550-vjetori i Gjergj Kastriotit Skënderbeut u mbyll zbehtë, ndërsa 551-vjetori nuk u shënua fare

550-vjetori i Gjergj Kastriotit Skënderbeut u mbyll zbehtë, ndërsa 551-vjetori nuk u shënua fare

Jubileu i 550-vjetorit, në kujtim të jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u përmbyll në vitin e kaluar, me disa aktivitete zyrtare në Tiranë, Shkup dhe në Prishtinë, por sot vështirë se gjen ndonjë shënim, në ndonjë medium, apo ndonjë shënim zyrtar në përkujtim të kryetrimit të Arbërisë, sepse viti jubilar duket se e mori me vete edhe atë, pasi dikujt ndoshta i duket se është përkujtuar mjaft.

Viti i Skënderbeut nuk solli asnjë dokument të ri, por riktheu në kujtesë polemikat, u bënë përpjekje për ta përvetësuar në pikëpamje fetare, u bënë përpjekje të shpallet i shenjtë, u bënë përpjekje t’ i mohohet edhe origjina, u ribotuan sa e sa shkrime, ndërsa  qeveritë, në Tiranë, Shkup e në Prishtinë  ndanë qindra mijëra euro e lekë, që i zhvaten “akademikët”,  historianët, mujsharët e medieve, grupet e  përfituesve, ndërsa sot në 551-vjetorin e vdekjes së tij, asnjë zë, asnjë shkrim, asnjë shënim…

Gjatë vitit të Skënderbeut kisha ushtruar kërkesë në dy ministritë e arsimit, në Kosovë dhe Shqipëri për botimin e romanit historik, “Luani i Janinës”, i shkrimtarit më të madh hungarez, Jokai Mor, botuar  qysh në vitin 1854, të cilin e kisha përkthyer disa vjet më parë, por nuk e mori në dorë askush, sepse nuk ishte roman për Skënderbeun por për Ali Pashë Tepelenën, edhe pse i dyti për nga rëndësia historike pas Skënderbeut, të paktën sipas këtij romani. 

Sot nuk e përkujtuan Skënderbeun as ata që e përvetësojnë dhe e quajë vetëm Gjergj Kastriot dhe atlet të Krishtit, por as ata që më lehtë e kanë ta quajnë vetëm, Skënderbe.

Përmasa ushtarake, historike, kombëtare, politike e filozofike e jetës dhe veprës së Skënderbeut, duhet të kujtohet të paktën për çdo vit, në mënyrë që jeta dhe vepra e tij t’ iu rrijë te koka, në radhë të parë politikanëve tanë, të cilët interesat e tyre i kanë mbi ato të atdheut.  Por ja që memoria  shqiptare ende përshkohet me një vello të trashë të harresës dhe po të ishte ndryshe, nuk besoj se do të ishim këta që jemi. ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …