RKL: Ashton, gjatë vizitës në Kosovë, shpërfilli LDK-në, injoroi Vetëvendosjen dhe Këshillin e Familjeve të të zhdukurve

Vizita turravrap e komisares së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Keterin Ashton në vendin tonë do të ngelë gjatë në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës  për demonstrimin nga ana e saj të mungesës së kulturës diplomatike, madje edhe për demonstrimin  e prepotencës, që mbase vjen edhe nga titulli i saj si baroneshë,  të cilën ajo me siguri se e ka sforcuar  edhe me pozitën  në krye të Bashkimit Evropian.


Që zonja Eshton nuk do të takohet me Lëvizjen Vetëvendosje, kjo nuk na ka habitur shumë, meqë dihet qëndrimi kundër bisedimeve të Kosovës me Serbinë nga kjo parti, por mospranimi i takimit me zyrtarët e lartë të LDK-së, parti e cila në mos për tjetër, ka bërë emër sidomos në ofertat për zgjidhjen e problemeve me dialog dhe në mënyrë  paqësore, kjo ka habitur shumë kënd. Zonja Ashton nuk ka gjetur kohë as për një takim  të shkurtër me përfaqësuesin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjeve të të Zhdukurve. Kryetari i këtij Këshilli, Haki Kasumi ka thënë se familjarët e të pagjeturve  e kanë përjetuar shumë rëndë refuzimin e zonjës, Ashton për të zhvilluar një takim, ku do të flitej për fatin e 1752 të pagjeturve, për të cilët Serbia nuk ka zbardhur as edhe një rrethanë. Në shenjë pakënaqësie, Komisioni qeveritar për të pagjeturit kishte ndërprerë  punën derisa familjarëve t’u mundësohej takimi me njërin nga zyrtarët e lartë të BE-së.


 


Këto veprime injoruese të zonjës Ashton nxorën në dukje  një ves të keq të karakterit të kryediplomates së BE-së, e cila në krye të Unionit vjen këtu për të promovuar paqe, dialog, mirëkuptim, zgjidhje paqësore të problemeve, tolerancë, humanizëm, përfillje të çdo njeriu, të çdo force  politike, por vetë nuk iu përmbahet vlerave të tilla të demokracisë. Këtë qëndrim autoritar ajo e demonstroi hapur në Prishtinë, por një demonstrim të tillë të forcës dhe arrogancës ajo kurrë nuk e ka bërë, as do t’i lejonte vetes ta  bënte në Beograd.


 


Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka  bërë  të ditur se nuk kishte marrë asnjë ftesë për takim me  zonjën Ashton, ashtu sikur LDK-ja bëri të ditur se kryetari, Isa Mustafa ndodhej në Bruksel, nga ku nuk mund të vinte brenda orës për t’ u takuar me zonjën baroneshë të BE-së,  edhe pse LDK-ja kishte caktuar zyrtarët që do të bisedonin me te. Për mungesën e kreut, partia kishte informuar  edhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, z. Zbogar.


 


Komisarja dhe baronesha, Ashton, sikur identifikohet me  titullin e prejardhjes mesjetare të saj, duke lënë të kuptohet se zonja e rëndë paska  origjinë aristokrate, natyrisht se me sjelljen e saj demonstroi pikërisht origjinën, e cila nuk e lejon të takohet me çdo kënd, me njerëz të çdo niveli, madje as me familjarët e të pagjeturve, të cilët  edhe 14 vjet pas luftës në Kosovë nuk kanë as edhe një informatë për më të dashurit e tyre. Principet e parimet e demokracisë të Unionit, të cilin ajo e përfaqëson, nuk janë ndërtuar mbi kodekset e sjelljeve dhe përmbajtjes aristokrate të mesjetës inkuizicionale, por mbi baza të demokracisë përparimtare, e cila promovon një rend shoqëror  pa dallime race, etnie, gjuhe, feje, partie, pa dallime klasore e të tjera, vlera këto  të cilat i zbehu skajshëm zonja e madhe e BE-së. Apo ndoshta ato parime të hartuara e të shkruara me përkushtim, nuk janë asgjë tjetër veçse fjalë e formulime koti. Ajo në vend se të ndikojë në unifikimin e qëndrimit politik në Kosovë, (të paktën të bënte përpjekje për një unifikim të tillë, sipas detyrës), i thelloi ndasitë, duke u rrahur shpinën vetëm politikanëve të lakueshëm, atyre që nëpër shekuj kanë trashëguar mendjen dhe veprimin e robit,  kurdoherë me “lepe-peqe”, duke injoruar ata që kanë ego dhe duan ta mbajnë qëndrimin e tyre, pa paragjykuar se kanë apo nuk kanë të drejtë.


 


Baronesha, kësaj radhe la një shije edhe më të të hidhur në Kosovë dhe bashkë me shijen la edhe porosinë,  tepër të qartë, se për fatin e Kosovës, do të vendos BE-ja  dhe jo Amerika, sikur kishte vendosur në vitin 1999, kur e kishte bombarduar Serbinë e përkëdhelur të Evropës gjatë tërë një shekulli, dhe në vitin 2008 kur Amerika ndër shtetet e para të botës e  kishte pranuar pavarësinë e vendit tonë. Ashton, këtë qëndrim e demonstroi me sjelljen e saj dhe me veprimet autoritare, të cilat edhe si të tilla përçarëse e injoruese, i përfillin dhe i zbatojnë shumica e autoriteteve të Kosovës, po nuk i përfillin autoritetet e Serbisë, madje ata ia kanë bërë të qartë sa e sa herë zonjës Ashton  se nuk heqin dorë nga Kosova, as  për hir të anëtarësimit në BE.


 


Sjellja e tillë e baroneshës, përpjekja e saj për t’ i bindur   autoritetet e Kosovës që me çdo kusht të bëjnë kompromis në marrëveshje me Serbinë, lë për të kuptuar se Brukseli zyrtar qëllim mbi të gjitha qëllimit ka joshjen e Serbisë dhe pranimin e saj në BE, duke mos i dhënë fare rëndësi  copëtimit të mundshëm të Kosovës dhe mundësisë që rajonit të përfshihet nga trazirat. Këtë qëndrim të Brukselit zyrtar e ka promovuar më së miri, zonja Ashton gjatë qëndrimit në Prishtinë, ku ajo takoi veç e veç disa nga liderët, injoroi disa të tjerë dhe shpërfilli në tërësi takimin e me kreun e Asociacionit të Familjarëve të pagjetur.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …