Edhe 14-vjet pas luftës dhe fitores historike të Kosovës mbi Serbinë, vendi ynë ende po mbetet nëpër kthetrat e gjakosura të politikanëve serbë me të kaluar dhe të tanishme të errët e destruktive, me qasje gjithnjë e më kriminale ndaj Kosovës.
Edhe pse Kosova u çlirua falë gjakut të derdhur të çlirimtarëve dhe përkrahjes nga ajri të forcave të NATO-s, Serbia dhe qarqet e fuqishme pro serbe në Evropë e më gjerë nuk po heqin dorë në pretendimet e tyre kriminale ndaj Kosovës, me qëllim për ta degraduar pavarësinë e saj dhe për ta gjymtuar nga të gjitha anët që të mundin.
Historia e bisedimeve të Kosovës me Serbinë nuk njeh as edhe një marrëveshje të vetme, e cila do të ishte arritur mbi parime të reciprocitetit, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës mbi principe të barazisë.
Për 85 vjet rresht regjimet e Serbisë kanë hartuar dhe kanë zbatuar plane për eliminimin, dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve. Prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999, pakica serbe në Kosovë ka sunduar brutalisht dhe egërsisht mbi shumicën shqiptare, duke qenë gjithnjë e instrumentalizuar nga politika fashiste e Beogradit. Serbët e Kosovës, sidomos kolonët, kanë qenë dhe kanë mbetur vegla të verbra të Beogradit në zbatimin e politikave antishqiptare. Prej vitit 1912 e deri tani, politika antishqiptare serbe e Beogradit ka gjetur shqiptarë, politikanë, intelektualë, akademikë, policë, prokurorë, inspektorë, gjykatës shqiptarë, me të cilët ka bashkëpunuar me qëllim për t’ i realizuar planet dhe projektet kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe jo vetëm kundër Kosovës.
Në kohën e gjatë nën robëri ka pasur edhe periudha ku shqiptarët kanë marrë frymë më lirshëm, ku ata kanë realizuar një nivel të të drejtave njerëzore e kulturore, ku kanë bashkë qeverisur me serbët, por në asnjë përudhë kohore shqiptarët nuk janë trajtuar të barabartë dhe nuk u është njohur e drejta për vetëvendosje. Të gjitha bisedimet e deritanishme shqiptare serbe kanë dështuar, sa herë që shqiptarët kanë kërkuar barazi, liri, vetëvendosje.
Serbët, duke i manipuluar dhe duke i instrumentalizuar komunistët shqiptarë të Kosovës prishën Rezolutën e Konferencës së Bujanit, të janarit të vitit 1944, e cila parashihte vetëvendosjen e Kosovës pas luftës dhe fitores mbi fashizmin. Në gusht të vitit 1945, politikanët serbë në Konferencën e Prizrenit reviduan Rezolutën e Bujanit dhe i detyruan komunistët shqiptarë të votojnë për mbetjen e Kosovës nën Serbi e nën Jugosllavi.
Prej vitit 1945 e deri në vitin 1989 kur e pezulluan autonominë e Kosovës bisedimet shqiptare serbe janë zhvilluar në mënyrë institucionale në kuadër të shtetit të përbashkët.
Prej vitit 1989 e deri tani bisedimet Kosovë-Serbi janë zhvilluar në rrethana të reja historike, në të cilat është pleksur edhe një segment i diplomacisë botërore.
Pasuan një varg i bisedimeve gjithnjë të dështuara të klasës politike pacifiste të Kosovës me kreun e regjimit kriminal të Milosheviqit. Në kohën kur ishte konsoliduar lufta e UÇK-së me nismën e një segmenti të diplomacisë ndërkombëtare u mbajt edhe konferenca e Ramubujesë, shkurt-mars 1999, të cilën Serbia nuk e nënshkroi, edhe pse ajo marrëveshje parashihte sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe ishte shumëfish më e favorshme për Serbinë se sa për vendin tonë.
Pas luftës fitimtare të UÇK-së dhe bombardimit të Serbisë nga Aleanca Vetiatlantike, regjimi serb u dëbua nga Kosova, por Kosova u përjashtuar nga Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit të vitit 1999, edhe pse Serbia kishte pranuar kapitullimin. Diplomacia perëndimore nuk shpalli fitues as humbës të luftës, të cilën filloi ta kualifikojë si një konflikt mes regjimit të Milosheviqit dhe UÇK-së.
Pasuan pastaj Bisedimet në Vjenë, me të cilat nuk u pajtuan serbët, meqë në vazhdimësi kërkonin kthimin e sundimit në Kosovë.
Politikanët serbë nuk e pranuan as planin e Ahtisarit edhe pse ai plan u projektua në radhë të parë për rregullimin e pozitës tejet favorizuese të serbëve në Kosovë.
Vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, klasa politike në Serbi u acarua edhe më tepër dhe filloi politikën tejet destruktive jo vetëm kundër Kosovës por edhe kundër të gjitha shteteve që kishin pranuar pavarësinë e saj
Me qëllim për ta denoncuar shpalljen e pavarësisë si akt të kundërligjshëm ndërkombëtar, Serbia kërkoi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shpallte verdiktin e saj lidhur me pavarësinë e Kosovës. Vendimi unanim i GJND-së pro pavarësisë së Kosovës i dha grushtin vendimtar Serbisë, e cila kishte dështuar pikërisht atje ku i kishte varur shpresat e fundit.
Mirëpo miqtë e shumtë të Serbisë në BE, të indinjuar me pësimet e diplomacisë serbe, miqtë dhe aleatët besnik të Beogradit, të cilët kishin kundërshtuar edhe bombardimin e saj, pavarësisht krimeve dhe masakrimit të qindra mijëra kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve, ndërmorën një fushatë për të rifilluar edhe njëherë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që Serbisë t i ofrohej edhe një mundësi për ta mbajtur peng pavarësinë e Kosovës dhe për të shkëputur nga kjo territoret me shumicë serbe, duke kërkuar një plan Ahtisari plus, për serbët në Kosovë dhe për Serbinë përgjithësisht.
Me qëllim për t’i futur në lojë politikanët naivë të Kosovës, të cilët prej mbarimit të luftës kanë qenë të shantazhuar nga UNMIK-u, KFOR-i, OSBE-ja, EULEX-i, shtetet e Qiuntit dhe disa nga zyrat e huaja të akredituara në Prishtinë, Brukseli shpalli të nevojshëm fillimin e bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim sikur thuhej, për rregullimin e disa çështjeve teknike si komunikacioni, energjia, listat e kadastrave, lëvizja e lirë etj, duke anashkaluar përmendjen e bisedimeve politike.
Sapo kreu politik dhe institucional i Kosovës, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, pranoi rifillimin e bisedimeve pa kusht me Serbinë, filloi edhe presioni i fuqishëm i BE-së kundër Kosovës, nga e cila kërkohej dhe po kërkohet aktualisht t’i plotësojë kërkesat e Serbisë për krijimin e një shteti të ri serb në Kosovë, pavarësisht si paraqitet dhe si interpretohet në fjalorin diplomatik bërthama edhe ashtu tashmë e funksionalizuar e atij shteti, jo vetëm në Veriun e vendit ku serbët janë shumicë, por në tëra enklavat e dikurshme serbe, madje edhe atje ku nuk ka pasur asnjë kokë serbi.
Thaçi drejt pajtimit “historik” apo drejt humnerës?
Lëshimet e njëpasnjëshme të klasës politike negociatore, për hir të miqve ndërkombëtarë, për hir të partneritetit “me ata me të cilët Kosova paska shpallur pavarësinë”, për hir të BE-së ku Kosova pretendon do ta ketë qerthullin e vet, për hir të qytetarëve serbë dhe me qëllim për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, edhe pse ajo Kosovën e trajton si provincë të veten, madje të sanksionuar edhe me Kushtetutë, natyrisht edhe për do hire të tjera, të mos i përmendim të gjitha, pala e Kosovës ka marrë vendim që për hir të të gjitha hireve të tregohet duarlarë edhe kësaj radhe, duke besuar fort se do t’ i kënaq përfundimisht orekset e Serbisë.
Se do të ketë kompromise në përmbyllje të bisedimeve këtë në mënyrë të tërthortë e ka bërë të ditur edhe vetë kryeministri, Hashim Thaçi që është edhe kryenegociatori në bisedime me Beogradin zyrtar. “Gjatë takimit në kabinetin qeveritar, kryeministri Thaçi ka deklaruar se nëse në Bruksel arrihet marrëveshja, fitues do të jenë dy palët. Nëse nuk arrihet marrëveshja, humbës do të jemi dy palët. Edhe Kosova edhe Serbia, të gjithë do të jemi të dëmtuar konstaton Thaçi. mirëpo kryeministri shpreson se në ditët që kanë mbetur derisa palët të nisin për në Bruksel do të ketë angazhim shtesë nga të gjithë faktorët relevantë, në mënyrë që të shkohet drejt arritjes së asaj dhe sqaron se çka është punuar në gjashtë muajt e shkuar, prej kur ka nisur dialogu i karakterit politik. Pavarësisht nga vështirësitë që janë duke e përcjellë këtë proces, që kanë qenë edhe të pritshme dhe që janë krejt normale, ne shpresojmë në arritjen e marrëveshjes dhe dialogu mbetet alternativa e vetme për ndërtimin e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi. “Unë shpresoj në arsyen e të gjithëve, që të dominojë përgjegjshmëria, arsyeja politike dhe vendimmarrja për të ardhmen, mbi emocionet e së kaluarës, ka saktësuar Thaçi.
Kryeministri mendon se fitues duhet të jenë të dyja palët, pra edhe Serbia, e cila nuk lëshon pe në kërkesat e saj, sepse po të kishte lëshuar pe Serbia nuk do të ishte shtyrë radha e fundit e bisedimeve. Në rast të mos arritjes së marrëveshjes, Thaçi mendon se të dyja palët do të humbin, pa treguar qartë se çka humb Kosova në rast të mosnënshtrimit të marrëveshjes nga Serbia, nëse ajo nuk lëshon pe.
Thaçi e di fare mirë se Serbia në Rambuje nuk ka lëshuar pe dhe pikërisht për atë ka marrë edhe ndëshkimin ndërkombëtar, por sot çfarë ndëshkimi i bëhet Serbisë, nëse ajo nuk rreshtohet për anëtarësim më BE? Në Këtë pyetje është përgjigjur krejt haptas, zëvendës-kryeministri çetnik i Serbisë, Vulin, i cili para serbëve në Syriganë të Drenicës ka deklaruar se Serbia nuk e jep qoftë edhe një kokë serbi për t’ u futur në BE. Apo ndoshta Vulini po i mashtron serbët dhe Thaçi nuk po i mashtron shqiptarët?
Për të kuptuar sesa të dëmshme për Kosovën kanë qenë dhe do të jenë këto bisedime, në të cilat vazhdimisht ka bërë lëshime pala shqiptare, po i referohemi deklaratës së kryenegociatores teknike, Edita Tahiri e cila për gazetën “Epoka e Re” ka pranuar publikisht se “Kosova në bisedimet e Vjenës duke u bazuar në planin e Ahtisarit ka qenë zemërgjerë përtej standardeve ndërkombëtare për minoritetet.” Prandaj s’mund të flasim për çfarëdo lëshimi pe sepse kemi qenë më shumë zemërgjerë sesa kanë kërkuar ndërkombëtarët. Pranimi nga ana e saj se Kosova ka lëshuar pe më shumë sesa lejojnë standardet ndërkombëtare, flet vetvetiu se cila ka qenë dhe po mbetet pozita vetë-mashtruese, nënshtruese, poshtëruese dhe nënçmuese e dialoguesve të Kosovës me Serbinë.
Lëshimi pe i dialoguesve nga Kosova është bërë hap pas hapi, nga java në javë, nga muaji në muaj nga njëra radhë e bisedimeve në tjetrën, është bërë në vazhdimësi dhe sa më të ashpra e më pompoze kanë qenë deklaratat për opinion, aq më të thella kanë qenë kompromiset, gjithnjë nga pala e Kosovës dhe asnjëherë deri tani nga pala serbe, sepse Serbia ka hyrë në bisedime pa e njohur shtetin e Kosovës, të cilin e konsideron pronë të veten. Këtë proces e kemi përcjellë prej fillimit dhe mjerisht, për fatin e keq të ardhmërisë së Kosovës, por edhe të të gjithë dialoguesve prej atyre anëtarëve syleshë e të lyer me gel, pastaj te fytyrë mufatja e pudrosur e deri te kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të cilin nuk besoj se e pret çmimi Nobel për paqe, meqë këtë mundësi nuk ia lejon as për ta parë ëndërr, Dik Martinoviqi dhe Parlamenti Evropian. Thaçin, por edhe të gjithë ata që e kanë përkrahur dhe po e përkrahin në rast të kompromisit të fundit në Bruksel në dëm të Kosovës e pret humnera nga e cila kurrë më nuk do të dalë ai, as pasuesit e tij.