(Reagim kundër arrestimit te Sylejman Selimit dhe disa drejtuesve të lartë të UÇK-së)
Ygo: Besoni se të gjallët do t’i pranojnë makinacionet tuaja?
Odereri: Bëjmë që t’i gëlltisin ngadalë.
Ygo: Duke i gënjyer?
Odereri: Herë-herë duke i gënjyer.
(Zhan-Pol Sartër, “Duart e ndyta”, v.3)
Gjithkush që i ka ndjekur me vëmendje makinacionet e gjyqeve në vijueshmëri ndaj personave të ndryshëm të UÇK-së, këta 14 vjet, e ka të qartë objektivin e UNMIK-ut dhe atë të EULEX-it.
Fillimisht këto institucione filluan goditjen ndaj individëve të veçantë, luftëtarë të thjeshtë të UÇK-së. Pastaj u kalua në goditje të disa kuadrove të larta, sa në një zonë, në tjetrën. Më vonë organizuan goditje në grup, duke akuzuar shtabet e Zonave Operative, por jo njëherësh, një nga një, duke i emërtuar: Grupi i Dukagjinit, Grupi i Llapit, Grupi i Kaçanikut, Grupi i Pashtrikut, dhe së fundi kërkojnë të godasin epiqendrën ku shpërtheu ajo luftë, Drenicën. Strategjia e tyre është: akuzo – dështo; akuzo – dështo, deri në realizimin e objektivit. Paratë i paguan populli i Kosovës; kusuret: ata që luftuan e u sakrifikuan. Shpërblimet për makinacionet ua jep Serbia. E gjithë kjo strategji e UNMIK-ut dhe e EULEX-it ka pas dhe ka vetëm një qëllim: Kriminalizimin e UÇK, për ta çoroditur opinionin publik në Kosovë dhe në të gjithë botën, pasi dihet, çoroditja është tërheqëse. Edhe nëse nuk i dënojnë dot komandantët e rangjeve të ndryshme, ata mendojnë se ia arrijnë qëllimit. Shpif, shpif se diçka do mbetet. Dhe përmes kësaj strategjie të mund të dalin në përfundimin se UÇK-ja nuk na paska qenë gjë tjetër, veçse grupe terroristësh që kanë vepruar të shkëputur, në disa rajone të Kosovës. Me të cilën duan të thonë: në Kosovë ka patur vetëm anarki terroristësh.
Kjo taktikë makinacionesh graduale e UNMIK-ut dhe e EULEX-it, duke i filluar arrestimet dhe akuzat nga poshtë-lartë, dhe një nga një, kurrë dy njëherësh, ka qenë dhe është për ta mbajtur pandërprerë Kosovën nën këtë presion psikologjik, për të krijuar bindjen në popull se gjoja akuzat ata nuk i kanë kundër UÇK-së, por ndaj disa individëve të saj, që gjoja rastësisht kanë qenë në krye të formacioneve të saj. Kjo taktikë, faktikisht krijon monotoninë dhe e vë popullin në gjumë. Dhe po të shikosh shtypin e përditshëm të Prishtinës, dhe opinionet e qytetarëve, pak a shumë ata ia kanë arritur këtij qëllimi; sepse, kur flitet masivisht dhe vijimisht keq, të gjithë besojnë. Dhe kjo ndodh ngaqë tek njerëzit e vegjël fatkeqësia e tjetrit ngjall tre instinkte të errëta në thellësinë e natyrës së tyre: e para – adhurimin, i cili është betim për ta imituar; e dyta – kënaqësinë e brendshme, ngaqë fatkeqësia nuk i ka rënë atij në kokë; e treta – një ndjenjë nakari të fshehtë. Dhe këto ndjenja të errëta i kanë mbjellë në shpirtin e një pjese dërmuese të popullit në Kosovë shpifjet dhe “argumentet” analitikë kundër UÇK-së, prej shumicës së medieve të Prishtinës.
Me këtë reagim, nuk kam qëllim të bëj avokatin e individëve të akuzuar nga EULUX-i, dje dhe sot. Jo. Por për të bërë avokatin e vlerave të Luftës sonë Çlirimtare, avokatin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjakut të derdhur nga radhët e saj, pasi mbrojtjen e individëve të akuzuar e bëjnë avokatët e tyre ligjorë.
E bëj këtë reagim, në emër të të gjithë vullnetarëve nga shteti amë që u rreshtuam në radhët e UÇK-së, pasi, me këtë marifet që i bëhet Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke e futur atë, gjoja në Grupin e Drenicës, qëllimi i EULEX-it është që, me një gur të vrasë dy zogj: Edhe Zonën e Parë Operative të asaj Lufte, (goditja e fundit sipas tyre), por kryesorja është: Goditja Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Për të matur pulsin e popullit në Kosovë, nëse do të reagonte kur të goditej Shtabi i Përgjithshëm, testim që e nisi pas 10 vjetësh si kish mbaruar lufta, fillimisht EULEX-i akuzoi dhe e shoqëroi me polici Komandantin e Parë të atij shtabi, Azem Sylën, ish i përndjekur politik, i cili ishte në atë funksion deri në Konferencën e Rambujesë. Por, sikundër e pamë: reagimet tona ishin në mbrojtje të personit Azem Syla dhe jo në mbrojtjen e vlerave të luftës. Kjo e trimëroi EULEX-in, dhe bëri sikur e pranoi dështimin. EULEX-si e la me aq çështjen e Azemit, pasi veprimtaria e tij nuk kish qenë Brenda në Kosovë. Ata e kanë urrejtjen me UÇK-në dhe jo me individë të caktuar. Dhe, në kulmin e festës tonë kombëtare, ata riarrestuan për të disatën herë, anëtarin e SHP, një nga drejtuesit e para dhe nga më luftarake të formacioneve të UÇK-së, Fatmir Limën, edhe pse është në kundërshtim me Nenin 20 të Statutit të Romës1): “Asnjë person nuk do të gjykohet nga një gjykatë tjetër për krimin për të cilin ai person është gjykuar apo liruar më parë nga Gjykata”.
Dhe tashti po e provojnë me ish Komandantin e parë të Zonës së Parë Operative të Drenicës, Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, duke e përforcuar fyerjen e 28 Nëntorit 2012, dhe për të na ulur sa më shumë dinjitetin e Luftës Çlirimtare dhe të UÇK-së, duke arrestuar Sylejman Selimin, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm, prej Rambujesë e prapa, duke sajuar akuza dhe duke blerë dëshmitarë të rremë. Nuk është e vështirë të gjesh mercenarë e të krijosh fakte për një dënim të paramenduar, sidomos kur ke pushtet absolut. Por, sa mund të formohet një kalë me 100 lepuj, aq mund të formohet një provë me 100 supozime. Mirëpo dihet që, një popull sa më shumë të përulet, aq më shumë e rrahin.
Aq më shumë është bindëse sajimi i preteksteve të këtij arrestimi, pasi shtetet, prej nga ka dalë EULEX-si, janë fajtorë që e lejuan një shekull rresht Serbinë të bënte ato krime monstruoze ndaj popullit tonë në Kosovë, sa i detyruan SHBA të humbisnin durimin dhe të ndërhynin së bashku me NATO-n, përkrah UÇK-së. Kjo do të thotë që: fajtori të bëhet gjykatës; mirëpo, kjo është e pamundur, pasi ndryshojnë nga natyra dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën, duke qenë edhe fajtor, edhe gjykatës! Çfarë drejtësie mund t’i themi kësaj, të cilën nuk mund ta durojë as njeriu që s’ka shpirt? Edhe iriqi ka zemër.
Lind pyetja: Pse EULEX-i përdori këtë lloj strategjie, duke i akuzuar pjesë-pjesë pjesëtarët e UÇK-së? Sepse aleatët e UÇK-së qenë SHBA dhe Anglia; ato e detyruan NATO-n të bashkëluftonte më UÇK-në. Mirëpo, nuk dalin dot direkt kundër tyre. Dhe, duke i akuzuar një nga një shtabet e zonave operative, papritmas dalin tek Shtabi i Përgjithshëm, dhe në këtë mënyrë, t’i vënë befasishëm SHBA dhe komandantin e atëhershme të NATO-s, Uesli Klarkun, para faktit të kryer, duke u thënë tërë hipokrizi: “Zotërinj, gabuat që e angazhuat NATO-n në luftën e Kosovës, pasi UÇK-ja, nuk ka qenë ushtri çlirimtarësh, por grupe terroristësh dhe, si rrjedhojë, gabuat që goditët ushtrinë e Serbisë. Pranojeni!”.
Dhe, të gjitha këto, EULEX-si i bën në kundërshtim me të gjitha Konventat Ndërkombëtare, pasi jo vetëm që UÇK-ja i plotësonte të gjitha kërkesat e të qenit ushtri e rregullt, të përcaktuara në Nenin 4 të Konventës së Gjenevës të 12 Gushtit 19492), por edhe Nenin 502.2 të Kreut të 5 të Konventës Ndërkombëtare për Konfliktet e Armatosura, në të cilin theksohet se: “Luftërat për çlirim kombëtar trajtohen si konflikte të armatosura ndërkombëtare”, prandaj dhe NATO-ja iu bashkua luftës sonë.
Por, ne si UÇK, kemi edhe një fakt tepër serioz, që nuk mund të na akuzojnë kurrë për krime nëse kemi ndëshkuar kolaboracionistët, që faktikisht veçse janë marrë në pyetje, (sikundër kanë akuzuar të arrestuarit e fundit). Nga buronte ajo e drejtë për UÇK-në? Në faktin, se lufta e jonë nuk ishte revolucion shoqëror, që të udhëhiqej nga një ideologji e caktuar, për marrjen e pushtetit. Lufta e jonë ishte thjeshtë Luftë Çlirimtare, pa asnjë element të një revolucioni shoqëror. Si e tillë, ajo luftë dhe ajo ushtri çlirimtare, nuk kishin në krye asnjë lloj force politike, por një Shtab Ushtarakësh profesionistë, dhe asgjë më shumë. Një veçori kjo, e rrallë në historinë e luftërave çlirimtare, prandaj dhe mbeti në mes të rrugës. Si e tillë, UÇK-ja nuk kish qëllime për pushtet, por vetëm për shtet. Kjo është arsyeja pse shtetet e EULEX-it janë tërbuar. [Dhe janë po ato shtete evropiane që urdhëruan dikur të shmangej udhëheqja politike e asaj lufte, (LPK & LKÇK), të cilat po organizojnë këto ditë makinacionin e radhës me emërtimin “Grupi i Drenicës”, me qëllim që të mos pengohen për të vënë në zbatim Marrëveshjen e Brukselit, të datës 19 prill 2013].
Megjithatë, ajo veçori pati këtë anë pozitive: u del në mbrojtje të gjithë atyre instancave të UÇK-së që kanë arrestuar dhe marrë në pyetje kolaboracionistë gjatë luftës. Dhe, çuditërisht, marrjen e tyre në pyetje, EULEX-i i quan tortura! Si rrjedhojë, UÇK-ja kish të drejtë t’i arrestonte, t’i merrte në pyetje dhe t’i ndëshkonte sipas shkallës së fajit, të gjithë kolaboracionistët, që ndryshe quhen spiunë, pasi ata i jepnin armikut të saj informata për lëvizjet dhe përbërjet e UÇK-së. Dhe këtë të drejtë, UÇK-së ja jepte Neni 46 i Protokollit të I-rë Shtesë i Konventës së Gjenevës, 1977, ku thuhet se, bashkëpunëtorët civilë të armikut, në një luftë çlirimtare quhen spiunë dhe nuk gëzojnë të drejtën e statusit të të burgosurit të luftës. Si të tillë, kolaboracionistët nuk ka të drejtë asnjë lloj gjykate t’i marri ata në mbrojtje. Kolaboracionistët i ka dënuar jo vetëm Konferenca e Jaltës, por edhe Gjykata e Nurenbergut, vendime të cilët janë në fuqi sot e gjithë ditën.
Ne, duke mbrojtur vlerat e Luftës sonë Çlirimtare, mbrojmë nderin e popullit tonë, të kombit tonë. Në të kundërt shtrohet pyetja: Përse luftuam? Përse jetojmë? Nuk duhet të lejojmë askënd të nëpërkëmbi nderin tonë dhe vlerat e luftës sonë të drejtë! Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!
Tiranë, 26.5.2013
1). Statuti i Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, i miratuar nga Konferenca Diplomatike e të Plotëfuqishmëve në Kombet e Bashkuara, për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, më 17 korrik 1998, hyri në fuqi më 1 Korrik 2002
2). Neni 4, pika2: “Anëtarët e policive të tjera dhe të trupave të tjera vullnetare, duke përfshirë edhe ata të lëvizjeve të organizuara të qëndresës, që i përkasin njërës palë në konflikt e që veprojnë jashtë ose brenda territorit të tyre, edhe nëse ky territor është i pushtuar, me kusht që këto polici ose trupa vullnetarësh, duke përfshirë edhe lëvizjet e tyre të organizuara të qëndresës, do të quhen të rregullta, nëse ato përmbushin kushtet që vijojnë:
(a) të jenë të komanduara nga një person përgjegjës për të nënshtruarit e vet;
(b) të kenë një shenjë dalluese të caktuar që të dallohet nga distanca;
(c) të mbajnë armët haptas;
(ç) në operacionet e tyre të veprojnë në përputhje me ligjet dhe me zakonet e luftës”.