Ismet Hajrullahu: Disa sugjerime e komentime rreth statusit të veteranit të UÇK-së

Një prej çështjeve që ka tërhequr vëmendjen e opinionit shoqëror në Kosovë gjatë muajve të parë të këtij viti ka qenë dhe vijon të jetë çështja e përfituesve të statusit të veteranit të luftës për çlirimin e Kosovës, ose, sikundër thuhet shkurtimisht, e veteranit të UÇK-së.


Lidhur me këtë status ka pasur dhe ka diskutime, si për numrin e përfituesve, duke e kërkuar atë të drejtë, por edhe për Projektligjin përkatës. Mendimet e shfaqura, janë nga më të ndryshmet. Meqenëse kjo çështje është pothuajse mbarë popullore, edhe unë mendova të mos qëndroj indiferent, por të shpreh disa mendime, pavarësisht se mund të merren parasysh apo jo, e megjithatë mendoj se edhe me këto mendime do t’i ndihmojnë sa do pak  çështjes në fjalë.


Mendimet e mia do mundohem t’i shpreh në mënyrë sa më koncize dhe sa më konkrete.


Një nga korrigjimet që unë mendoj t’i bëhet tekstit të atij projektligji është që shprehja: “lufta e UÇK-se”, është më e arsyeshme të zëvendësohet me shprehjen: Lufta për Çlirimin e Kosovës. E them këtë, pasi, po të ngelet “lufta e UÇK-së”, mund të kuptohet sikur kjo ushtri erdhi nga diku jashtë Kosove dhe luftoi në Kosovë, ndërkohë që ajo ushtri doli nga gjiri i popullit shqiptar në Kosovë  e vise  tjera shqiptare nën Jugosllavi,  diasporës së vjetër dhe diasporës së re shqiptare dhe u mbështet prej tij me gjithçka që ajo ushtri kishte nevojë.


 


Sugjerimi i dytë imi është që të mos ketë barazim vlerash midis pjesëtarëve të UÇK-së, pasi në nenin 12, pika 3 theksohet që të gjithë ish- pjesëtarët e asaj lufte të shpërblehen në mënyrë të barabartë, me 80% të pagës minimale në Kosovë. Mendoj se kjo nuk është e drejtë, prandaj sugjeroj që të bëhet një dallim lidhur me periudhën që ata kanë rrëmbyer armët dhe kanë luftuar. Kështu, të gjithë ata veteranë, të cilët ishin nismëtarë të organizimit të luftës dhe ata që patën rrëmbyer armët dhe u rreshtuan në formacionet e UÇK-së,qysh në fillim, pra edhe  para angazhimit të forcave ajrore të NATO-s në atë luftë, të jenë më të shpërblyer se ata që dolën luftëtarë pasi hyri NATO-ja në luftë. Dhe kjo është data 24 mars 1999. E theksoj këtë, pasi ata të mëhershmit kishin vendosur të vdesin derisa ta çlironin Kosovën dhe armët nuk i lëshonin, duke pasur besim vetëm në forcat e tyre; ndërsa ata që dolën luftëtarë pasi hyri NATO-ja, megjithëse janë luftëtarë të nderuar e shumë të nderuar, nuk mund të barazohen me ata të më hershmit. Si të tillë edhe lartësia e përfitimit të pensionit duhet të jetë e ndryshme midis këtyre dy kategorive luftëtarësh.


 


Së treti, me sa kam mësuar përmes shtypit tonë të ditës, statusin e veteranit mendohet ta përfitojnë edhe ata që kanë vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe në diasporë, të cilët e kanë ndihmuar luftën në forma nga më të ndryshmet. Edhe ai kontribut duhet të shpërblehet, por nuk mund të shpërblehet me të njëjtën vlerë sikundër dy kategoritë e mësipërme, të cilët luftuan me bindjen se edhe do të vriteshin dhe sigurisht ndesheshin çdo ditë me vdekjen. Kjo kategori duhet të shpërblehet më pak se dy të parët, ndryshe biem në barazinë socialiste të vlerave.


 


Së katërti, dimë se formacioneve të UÇK-së brenda territorit të Kosovës iu bashkëngjitën edhe shumë vullnetarë nga shteti amë, nga Maqedonia, nga Kosova Lindore, nga Mali i Zi, nga diaspora, të cilët nuk kanë qenë kurrë qytetarë (banorë) të Kosovës, por erdhën për të luftuar e çliruar Kosovën. Kësaj kategorie luftëtarësh ne duhet t’u jemi shumë mirënjohës, madje duke bërë dallim edhe në shumën e lartësisë  së shpërblimit si pension veteran. Pensioni i kësaj kategorie luftëtarësh mendoj se duhet të jetë disi më i lartë se ajo shumë që theksohet në projektligj, mbi 80% të pagës minimale në Kosovë. Ky vlerësim duhet të jetë edhe për të gjithë ata vullnetarë me kombësi jo shqiptare (gjermanë, francezë, italianë etj.) që erdhën dhe iu bashkëngjitën formacioneve të UÇK-së brenda territorit të Kosovës. Sikur t’i shpërblejmë edhe më shumë se gjithë kategoritë e tjera që përmenda më lartë dhe t’ i shpallim qytetar nderi të Republikës së Kosovës  nuk bëjmë gabim por do të nderonim veten dhe atdheun.


 


Së pesti,  po tek neni 12, pika 3,  theksohet se pensioni i veteranit  përfitohet kur ai  mbush moshën 50 vjet.  Lidhur me këtë pikë,  jam i mendimit që të ketë një shtesë, si më poshtë:


Neni 12.3.1: të gjithë ata ish – luftëtarë të formacioneve të UÇK-së brenda territorit të Kosovës, që e kanë mbushur moshën 50 vjet prej vitit 2000 e prapa, ata ta gëzojnë pensionin e veteranit prej asaj date që kanë mbushur këtë moshë.


 


Neni 12.3.2: pensionin e veteranit ta gëzojnë në masën 80% , të gjithë veteranët e tjerë nën moshën 50 vjet, prej ditës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.


 


Si e argumentoj këtë sugjerim:


 


1.      Pensioni i tyre të fillojë prej asaj date që ata kanë mbushur moshën 50 vjet, për të vetmen arsye se shumica e tyre, pasi mbaroi lufta edhe u kthyen pranë familjeve të tyre,  ose kanë mbetur pa punë, ose janë detyruar të emigronin,pasi në administratën shtetërorë të UNMIK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës nuk mund të punësoheshin, por u punësuan më të rinjtë, të cilët plotësonin kriteret e kërkuara; ose u larguan  nga puna pas një apo dy vjetësh, pa folur për ata vullnetarë që erdhën nga shteti amë dhe nga vendet e tjera, jashtë Kosove, që absolutisht nuk i rikthyen në detyrat që ata kishin pasur para se të  niseshin në luftë  në Kosovë. Për mos të thënë që një pjesë prej tyre u ndoqën penalisht nga vendi nga ata vinin, prandaj  ato  vuajtje  atyre mendoj se  duhet t’u kompensohen.


2. Për marrjen e pensionit prej të gjithë veteranëve ( neni 12.2.2) prej datës së hyrjes në fuqi të atij ligji,pasi shumica e tyre janë pa punë. Madje, me sa di unë Kroacia ua ka dhënë pensionin 100% të gjithë veteranëve, pavarësisht nga mosha që kanë.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …