leoni

Radio-Kosova e Lirë në Ditën Botërore të lirisë së medieve

Në mesin e ditëve të shënuara të mbarë botës, 3 maji shënon Ditën Botërore të lirisë së medieve.

Sot, kudo në botë flitet për medie të lira, të varura e të pavarura, flitet për lirinë e kufizuar të medieve, madje edhe për kontrollimin e tyre nga politike, për keqpërdorimin, shumë herë edhe ngulfatjen e fjalës së lirë, madje jo pak herë edhe për keqpërdorimin e saj. Aktualisht ka drejtues mediesh që shantazhojnë politikanët dhe grupet e caktuara të interesit, ka të tillë që zhvasin përfitime nga partitë e caktuara politike, medie që bëjnë punën e djallit, që afishojnë amoralitetin, që stimulojnë perversitetet dhe medie që në pamundësi për të mbijetuar me aktivitet kreativ dhe qasje serioze realiste ndaj problemeve sociale, ato veprojnë në drejtim të  degjenerimit të vlerave morale kombëtare e njerëzore.  Këto dhe konstatime e opinione lidhur me mediet e lira dëgjohen kudo në botë, por edhe në trevat shqiptare, në Ballkan.

 

Mediet janë pjesa kumtuese, shprehëse e informuese e shoqërisë dhe qytetërimit njerëzor në përgjithësi. Ato pasqyrojnë më së miri realitetin ekzistues të një shoqërie të caktuar, duke u vënë në shërbim të informimit, që gjithnjë pretendohet të jetë i drejtë, real, i paanshëm dhe i argumentuar, por shumë herë nuk ndodh kështu. Në një vend ku mbretëron kaosi, ku nuk funksionin ligji, ku shtetin e udhëheq mafia, korrupsioni, edhe mediet funksionojnë në akord me gjendjen ekzistuese. Në një vend ku shkelen të drejtat e njeriut, të drejtat e punës, të femrave, të fëmijëve, mediet kanë për detyrë hulumtimin dhe zbulimin e dukurive të tilla, por jo gjithherë ndodh kjo, për shkaqe të shumta dhe të ndryshme.

Në Ditën Botërore të Lirisë së medieve, Radio-Kosova e Lirë, një medium elektronik, i cili është themeluar nga SHP i UÇK-së, në nëntor të vitit 1998 dhe që ka transmetuar në kohën e luftës sonë çlirimtare e fitimtare prej 4 janarit të vitit 1999 e deri tani, ndien obligim të pasqyrojë disa segmente të punës dhe aktivitetit medial të saj, në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në përhapjen e së vërtetës dhe mendimit të lirë

 

Duke qenë një medium elektronik me përmbajtje kombëtare, Radio-Kosova e Lirë ka historikun e vet të lavdishëm, gjatë dhe pas luftës,  deri në ditët tona. Për 14-vjet të punës së saj në kushte dhe rrethana tejet të pafavorshme, në kushte dhe rrethana të konkurrencës së pamëshirshme kapitaliste, me pretendime të kontrollimit dhe  “korrektimit” nga lartë, injorimit, degradimit të statusit me kufizim të dëgjueshmërisë nga ZKPM-ja dhe KPM-ja,  Radio-Kosova e Lirë ka treguar me vepër sesi mund të mbijetojë një medium krejtësisht i pavarur nga politika dhe nga grupet e interesit, pavarësisht si interpretohet kjo nga  qarqe të ndryshme mediale dhe politike në vend.

 

Duke ruajtur me fanatizëm vlerat kombëtare, liritë njerëzore e fetare, Radio-Kosova e Lirë ka ndërtuar një koncept të veçantë të programit, duke u mbështetur në radhë të parë në trashëgiminë krijuese afirmative të së kaluarës dhe të tanishmes, në përfaqësimin sa më të gjithanshëm të kulturës dhe traditës kombëtare, me qëllim për t’iu sjellë dëgjuesve tema të larmërishme nga fusha të caktuara të dijes dhe emancipimit arsimor e kulturor,  të cilat nuk janë karakteristike për medet e tjera.

 

Duke ndërtuar një program ndryshe, një alternativë të llojit të vet, një medium që përkrah dhe stimulon me çdo formë bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet unik, Radio-Kosova e Lirë është vënë në binarë të ruajtjes dhe përparimit  të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të përparimit të vlerave emancipuese kulturore, arsimore e shoqërore, me qëllim që të japë kontribut në unifikimin e kulturës dhe gjuhës së komunikimit ndërshqiptar. Në këtë segment kjo Radio, e cila ka edhe portalin e vet mjaft të pasur në Internet, ka arritur rezultate të shumta në ndriçimin e sa se temave nga e kaluara dhe e tanishmja, në interpretimin kreativ dhe kritik ndaj temave të caktuara, duke qenë gjithnjë mbrojtëse e vlerave kombëtare dhe atyre universale, njerëzore.

 

Në rrugë për ta pasqyruar realitetin, në përpjekje për ta ruajtur trashëgiminë afirmative kombëtare, në përpjekje për të mos e lënë në harresë të kaluarën, në rrugë për të denoncuar keqqeverisjen, abuzimet, korrupsionin, shkeljen e të drejtave të punëtorëve, fshatarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, Radio-Kosova e Lirë nuk ka kursyer as nuk kursen nga kritika e përditshme,  asnjë grup politik, qoftë në pozitë, apo në opozitë.

Një e veçantë tjetër e kësaj Radioje është edhe qasja realiste dhe kundërshtuese e pretendimeve për globalizimin dhe integrimin pa kusht në BE, pa një bashkim paraprak fizik të të gjithë shqiptarëve në një shtet kombëtar, ashtu sikur e kanë realizuar këtë të drejtë të gjithë popujt e botës, por edhe fqinjët tanë, të cilët i kanë ndërtuar shtetet e tyre kombëtare duke aneksuar territore të pastra etnike shqiptare, me lejen dhe bekimin e shteteve të Evropës.

Radio-Kosova e Lirë nuk ka burim frymëzimi Brukselin globalist, i cili nuk ka vepruar as po vepron me drejtësi sa i përket çështjes shqiptare, por shkel të dobëtit, me qëllim për të ruajtur status-quonë, paqen dhe rendin ekzistues. Po ashtu kjo Radio nuk pajtohet me pretendimet për rivlerësimin e së kaluarës gjatë kohës së pushtimit të Perandorisë Osmane në trojet shqiptare. Si medium i luftës, për mbrojtjen e zërit të së cilës kanë rënë shumë dëshmorë e martirë gjatë kohës së luftërave tona çlirimtare, RKL, i jep vetes të drejtë ta ruajë dhe ta restaurojë programin e pastër kombëtar, programin e Rilindjes Kombëtare me pretendim të hapur për bashkimin e trojeve shqiptare, me hir apo pa hir. Jemi të vetëdijshëm se në këtë segment nuk e kemi përkrahjen e tellallëve dhe animatorëve të përgjëruar  të BE-së, ashtu sikur jeni të vetëdijshëm dhe besojmë fort se as BE-ja nuk e ka të gjatë ekzistencën, as perspektivën,  pas krizave me të cilat po përballet në Greqi, në Spanjë, Itali e gjetkë.

Radio-Kosova e Lirë, në Ditën Botërore të Lirisë së Medieve zë vendin e vet meritor, në segmentin e informimit dhe qasjes autentike të problemeve me të cilat po ballafaqohet Kosova, shoqëria  shqiptare dhe bota në përgjithësi. E lindur dhe e kalitur në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo Radio po mbetet zëdhënëse e përhershme  dhe e përjetshme e vlerave më të fisnikëruara kombëtare në hapësirën mediale të vendit e më gjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …