaj, Veller thotë: “Shqipëria iu nënshtrua një trysnie të madhe që ta kufizonte kontrabandën e armëve për në Kosovë dhe që t’i mbyllte bazat e trajnimit dhe të furnizimit të UÇK-së në territorin e saj”. (Faqe 147). “Me gjithë presionin e madh ndërkombëtar, qeveria shqiptare nuk u dakordua që komuniteti ndërkombëtar ta monitoronte kufirin e Shqipërisë me Kosovën.” (Faqe 148). “Ndoshta përvoja e kishte mësuar  për  të avancuar kauzën e shqiptarëve të Kosovës”. (Faqe 149). Janë shumë interesante disa konstatime të Mark Vellerit për luftimet e pranverës së vitit 1998, e sidomos ofensivën e verës së së këtij viti. Ai thotë: “…Duke e zhvendosur UÇK-në nga disa zona për të cilat thoshte se i kontrollonte. Thuhej se ky veprim nuk ishte kundërshtuar ndërkombëtarisht, sepse qëllimi ishte  të evitohej që UÇK-ja të kishte një rol dominues në negociatat që po vinin”. (Faqe 158). Dhe qellimi i asaj strategjie, gjithnjë sipas autorit ishte “që UÇK-ja të mos ishte në pozitë për ta penguar marrëveshjen të paraparë nga bashkësia ndërkombëtare”. (Faqe 159). Ngjashëm me këtë, shkruan edhe James Pettifer në librin e tij “Ekspres Kosova”, ku autori shkruan: “Në Perëndim komentatorë, si Carl Bildti, gjithnjë kishin kërkuar një forcë kontrollimi të kufirit për ta vënë nën fre dhe për ta mbyllur hesapin me UÇK-në”. Ja pse shqiptarët dhe UÇK-ja nuk patën mundësi ta çlironin vetë vendin e tyre të pushtuar. Por riorganizimi i shpejtë i UÇK-së në vjeshtën e vitit 1998 dhe kthimi i territoreve të humbura gjatë ofensivës së verës, bëri siç edhe konstaton autori që: “UÇK-ja dhe palët që e përkrahnin, tash haptazi po e sfidonin legjitimitetin e qeverisë së Rugovës (Bukoshit, J.K), duke thënë se ajo, në të vërtetë, kurrë nuk ka ekzistuar”. (Po aty).


                Situata e krijuar në terren, sulmet e policisë e të ushtrisë serbe mbi popullsinë civile, kriza humanitare që po dukej në horizont, kishte bërë që Këshilli i Sigurimit të miratonte Rezolutën 1199. Një ditë më vonë, “më 24 shtator 1998, Këshilli Veriatlantik miratoi ACTWARN-in – vendimin për një operacion ajror të kufizuar dhe një fushatë ajrore të përshkallëzuar në Kosovë, duke e shpënë NATO-n në një nivel më të lartë të gatishmërisë”. (Faqe 173). Ndoshta është e saktë ajo që thotë Schmitti se: “UÇK-ja në luftë me armatën serbe do të ishte mposhtur si në vitin 1998”, edhe pse ky konstatim vetëm pjesërisht mund të jetë i saktë, ndonëse askush deri më sot nuk e ka kontestuar gatishmërinë e pjesëtarëve të UÇK-së, e cila, siç thotë James Pettifer: “UÇK-ja është popullsia e Kosovës, as më shumë e as më pak. Ajo përbëhej prej idealistësh, cinikësh, burrash, grash, pleqsh, të rinjsh, të dëshpëruarish dhe shpresëmëdhenjsh. Të tilla janë të gjitha lëvizjet e rezistencës […] Shekspiri na tregon se hakmarrja disa herë mund të jetë e vetmja formë e drejtësisë”. (Faqe 281). Ndërsa, konkretisht, për gatishmërinë e njerëzve të UÇK-së shkruan: “Gatishmëria e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e njerëzve që punonin me ta për të dhënë jetën kishte arritur brenda dy vjetësh më tepër sesa Lidhja Demokratike në dhjetë vjet”. (Faqe 304). Nga të gjitha këto që na i thonë autorët e ndryshëm, janë një dëshmi e pakontestuar, se ishin bërë jo pak përpjekje ndërkombëtare për të penguar ngritjen dhe forcimin e UÇK-së me qëllimin e vetëm për t’i ofruar popullit shqiptar të Kosovës një zgjidhje autonomiste dhe pengesë kryesore për këtë ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtë e konfirmon, madje edhe mbshtetësja më e madhe e shqiptarëve të Kosovës, ish-Sekretarja e SHBA-ve, zonja Albricht në librin e saj “Zonja Sekretare”, e cila thotë: “Ne kërkonim të bindnim shqiptarët e moderuar, duke nxitur dialogun me Beogradin, që kishte për qëllim rivendosjen e autonomisë së Kosovës, dhe nuk donim që UÇK-ja të gjente mbështetje në Botë. Gjithashtu kërkonim rrugë të reja për të ndihmuar forcat që ishin për demokracinë në Jugosllavi sepse besonim se problemet e Kosovës dhe të rajonit nuk do të zgjidheshin përpara se Millosheviçi të largohej nga pushteti”. (Faqe 443). Mjaft ngjashëm për këtë çështje flet edhe Presidenti Bill Clinton në librin e tij “Jeta ime”, kur thotë: “Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë-hije, ishte një njeri fjalëbutë, që kishte zakonin të vinte një shall rreth qafës. Isha i bindur se mund të arrinim një marrëveshje paqeje me të, por nuk isha aq i sigurt për fraksionin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. (Faqe 713). Kur njeriu i ka parasysh të gjitha këto që u thanë, s’ka si të mos e krijojë bindjen se sido që ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me të mirat e të metat e saj, ishte faktori kryesor që Kosovës dhe popullit të saj ua hapi perspektivën e lirisë e të pavarësisë. S’ka gjë më të ligë, kushdoqofshin ata, që pretendojnë t’i ngatërrojnë e unisojnë idealet çlirimtare të pjesëtarëve të UÇK-së, me veprimet kriminale a babëziste, të kujtdo që ka shfaqur veprime të tilla në vitet e pas luftës çlirimtare. Janë këto gjëra kaq kundërthënëse dhe është më shumë se absurditet çdo tentim për t’i bashkuar gjërat që nuk mund të bashkohen dot. Dhe me këtë të vërtetë të pakontestueshme historike, në asnjë mënyrë nuk mohohet roli i Aleancës Veriatlantike, në lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.


                Unë, si qytetar i Kosovës, nga fshati dhe qyteti i Kosovës nuk po mund ta di nga cili standard evropian e ka nxjerrë këtë ndarje të njerëzve dhe çfarë kuptimi ka nga kjo ndarje, fshatar – qytetar, siç e bën akademiku Schmitt. Ta shohim se si e shfaq, ai këtë ndarje, kur thotë: “Ushtarët e UÇK-së me origjinë nga fshati shkelën dhe flakën shumëçka që ishte arritur në emancipimin e femrës në kohën e Jugosllavisë”. (Faqe 270). Kjo që e thotë Oliver Schmitti në librin e tij, unë nuk mund të besoj se është përfundim shkencor i akademikut Schmitt, ndërsa mënyra se si është futur në këtë qorrsokak, nuk është puna ime që ta nxjerr nga ai. Le ta nxjerrin ata që e kanë futur, nostalgjikët e Jugosllavisë Socialiste. Thënia se ushtarët e “UÇK-së flakën shumëçka që ishte arritur në emancipimin e femrës në kohën e Jugosllavisë”, thënë më se buti është gënjeshtër e turpshme dhe nuk besoj që i beson edhe vetë autori i nënshkruar. Shqiptarët e Koosvës, pas luftës çlirimtare, sigurisht që kanë probleme të shumta të trashëguara, ka ndoshta edhe ndonjë tendencë të vetëfundamentalizmit mjeran, të shkëputur nga tradita kombëtare shqiptare dhe vlerat që afron kjo traditë, që nuk marrin vesh apo s’duan t’ia dinë rolin e emancipimit të gruas e njeriut përgjithësisht, por kjo assesi nuk mund t’i mvishet UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së, mbi 2000 pjesëtarë të saj janë flijuar vetëdijshëm për lirinë, për emancipimin, për arsimin kombëtar, për shtetin ligjor dhe demokratik. Andaj, të më falë akademiku i nderuar, unë nuk mund t’i konsideroj këto “xhevahire” të arritura shkencore.


                Oliver Jens Schmitti, për t’ua bërë qejfin studentëve të tij serbë, kur flet a shkruan edhe për shqiptarët jashtë Kosovës, siç është rasti për shqiptarët e Kosovës Lindore dhe ata të Maqedonisë, kujdeset shumë për të “drejtat” e “liritë” e tyre të avancuara (faqe 273). Por ai nuk gjen rast për të folur për të drejtat e avancuara të serbëve dhe të komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Për ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në Republikën e Kosovës. Atij, ia ka ënda të flasë shumë, kryesisht e vetëm për ekstremizmin shqiptar, pastaj shqiptarët i ndan në pesë-gjashtë shoqëri shqiptare (faqe 293). Si duket ka harruar të flasë edhe për shoqërinë shqiptare në diasporën perëndimore, atë në Turqi, në Greqi dhe në Itali. Madje, përse të mos krijohen shoqëri shqiptare kudo ku është edhe një shqiptar i vetëm. Sigurisht që në secilin komb mund të ketë shoqëri të ndryshme (siç ka edhe në Zvicër, Gjermani, Austri, Francë, Itali etj.),  që i përkasin një kombi. Tanimë kombi, siç e përkufizon çdo fjalor elementar, është një bashkësi gjuhësore, ekonomike, historike, territori dhe bashkësi e një trashëgimie kulturore e psikologjike. Të gjitha këto elemente i plotëson kombi shqiptar në Ballkan, madje nuk është e domosdoshme t’i këtë të gjitha këto që i përmenda. Po ta lëmë të flasë vetë autori ynë, Oliver Jens Schmitt, si i sheh ai ato të drejta dhe pozitën e tyre shoqërore në shtetin e Serbisë e të Maqedonisë. Jens thotë: “Shkupi, BE-ja, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës civile me Marrëveshjen e Ohrit, në të cilën Maqedonia i bëri lëshime të mëdha pakicës shqiptare (13 gusht 2001)”. (Faqe 273). Gjëja e parë që shihet, vërehet dhe nuk shkon në këtë fjali është se, ai nuk e pranon rolin, jo vetëm të përfaqësuesve të popullit shqiptar në Maqedoni, por as rolin tepër të përmbajtur të liderëve të Shqipërisë e të Kosovës.  Si duket, Oliveri gjithë liderët shqiptarë i sheh si pjesë e “krimit të organizuar dhe ekstremizmit politik shqiptar”. (Faqe 273). Pasi jo pak herë në librin e tij e stigmatizon Shqipërinë, historiografinë shqiptare, madje edhe internetin për përhapjen e nacionalizmit shqiptar. Dhe për të gjitha këto, ne duhet ta falënderojmë zotin “akademik”, që po na i hap sytë, të mos i duam të arriturat tona, qofshin ato politike apo shkencore. Dhe kështu po na mëson, se jo vetëm politikës, por edhe shkencës (historisë dhe gjuhësisë) t’ia nisim rishtazi, nga e para. Bukur po na mëson që t’ia fillojmë nga 2013!!! Populli ynë, i “përbërë nga shumë shoqëri”(?!), siç thoni ju, e ka një fjalë të urtë e cila thotë: “Kur gjen shesh, bën përshesh”, ose tjetra: “mih në ujë, se lehtë e bën rrokopujë”!


                Zoti Oliver Jens Schmitt, sipas botëkuptimit dhe formimit tim, besoj që ma jepni të drejtën ta kam këndvështrimin tim! Këto që i thashë deri më tani ishin disa nga anët e dobëta të librit tuaj, ndonëse jo të vetme, por unë konsideroj se gabimi më i madh dhe të cilin nuk kam pritur ta bënit, është qasja juaj ndaj rënies heroike të Adem Jasharit, që ne me të drejtë e quajmë: Legjendar. Me shpalljen e tij legjendar (ku e kam edhe unë hisen time të ndriçimit të përkushtimit të tij, pa asnjë ekzagjeim, deri në përmasa biblike) kemi pasur për qëllim, jo ta himnizojmë, por që të tregojmë përmasën e lavdisë njerëzore të Adem Jasharit për liri, drejtësi e demokraci. Mos harro, për një flijim biblik, bota e krishtere që 2000 e më shumë vjet i nënshtrohet deri në përulje Jezu Krishtit. Victor Hugoi thotë se lavdia është e kushtueshme. Këtë e konfirmon më së miri rënia e Jasharëve dhe se ajo (lavdia) nuk i përket atij që e kërkon, por atij që e meriton. Dhe Adem Jashari e meritoi atë dhe askush nuk mund t’ia marrë. Ndonëse edhe te ne, në Kosovë, ka përpjekje të tilla “intelektuale” për ta rrembyer disi një lavdi. Ju i nderuari akademik sigurisht që e dini se sa mundohen autoritarët e diktatorët për të fituar lavdi dhe sa u kushton ajo popujve. Madje, edhe ju flisni në librin tuaj për autoritarizmin në Kosovë, përçka nuk e kam asnjë kundershti. Sigurisht se ne nuk jemi as të kënaqur, as të lumtur që qe dashur të sakrifikohen mbi 13 mijë jetë njerëzish për një vit lufte. Do të dëshironim, do të ishim të kënaqur dhe të lumtur që Evropa, së cilës i përkasim historikisht, gjeografikisht e kulturalisht, të na mundësonte ta arrinim pa luftë këtë që e kemi sot edhe me ndihmën e saj e të SHBA-ve- pavarësinë. Sepse na janë bërë padrejtësi që nga Kongresi i Berlinit, vitet 1912, 1914-1918 e tutje. Do të dëshironim që shpërbërja e Jugosllavisë të bëhej në mënyrë paqësore, siç ndodhi me bashkimin e dy Gjermanive, siç ndodhi ndarja e Çekosllovakisë (Çeki, Sllovaki) si dhe ashtu siç ndodhi me Republikat Baltike etj., të cilat u ndanë nga Rusia Sovjetike. Pastaj, ju, i nderuari akademik, e dini fare mirë se shqiptarët e Kosovës nuk e pranuan lehtë luftën si zgjidhje. Ajo na është imponuar. Dhe këtë më së miri e konfirmon rezistenca aktive e pasive e viteve 1981-1997, por politika serbo-jugosllave ishte symbyllur e veshdyllosur për kërkesat e popullit shqiptar të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë e të Malit të Zi.


                Ju, zoti Schmitt, nga fundi i librit tuaj shkruani: “Ky kult (kulti për Adem Jasharin, nënvizimi im, – J.K.), ka pretendim hegjemonist të interpretimit të ngjarjeve të luftës dhe drejtohet edhe kundër elitës qytetare përreth LDK-së”. (Faqe 285). Vërtet, nuk e kam të lehtë ta kuptoj se për çfarë hegjemonizmi është duke folur profesori dhe akademiku Oliver Jens Schmitt?!  A mund të jetë hegjemonist ky njeri, legjendari Adem Jashari, i cili me jetën e tij, me jetërat familjes së tij që aq shumë i ka dashur, për çka ka masivizuar e mobilizuar popullin e rininë në luftën për liri, liri të cilën e gëzojmë sot, dhe ç’është e vërteta, më shumë po i gëzojnë qytetarët sesa fshatarët, pasi kështu ju po i ndani qytetarët e Kosovës! Autorin Oliver nuk e di se për ç’arsye e pengon nderimi dhe respekti që i bëhet Heroit të Kombit, i cili popullit të vet ia ktheu dinjitetin, veçse nëse i vjen keq pse atë, dinjitetin, nuk ia ktheu “pacifizmi i Rugovës”. (Faqe 285). Sigurisht që ky pacifizëm nuk kishte mundësi edhe ta demokratizonte Serbinë e Millosheviçit, edhe shqiptarëve t’ua kthente dinjitetin. Atë e bëri vetëm UÇK-ja e legjendarit Adem Jashari. Ndërsa autori Jens harron se edhe në Evropën demokratike, pacifizmi vazhdon të jetë minor. Gjithashtu, autorin e pengon edhe fakti pse “Prekazi u bë vend pelegrinazhi, tempull kombëtar panshqiptar”. Prekazi nuk është vend pelegrinazhi vetëm për shqiptarët, por për të gjithë ata që ia dinë vlerën flijimit për liri. Një nga evropianët, që ishte edhe kryeadministratori i parë i saj, Bernard Kushneri, në librin përkujtimor në Prekaz ka shkruar: “Po të kishte Çmim Nobel për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij”.


Historianit Schmitt i duket se ka thënë pak. Ndaj vazhdon, por nuk tregon se me cilën gjuhë shkruan, me gjuhën e shkencës apo me atë të politikës së “qytetarëve” të Kosovës apo me dioptrinë? Kur thotë: “Kjo është shprehje e pretendimit për pushtet të katundit mbi qytetin, e meshkujve të armatosur nga katundi, e familjeve tradicionalisht komplekse (anëtarët e familjes Jashari, përfshirë gratë, u përfshinë në këtë kult) përballë strukturave shoqërore urbane”. (Faqe 286). Vërtet, është e çuditshme si një intelektual evropian, njeri i shkencës së historisë e akademik, profesor i sa universiteteve, e pengon sakrifica e një familjeje fshatare, që ai e sheh dhe e quan të katundit, fjalë që ka kohë që nuk e përmendim apo e përmendim kur i japim konotacion negativ, e cila ka sakrifikuar tre breza të familjes për lirinë e gjithë shqiptarëve të Kosovës, të fshatit dhe të qytetit. Ai do të duhej të përulej para asaj sakrifice dhe se vetëm ashtu do t’i tregonte vlerat e tij qytetare. Jam duke e pytur veten, cilat janë arsyet që këtë intelektual evropian e pengojnë? Librat, që shkruhen për UÇK-në dhe Adem Jasharin? Këngët, që kendohën për të? E pengon shtatorja e Heroit Legjendar në Skënderaj? Apo fotografia në një plato në Prishtinë? Nuk e di, mbase e pengojnë edhe Jasharët e ripërtërirë, filizat premtuese të atyre që u shkrinë  për ta e për të drejtën divine njerëzore (lirinë!) në Prekazin “katundaresk”?! Por, autori Schmitt, i qytetëruar tej mase, nuk mjaftohet me këto që ka folur e shkruar, ai vazhdon dhe e tepron deri në racizëm “urban”, kur thotë: “Të arsimuarit e shohin atë si katundar (historiani duhet të faktojë e jo të bëjë gazetari mediokre – J.K.), ata tërheqin vërejtjen se Jashari (Adem Jashari – J.K.) gjatë rënies së tij mori me vete gati gjithë familjen, mes tyre pleq dhe fëmijë të vegjël”. (Faqe 286). A s’është ky recidiv më shumë i një politikani anues sesa i një historiani, kur me një analogji të thjeshtë mund të thuhet se hebrenjtë nuk i futën nazistët në dhomat e gazit, por me vetëdëshirë ata u futën aty, duke i marrë edhe familjarët e tyre, pleq e fëmijë!!! Shumë paqësorë këta serbët e Oliver Jens Schmittit, që dogjën, prenë e vranë…


Fundja, unë kurrë nuk besoj se në Kosovë ka të arsimuar të mirëfilltë e të edukuar në frymën moderne a tradicionale kombëtare, që për flijimin e Adem Jasharit dhe familjes së tij të flasin me ketë gjuhë barbare, aspak njerëzore. Por kjo nuk është më e rënda! Më e rëndë, më e papërballueshme dhe që s’hahet dot është tendenca që ky akademik ta amnistojë krimin më të rëndë të mundshëm të makinerisë kriminale të Millosheviçit! Ta amistojë krejt atë makineri kriminale, bashkë me kriminelët e faji t’i mvishet Adem Jasharit, për të cilin familja ishte gjëja më e shtrenjtë e mundshme në këtë botë! Dhe një hakmarrje të tillë, Adem Jashari nuk do ta ndermerrte mbi asnjë familje të botës pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Dhe këtë nuk mund ta dijë askush më mirë së unë. Pasi e di kërkesën që ia kam bërë që të jetonte sa më larg familjes dhe përgjigjen që kam marrë. Një përgjegje të tillë mund të jepte vetëm një njeri me tipare tepër të veçanta. Ndoshta faji i tij i vetëm ishte, pse më shumë se jetën në robëri e donte vdekjen për liri. Dhe këtë nuk e kam dëgjuar e as lexuar ta mohojnë as mendjet më të ndritura të Evropës në veprat e tyre kapitale për dashurinë për jetën, lirinë dhe atdhedashurinë. Do të përpiqesha ta kuptoja akademikun Oliver, sikur kjo të ishte masakra e parë, e vetme apo e fundit serbe në Kosovë brenda një viti lufte tepër të pabarabartë. Dhe vërtet nuk po mund ta di, prej nga dhe pse Oliver Jens Schmitti shqiptarëve më shumë ua preferon jetën qoftë nën Perandorinë Osmane, qoftë në atë serbo-jugosllave?! Të cilat jetë vetëm në robëri na paskan qenë kohë të arta!


O akademik, në Kosovë kanë ndodhur dhjetëra masakra, mbi 13 mijë njerëz nuk jetojnë më!


Për një gabim tjetër që e bën në faqen vijuese të librit (287), nuk dua të them asgjë, pasi kam respekt për Evropën dhe Amerikën Veriore, jo për autorin. Por dua t’i përkujtoj autorit se europerëndimorët dhe amerikano veriorët kanë më shumë respekt për qytetarët e tyre, si për të gjallet ashtu edhe për të vdekurit. Dhe të tjerët nuk mund të krahasohen me ata, e më se paku kjo mund t’ju thuhet shqiptarëve. Edhe pse autori, sidomos për rastin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij, veçanërisht mënyra se si ai e trajton këtë tragjedi të kombit tonë, nuk lë vend për asnjë respekti.


Në fund, do të doja t’i diskutoja me zviceranin Oliver Jens Schmitt jo duke e pandehur si levantin apo që bazohet në mendimet e levantinëve “intelektualë”, “qytetarë” e të “arsimuar” të Prishtinës se unë “katundari” Jakup Krasniqi ndjehem i fyer, jashtëzakonisht i fyer që një i huaj përdhosë heronjtë e mi kombëtarë me shprehjet mesjetare “fshatar” a “katundar”. Fundja a s’është racizëm ky, i pashpejguar as nga shkenca psikanalitike frojdiane apo jungiane për një nivel të tillë shekncor “vlerësues” për legjendarin Adem Jashari dhe secilin pjesëtar të UÇK-së së shenjtë?


A thua, a do të gjindej në Evropën e vlerave kulturore evropiane një intelektual, shkencëtar apo akademik që do të merrte guximin për të përdhosur heroinën kombëtare franceze Jeanne d’Arc, botërisht e ditur, e lindur katundare. Jo, këtë s’mund ta bëjë askush që posedon ca vlera civilizuese, nga më elementaret. Evropa Perëndimore, jo, nuk e njeh këtë gjuhë, së paku jo nga koha qëkur u vendosën themelet e BE-së. Nuk besoj, që kjo do t’i ketë shkuar ndërmend ndonjë parizieni?!


A thua, cili historian do të përdhoste heroin kombëtar zviceran Wilhelm Tell, duke e quajtur katundar e shkuar katundarit? Por Zvicra ka dhe diçka tjetër. Ka një shkrimtare të adhuruar jo vetëm në Zvicër, por në gjithë botën: Johanna Spyri, e lindur në katundin zviceran Hirzel (që sot s’ka më shumë se dy mijë banorë, pale sa ka pasur më 1827, kur ka lindur ajo?!). Romani dhe heroina e saj Heidi janë të pakapërcyeshëm për çdo lexues e fëmijë të botës, por askujt kurrën e kurës s’i shkon ndërmend të injorojë apo nënvelrësojë “katundarinë” e tyre, pse ajo nuk ishte nga Berni.


Për zviceranin Oliver Jens Schmitt, legjendari ynë Adem Jashari është veç një katundar! Nuk e di mbi cilën njohuri shkencore, akademiku e ka bërë këtë ndarje të qytetarëve të Republikës së Kosovës.


A thua, cili profesor universiteti do të merrte guximin që të përdhoste heroin kombëtar anglez me përmasa legjendare, Robin Hood, duke e quajtur atë as më shumë e as më pak se katundar! Si do ta ndienin këtë britanezët? Jo, kjo nuk mund të ndodhë kurrën e kurrës. Secili njeri i kësaj bote kur e dëgjon emrin e tij, përkulet me pietet. Për të janë xhiruar filma të shumtë e të kushtueshëm. Nuk besoj që Robin Hood të ketë qenë qytetar londinez.


A thua, cili akademik evropian apo amerikan do të merrte guximin për të përdhosur heroin kombëtar meksikan Emiliano Zapata, i cili lindi si katundar një vit pasi Kongresi i Berlinit copëtoi tokat shqiptare, pra më 1879? Për Zapatan thuhet ndër të tjera: “Ashtu si shumë idealistë karizmatikë, Zapata u bë një martir, pas vrasjes së tij të pabesë”! A duhej të akuzohej Zapata pse e vranë armiqtë e lirisë?! Kur lehtas mund t’i nënshtrohej robërisë që intelektuali Schmit ua preferon shqiptarëve?!


A thua, cili shkencëtar i historisë do t’i hynte punës për të përdhosur heroin kombëtar serb Karadjordje, i lindur katundar, por që vuri themelet e kësaj Serbie shumë të dashur nga zvicerani Oliver Jens Schmitt. Për më tepër, kokën e tij vetë serbët ia dorëzuan pashait turk në Kalemegdan… Kur jemi tek serbët, a s’është babai i gjuhës së tyre Vuk Karadzic veçse një katundar i Tërshiqit, bile edhe i çalë, por askujt s’i bie ndërmend as katundaria as çalamania e tij.


Kur zvicerani Oliver Jens Schmitt trajton shqiptarët, po, vjen në shprehje katundaria! A thua përse? Ndoshta për dashamirësi?!


Dhe krejt në fund: Oliver Jens Schmitt në parathënien e botimit shqip, ndër të tjera thotë: “Enver Robelli ka bërë shumë më tepër, përveç përkthimit brenda një kohe të shkurtër; ai ka bërë vërejtje të rëndësishme, të cilat ndihmuan në korrigjimin e gabimeve dhe nuancimin e vlerësimeve mbi trazirat e vitit 1981.” (Faqe 13). Nëse është kështu, dhe duhet të jetë kështu, meqë e thotë vetë Oliver Jens Schmitt, përse s’thuhet se tani botimi në gjermanisht duhet hequr nga qarkullimi, meqë paska pasaktësi të pafalshme?!


Tjetra: Kushtimi “Studentëve të mi shqiptarë dhe serbë” është spekulativ, sepse mbase rastis që ndonjë student shqiptar mund të jetë katundar!


Uroj që këto venerime të miat të merren paq nga Oliver Jens Schmitt, duke u bindur se me gjysmë të vërteta nuk bëhet shkencë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …