Vizita e paralajmëruar e komisares së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, në Prishtinë, bëhet me qëllim për ta bindur kreun negocuiues të Kosovës, që të pranojë kushtet e Serbisë lidhur me autonominë e plotë të komunave të veriut, në mënyrë që të arrihet zgjidhja kyçe në bisedimet Kosovë-Serbi, të cilat BE-ja ia ka imponuar kreut institucional të vendit tonë, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe me qëllim që Beogradi zyrtar të përshpejtojë rrugën e vetë drejt BE-së.
Vizita e komisares Eshton në Kosovë, nuk është një vizitë për ndonjë problem të vizave, apo ndonjë problem dosido por është një vizitë me qëllim për ushtruar një presion edhe më të fortë drejtuar Qeverisë së Kosovës, për të lëshuar pe edhe kësaj radhe, ashtu sikur ka lëshuar pe në të gjitha bisedimet paraprake, qysh prej fillimit të dialogut të imponuar nga BE-ja. Jo rastësisht, në prag të rifillimit të bisedimeve politike të Kosovës me Serbinë, zonja Eshton kishte paralajmëruar, madje edhe i kishte porositur palët të përgatiteshin për kompromise të dhembshme, duke sjellë Serbinë në pozitë të bisedimeve madje edhe për punët e brendshme të Kosovës.
Pranimi i rihapjes së bisedimeve me Serbinë, edhe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte legjitimuar pavarësinë e Kosovës, ka qenë gabim po aq i rëndë sa edhe pranimi i pakos së Ahtisarit.
Serbia, e cila asokohe iu kishte drejtuar GJND-së, me besim të thellë se ajo gjykatë do të merrte të paktën një qëndrim të rezervuar sa i përket pavarësisë, në mënyrë që të vazhdonte më tej angazhimin kundër kësaj pavarësie, u gjet e deplasuar dhe e goditur rëndë. Të përkujtojmë me këtë rast se më 22 korrik të viti 2010 kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, Hisashi Ovada, kishte deklaruar se gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesë për deklarata të pavarësisë. Në këtë aspekt, ai kishte theksuar: “Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”. Ovada kishte bërë të ditur se Rezoluta 1244 po ashtu nuk e ndalonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Kosova me këtë deklaratë kishte fituar të drejtën për të mos hapur asnjë negociatë me as kë, aq më pak me një shtet, i cili madje me kushtetutë sanksionon çdo mundësi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Duke parë pozitën e palakmueshme dhe tejet deprimuese të Serbisë, e cila kishte humbur edhe mbështetjen e fundit që kishte menduar se e kishte te GJND-ja, Bashkimi Evropian i shkoi në ndihmë Beogradit, duke i ofruar sërish bisedime me Kosovën, fillimisht si bisedime teknike, në mënyrë që ndërkohë të hapeshin edhe bisedimet rreth statusit. Sapo kreu i Kosovës kishte pranuar rifillimin e bisedimeve, kreu i Beogradit kishte bërë të ditur se në bisedimet e tilla do të arrihej një kompromis mes palëve. Gati askush nga zyrtarët qeveritarë asokohe nuk i dha rëndësi, “kompromisit”, duke e trajtuar si “dërdëllitje” ditore të Beogradit, edhe pse dihej mirëfilli se Serbia nuk kishte kërkuar bisedime për ta pranuar shtetin e Kosovës, por për ta diskredituar ndërkombëtarisht, duke përsëritur çdo ditë qëndrimin e hekurt se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e këtij shteti.
Bisedimet për veriun, për një pjesë të territorit të vendit, i cili e ka shpallur pavarësinë, janë bisedime që prekin shtetin, sovranitetin, kushtetutën dhe ligjet në fuqi, por pavarësisht të gjitha këtyre, krerët politikë dhe institucionalë të vendit, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, u pajtuan me rifillimin e bisedimeve, të cilat tashmë kanë dëmtuar sovranitetin dhe kanë stopuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë.
Tani është shumë vonë të përmirësohen sidomos dy gabimet kapitale dhe fatale që ka bërë klasa politike e pasluftës në Kosovë, pranimi i Pakos së Ahtisarit, dhe pranimi i bisedimeve politike me Serbinë, pas verdiktit të GJND-së.
Dhe, pikërisht për këtë, zonja Eshton vjen ballëhapur në Kosovë, e qeshur si kurdoherë dhe me humor të mirë e sigurt se Prishtina zyrtare, e cila për 13 vjet rresht nuk ka arritur t’i thotë jo asnjë propozimi të BE-së, asnjë propozimi madje as të ambasadorëve të huaj, edhe kësaj radhe nuk do ta kthejë duarbosh zonjën e rëndë dhe hundëspece të Brukselit. Tekefundit Prishtina nuk ka kthyer duarbosh asnjë politikan të BE-së, cili do të ketë qenë rangu i tij përfaqësues.
Krerëve politikë të vendit tashmë u kanë mbetur deklaratat e forta që na përkujtojnë atë anekdotën e Nasradin Hoxhës, i cili fqinjit që ia kishte kërkuar gomarin për një shërbim, i kishte thënë se nuk e kishte gomarin në haur. Kur fqinji dëgjoi palljen e gomarit, Nasradini i zënë ngushtë iu drejtua dhe i tha: Të kesh turp që më shumë i beson palljes së një gomari, sesa fjalëve të një myslimani.
Çështja se kujt duhet t i besojmë më shumë, nuk e zgjidh problemin e veriut, as ndikon fare në përfundimin e bisedimeve, apo arritjeve të marrëveshjeve, cilat do qofshin ato. Jemi mësuar tashmë me politikanët tanë disfatistë e qyqarë, të cilët kanë kërkuar t iu besojmë edhe atëherë kur kanë sharruar atje ku nuk duhet.
Shqiptarët e Kosovës mbajnë mend mirë kohën kur Serbia i kishte ndërmarrë të gjitha masat për abrogimin e autonomisë e Kosovës në vitet: 1988-1989. Asokohe, politikanët tanë bënin përpjekje të na bindnin me çdo kusht se me ndryshimet kushtetute Kosova nuk humbiste asgjë, por vetëm përforconte subjektivitetin e vet në Serbi, i cili kishte munguar me Kushtetutën e vitit 1974.
Tani kemi arritur në një situatë paradoksale. Serbia përmes krijimit të asociacionit të komunave të Veriut, pavarësisht se sa kompetenca do të vjelin nga rezultati i bisedimeve, po arrin të homogjenizojë 14 komunat, (kryesisht komuna xhuxhe) në një tërësi administrative vetëqeverisëse, të cilat do të kenë lidhjet horizontale në krejt Kosovën dhe lidhje vertikale me Beogradin. Në këtë mënyrë Serbia paralizon qeverisjen e shqiptarëve në Kosovë, meqë enklavat serbe nuk përbëjnë një tërësi territoriale, sikur shqiptarët në Kosovën Lindore, por shtrihen në shumë rajone të vendit. Për qëllime të kësaj që po ndodh sot, shtatë vjet më parë janë lejuar të krijohen komuna serbe me 1000 e 2000 banorë. Lejen për krijim e këtyre komunave e ka dhënë vetë Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit.
Andaj vjen krejt lirshëm në Kosovë zonja Eshton, sepse nuk është aq e trashë sa të mos ta ketë kuptuar se krerët shqiptarë në përgjithësi, kurdoherë kanë lëshuar dhe lëshojnë pe, meqë nuk i besojnë forcës së vetë kombëtare dhe meqë tashmë janë mësuar të jetojnë në gjashtë shtete, pse të mos pranojnë në Kosovë edhe një mini-shtet të Serbisë sa për fillim.
( 13. 3. 2013)