RKL: Liberalizimi i vizave, rrugë për në “parajsë” apo joshje për ta marrë botën në sy duke ikur nga atdheu?

Aspirata e  kreut politik shqiptar, Tiranë-Prishtinë-Shkup, drejt integrimit evropian është alfa e çdo deklarate,  me të cilën fillon dhe mbaron fjalori politik e diplomatik ditor i shumicës së politikanëve tanë.  Evropa, që do të thotë BE-ja, për politikanët shqiptarët tashmë është një apoteozë, është aspirata e tyre prapa së cilës fshihen qëllimet për ta mbajtur popullin në ‘delir”, për ta blerë qetësinë sociale,  duke iu premtuar shqiptarëve  parajsën tokësore,  e cila nuk ndodhet në Shqipëri, as në Kosovë, por në Evropë, edhe pse janë qindra mijëra shqiptarë që e kanë parë, madje edhe e kanë përjetuar mbi kurriz atë “parajsë”, vetëm për faktin sepse janë me origjinë nga Shqipëria e Kosova, ata  trajtohen ndryshe nga serbët e grekët, krejt ndryshe,  sepse shumica dërrmuese e tyre trajtohen si myslimanë, pavarësisht se pjesa dërrmuese janë ateistë të pashprehur, ashtu sikur janë edhe shumica dërrmuese e evropianëve.

 

Pesë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, oferta  më joshëse e politikanëve tanë ka qenë dhe po mbetet i ashtuquajturi “proces i liberalizimit të vizave”.  Ky proces nënkupton heqjen e vizave edhe për shqiptarët e Kosovës, në mënyrë që ata, me pasaporta në xhep të dynden  nëpër vendet e Evropës, pa pasur nevojë të nxjerrin një vizë nga shteti, në të cilin duan të shkojnë, qoftë për të takuar të afërmit, apo me qëllim që brenda tre muajve të gjejnë ndonjë punë, të lidhen me ndonjë bandë, të dërgojnë ndonjë kilogram “pluhur”, të kërkojnë fatin, të vrasin ndonjë pasanik dhe t’ ia rrëmbejnë paratë, të dhunojnë ndonjë femër, të realizojnë ndonjë ëndërr. Edhe nëse nuk përfitojnë me vajtjen e parë, ata do të provojnë sërish. Me rëndësi është që të mos presin në radhë para zyrave të huaja në Kosovë për të marrë vizë dhe të mos shpenzojnë para  për ta paguar atë.

 

Kjo është parajsa e paragjykuar e realizimit të aspiratës. Pas këtij procesi shqiptarët e Kosovës do të flenë të qetë, do të ndihen evropianë, do të ndihen të barabartë me popujt e Evropës dhe ardhmëria e tyre do të ndërrojë në tërësi, sepse ata nuk do ta provojnë fatin për të gjetur punë në Kosovën me 11 mijë kilometra katrorë, por në Evropën e gjatë dhe të gjerë  ku do të gjejnë madje edhe “qumështin” e dallëndyshes, që mungon në atdheun e tyre.

 

Politikanët tanë, në Tiranë Prishtinë dhe në Shkup nuk e joshin popullatën për ta krijuar parajsën ne vend, për ta zhvilluar vendin dhe për ta bërë atë të lulëzuar e të zbukuruar  sikur në vendet e Evropës. Kjo për rezonimin e tyre është e parëndësishme, sepse krerët politikë e institucionalë për veten e tyre e kanë realizuar atë aspiratë, por e joshin popullin të bëjë tutje, sepse tashmë i takojmë familjes së madhe të popujve të lirë të Evropës dhe Atdheu është atje ku shqiptari e gjen veten, atje ku gjen punë, apo atje ku të lejojnë të jetosh si parazit, ashtu sikur jetojnë shumë “patriotë kosovarë” të ndjekur e të vetë-ndjekur nga ish regjimet pushtuese. Ndjenja e fundosur patriotike  se “në Shqipëri është më e ëmbël  balta se mjalta” në vendet e huaja, tashmë duket anakronike. Tash është e kundërta, balti i Evropës, Wc-të, që i pastrojnë shqiptarët, puna në kanalizimet e tyre, nëpër arat e livadhet, nëpër fabrika e përgjithësisht nëpër punët e rënda,  ku shumica syresh nxjerrin bukën e gojës, bordelet e tyre, të cilat i sigurojnë shqiptarët, kurdët, turqit, janë “mjalti”, paraja, fitimet, është realizimi i ëndrrave dhe  i aspiratave të tyre në “parajsën” e quajtur Evropë.

 

Fushata për liberalizimin e vizave, me të cilën aq shumë preokupohet Qeveria e Kosovës, nuk bëhet për të mirën e qytetarëve të saj, por për blerjen e qetësisë sociale, në një kohë të krizës së rrezikshme politike por edhe ekonomike, me të cilat po përballet Kosova Shqipëria dhe përgjithësisht shqiptarët. Kushtet që i ka vënë Komisioni Evropian për liberalizim janë tejet të vështira dhe ato në radhë të parë kanë të bëjnë me qetësimin e Serbisë. Evropa kërkon nga politikanët e Kosovës, lëvizjen e lirë të serbëve, plotësimin e të gjitha tekeve dhe huqeve të tyre, rrudhjen e pavarësisë së Kosovës, ndihmën edhe më të pa kursyer që Kosova zyrtare po ia jep Serbisë për integrim në Evropë dhe me një mori kushtesh të tjera. Korrupsioni, trafiqet, krimi i organizuar, që përmenden si kushte kryesore ato janë vetëm fjalët që mbulojnë qëllimin e vërtetë, sepse nuk ekziston as edhe një shtet i BE-së ku nuk ka korrupsion, krim të organizuar, prostitucion, trafiqe ndër më të pistat dhe shëmti ndër më të shëmtuarat. Mjafton të lexosh kronikat e zeza të shteteve të BE-së dhe ta  konstatosh se “parajsa” e vendeve të BE-së, është për klasën sunduese, për politikën globaliste, e cila po dridhet dita ditës drejt shthurjes së sigurt. Shthurja ka filluar në Greqi, në Spanjë dhe së shpejti edhe në Itali, pastaj do të shohim si do t’ i vënë punët Evropës së re me petkun e saj të pleqërisë së zezë.

 

Liberalizimi i vizave nuk i zgjidh problemet themelore sociale në vend, por i shtyn ato, ndërsa  për të ardhmen i bën edhe më të pazgjidhshme. Po të liberalizohen vizat dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova do të mësynin vendet e ndryshme të Evropës, jo vetëm për të vizituar të afërmit e tyre,  sikur spekulojnë zyrtarët  e integrimeve, por ia mësyjnë shteteve të Evropës për punë, para, ndonjë përfitim, ndonjë tregti të zezë, thjesht për ta provuar fatin, meqë në atdheun e tyre, që quhet Kosovë jetojnë afër 400 mijë shqiptarë të papunë dhe jeta është tepër e vështirë. 

 

Këto konstatime, këtë gjendje të mjeruar dhe pa rrugëdalje të varfanjakëve të Kosovës,  politikanë tanë e dinë fare mirë por ata, me qëllim për ta ruajtur pushtetin, burimet marramendëse të përfitimeve, po bëjnë përpjekje mbinjerëzore për  ta ruajnë status –quonë, duke propaganduar ardhmëri të lirë, Kosovë sovrane, integrim në Evropë e në NATO, traktat paqeje me Serbinë, zhvillim, modernizim e fjalë të tilla boshe të fjalorit të tyre të përditshëm politik. Kosova vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë dhe ndër më të varfrit në botë, pavarësisht idealeve romantike të liderëve tanë për viza dhe për  integrim në BE.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …