Behxhet Sh. Shala: Fiset politike dhe politika fisnore në nën qiellin shqiptar !

Shqipëria si “ Piemont “ i shqiptarizmës ka një duzinë të partive politike. Shumica deklarohen si të djathta, një numër i vogël si të majta dhe gjithashtu një numër edhe më i vogël deklarohen si puro kombëtare! Mirëpo, shumica e tyre origjinën apo ngjizjen embrionale politike e kanë Partinë e Punës së Shqipërisë, të konvertuar në Parti Socialiste të Shqipërisë. Pra, babanë politik e kanë të majtë, ndërsa nënën në disa raste e kanë të djathtë!

Partitë puro kombëtare, të vjetra si Balli Kombëtar, Legaliteti etj. dhe kjo e reja si Aleanca Kuq e Zi, për çudi nuk bashkëpunojnë ose e bëjnë këtë fare pak me një parti e cila deklarohet si kombëtare, por me orientim evropian, me Partinë Demokratike që sundohet nga doktori i Tropojës, Sali Berisha.

Për ta dëshmuar përcaktimin kombëtar, sidomos para zgjedhjeve në Shqipëri, dr. Berisha ua premtoi shtetësinë shqiptare blanko të gjithë shqiptarëve të botës, të cilën pastaj e përshtati pas “këshillës” së miqve ndërkombëtarë. Pastaj, gjithashtu, për ta dëshmuar kombëtaren e tij, rehabilitoi figurat që më së shumti e kanë dëmtuar politikisht dhe kombëtarisht Shqipërinë dhe shqiptarët, siç ishte rasti i rehabilitimit të ortakut të tij, mbretit analfabet dhe shfarosësin e shumicës së patriotëve shqiptarë, Ahmet bej Zogollin! Mos të flasim pastaj se sa dëme ekonomike i bëri Shqipërisë dhe Kosovës, duke favorizuar bizneset serbe dhe duke shkelur ato kosovare dhe të shqiptarëve të tjerë të ndarë dhunshëm në gjashtë shtete. Dhe, shumë margaritarë të tjerë politik, siç janë ndërhyrja dhe përçarja e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Artin e politikës e ka shndërruar në art të mbajtjes së pushtetit, si Robert Mugabe. Sundimi mbi 20 vjeçar nuk ka të bëjë fare me demokracinë. Mbetja me çdo çmim në pushtet nuk është aspak demokratike! Sali Berisha, në fund të karrierës së tij, po i kthehet origjinës politike: Shinjellit të Enver Hoxhës nga edhe ka dalë, si disident i konvertuar brenda një jave!

 

As Edi Rama nuk është ndonjë demokrat që do të hyjë në librat ku mësohet për një demokraci të mirëfilltë. Edhe ai është një diktator i vogël, me trup të madh, i veshur me kostum të politikanit modern. Ka një përparësi të madhe ndaj doktorit, sepse shquhet me një retorikë shembullore që është një plus i madh gjatë komunikimit me masa. As ky nuk e ka mendjen ta lë pushtetin, por do ta mbajë atë me çdo kusht! Ana tjetër e Sali Berishës.

Këta të dy kanë hyrë në politikë me brekë të shqyera, ndërsa do të dalin si milionerë. Me kostume Versaçi, këpucë Prada dhe mbathje sigurisht firmato! Në kohën kur pjesa më e madhe e elektoratit është shndërruar në kategori sociale!

Ilir Meta është varianti Daçiq në Shqipëri. Shërben si një përcaktues për formimin e qeverisë. Pa pasur skrupuj e moral fare. E ka çmimin e tij dhe deri tash e ka fituar. Kryesisht nga Saliu. I majtë politikisht , i djathtë karrierist!

 

Kreshnik Spahiu e ka vështirë të forcohet me folk-patriotizëm. Ndoshta, pasi po del për herë të parë në zgjedhje edhe mund ta kalojë 12 përqindëshin. Votat ia uli komisionari Fyelli dhe ambasadori Arvizu, që ia zbutën patriotizmin dhe nacionalizmin duke e shndërruar në një ndjekës të integrimeve evropiane! Sikur ata para tij!

Ndoshta, zgjedhja më e mirë aktualisht për Shqipërinë është Bamir Topi. Me një bagazh intelektual, integritet moral dhe përvojë politike si ish president i Shqipërisë. Shpresoj të fitojë jo më pak se 15 për qind të votave. Emërues i përbashkët është se edhe në Shqipëri liderët partiakë janë në fakt kryepleq të fiseve të dikurshme. Dhe sundojnë me ligjet e Vatikanit. Të mbesin në pushtet deri në vdekje. Sikur Papa i Vatikanit.

 

Kosova është rast sui generis

 

Kosova është vend i mundësive të mëdha. Vend i mundësive të pakufishme, ku njeriu brenda natës bëhet ministër dhe vërtet mendon se është ministër; ku analfabeti bëhet me tituj shkencorë dhe ku intelektuali me injorancën dhe servilizmin e tij shndërrohet në shërbyes civil të një politikani matrapaz; ku ekonominë e shtetit e udhëheqin hajdutët e mëhallës dhe ku postet ndahen si në bahçe të babës; ku ata që i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë, janë shndërruar në mbrojtës të pavarësisë; ku vota e një sms-i vlenë më shumë se 500.000 votues!

Edhe këtu kemi shumë parti. Thuaja sa në Shqipëri. Dhe, thuaja të gjitha deklarohen si të djathta, sepse duan të jenë si partitë demokratike dhe republikane. Orientimi tjetër politik, ai i majtë për to, është fyes, ndonëse të gjitha e kanë burimin nga e majta e Titos apo e Enverit! Organizimi politik i partive politike në Kosovë është tipik organizim fisnor. Në krye të tyre është ose Shefi, Lideri, Taraku, Fideli, Baci nga Mareci, Knjaz Milloshi, Sulltan Sylejmani ose Amkademiku! Të gjithë kanë jetëgjatësi politike, sikur rusët e Siberisë që kanë thyer rekorde botërore për jetëgjatësi. Por, karriera politike e tyre nuk përcaktohet nga vota në Kosovë, por nga vota në Bruksel dhe Vashington.

 

Këta, për dallim nga politikanët në Shqipëri, përdorin fjalor më të artikuluar, sipas standardeve demokratike dhe rrallë fyejnë. Fjalët hajn, kriminel, bandit janë shprehje e edukatës politike dhe familjare! Kosova ka mbetur pa opozitë! E kanë lënë pa opozitë! Dhe, duket se nuk do të ketë opozitë shpejt. Madje, shumë herë nuk dihet kush është në pozitë e kush në opozitë! Janë ngatërruar leshrat krejt. Janë bërë EULESH vendor! Më nuk është kriter se a je për Kosovën dhe qytetarët e saj, por a je për dialog a kundër tij?! A je amerikan apo kundëramerikan?! A je me Ahtisarin e me Rasim bugarin?!

Këto janë metodat më efikase dhe më të shpejta për eliminimin e armiqve politik në Kosovë! Prandaj, shumica e atyre këndesave e ulin zërin, posa ta shohin fotografinë e Baroneshës Ashton apo të ndonjë zyrtari amerikan! Mos të flasim nëse e dëgjojnë zërin e tyre. U shkon shurra vadë! E patë diskutimin në Kuvendin e Hajkobillës e që po kontrabandohet si Kuvend i Kosovës për formimin e komisionit ad hoc për rastin Kiçina. Nga më shumë se 80 deputetë që votuan pro, pas pauzës dhe shigjetave ndërkombëtare, mungoi kuorumi.

 

Vërtetë jemi rast sui generis. E mbrojtëm pavarësinë institucionale. Kur kanë ta votojnë ndonjë ligj, me sugjerimin e ndërkombëtarëve apo për sigurimin e kuorumit, fillon gjuetia e deputetëve për të votuar. Madje, ka raste kur i nxjerrin nga WC ende pa e kryer nevojën fiziologjike (terminologji shkencore se jo mahi), pa i veshur pantallonat, duke u pikuar shurra deri në karrigen e deputetit! E mahnitshme, romantike, sensuale dhe origjinale!

 

Maqedonia dhe Etiopia

 

Enda pa përfunduar lufta në Maqedoni midis maqedonasve dhe shqiptarëve, e që nuk zgjati as dy vjet të plota, filloi lufta midis shqiptarëve e cila nuk ka përfunduar deri më sot dhe duket se as që ka ndërmend të përfundojë, meqë palët armiqësore ndërshqiptare janë barrikaduar dhe po shtinë kundër njëra-tjetrës me artilerinë më të rëndë verbale. Duket se më e madhe është armiqësia midis shqiptarëve sot, se ajo midis maqedonasve dhe shqiptarëve në kohën e luftës! Mentalitet tipik fisnor i të bërit politikë! Paradoks i llojit të vet. Gruevski i ngulur në kryqin e madh mbi Vodno po e bënë bilancin e viktimave shqiptare! Dhe, po fiton vota duke i fituar zgjedhjet. Me këtë sjellje, shqiptarët, jo që nuk do t’i fitojnë votat në Maqedoni, por as votat e ruajtësve të deveve në Etiopi !

 

Lugina e Preshevës dhe Veriu i Kosovës

 

Serbët në Veri të Kosovës nuk po i pranojnë institucionet e Kosovës. As ato të EULESH-it. Madje, as ato të Serbisë. Prandaj, edhe nuk do ta kenë fundin e mirë. Nuk po e pranojnë as autoritetin e Avni Kastratit në Veri, ndonëse ai u tha shkoqur se “ja sam predsednik Mitrovice”. Ata mendonin se është ndërkombëtar dhe se ka ardhur nga një shtet tjetër!

Serbët në Veri po ngrenë barrikada në rrugë dhe pengesa tjera. Për të penguar ardhjen e policëve të Kosovës dhe doganierëve të Kosovës. Edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës po bllokojnë rrugët! Për të penguar policët dhe xhandarmerinë e Serbisë. Prandaj, e bllokuan rrugën për Gjilan! Rrugën që i lidhë me Kosovën!

 

Mbase jam edhe injorant, pasi Thaçi po thotë ashtu

 

Të gjithë neve që kemi mendim ndryshe për problemin e Veriut, kryeministri i Kosovës po na quan injorantë! Mund të jetë edhe ashtu! Nuk jam hidhëruar aspak! Uroj ta kem gabim dhe të mos dalin parashikimet e mia! Uroj që në këtë bastore politike me rezultate të trukuara, kryeministri Thaçi të dali fitues. Unë ende kam rezerva. Nuk njoh rast që në një dialog të sponsoruar nga referat ndërkombëtarë, njëra pale të dali fituese. Ndryshe, cili është atëherë kuptimi i dialogut?! Pse duhet të marrin vendime të rënda të dyja palët?! Pse, sipas ambasadorit amerikan në Beograd të dyja palët duhet të japin nga pak që të arrihet një marrëveshje?!

Në këtë seks negociator, me shumë ngulitje që nuk japin kënaqësi, por më shumë shkaktojnë trauma, rezultatet nuk do të shihen menjëherë! Pavarësisht se çka i servohet opinionit! Rezultatet do të shihen më vonë. Pas një shtatzënie të stërzgjatur! Atëherë do të shohim frytin e këtyre negociatave! Dashtë Zoti të lind një fëmijë i shëndoshë!

I erdhi radhe edhe “të birit“ të meçkës së Beogradit të më bëjë të qeshë duke më thënë: “Behxhet, je shumë pesimist dhe ogurzi në analizat tua. A po e sheh se më në fund edhe ne ia futëm Serbisë… Pecin”. Mund të ketë të drejtë! Ne ia futëm Serbisë Pecin (Lulzim ambasadorin), por kam frikë se mos po na futë Serbia neve diçka më të madhe se Pecin!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …