leoni

A. Q. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, hero kombëtar i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje

Në kohën kur Kosova nën presionin e fuqishëm të BE-së, në Bruksel ka  nënshkruar marrëveshje të dëmshme për të ardhmen e vendit, në kohën kur Evropa po bën përpjekje të na bind se Serbia dhe serbët e kanë vendin brenda Kosovës,  në veri dhe kudo në enklava, në kohën  kur  lihen krejtësisht të lirë kriminelët serbë, që kanë vrarë, kanë dhunuar dhe masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë, ndërsa “drejtësia” selektive e Evropës nuk e ndal fushatën inkuizicionale kundër luftëtarëve të lirisë së Kosovës, doemos se edhe ndjenja anti evropiane e shumë njerëzve në Kosovë po rritet dhe po merr trajta të një kundërshtimi ende të paartikuluar si duhet. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe pretendimet e një pjese të shqiptarëve për të ikur nga Evropa dhe për t’ iu kthyer Lindjes, kohës së “babës mbret”, kohës së sundimit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane në pjesën juglindore të Evropës dhe në të gjitha trojet e Shqipërisë.


 


Ka qenë fatkeqësia jonë historike se kemi jetuar dhe ende jetojmë në trojet tona, pikërisht në mes të Lindjes e Perëndimit, në mes të Krishterimit e Islamit, në mes të dy botëve që bashkëjetojnë në një armiqësi shumëshekullore, që nga koha e Kryqëzatave e më herët. 


Pikërisht sepse jetojmë mes Lindjes dhe Perëndimit, me qëllim për të mbijetuar, ne kemi zhvilluar tolerancën e mirënjohur  fetare, duke e çmuar atë si vlerë universale njerëzore, që i bashkon njerëzit e besimeve, racave dhe kombeve të ndryshme. Në këtë rrugë për të mbijetuar mes Lindjes dhe Perëndimit, shqiptarët janë populli, që ka humbur më së shumti, por që  ka arritur ta ruajë substancën.


 


Lindja, me këtë rast nuk nënkupton vetëm Perandorinë Osmane, por edhe atë sllave, që nga mesjeta e hershme, kur kjo racë popujsh u shkëput nga Urali e Dnjepri dhe u dynd drejt viseve të begatshme e të pëlleshme të Ballkanit.  Nuk duhet të heshtet as fakti se trojet ilire shqiptare për më shumë se tetë shekuj kanë qenë të pushtuara e të robëruara edhe nga Perandoria e Romës.


Për shqiptarët liridashës, pushtues kanë qenë si Roma e Bizanti ashtu edhe Turqia e Rusia. Kjo e fundit kishte krijuar shtetet sllave mbi kurriz të trojeve të dikurshme shqiptare e greke, dy popujve të vetëm,  autoktonë, të Ballkanit.


 


Paraardhësit tanë kanë qenë të detyruar të luftojnë për t’i ruajtur trojet e begatshme, gjuhën, zakonet, traditat fisnore e dokesore, me qëllim për të mbijetuar, jo duke i pushtuar të tjerët, por duke u mbrojtur prej tyre, me aq mundësi sa kanë pasur. E tillë ka qenë edhe lufta heroike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe e prijësve shqiptarë kundër sundimit të Perandorisë Osmane, prej vitit 1443 deri në vitin 1468. Shqiptarët e kohës së Skënderbeut asnjëherë nuk pretenduan të pushtojnë troje dhe të zgjerohen mbi kurriz të fqinjëve, por u bënë digë e fortë ndaj një fuqie të madhe botërore, sikur ishte Perandoria Osmane, e cila ishte ngritur në hakmarrje për Kryqëzatat  kundër Evropës së krishterë.  Stambolli kishte synim ta pushtonte Romën, Vjenën, Vatikanin, Parisin dhe të gjitha qendrat e kryqëzatorëve  të Evropës.


 


Skënderbeu, në vitin 1443  u kthye në Shqipëri, për t’ i bashkuar shqiptarët në një shtet të vetëm dhe pas shumë mundimesh arriti bashkimin e parë, që ne njohim në historinë e asaj kohe. Në Kuvendin e Lezhës së vitit 1444, ai unifikoi prijësit shqiptarë dhe disa sllavë, jo për të bërë një kryqëzatë kundër Turqisë, por për të mbrojtur pronat, pasuritë natyrore, njerëzit, gjuhën e zakonet.


Duhet ta kemi të qartë një herë e përgjithmonë se shqiptarët (epirotasit) e kohës së Skënderbeut nuk luftuan fenë islame, por pushtuesit turq, të cilët po ashtu nuk i pushtuan këto troje vetëm për t’ ua imponuar islamin, por për t’ i shfrytëzuar të mirat dhe begatitë, resurset natyrore, për ta marrë haraçin, madje edhe për çdo  kokë njeriu,  ashtu sikur edhe e mori për  500 vjet duke vrarë, duke masakruar e duke gjymtuar qindra e mijëra shqiptarë, shumica e tyre shqiptarë,  që e kishin pranuar islamin.


Janë tepër naivë ata analistë, apo ata që hiqen si të tillë dhe pretendojnë të na bindin se vetëm shqiptarët katolikë e ortodoksë luftuan kundër Turqisë. Me aq sa dimë ne, dhe me aq sa kemi mësuar nga historia, të gjitha lëvizjet tona kombëtare kundër Turqisë i kanë ideuar dhe i kanë manifestuar në shumicë dërrmuese shqiptarët e besimit islam. Mjafton të përmendim kryengritjen e Halil Patronës në Stamboll, në vitin 1730, Pashallëqet e Shqipërisë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe të gjitha lëvizjet çlirimtare deri në krijimin e Shtetit Shqiptar, më 28 nëntor të vitit 1912 me Ismail Qemalin në krye.


Nuk do të marrim guximin të themi se Gjergj Kastrioti ishte kryqëzator, por as mund ta mohojmë faktin se për 40-vjet të qëndrimit në Turqi kishte qenë mysliman. Andaj në analet e dokumentet e kohës, çdo kund përmendet si, “Skënderbe”, Iskander-beg, në analogji me Lekën e Madh, (Aleksandrin e Madh). Përkatësia fetare e Skënderbeut mendoj se nuk ishte alfa e orientimit të tij si ushtarak dhe pretendent për të krijuar një shtet me bashkëkohësit e vet.


 


Skënderbeu nuk kishte besim në Aleancat e krishtera të kohës, sepse me kohë kishte hetuar se Aleancat kishin karakter pushtimi, ngado që vinin, si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi.


Është më se i njohur fakti historik, se Skënderbeu nuk mori pjesë në Betejën e dytë të Kosovës të vitit 1448, kur aleanca hungareze, polake, gjermane, sllave etj., pësoi humbjet më të mëdha të shënuara ndonjëherë në luftë kundër Perandorisë turke. Nuk di sa mund të jetë i besuar fakti se Janosh Hunjadi nuk e kishte pritur forcën e Skënderbeut, për të cilin historiani austriak, Josef von Hammer paragjykon se po të kishte ndihmuar Skënderbeu me armatën e tij,  Beteja e Dytë e Kosovës do të ishte fituar. Fakti historik na tregon se Skënderbeu asokohe ishte duke konsoliduar shtetin dhe ushtrinë e  tij dhe nuk kishte pse të dërgonte dhe ta rrezikonte krejt forcën ushtarake në Kosovë, me qëllim për t’ iu bashkuar Aleancës së krishterë.


 


Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e krijoi shtetin e parë shqiptar në Mesjetë. Ishte i pari që i bashkoi prijësit  feudalë të kohës, për të mbrojtur interesat e përgjithshme dhe jo ato parciale. Shqipëria asokohe ishte një shtet, që u njoh botërisht dhe që iu dha zemër popujve të shtypur të Evropës për të luftuar kundër pushtimit turk. Faktet historike flasin se Evropa asnjëherë nuk e ndihmoi Skënderbeun, në nivelin që duhej dhe me mundësitë teknike e ushtarake, që i dispononte.


Po të kishte qenë Skënderbeu më katolik se Papa, po të kishte qenë lufta e tij luftë fetare si ajo e kryqëzatave, me siguri se Evropa e krishterë jo vetëm do ta kishte ndihmuar, por do ta kishte mbështetur me të gjitha forcat. Por kjo nuk ndodhi, sepse Papa nuk e shihte Skënderbeun si mbrojtës të krishterimit, sikur është pretenduar në kohën e romantizmit, por si mbrojtës të vendit, gjuhës, kulturës dhe traditave të të parëve të tij.


Tekefundit ne nuk kemi asnjë arsye  ta ndërrojmë as ta mohojmë historinë tonë të rezistencës, sepse nuk është histori pushtimesh e shkatërrimesh të popujve, por është histori e mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit kombëtar, fetar e njerëzor. Po ashtu, nuk mund ta revidojmë historinë e rezistencës sonë të pastër kombëtare për shkak të miqësisë aktuale me Turqinë. Turqia dhe ata shqiptarë  islamë fanatikë, të cilët nuk e njohin as kanë respekt për kombin dhe rezistencën historike shqiptare, le të mjaftohen edhe me anën tjetër të historisë shqiptare, të historisë pacifiste e mercenare të 33 apo 38 serasqerëve, (kryekomandantëve të Perandorisë Osmane) që pjella shqiptare ia kishte falur Stambollit, por pa harruar se shumicës prej tyre, sulltanët ua  kishin shkurtuar kokat,  si Ibrahim Pargaliut të Çamërisë, Ajaz Mehmed Pashës së Vlorës, Lutfi Pashë Çelebiut, Sinan Pashë Topojanit, Halil Patronës të Manastirit, Ali Pashë Tepelenës dhe dhjetëra të tjerëve. Kokat e tyre nuk u shkurtuan si koka krishterësh, por si besimtarë islamë, që nuk e duronin sundimin despotik, gjakësor të Sulltanëve.


 


Të iu përkujtojmë fanatikëve të verbër shqiptarë se Sulltanët kishin vrarë madje edhe bijë e bijat e tyre, për shkaqe rivaliteti dhe trashëgimie të pushtetit perandorak. Të iu përkujtojmë me këtë rast  atyre se ligji i devshirmesë, që urdhëronte kidnapimin e fëmijëve të  vegjël të krishterë, me të cilët formoheshin formacionet e armatës së klonuar të jeniçerëve, ishte një ligj antinjerëzor, anti islam,  që nuk mbështetej në asnjë fjalë të Kur-anit. Në asnjë ajet të Kur-anit nuk lejohet ndërrimi me dhunë i fesë, nuk lejohet rrëmbimi i fëmijëve të mitur dhe degdisja e tyre duke u ndërruar fenë, besimin, prejardhjen.  Këto monstruozitete nuk i lejon Kur-ani, pavarësisht sesi mund t’ i interpretojnë këto fakte fanatikët, që nuk shohin më tej hundës së tyre dhe që qëllimet e tyre mundohen t’ i realizojnë duke u mbështetur nën petkun e fesë dhe jo vetëm të fesë islame.


 


Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve që e duan, e nderojnë dhe e respektojnë kombin, gjuhën traditën dhe fenë e tyre, cila do qoftë ajo. Ai dha një shembull historik të qëndresës së pastër dhe të motivuar kombëtare, e cila u bë burim frymëzimi jo vetëm për shqiptarët liridashës, por edhe për të gjithë popujt e robëruar të Evropës e më gjerë.


Gjergj Kastrioti është personaliteti numër një i kombit shqiptar, të cilin nuk e ka mohuar asnjë pushtetar shqiptar deri sot, sepse ai përfaqëson ADN-në kombëtare e shtet-formuese shqiptare.


 


Skënderbeu është autoriteti i pakontestuar i kombit, që përfaqëson historinë e qëndresës shqiptare, historinë e tolerancës fetare e njerëzore, është burim frymëzimi për tëra mendjet e ndritura të kombit. Andaj përpjekjet për njollosjen e këtij kolosi e Anteut të Shqipërisë, janë përpjekje ogurzeza të mendje-skllevërve, të shpirtshiturve, të mercenarëve dhe mbetjeve nga e kaluara.  


(11. 6. 2013)


 


 


Fatmir Graiçevci: Hipokrizia


 


Një ndër vetit më të këqija të njeriut dhe më të kritikuara nga librat e shenjtë për shkak të rrezikut që paraqet për shoqërinë, është edhe hipokrizia. Në “Kuran” me dhjetëra herë ju tërhiqet vërejtja besimtarëve që të jenë të vëmendshëm ndaj hipokritëve sepse ata ndryshe deklarojnë kur janë në mesin e besimtarëve e ndryshe sillen dhe veprojnë pas tyre.


Të paktën, të gjithë njerëzit në mënyre deklarative këtë veti e gjykojmë si të keqe dhe të dëmshme. Vështirë se do të gjejë njeriu ndonjë person me mendje të shëndosh që të pohoj se hipokrizia është e dobishme për shoqërinë. Por pavarësisht kësaj, janë me mijëra, miliona e mbase miliarda njerëz që janë hipokritë. Ndryshe deklarojnë e ndryshe veprojnë. Deklarohen demokrat e në thelb janë komunist, deklarohen besimtarë e bëjnë jetë ateisti, propagandojnë ide nacionaliste e bëjnë jetë internacionaliste, hiqen si altruist e jetojnë si egoist e kështu me radhë.


 


Një shembull tipik të hipokrizisë paraqet edhe misioni EULEX dhe drejtuesit e zyrtarët e tij si dhe të tjerët që ia mbajnë ison. Për të thuhet se është mision i Bashkimit Evropian për vënien e Rendit dhe Ligjit në Kosovë por pavarësisht kësaj që thuhet, EULEX-i mbyll sytë para krimeve që bëhen në pjesën veriore të Kosovës, ku nga bandat kriminale serbe pamundësohet edhe liria elementare e njeriut, ajo e lëvizjes së lirë. Për ta kompensuar këtë dështim, ky mision tani e sa vite duke keq shfrytëzuar tolerancën e popullit shqiptar tregohet tejet i ashpër kundër të gjithë shqiptarëve për të cilët shfaqen dyshime se mund të kenë keqtrajtuar ndonjë qytetar gjatë viteve të luftës.


Psiko-analisti i shquar, Zigmund Frojdi do të thoshte se zyrtarët e këtij misioni po e stërpërdorinë jashtëzakonisht mirë mekanizmin e kompensimit. Por ky mision deri më tani nuk ka treguar vullnet për të zhvilluar hetime për vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë marrë pjesë në vrasje, dhunime dhe dëbime të popullit shqiptar.


Aksionet e deritashme të këtij misioni dhe të UNMIK-ut dikur, t’i sjellin në kujtesë poezitë për të cilat mendon se ju ka ikur koha, poezi të cilat me anë të gjuhës së fabulave vënë në pah padrejtësinë dhe logjikën e mbrapsht të dënimit të viktimave dhe lënien në


liri të kriminelëve.


Por hipokrizia nuk merr fund këtu. Personat që mishërojnë këtë veti të rrezikshme i gjejmë ngado madje edhe nëpër pozita tejet të rëndësishme në shoqërinë tonë. Janë të shumtë njerëzit që nuk pushojnë së deklaruari se Kosova është tokë e shenjtë e sidomos kur gjenden para masës, mjeteve të informimit apo fushatave elektorale dhe të njëjtit pak


çaste më vonë veprojnë ndaj kësaj toke sikur të ishte e mallkuar, duke pështyrë mbi të, hedhur mbeturina e çka jo tjetër. Ç’hipokrizi! Athua nga kanë ardhur gjithë këto mbeturina që çdo ditë e më shumë po i mbulojnë sipërfaqet e bukura të Kosovës!?


 


Jo rrallë ndodhë të dëgjojmë njerëz duke folur për rëndësinë e luftës çlirimtare dhe vlerën e lirisë por ndryshe veprojnë ndaj kësaj lufte dhe bartësve të saj. Janë të shumtë tillët që mbajnë leksione për pastërtinë e luftës çlirimtare dhe bartësve të saj por kur ka aksione për njollosjen e saj dhe drejtuesve të luftës çlirimtare, ata bëhen sikur struci i cili kur vlerëson se një situatë është e rrezikshme fut kokën në rërë apo ku të mundet.


Ç’hipokrizi.


Janë të shumta rastet kur dëgjojmë kërkesa të arsyeshme dhe humane që Serbia të kërkoj falje për krimet që ka bërë kundër popullit shqiptar dhe këto kërkesa mandej riprodhohen edhe nga të ashtuquajtur historian, analist e studiues që gjatë defilimeve nëpër medie tona dënojnë krimet e Hitlerit, Sadamit, Gadafit, Millosheviqit, të cilët tani më kanë vdekur dhe nuk janë të rrezikshëm për shoqërinë dhe na tregojnë se sa humanist që janë por kurrë nuk gjykojnë edhe veprimtarinë e shërbyesve të regjimeve të tyre, disa prej të cilëve janë ende gjallë dhe gjenden edhe nëpër pozita kyçe në vendin tonë!!! Të tillët e ‘dojnë’ lirinë dhe demokracinë vetëm në rast se ajo ju sjell privilegje e përfitime të majme ashtu sikur ju ka sjellë dikur


regjimi shqiptar vrasës i Serbisë dhe komunizmi. Janë të shumtë shembujt anekënd botës ku mësojmë se personalitete të ndryshme i ka vrarë ndërgjegjja se pse nuk kanë bërë sa duhet për t’i dalë të keqes përpara apo pse kanë pranuar poste drejtuese nga qeveri të cilat më vonë kanë ndërmarr aksione antinjerëzore.


Një shembull të tillë paraqet edhe një ndër filozofët më të mëdhenj të Gjermanisë, Martin Hajdeger.


 Ai gjatë viteve të ’30 nga nazistët ishte emëruar rektor i një universiteti në Gjermani ndërkohë që pas pak kohe kishte dhënë dorëheqje nga ai post ndërsa pas përfundimit të luftës së dytë botërore ishte tërhequr edhe nga mësimdhënia në universitete publike. Por kjo ka ndodhur me personalitete që kanë dinjitet dhe ndërgjegje por nuk ndodhë edhe në botën shqiptare. Janë me qindra e mijëra persona që janë treguar indiferent ndaj vrasjeve, torturave, burgosjeve dhe dënimeve drakonike të djemve dhe vajzave që kërkonin të drejta, liri dhe demokraci për popullin shqiptar disa madje edhe kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dënimet dhe torturimet e tyre por ata asnjëherë nuk kanë kërkuar falje për këto vepra djallëzore. Përkundrazi, ata sot janë përfituesit më të mëdhenj të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës. Njerëz të tillë të pandërgjegjshëm dhe të pa moral gjatë regjimit të ish Jugosllavisë asnjëherë nuk kanë rrezikuar privilegjet e tyre që ju ofronte ai regjim dhe të ngritin zërin kundër robërisë, padrejtësisë, komunizmit por bënin të kundërtën ndërsa sot janë më të zjarrtit kur flasin për vlerat sikur janë liria, drejtësia, demokracia, nacionalizmi, patriotizmi e vlera të tjera sepse tani gjuha dhe


deklaratat e tilla ju sjellin përfitime e jo se këtë e ndjejnë thellë në qenien e tyre. Frojdi do të thoshte se edhe këta janë duke e stërshfrytëzuar mekanizmin e kompensimit ngase atë që nuk e kanë bërë kur duhej po provojnë ta bëjnë tani.


Ç’hipokrizi!!


Por hipokrizi e shkuar hipokrizisë është kur arrestimet, burgosjet dhe dënimet që po ju bëhen frymëzuesve, drejtuesve, komandantëve, eprorëve dhe pjesëtarëve të përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës quhen aksione kundër individëve të caktuar.


Sipas kësaj logjike i bije se as Serbia nuk ka luftuar kundër popullit shqiptar por vetëm kundër individëve të caktuar sepse gjatë viteve të luftës forcat policore e ushtarake serbe nuk kanë vrarë dy milion shqiptar por vetëm 15 mijë, se Serbia nuk ka bërë gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë sepse nga rreth 5 milionë boshnjak mysliman ka vrarë dhe masakruar vetëm 250 mijë prej tyre e as krimet e nazizmit dhe Hitlerit nuk janë krime kundër njerëzimit sepse nga mbi dy miliard banorë sa ka pasur bota në vitet e ’40, gjatë luftës së dytë botërore janë vrarë vetëm 60 milionë njerëz.


Se deri ku ka arritur hipokrizia mund të konstatohet edhe nga gjuha kur përdorin zyrtar të ndryshëm ndërkombëtar dhe një numër i konsiderueshëm i të ashtuquajturëve politikanë, analisë, historianë, humanistë e çka jo tjetër, kur flasin apo shkruajnë për vitet 1998-1999.


Luftën armatosur në mes të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe ushtrisë dhe policisë së Serbisë e quajnë herë konflikt e herë luftë, varësisht nga konteksti. Kur është fjala për arrestimin, njollosjen dhe poshtërimin e ndonjë pjesëtari të UÇK-së, këtë e bëjnë me pretekst për pjesëmarrje në krime të luftës ndërsa sa here ngritet zëri për të kërkuar llogaridhënie nga Serbia për dëmet që ia ka bërë Kosovës dhe popullit të saj gjatë luftës dycjeçare kemi reagime të menjëhershme se nuk ka pasur luftë por konflikt. Duket se kjo


kritikë tani ka filluar ta shpërlaj edhe trurin e atyre që dikur me krenari flisnin e shkruanin se kanë qenë bartës të luftës çlirimtare ndërsa tani na flasin e shkruajnë se Kosova e Serbia duhet ta lënë prapa konfliktin në mes tyre dhe të shiqojnë kah e ardhmja sepse, sipas tyre, ky është interesë i qytetarëve të të dyja vendeve. E kjo nuk është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj por në interes të Serbisë dhe qytetarëve të saj. E


Eshtë kjo edhe një hipokrizi e radhës apo jo!!!???


 


 


 


Më 16 qershor 2013 përkujtohen dëshmorët e kombit: Imer Krasniqi dhe Labinot Krasniqi


 


Organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së përkujtohen dëshmorët: Imer Krasniqi, i cili ka rënë më 16 qershor të vitit 1998 dhe që është dëshmori i parë i UÇK-së në Malishevë dhe rrethinë si dhe dëshmori, Labinot Krasniqi, i rënë në Hotëll të Kumanovës, më 6 qershor të vitit 2001 në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Akademia përkujtimore për dëshmorët mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë,  duke filuar në orën 17.00


 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …