RKL: EULEX-i vazhdon fushatën kundër luftës së UÇK-së dhe kundër pavarësisë së Kosovës

Fushata e EULEX-it kundër kreut të luftës së Kosovës hap kapitullin e radhës, në përpjekje për ta diskredituar luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, me qëllim për ndihmuar Serbinë në përballjet e saj me krimet e kryera gjatë tërë një shekulli kundër të gjithë popujve të Ballkanit. Kjo ndihmë e madhe dhe e pakursyer që po i jep Bashkimi Evropian Serbisë, bëhet me qëllim të rikthimit të saj si xhandar i fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm, në Ballkan, pavarësisht se Serbia është i vetmi shtet në botë që është ndëshkuar nga fuqia më e madhe ushtarake e botës nga Aleanca Veriatlantike dhe ky ndëshkim ka ndodhur kundër vullnetit të të gjitha shteteve anëtare, të Bashkimit Evropian, përveç Anglisë.

Qysh prej kohës kur ky mision është instaluar në vendin tonë e deri tani, angazhim primar ka pasur arrestimin e dënimin e ish-eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, duke u  shërbyer me dosjet e kohës së regjimit kriminal të Milosheviqit. Aq larg ka shkuar ky mision, në përpjekje për ta përbaltur luftën tonë çlirimtare sa ka rikthyer për gjykim edhe lëndët e paragjykuara penale nga Gjykata e Hagës, sikur është rasti me Fatmir Limanj, njërin prej komandantëve më me ndikim të luftës së UÇK-së në Kosovë, i cili ndodhet në procesin e rigjykimit për të njëjtat vepra të supozuara penale, për të cilat e ka shpallur të pafajshëm Tribunali i Hagës.

UNMIKU dhe EULEX-i në fushatat kundër UÇK-së kanë pasur dhe kanë për qëllim diskreditimin e kreut të luftës, duke i akuzuar për krime lufte, ata eprorë dhe ushtarë që e kanë mbrojtur popullatën civile nga shfarosja dhe të cilët, ashtu sikur ndodh kudo në luftë,  kanë ndaluar e arrestuar edhe bashkëpunëtorë të regjimit kriminal, okupator. Është tmerrësisht antinjerëzore ta akuzosh një epror të UÇK-së pse paska  keqtrajtuar një civil shqipfolës apo një serb gjatë luftës, apo pse paska vrarë një oficer kriminel, dhe të anashkalohen, të mbesin pa u ndëshkuar mijëra  kriminelë  serbë që kanë vrarë dhjetëra mijëra shqiptarë, kanë dhunuar mijëra femra shqiptare, kanë vrarë edhe 800 fëmijë të mitur nën moshën 12-vjeçare.

Fushata e EULEX-it kundër UÇK-së është një “dhuratë” më shumë që po i jepet Qeverisë së Kosovës për bisedimet e suksesshme me Serbinë. Dhe sa më shumë që të përparojnë bisedimet, aq më shumë ish-luftëtarë dhe eprorë të UÇK-së do të arrestohen e do të diskreditohen, sepse Qeveria e Serbisë i ka kushtëzuar bisedimet, me qëllim që gjatë kësaj kohe t’ i trimërojë serbët për t’ u kthyer në Kosovë, meqë  ata ndihen të frikësuar, krejt derisa nuk arrestohen dhe nuk dënohen të gjithë komandantët e UÇK-së.

Por një gjë është më se e sigurt se në fund të fushatës kundër UÇK-së, EULEX-i “dhuratën” më meritore  do t ia japë atij, që ka më shumë merita për degradimin e pavarësisë së Kosovës, për devalvimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për mbetjen në mëshirë të kohës të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në çlirimin e vendit nga barbaria serbe.

Arrestimi i kreut të luftës në Drenicë, arrestimi i kreut të luftës së Zonës Operative të Pashtrikut, të Llapit, të Dukagjinit, dhe sa e sa arrestime e dënime që ka ndërmarrë deri tani EULEX-i, paralajmërimi edhe për arrestimin e 100 rasteve të tjera, gjoja për krime lufte, nuk janë arrestime virtuale por janë sulm direkt kundër çlirimtarëve, kundër familjeve të tyre, kundër tërë gjakut të derdhur për liri, kundër vlertave morale e kombëtare të shqiptarëve.

Nëse EULEX-ia ia del që ta penalizojë luftën e UÇK-së, pavarësisht  mungesës së fakteve, sepse në gjykimet e montuara politike, më së paku kërkohen fakte, atëherë edhe rikthimi i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën bëhet shumë më i lehtë, pasi që Brukseli zyrtar synim primar ka pikërisht mbetjen e Kosovës nën Serbi, në mënyrë që këtë shtet ta inkuadrojë brenda strukturave të veta.

Veprimet antishqiptare të EULEX-it duhet të stopohen me hir apo pa hir.

Durimit i ka ardhur fundi.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …