Para luftës së dytë botërore ka pasur shumë pak politikanë në Kosovë. Ata, në të shumtën e rasteve politikën e kanë bërë me pushkë! Vendimet e tyre i kanë nënshkruar me gjak ndërsa si garant, në vend të pengut-hipotekës e kanë ofruar jetën e tyre. Shumica e atyre politikanëve në krye të papërsëritshmin Hasan Prishtina u vranë nga vetë shqiptarët, përkatësisht nga shfaruesi i patriotëve dhe patriotizmës shqiptare, mbreti i vetëshpallur dhe analfabet, satrapi Ahmet Zogolli i cili pastaj, në çastin kur duhej të mbrojë “mbretërinë” e tij dhe vartësit e tij ia mbathi për Itali, Egjipt, Afrikë të Jugut dhe vendet e tjera ku i ofrohej strehim. Pas luftës së dytë botërore kemi dy lloje politikanësh shqiptarë; ata që i shërbyen çështjes kombëtare dhe që e kundërshtuan okupimin jugosllav dhe ata që punuan kundër çështjes shqiptare duke u integruar në shtetin sllav. Këta të dytët i arrestonin, dënonin, vrisnin të parët duke iu bashkangjitur plojës së ushtrisë jugosllave ndaj patriotëve shqiptarë. Në anën e shfarosësve të patriotëve shqiptarë u radhitën edhe komunistët projugosllavë të Shqipërisë të cilët e heshtën masakrën e Tivarit, morën pjesë në masakrën në kryengritjen popullore të Drenicës të udhëhequr nga Shaban Polluzha, ndërkaq që vazhduan me shfarosjen e inteligjencës kombëtare në Shqipëri dhe zëvendësimin e tyre me injorantë të llojit të vet që nuk i shërbenin Nënës Shqipëri por Nënës Parti! Asaj edhe i shërbenin, i shkruanin dhe i këndonin.
Injorantët dhe manipuluesit megafonistë të politikës!
Gjyqet ushtarake dhe politike në Kosovë dënonin dhe ekzekutonin dhjetëra – mijëra shqiptarë me prokurorë dhe gjyqtarë analfabetë shqiptarë. Që i shërbenin Partisë Komuniste jugosllave dhe Jugosllavisë. Nga ky grup kriminelësh shqipfolës u krijua brezi i politikanëve “shqiptarë” të Jugosllavisë shumica e tyre të rekrutuar nga UDB-ja. Një grup pa kurriz, pa dinjitet njerëzorë dhe pa integritet moral! Të cilët para botës ishin pasqyre “e vërtetë” se si shqiptarët i kanë të gjitha të drejtat e tyre në Jugosllavi! Në anën tjetër ishin Gjon Serreçi, Marie Shllaku, Mulla Idriz Gjilani, Rifat Berisha, Jahja Fusha, Shaban Polluzha e shumë patriotë të tjerë që përfaqësonin “anën armiqësore” të shqiptarëve të Jugosllavisë të cilët në fakt nuk e pranonin këtë krijesë si shtet të tyre për dallim nga Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, Fadil Hoxha e shumë jugosllavë të tjerë. Disa prej tyre i kishin duart e përgjakura por të gjithë e kishin mendësinë jugosllave! Dua të them se politikanët dhe patriotët shqiptarë të periudhës para dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishin më të vendosurit. Ata që nuk bënin kompromis për çështje kombëtare dhe të shtetit dhe këtë e dëshmuan me jetën e tyre. Një numër e tyre u dërguan në Goli Otok dhe llogoret e tjera përqendruese në ish-Jugosllavinë ku e lanë edhe kokën e tyre. Duke iu nënshtruar torturave të tmerrshme fizike, etjes, urisë dhe izolimit për të vetmin shkak se ishin shqiptarë.
Pastaj doli në skenë Baca, Adem Demaçi i cili në kohën kur nuk guxohej të flitej shqip, angazhohej dhe organizonte grupe patriotësh për bashkim me Shqipërinë! Këtu nisi rruga e nderit e Adem Demaçit i cili në fakt është vazhdimësi e rrugës së Hasan Prishtinës. Gjithashtu, i madhi Metush Krasniqi angazhohej të flitej shqip, të mendohej shqip, të veprohej shqip, të punohej shqip, të jetohej shqip dhe të vdisej shqip! Shaban Shala në burgjet e Besianës dhe Prishtinës nën torturat më çnjerëzore këndonte se: “hej këtu nuk është Jugosllavi e as Serbi por është Shqipëri”! Udbashët serbë dhe shqiptarë menduan se e vranë por në fakt ia siguruan biletën për përjetësi! Adem Demaçi u bë jo vetëm simbol rezistence por pikënisje dhe pikëpërfundim për të gjithë ata shqiptarë që ishin të gatshëm të punonin dhe të vdisnin për liri. Prandaj, Gjarpinjtë e Gjakut asnjëherë nuk i mundën Shqiponjat e Lirisë! Gjenerata e viteve 60-70 të politikanëve shqiptarë gjithashtu ndaheshin në dy grupe.
1) Ata që kishin frymëzues dhe udhëzues për veprim politik dhe patriotik Prometheun e çështjes kombëtare Adem Demaçin e që pastaj u burgosën siç ishin Skender Kastrati, i pavdekshmi Xheladin Rekaliu, Hakif Sheholli, Ilaz Pireva etj. dhe
2) ata që kishin poste politike në Jugosllavinë e Brozit dhe që këto demonstrata i quanin kundërrevolucionare dhe armiqësore duke i burgosur dhe dënuara atdhetarët shqiptarë.
Në vitet e 70-ta vazhdoi aktiviteti politik dhe kombëtarë i shqiptarëve. Në qiellin e politikës dhe aktivitetit kombëtarë shqiptar por edhe të atij jugosllav shkëlqyen dy yje: Rexhep Mala, ylli i patriotizmës shqiptare dhe Azem Vllasi, yll i patriotizmës jugosllave. Të burgosurit e mëparshëm u burgosën përsëri ndërsa servilët e Titos i konfirmuan postet përsëri! Adem Demaçi e vazhdonte të vuaj dënimin e tij të përjetshëm deri në liri dhe pavarësi. Nuk ishte ky dënim që i kishin ndarë jugosllavët dhe serbët por ishte përcaktim jetësorë i Bacës Adem në përmbushje të misionit të parë dhe të vetëm; liri për shqiptarët dhe bashkimin kombëtar! Vazhduan arrestimet, dënimet, burgjet e rënda, vrasjet, shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve në vitet 80-90 deri në vitin 1998 kur në skenë doli Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës. E formuar nga ata që e donin lirinë dhe që shprehnin gatishmëri të vdisnin për liri! Paralelisht ishin “paqësorët” që e kundërshtonin luftën e sabotonin atë dhe e vlerësonin si “pjellë e Serbisë dhe UDB-së”. Në me krye Patriarkun e nënshtrimit, Him Govën! Të cilin me metoda alkimike po bëjnë përpjekje ta shndërrojnë nga antivlera në vlerë! Nga frikacaku në trim! Nga hartues i dithirambëve për Titon në Zeus të patriotizmës shqiptare! Nga një pengues dhe bllokues të madh të luftës në një themelues të UÇK-së!!
Po, alkimia ka mbetur vetëm teori dhe dëshirë e dështakëve që në këtë mënyrë të realizojnë qëllimet e të tjerëve, sepse vet nuk kanë pasur qëllim!
Vrasja e dy Ademave
Komandantin Legjendar të UCK-së, Adem Jasharin e vranë serbët duke e shndërruar në përmendore të përjetshme dhe vendtakim ku mësohet dhe ligjërohet historia kombëtare, arti luftarak dhe sakrifica biblike! E shndërruan në amshim që do të jetojë sa është bota dhe njerëzimi! Përkundër përpjekjeve për margjinalizim dhe manipulim! Të gjithë vdesin përveç veprës. Adem Jashari ka vepra dhe vepra është vet sakrifica! Adem Demaçin deshën ta vrasin zogollët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë. Serbët e arrestuan, e burgosën thuaja 30 vjet por fizikisht nuk e ekzekutuan. Shpirtërisht, kombëtarisht dhe njerëzisht nuk patën mundësi sepse ishin pa motiv dhe pa qëllim! Përkundër Bacës i cili i kishte të gjitha këto. Adem Demaçin e pushkatuan përmes mediave, pronarë të mediave dhe spekulantë të mediave. Në Kosovë Veton Surroi dhe në Shqipëri Ismail Kadare! E pushkatuan edhe disa politikanë që janë në pushtet, që janë afër pushtetit apo që janë deklasuar nga pushteti! Adem Jashari dhe Adem Demaçi kanë lindur para kohe dhe kanë jetuar para kohe! Shqiptarët janë vonuar me kohën historikisht dhe realisht. Prandaj nuk e kuptojnë Adem Jasharin dhe Adem Demaçin. Prandaj thonë se Adem Jashari i ka marrë në qafë fëmijët dhe anëtarët e familjes. Prandaj thonë se Adem Demaçi shkaku i burgjeve ka rrjedhur nga mendja! I pari, strateg dhe komandant i luftës është vrarë fizikisht ndërsa Adem Demaçi është vrarë 100 e më shumë herë medialisht dhe politikisht!
Politikanët e sotit
Duke ndejtur shumë me ata ndërkombëtarë kanë marrë vetit e tyre. Kanë dëshirë të shkruhet mirë për ta dhe të lavdërohen. Të mos kritikohen! Edhe kur nuk janë në tokë të bukës. Edhe kur shndërrohen në hajdutë dhe cuba! Edhe kur shndërrohen në kriminelë! Edhe kur i denoncon se me diploma dhe tituj të blerë me para, pozitë politike apo me kallash në fakt bëjnë përpjekje ta mbulojnë injorancën e tyre dhe ta mbulojnë analfabetizimin e tyre intelektual si dhe mjerimin moral! Ka në mesin e tyre çuna të mirë dhe për së mbari. Por kanë mbetur minoritet dhe si të tillë duhet të mbrohen. Edhe me pakon e dhunuesit juridik dhe kushtetues, Marti Ahtisari! Intelektualët e konvertuar në politikanë janë shndërruar, një pjesë e madhe e tyre në llaskucër duke e prostituuar intelektualin! Politikanët jointelektualë janë shndërruar në dhunues dhe rrënues të demokracisë! Në profiterë të luftës dhe kriminelë të paqes!
Mundohem të shkruaj një kohë të gjatë. Pa i hyrë dikujt në hak. Pa u shndërruar në vrasës medial me porosi ndaj personave të caktuar. Më kanë ofruar edhe 10.000 euro të pushkatojë persona të caktuar të pozitës dhe opozitës kur nuk i kam pasur as 10 euro në xhep. Nuk e kam bërë dhe nuk e bëjë kurrë! Me asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë! Për shkrimet e mia asnjëherë nuk kam marrë edhe një cent të vetëm. Deri sot! Nuk kam armiq dhe nuk dua të kem! Prandaj, më befasoi reagimi i një politikani të fuqishëm për të cilin them se e kam pasur mik. Mik në jetë nuk nënkupton se e ka të siguruar amnistinë për aktivitet politik dhe kombëtar kur nuk punon si duhet! Nuk kam dëshirë kur dikush me kërcënim dëshiron të më ndryshojë bindjen dhe të më detyrojë të vallëzojë sipas kakofonisë së tij politike. I kam bërë afër (9), nëntë vjet burg politik. Për liri të fjalës dhe liri të mendimit. Jam i gatshëm që përsëri të paguaj çdo çmim për liri të fjalës dhe mendim të lirë! Dhe, në fund të fundit midis asaj se a do të jetojë në një shtet kriminal me kusht që të më mbyllet goja apo nuk do të jetojë fare pa e pranuar këtë kusht, nuk e kam as mëdyshjen më të vogël! Nuk do ta mbyllë gojën!