(Deklaratë e ushtarakëve dhe intelektualëve nga Shqipëria: Sabit Brokaj, Pullumb Xhufi, Dilaver Goxhaj, Adem Shehu, Kudusi Lama, Fatos Klosi, Sokol Poga, Bardhyl Tahiri, Artan Meçe)
Kosova gjendet sot në procesin e konstituimit të institucioneve të saj demokratike, i cili kuptohet se është një proces jo i lehtë. Popullsia shqiptare në Kosovë ka vuajtur për një kohë të gjatë diskriminimin, shtypjen dhe spastrimin etnik të zbatuara në mënyrë sistematike nga regjimi policor serb qysh nga koha e aneksimit me dhunë të kësaj treve shqiptare në vitin 1912.
Pasojë e rrethanave të cilat nuk varen prej saj, sot e pesë vjet, nga shpallja e deklaratës së pavarësisë, Kosova ende nuk ushtron sovranitetin në një pjesë të rëndësishme të territorit të saj, sikundër është pjesa në Veri të lumit Ibër.
Në këto kushte është e rëndësishme, deri jetësore, ruajtja e stabilitetit politiko-shoqëror, besimi në strukturat qeverisëse dhe në sistemin e sigurisë e të drejtësisë, besimi në kontributin e pranisë ndërkombëtare, sikundër janë UNMIK-u, KFOR-i dhe EULEX-i.
Në një vështrim të përgjithshëm, këto organizma ndërkombëtare nuk po e ushtrojnë funksionin e tyre në Veriun e Kosovës, dhe një fakt i tillë e bën të brishtë situatën e sigurisë, pengon rimëkëmbjen ekonomike, inkurajon faktorët destabilizues e destruktivë jashtë edhe brenda Kosovës, duke tronditur kështu besimin e popullit në institucionet kombëtare dhe në ato ndërkombëtare.
Mosbesimin e popullit e thellon më shumë qëndrimi i njëanshëm dhe i diferencuar, dikur i UNMIK-ut, tani i EULEX-it. Deri tani nuk ka asnjë të dënuar mes atyre serbëve apo shqiptarëve, të cilët si pjesëtarë të armatës e të forcave kriminale paraushtarake serbe, apo si bashkëpunëtorë të tyre, morën pjesë në vrasjet, arrestimet, deportimet dhe në djegien e fshatrave të tëra gjatë ofensivës ushtarako-policore të Beogradit dhe më tej, gjatë rezistencës heroike dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, 1997-1999. Të vësh sot në bankën e të akuzuarve pikërisht ata të rinj, anëtarë të formacioneve të UÇK-së, të cilët me vetëmohim e kurajo guxuan atëherë t’i kundërviheshin dhunës dhe të merrnin në mbrojtje popullin e vet, do të thotë të përmbysësh historinë, t’i heqësh vetë bazën morale dhe arsyen e të qenit një populli martir dhe një shteti sovran, të ndërtuar mbi aq shumë viktima e sakrifica të shqiptarëve të Kosovës dhe të vetë komunitetit ndërkombëtar.
Deri tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e EULEX-it për gjetjen e eshtrave të mijëra shqiptarëve të zhdukur nga regjimi serb i Milosheviçit, ndërkohë që autorët e krimit dihen mirë kush janë, të cilët EULEX-i as denjon, të paktën t’i pyesë se ku e si i kanë vrarë dhe ku i kanë varrosur masivisht viktimat shqiptare. Ky qëndrim i ftohtë e mos-veprues i EULEX-it ndaj kërkesave të vazhdueshme të familjarëve të viktimave, nuk mund të mos shkaktojë irritim dhe dyshim ndaj një angazhimi të sinqertë e të paanshëm të EULEX-it, në zbatim të detyrave dhe funksioneve që ky organizëm duhet të kryejë.
Ndërsa EULEX-i mban këtë qëndrim disproporcional e tendencioz ndaj shqiptarëve, viktimë për dekada të tëra e një regjimi represiv serb, komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar zbatimin e standarteve më liberale për komunitetin serb në Kosovë! Në fakt, Kushtetuta, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës, kanë përcaktuar dhe zbatojnë ndaj pakicës serbe dhe ndaj pakicave të tjera një politikë të tillë diskriminimi pozitiv, që nuk gjen precedentë për sa i përket trajtimit të minoriteteve në asnjë vend tjetër. Kjo, sigurisht u bën nder atyre. Por një politikë e tillë, më së paku meriton të vlerësohet, dhe jo të ndëshkohet. Mbi të gjitha, do të duhej të përmbysej historia dhe të zhbëheshin vlerat e lirisë, mbi të cilat ngrihet Evropa demokratike, për të trajtuar si kriminelë pikërisht ata, që ishin vetëm viktima të politikave të genocidit e spastrimit etnik të zbatuara nga regjimi i Beogradit. Për zhgënjimin e thellë të shqiptarëve, kjo është ajo çka po bën sot EULEX-i. Kjo organizatë, nga e cila pritet shumë në drejtim të vendosjes së drejtësisë, është fort mirë e informuar se cilët janë individët dhe grupet kriminale që veprojnë në Veri të Kosovës. E megjithatë, ndaj tyre nga ana e EULEX-it nuk ka pasur as edhe një veprim konkret. Vetë premtime dhe asgjë tjetër. Ndërkohë që ata bëjnë krime, pengojnë ushtrimin e sovranitetit në territorin e Republikës së Kosovës, dhunojnë e provokojnë organet policore të saj dhe vetë KFOR-in, kurse EULEX-i hesht dhe refuzon të vendosë ligjin. A mund të quhet drejtësi një qëndrim i tillë i njëanshëm, kur tolerohen ushtruesit e dhunës dhe të antiligjit, dhe goditen pikërisht luftëtarët e lirisë, dhe komandantët e djeshëm të UÇK-së? Sigurisht që jo, dhe në këto rrethana, gjithkush ka të drejtë të dyshojë për qëndrime të paragjykuara, të cilat në fund të fundit, përveçse prekin ndjenjat më të thella të popullit të Kosovës, cenojnë vetë stabilitetin e këtij vendi, përsa kohë objekt i kësaj përndjekjeje tashmë obsesive janë pikërisht personalitete me profil e prestigj të madh moral e qytetar, të cilët sot ushtrojnë funksione të rëndësishme në shtetin e ri të Kosovës, në sektorët e sigurisë, të ekonomisë, të përfaqësimit diplomatik, etj.
Në të vërtetë ky është edhe shkaku i reagimit tone.
Prej disa vitesh ka filluar gjuetia ndaj luftëtarëve të UÇK-së, në fillim ndaj ndonjë elementi të veçuar, e pastaj, siç duket, pasi u pa se nuk pati ndonjë reagim, u kalua në nivele më të larta të ish-komandantëve të trupave çlirimtare. Kështu, u arrestua dhe iu nënshtrua proceseve gjyqësore të sforcuara e të stërzgjatura Rrustem Mustafa, u arrestua, krejt pa pasur prova e argumente ish-ministri i Mbrojtjes, Azem Syla, të cilit iu atribuan ngjarje e veprime të ndodhura në një kohë, kur ai nuk ka qenë fare në Kosovë.
Hetimet dhe arrestimet e kryera nga organet e EULEX-it kaluan nga njëra zonë operative në tjetrën, fatkeqësisht duke ndjekur po atë skenar e itinerar të kobshëm, të ndjekur dikur nga ekspeditat ndëshkimore e vrastare të ushtrisë e të policisë serbe. Një përsëritje e tillë e historisë, e cila fatkeqësisht sot ka për protagonistë institucionet e EULEX-it ku më së shumti janë mbështetur shpresat e popullit dhe të institucioneve të Kosovës, për vendosjen e ligjit dhe dhënien e drejtësisë, është vërtet zhgënjyese dhe dëshpëruese.
U riarrestua një nga komandantët e dalluar të UÇK-së, Fatmir Limaj, pavarësisht faktit që një gjykatë ndërkombëtare supreme, ajo e Hagës, e kishte shpallur të pafajshëm.
Në mënyrën më fyese e më revoltuese për të gjithë shqiptarët, Fatmir Limaj u riarrestua ditën e shenjtë të Pavarësisë së Shqipërisë, ditën e Flamurit shqiptar, dhe pikërisht të nesërmen e nderimit që atij i bëri populli i Vlorës, duke u shpallur Qytetar Nderi për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës.
Pa u mjaftuar me kaq, tani së fundi EULEX-i sulmoi Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke arrestuar komandantin e këtij shtabi, Ambasadorin aktual të Kosovës në Shqipëri, Gjeneral Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, së bashku me komandantët e tjerë të zonës së lavdishme të Drenicës, që është zemra dhe simboli i qëndresës së armatosur të popullit të Kosovës.
Veprime të tilla nuk janë kurrsesi përpjekje për vendosjen e drejtësisë, ato ngjajnë më shumë me një fushatë reprezaljesh ndaj luftëtarëve të UÇK-së, me anë të së cilës dikush synon të provokojë reagime destabilizuese të shqiptarëve, për të diskredituar imazhin e shqiptarëve dhe të shtetit të ri të Kosovës.
Është e qartë, se taktikat e segmenteve të caktuara të EULEX-it, për ta shtrirë dora-dorës fushatën e arrestimeve të komanduesve më të lartë të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës në të gjitha Zonat Operative, janë pjesë e një strategjie, e cila synon kriminalizimin e UÇK-së, përdhosjen e vlerave, të prestigjit e të dinjitetit të saj, me qëllim që të vendosin shenjën e barazisë midis atyre që derdhën gjakun për liri, dhe xhelatëve të popullit të Kosovës si dhe të atyre shqiptarëve, që pranuan të bëhen instrumente të makinës vrastare serbe.
Një sjellje e tillë, që me sa duket i është imponuar EULEX-it nga segmente të caktuara të tij, synon akoma më tej t’i tregojë botës si dhe aleatëve edhe protagonistëve të mëdhenj të epopesë së Kosovës, NATO-s e SHBA-së, se angazhimi i tyre për një Kosovë të lirë e demokratike paska rezultuar i padobishëm, se kinse jo Milosheviqi e epigonët e tij, por shqiptarët e Kosovës paskan qenë dhe vazhduakan të jenë thelbi i problemit! Ky njësim i qëndrimeve të EULEX-it me ato të regjimit serb të Milosheviqit, është vërtet shqetësues dhe i padenjë për një organizëm, i cili përndryshe është thirrur në Kosovë për të kompletuar e përfunduar një angazhim fisnik të komunitetit ndërkombëtar e të BE-së, në favor të një Kosove të pavarur, në paqe e miqësi si me qytetarët, ashtu edhe me fqinjët e vet, dhe jo për të ndezur urët e armiqësive dhe të konflikteve të reja, brenda dhe jashtë saj. Për fat të keq, EULEX-i po sillet sot me ish-luftëtarët e UÇK, njëlloj siç u soll dje regjimi Milosheviqit, dhe siç do të silleshin gjithashtu sot autoritetet e Beogradit, të cilët insistojnë ti quajnë si “terroristë” ata vajza e djem, ajkë e rinisë së Kosovës, që guxuan të ngrihen kundër dhunës shtetërore për të mbrojtur ekzistencën dhe lirinë e popullit të vet.
Është vërtet e papranueshme të shohësh sot, se si EULEX-i u është turrur ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke përdorur të dhënat e stisura të dosjeve të agjenturës serbe, apo shërbimet prej renegatësh të paguar ose të shantazhuar të bashkëpunëtorëve shqiptarë të UDB-së e të organeve represive serbe. Si është e mundur, që EULEX të procedojë kundër ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, duke u bazuar në nenet Nr.22, 142,144 të Kodit Penal të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, pra të një shteti që thjesht tentoi t’i zhdukë qytetarët e saj me kombësi shqiptare, nëpërmjet një politike kriminale genocidi e spastrimi etnik?
E pra, sjellje të tilla nuk mund të shpjegohen ndryshe, veç me ekzistencën brenda EULEX-it të elementëve serbofilë, të paguar e të kompromentuar, të cilët, nën hijen e Prokurorit Salustro, kanë për detyrë të godasin posaçërisht ata ish-luftëtarë të UÇK-së, që sot mbulojnë detyra të rëndësishme në institucionet e shtetit të Kosovës.
Akuzat e tyre janë po aq absurde, të pabaza e qëllimkeqe sa edhe akuzat e Dik Martit dhe Karla del Ponte, të cilët, nisur nga premisa të njëjta, u munduan të ngrenë legjendën e gjoja “transplantimeve ilegale” të sponsorizuara nga UÇK-ja, me organet e robërve serbë të luftës!; transplantime të kryera diku në një shtëpi të humbur fshati, në territorin e Republikës së Shqipërisë, jashtë çdo kushti minimal higjenik, infrastrukturor e profesional për ndërmarrjen e operacioneve të tilla. Por, një legjendë e tillë i bëri qesharakë autorët e saj, dhe nuk është në interes të askujt që një fund të tillë të kenë edhe autorët e legjendave të reja, me të cilat po tentohet të përbaltet imazhi i UÇK-së.
Ne denoncojmë veprimtarinë e Prokurorit, Marino Salustro, i cili me forcën e arrogancën e një pushteti thuajse absolut e të pakontrolluar, ka vënë prokurorinë e EULEX-it në funksion politik e antishqiptar, posaçërisht kundër luftëtarëve që çliruan Kosovën. Në sjelljet e tij nuk është e vështirë të shquash një reminishencë, jo vetëm të sjelljeve të regjimit fashist serb të Milosheviçit, por edhe të disa përfaqësuesve të politikës evropiane, të cilët në vitet 1998-1999 i shprehën hapur qëndrimet e tyre të paragjykuara armiqësore ndaj UKÇ-së. Është i njohur botërisht rasti i pohuar nga vetë ishëkryeministri italian Massimo d’Alema, i bashkëpunimit të shërbimeve sekrete italiane me ato të regjimit të Milosheviqit, në vitin 1999, për të nxjerrë në Itali udhëheqësin e atëhershëm kosovar, Ibrahim Rugova, në mënyrë që ai të përdorej pas luftës si një alternativë për të shmangur ardhjen në pushtet të përfaqësuesve të UÇK-së dhe për të siguruar, kështu, një zgjidhje “të butë” e të pranueshme për serbët për statusin e Kosovës.
Veprimet e EULEX-it, të frymëzuara qartazi nga persona si Prokurori Salustro, duket se përfaqësojnë një formë hakmarrjeje të vonuar të atyre qarqeve evropiane, të cilat, para ose gjatë luftës, nuk arritën të asgjësonin veprimtarinë e UÇK-së nëpërmjet presioneve, embargos dhe etiketimeve të saj si një organizatë “terroriste”, “islamike”, “marksiste”, “enveriste”, etj.
Veprimet e EULEX-it kundër udhëheqjes së Luftës Çlirimtare kanë edhe një synim më afatgjatë, të destabilizojnë shtetin e ri të Kosovës, të ngrenë rreth tij një mur izolimi, dhe të thyejnë moralin, vendosmërinë dhe entuziazmin që po tregojnë populli dhe klasa politike e Kosovës, për të konsoliduar shtetin e tyre dhe për ta integruar atë në strukturat euro-atlantike. Jo më kot, UNMIK-u dje dhe EULEX-i sot kanë marrë në shënjestër UÇK-në, pjesëtarët e së cilës u janë nënshtruar në këto vite arrestimeve të padrejta, por edhe veprimtarive të paligjshme të përgjimit e të nxjerrjes në pazar të bisedave konfidenciale me qëllim diversionin dhe përçarjen brenda radhëve të udhëheqjes së PDK-së, ngaqë deklarohet si trashëgimtarja e UÇK-së.
Në historinë botërore të luftërave çlirimtare nuk ka asnjë rast ku të mos jenë hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar informatorët dhe bashkëpunëtorët e pushtuesit. Edhe në luftërat e zhvilluara nga ushtri rigorozisht të rregullta, me komandë e hierarki të qartë, siç kanë qenë luftrat e zhvilluara në vitet e fundit nga ushtria e SHBA, nuk kanë munguar episode të izoluara të ushtrimit të pajustifikuar e të pa urdhëruar të dhunës nga ana e individëve të veçantë. Por nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë, që për episode të tilla, të vihet nën akuzë e gjithë ushtria e të arrestohen të gjithë komandantët e saj. Si një ushtri çlirimtare, tepër inferiore për nga numri dhe nga armatimi, në raport me forcat pushtuese serbe, që gjithashtu vepronte në kushte ekstreme terrori, UÇK-ja ishte në të drejtën e saj të arrestonte dhe të ndëshkonte, në përputhje me fajin e kryer, ata që zgjodhën të bashkëpunojnë me regjimin fashist të Milosheviqit, dhe që kontribuan në dhunimin, vrasjen dhe deportimin e popullit të tyre. Por përtej kësaj, EULEX-i akuzon sot komandantët e UÇK-së për tortura e krime që nuk janë kryer e nuk figurojnë askund, veç në dosjet e manipuluara të vëna në dispozicion të EULEX-it nga shërbimet sekrete serbe.
Ne, si çdo shqiptar brenda e jashtë Kosovës, mbrojmë me vendosmëri UÇK-në, luftëtarët dhe komandantët e saj, sepse ata nuk janë thjesht e vetëm bijtë dhe bijat më të mirë të Kosovës, por janë njëherësh lavdia dhe krenaria e mbarë kombit shqiptar, duke e rreshtuar atë me nder e dinjitet në radhët e popujve të lirë të botës.
Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte një luftë e drejtë në mbrojtje të jetës, të lirisë, të së ardhmes dhe të interesave jetike të shqiptareve. Ajo nuk doli asnjëherë jashtë parametrave të një ballafaqimi ushtarak. Për sa i përket luftëtarëve të UÇK-së, veprimet luftarake nuk u ndërmorën asnjëherë dhe në asnjë rast në raprezalje e veprime ndëshkimore ndaj popullatës civile, siç përkundrazi vepruan sistematikisht kundërshtarët e saj, ushtria dhe policia serbe.
UÇK u mbështet në parime te forta morale dhe në asnjë rast nuk kreu ekzekutime, përdhunime e shkatërrime, të cilat karakterizuan sjelljen e forcave policore ushtarake serbe ndaj civilëve shqiptarë.
Fushata e arrestimeve dhe e burgosjeve sistematike e komandantëve të UÇK është shqetësuese po të kihet parasysh edhe momenti politik kur ato po kryhen. Është momenti i bisedimeve të vështira mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe goditja e shtyllës vertebrore të pushtetit të sotëm në Kosovë, nuk synon veçse të vështirësojë pozitën e qeverisë së Kosovës dhe të Kryeministrit të saj në ato bisedime. Ajo që mbetet për të parë, është nëse këto veprime të segmenteve të caktuara të EULEX-it mjaftohen vetëm me kaq, apo synojnë akoma më tej, destabilizimin e Kosovës e të mbarë rajonit. Nuk është thjesht një rastësi, që një fushatë e një histeri e ngjashme anti-UÇK u ngrit edhe në një tjetër moment delikat, siç ishte ai gjatë diskutimit të paketës Ahtisari mbi rregullimin përfundimtar të statusit të Kosovës.
Lufta e UÇK-së është një vlerë historike kombëtare, e shenjtë dhe e paprekshme për çdo shqiptar. Askush nuk do të pranojë të braktisë sot luftëtarët e saj dhe t’i lërë ata në mëshirën e një prokurori të anshëm e qëllimkeq, i cili ndjek një axhendë, që nuk ka të bëjë me qëllimet e shpallura të EULEX-it. Në këto kushte, ne konsiderojmë të domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, në përputhje me Kushtetutën, të pezullojë kompetencën ekzekutive të EULEX-it, i cili është kthyer në një instrument të revanshit serb kundër UÇK-së dhe kundër të ardhmes së Kosovës.