Ministri Reçica: Po ndërmarrim hapa konkret për avancimin e të drejtave të punëtorëve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, raportoi në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE) ku tha se MPMS ka adresuar veprimin për iniciativën ligjore drejt reformës për Ligjin e Punës, ashtu siç është definuar në takimet e KKZHE-së. “Me fillimin e zbatimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2018, kemi hartuar Draftin Koncept-Dokumentin për rregullimin e fushës nga marrëdhënia e punës në bazë të të cilit kemi adresuar çështjet nga marrëdhënia e punës, duke u fokusuar edhe në dispozitat e pushimit të lehonisë, orarit të punës, kontratat e punës, marrëveshjes kolektive dhe shumë çështje tjera”, ka thënë ministri. Reçica tha se nga ky Koncept-Dokument ka buruar Projektligji i ri i Punës, tashmë i miratuar në Qeveri dhe Projektligji për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror i cili është dërguar në Qeveri për miratim. Ai tha se të dyja këto projektligje janë bashkëkohore dhe në të cilat janë transpozuar disa direktiva të Bashkimit Evropian dhe janë marrë praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Duke folur për Projektligjin e Lehonisë dhe Prindëror, ministri tha se duke marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike dhe ato demografike të vendit, për herë të parë në këtë projektligj trajtohen edhe lehonat e papunësuara, të cilat në bazë të këtij ligji do të përfitojnë në afat prej 6 muajsh një kompensim mujor në vlerë të caktuar të pagës minimale në vend. “Ne konsiderojmë se masat e ndërmarra me projektligjin e pushimit të lehonisë dhe prindëror si shkurtimi i kohëzgjatjes së pushimit të lehonisë të paguar nga punëdhënësi, rregullimi i orarit të punës, pra fleksibiliteti i orarit të punës për shkak të gjidhënies janë masa të cilat mbrojnë dhe avancojnë shkallën e punësimit të grave të reja në tregun e punës”, tha ministri. Ai tha se ideja e krijimit të një Projektligji të veçantë për lehonat është sepse në të ardhmen punëdhënësit do të lirohen plotësisht nga përgjegjësia e kompensimit të pushimit të lehonisë, bazuar në reformën pensionale, ku do të instalohet sistemi i sigurimeve sociale, bazuar në standartet e ILO-s.

Kontrolloni gjithashtu

Nënkolonel Besnik Fana, shpallet “Qytetar Nderi” i Deçanit

Nën kujdesin e kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, dhë nënkryetarit, z. Sami Cacaj, u …