Ministri Shala e kryeministri Haradinaj dakordohen për shtim të dinamikës së punës në mbledhjen e KKZHE-së

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka kryesuar mbledhjen e nëntë të Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), ku u adresuan punët e këtij këshilli dhe u diskutua për hapat e ardhshëm. Ministri Shala tha se që nga ri-funksionalizimi i këtij Këshilli, i cili kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, institucionet pjesëmarrëse së bashku me komunitetin e biznesit kanë qenë mjaft aktivë në punët e përbashkëta për të adresuar me prioritet e të gjitha sfidat kryesore dhe për të zbatuar reformat gjithëpërfshirëse që kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, eliminimit të barrierave, forcimit të ndërmarrjeve të Kosovës, tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend. “Duke u nisur nga fakti se Qeveria e Kosovës ka shpallur vitin 2019 si “VIT TË EKONOMISË” ne si institucione pjesëmarrëse në këtë forum publiko – privat do të japim kontributin tonë për të ngritur dhe diskutuar shumë çështje që do të ndikojnë pozitivisht në sferën ekonomike, në aktivitetin e shtuar të bizneseve, në rritjen e investimeve të huaja direkte në vend dhe në fund në përmirësimin e jetës së qytetarit të Kosovës”, ka thënë ministri Shala. Ndërsa kryeministri, Ramush Haradinaj tha se ky vit do të jetë vit i zhvillimit ekonomik në vend. Kryeministri ka kërkuar më shumë përkushtim nga vartësit e tij, sidomos në tërheqjen e investitorëve.  “Viti 2018 ka qenë më shumë i infrastrukturës ligjore, por viti 2019 do të jetë vit i ekonomisë. Edhe pse në Kosovë e kemi politikën tatimore më të volitshme në rajon ne duam do  t’i inkurajojmë investitorët. Ne duhet t’i vazhdojmë së bashku reformat në fushën fiskale. Para nesh mbetet çështja e informalitetit dhe duhet të jemi bashkë që ta trajtojmë këtë temë. Ligji i Punës është miratuar dhe është përcjellë në Parlamentin e Kosovës dhe ajo që është e rëndësishme është se kemi gjetur formulën për lehoninë që nuk i ngarkon sipërmarrësit”, tha kryeministri.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …