RKL: Fajin për copëtimin, ndarjen dhe degdisjen e territorit të Kosovës bazuar në planin e Ahtisarit, e kanë të gjithë politikanët e vendit


Copëtimi i territorit të Kosovës  ka filluar  ende pa u tërhequr të gjitha forcat kriminale policore e ushtarake serbe nga vendi ynë, sipas Marrëveshjes së Kumanovës, të 10 qershorit të vitit 1999. Katër ditë më vonë (14 qershor të vitit 1999), forcat franceze të KFOR-it ishin pozicionuar mbi lumin Ibër të Mitrovicës, ndërsa forcat ruse që kishin arritur ditë më parë, kishin pushtuar Aeroportin e Prishtinës  dhe kishin venduar shumë postblloqe nëpër Kosovë.


 


Forcat e UÇK-së  nuk kishin provuar të depërtonin në veri për shkak se atje ishin pozicionuar forcat paqeruajtëse, shtatë ditë para skadimit të afatit të largimit definitiv të forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, sipas Marrëveshjes së 10 qershorit.


Asokohe, as më vonë nuk pati asnjë qasje serioze as qëndrim unik lidhur me veriun e vendit. Qeveria e Përkohshme e Kosovës, gjysmake dhe e papranuar nga LDK-ja nuk bëri as edhe përpjekjen më të vogël për ta shtrirë autoritetin në veri.


Prej qershorit të atij viti  e deri më sot, kufiri i vendosur dhunshëm nga KFOR-i mbi Lumin Ibër, në qytetin e Mitrovicës,  ka shënuar edhe ndarjen faktike të kësaj pjese nga Kosova. Në këtë pjesë të vendit, të cilën e kishte marrë nën përkujdesje ushtria franceze, u grumbulluan të gjitha grupet dhe bandat kriminale nga oazat serbe të Kosovës, u grumbulluan të gjithë ata që kishin marrë pjesë në vrasjen e masakrimin e popullatës civile shqiptare, dhe të cilët prej asaj dite e deri sot,  në vazhdimësi e kanë pasur përkrahjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, madje edhe atëherë kur ata kanë sulmuar ushtarët polakë, amerikanë e gjermanë.


 


Ata, që i kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet në atë pjesë të vendit,  me kohë e kanë kuptuar se BE-ja dhe vendet mike të Serbisë kanë vendosur që kjo pjesë t’ i shkëputet Kosovës, në mënyrë që të krijohet një rajon unik i serbëve për të shtrirë pushtetin në të  gjitha oazat brenda territorit të Kosovës. Të gjithë politikanët e pas luftës në Kosovë, në njëfarë mënyre e kanë pranuar këtë realitet të ri, meqë administrata e UNMIK-ut kishte lejuar edhe funksionimin e strukturave paralele, duke krijuar para kushte për autonomi, apo edhe shkëputje eventuale  të kësaj pjese të Kosovës.


 


Politika e Beogradit ndaj veriut, kohëve të fundit ka bërë kthesë taktike, duke pranuar që kjo pjesë sa për sy e faqe të mbetet brenda kufijve aktualë të Kosovës, me kusht që Veriu të bëhet Piemont për të gjitha komunat serbe, fillimisht përmes krijimit të një asociacioni të komunave, të ngjashëm me atë të komunave shqiptare. Aktualisht kemi arritur në këtë pozicion.  Serbia përmes bisedimeve, përkrahjes pa rezervë të Brukselit zyrtar dhe vendeve mike po arrin të realizojë qëllimet për ta mbajtur peng Kosovën, për ta trajtuar si provincë të veten, ku shqiptarët dhe serbët vetëqeverisen. Ky model i imponuar dhe i realizuar me sukses nga presioni ndërkombëtar po realizohet, në radhë të parë për shkak se kreu institucional i vendit ka lëshuar dhe po lëshon pe. Insistimi i Serbisë për autonominë e komunave në Veri, fillimisht përmes një Asociacioni, të cilin e ka pranuar Qeveria,  është më se i favorshëm për Serbinë dhe serbët në Kosovë, të cilët përveç krijimit të  autonomisë në veri, do të marrin pjesë edhe në institucionet e vendit duke qenë thellësisht të privilegjuar, në Kuvend në Qeveri dhe në të gjitha institucionet. Këtë të arritur të serbëve nuk e kanë paraparë madje  as optimistët më të mëdhenj serbë.


Baza esenciale për copëtimin, ndarjen dhe degdisjen e territorit të  Kosovës ndodhet brenda Pakos së zezë të Ahtisarit, e cila botërisht Kosovën e trajton si entitet historik të Serbisë, (të populluar me shumicë shqiptare), madje pranon pa asnjë kusht historinë serbe mbi të kaluarën e Kosovës, gjeografinë, toponiminë e kohës së Nemanjidëve dhe merr në mbrojtje ndërkombëtare Kishën Ortodokse serbe, e cila ka autonomi të plotë territoriale, duke qenë e mbrojtur dhe e siguruar edhe ndërkombëtarisht  nga UNESKO-ja.


 


Krejt çka po ndodh sot në Kosovë është derivat në vazhdim i zbatimit të Pakos së Ahtisarit. Dhe kjo nuk ndalet me kaq. Pakoja parasheh kthimin e organizuar të të gjithë atyre serbëve që dëshirojnë të jetojnë kudo në Kosovë, pavarësisht se kanë apo jo të kaluar kriminale. Qeveria e Kosovës ka obligim ndërkombëtar të  ndajë mjete nga buxheti i saj i mjerë për ndërtimin dhe akomodimin e çdo serbi, që pranon të kthehet dhe të jetojë atje ku supozon se ka jetuar dikur.  Pakoja sanksionon mundësinë e bashkimit të Kosovë me Shqipërinë, sanksionon krijimin e ushtrisë e Kosovës, ndërsa ulësen e Kosovës në OKB nuk e definon.


 


Serbia, edhe pse nuk e ka  pranuar madje as në parim planin e Ahtisarit, ajo gjatë 10 viteve të fundit ka arritur, që në emër të decentralizimit, duke u mbështetur në këtë plan ogurzi për shqiptarët, të krijojë 15 komuna serbe, brenda territorit të Kosovës, duke krijuar madje komunë me  1 mijë e dy mijë banorë. Serbët e Kosovës edhe pse përbëjnë vetëm 8 për qind të popullsisë së përgjithshme, qeverisin në 15 komuna, ndërsa shqiptarë që përbëjnë rreth 90 për qind të popullatës së vendit, qeverisin  në 27 komuna. Ky është paradoksi i decentralizimit dhe krijimit të komunave serbe në Kosovë.


 


Serbët kanë krijuar këto komuna:


 


Mitrovica e veriut, Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi, Leshaku, Graçanica, Shtërpca  Novobërda (Artana), Ranillugu, Parteshi.


Parashihet të krijohen edhe komunat e tjera si:


Osojani,   Obiliqi, serb, Bellopoja –Pejë, Hoça e Madhe-Rahavec,  një pjesë e fshatrave të komunës së Lypjanit që cilat lidhet me Graçanicën dhe  komuna e Gorës.


 


Komunat e Kosovës me shumicë shqiptare:


 


Prishtina, Deçani, Prizreni, Sharri, Lipjani, Skënderaj, Gjakova, Malisheva, Drenasi, Mitrovica, Shtimja, Gjilani, Theranda, Burimi, Kastrioti, Ferizaj, Kaçaniku, Rahoveci, Vitia, Dardana, Peja, Vushtrria, Klina, Besiana, Fushë Kosova, Hani Elezit.


Një komunë turke: Mamusha.


Boshnjakët e Kosovës,  edhe pse numerikisht janë më shumë se turqit,  nuk janë lejuar të krijojnë një komunë, mbase edhe nuk kanë shprehur  interesim në këtë drejtim, meqë ata Kosovën e kanë pranuar si shtetin e tyre.


 


Asgjë e papritur nuk po ndodh në Kosovë. Institucionet e vendit po korrin atë që e kanë mbjellë disa vjet më parë krerët e atëhershëm dhe të sotëm institucional,  duke pranuar pa asnjë vërejtje dhe pa asnjë kushtëzim pakon e Ahtisarit. Dhe këtë pako e kanë pranuar të gjithë, Qeveria e asaj kohe, kryetari i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, kryekuvendari, Jakup Krasniqi, të gjithë krerët e të gjitha partive politike të Kosovës, të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, për veç një deputeti të komunitetit boshnjak. Pakon, asokohe nuk e ka pranuar Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk ishte parti politike dhe nuk ishte e përfaqësuar në Kuvend. Pakon në mënyrë decidive nuk e ka pranuar as Beogradi zyrtar, por e ka pranuar planin për decentralizim, që buron nga kjo pako dhe që parasheh formimin e dhjetëra komunave serbe, ndërsa tani për fund e pranon edhe krijimin e asociacionit të komunave të Veriut, jo si një OJQ private, sikur pretendon të na bind Qeveria e Kosovës,  por thjesht si një mekanizëm për të zbatuar në të ardhmen hap pas hapi të gjitha synimet dhe strategjinë serbe për minimin, zhvlerësimin dhe degradimin e pavarësisë së Kosovës. Pikërisht sepse Beogradi zyrtar beson fort se në një mënyrë ose tjetër do ta ruajë sovranitetin mbi Kosovën, Serbia ka shpallur botërisht se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.


 


Fajin për pranimin e Pakos së Ahtisarit, nga ku buron fatkeqësia gangrenoze e territorit dhe ardhmërisë së Kosovës nuk e ka vetëm Hashim Thaçi, por e kanë të gjitha ushejzat politike të vendit. Ky faj duhet të rëndojë në të gjithë përfaqësuesit e institucioneve dhe mbi kokat e të gjithë deputetëve që e kanë pranuar unanimisht këtë plan,  dhe që tani po bëhen gati dhe presin me padurim që kryetarja e zarfit të ambasadorit Dell, Atifetja e jahjagëve t’i  dekorojë dhe t’i shpall heronj të Kosovës, deputetët e Ahtisarit,  në mënyrë që këta  të gëzojnë benificionet që nuk i gëzojnë deputetët e asnjë shteti në botë.


 


Vetëm populli nuk ka faj në këtë mes, edhe pse pranimi i pakos së Ahtisarit është bërë në emër të tij, edhe pse bisedimet teknike e politike me Serbinë po bëhen në emër të tij, edhe pse nënshkrimi i një marrëveshje me Serbinë, për copëzimin, apo  banjëzimin  e Kosovës do të bëhet po kështu në emër të tij.


 


Është koha që të pakënaqurit, populli shumicë, ata që me të vërtetë ia duan të mirën vendit, ata që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, ata që kapitalin e tyre çlirimtar nuk e kanë kthyer në prona të luajtshme e të paluajtshme, ata që i kanë lënë gjymtyrët e tyre për çlirimin e vendit, ata që kanë mbajtur mijëra vite burg nëpër kazamatet e ish Jugosllavisë, në përpjekje për të mos lejuar të shuhet ideali i lirisë, ata që tani sorollatën pa punë nëpër rrugët e Kosovës, të bashkohen dhe në mënyrë të organizuar ta stopojnë gangrenën, që e ka pllakosur jo vetëm Kosovën, por të gjitha trojet shqiptare, në Veri të Kosovës, në Lindje të Kosovës,  në Iliridë  ku shqiptarët rrihen e vriten për ditë dhe gjithandej…  Pa bashkimin e kësaj force dhe pa një veprim energjik në këtë drejtim, vështirë se do të stopohet zezona e përmbytjes së madhe. Të pakënaqurit dhe ata që në rrugën e tyre për të drejta liri e barazi  nuk kanë çka humbin tjetër, përveç këmishës së robërisë, kanë bërë dhe bëjnë kthesa vendimtare, ashtu sikur bëri UÇK-ja e lavdishme, ashtu sikur kanë bërë të gjithë popujt e shtypur të botës.  Është iluzore të pritet mbrojtja e vlerave të luftës dhe e tërësisë territoriale të Kosovës  nga ata që e kanë gllabëruar vendin, nga ata që e kanë katandisur në këtë gjendje, nga ata që i kanë thelluar skajshmërisht diferencat sociale, nga ata që kanë përfituar dhe përditë përfitojnë mbi kurriz të këtij populli, nga ata që marrin guxim dhe bëjnë tregti edhe me tokat e atdheut. 


 


 


RKL: Amnistia e serbëve në veri rehabiliton krimet dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve


 


Bisedimet e kompromisit në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat deri tani janë zhvilluar krejtësisht në dëm të Kosovës,  po sjellin shumë më tepër kompromise për Serbinë, sesa mund të ketë menduar edhe serbi më skeptik në këtë vend.


Pranimi i qeveritarëve të Kosovës për të biseduar me Serbinë, pa kushte dhe për të arritur doemos një marrëveshje kompromisi mes të dyja palëve, po jep rezultate të papritura, madje edhe të pabesueshme për kreun politik të Beogradit. Pak kush në Serbi mund të ketë menduar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, (të cilin Serbia e ka akuzuar, madje edhe e ka dënuar 12 vite burg, në mungesë, për krime lufte dhe e kërkon përmes Interpolit, për ta ekzekutuar vendimin),  do të bëjë kompromise të thella në dëm të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.  Kompromiset e tilla komprometuese, besoj se nuk i kanë pritur as kundërshtarët e tij më ashpër politikë.


Burime zyrtare dhe jo zyrtare kanë bërë me dije se kryeministri, Hashim Thaçi  është duke përgatitur një amnisti të përgjithshme për serbët në veri të vendit. Ai iu  ka përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministrit serb, Ivica Daçiq për amnisti, që ishte përsëritur disa herë gjatë bisedimeve. Sa për fillim, duke i qitur hi në sy opinionit të painformuar mirë,  thuhet se kjo amnisti do të shpallet për vepra jo të rënda penale. Serbëve të veriut të Kosovës po ashtu do t’u falen borxhet që i kanë KEK-ut, ujësjellësit dhe borxhet për  shërbimet komunale. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku e ka arsyetuar këtë amnisti me përpjekjet për të ngritur shkallën e mirëbesimit ndër serbët e veriut. “Amnistia është ofertë e jona për të ngritur mirëbesimin e qytetarëve tanë në veri tek institucionet e Kosovës. Amnistia do të jetë për krime jo të rënda, ka thënë ministrja Çitaku.


Përveç kësaj serbëve u kanë premtuar  edhe përfitime të tjera siç është rritja e mëtejshme e numrit të deputetëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu do të bëhet edhe emërimi i katër zyrtarëve që do të shërbejnë në rolin e ndërlidhësve midis Qeverisë dhe veriut. Mbetët që në vazhdim të bisedimeve të befasohemi edhe me lëshime të tjera, për ta ngopur përfundimisht Beogradin, kuptohet në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve dhe të Kosovës në përgjithësi, edhe pse Beogradi sërish do të kërkojë edhe më shumë kompromise të kësaj natyre, sepse tashmë po bindet se ka hyrë në një lojë bixhozi me një kundërshtar krejtësisht të paaftë dhe të papërgatitur, ndoshta edhe skajshmërisht të shantazhuar, për të përballuar diplomacinë intriguese serbe.


 


Amnistia e barrikaduesve serbë, amnistia e grupeve dhe bandave që kanë terrorizuar shqiptarët dhe boshnjakët e veriut të Kosovës dhe kanë vrarë e masakruar qindra prej tyre, amnistia e kriminelëve që kanë dëbuar dhjetëra mijëra shqiptarë nga veriu i Mitrovicës, është kulmi deri ku mund të flitet për një kompromis, edhe pse  në fakt nuk kemi të bëjmë me kompromis, por kemi të bëjmë me një dorëzim  pa kusht në bisedime me një shtet,  i cili ka kryer krime lufte, gjenocid dhe etnocid kundër popullit shqiptar në përgjithësi e në veçanti kundër shqiptarëve të Kosovës, sidomos në vitet 1998-1999 dhe kurrë nuk ka kërkuar madje as falje,  sa për sy e faqe.


Serbia nuk e ka amnistuar as edhe një ish luftëtar të lirisë së Kosovës, të cilët vazhdon t’ i trajtojë si terroristë dhe të cilët, përmes marrëveshjeve që ka me EULEX-in, për ditë po i arreston,  po i ndëshkon e po i dënon, duke i sjellë para gjyqit madje edhe nga dy e tri herë, derisa më në fund t’ i shpallë fajtorë, sepse kanë luftuar kundër regjimit kriminal dhe shqiptarë-vrasës të Beogradit.


Se cilat vepra i kanë kryer serbët në veri të vendit tonë dhe vazhdojnë t’ i kryejnë për çdo ditë, këtë e di krejt opinioni në vend dhe në botë.


Nuk është për t’u habitur që një ditë, gjatë bisedimeve, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, zëdhënësi i kryekriminelit Milosheviq para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë,  të kërkojë nga Qeveria e Kosovës edhe rehabilitimin e Milosheviqit, për krimet që ka kryer kundër shqiptarëve.


Serbia edhe ashtu nuk ka kërkuar falje për krimet, që ka kryer kundër popullatës shqiptare,  u ka humbur gjurmët 1700 qytetarëve të Kosovës të kidnapuar gjatë luftës, për të cilët supozohet se  pasi u janë marrë organet, me qëllim për të humbur gjurmët e krimeve të tilla barbaroide,  i kanë djegur nëpër shkritoret e Serbisë. Serbia   ka djegur ka e shkatërruar qindra e mijëra shtëpi e vendbanime shqiptare, ka vrarë dhjetëra mijëra shqiptarë, ka dhunuar mijëra femra, ka vrarë e ka masakruar  800 fëmijë deri në moshën 12 vjeç dhe ka kryer krimet më barbare në historinë e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.


Vetë fakti se kreu politik i Kosovës  ka pranuar të ketë bashkëbisedues një kriminel nga stafi më i ngushtë i Milosheviqit dhe ka pranuar të bisedojë me forcat më barbaroide serbe, sikur janë çetnikët e Nikoliqit dhe socialistët e Milosheviqit, lë për të kuptuar se  krejt kjo lojë e pandershme, e turpshme, e dënueshme dhe në esencë antikombëtare dhe  antinjerëzore është kurdisur nga Brukseli zyrtar, me qëllim për të barazuar viktimat  me xhelatët, me qëllim për t’ i paraqitur si fajtorë të përbashkët kriminelët serbë dhe luftëtarët shqiptarë të UÇK-së.


Forcat liridashëse të Kosovës, veteranët, invalidët, familjarët e dëshmorëve do të duhej të reagonin ashpër kundër kompromiseve komprometuese në bisedimet e Kosovës  me Serbinë. Pritja me qetësi se çka do të sjellë rezultati përfundimtar i bisedimeve, na përkujton kohën kur Kosovës në vitin 1989 iu mor autonomia ndërsa qeveritarët e asaj kohe deklaronin me pompozitet  se Kosova nuk po humbte  asgjë, përkundrazi,  po e forconte pozitën e saj në Serbi.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …