RKL: EULEX-i mbështet fuqishëm politikën antishqiptare të Beogradit kundër Kosovës dhe aspak drejtësinë

Në shkrimin e tij titulluar; EULEX-i mbështetet në dëshmi, jo në politikë, botuar në disa medie në vend, shefi i këtij misioni,  gjermani,  Bernd Borchardt konstaton se “prokurorët e EULEX-it, si edhe të gjithë prokurorët e tjerë të Kosovës, nuk i ndjekin rastet duke u bazuar në politikë, por duke u bazuar në dëshmi. Sipas tij, pjesa më e madhe e të dyshuarve për krime lufte të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës janë serbë të Kosovës, ose shtetas serbë, por ata nuk janë më në Kosovë dhe EULEX-i nuk mund të bëjë asgjë, meqë nuk ka juridiksion në Serbi. Gjyqësori i Kosovës (përfshirë EULEX-in) mund të kryejë hetime kundër kryesve të krimeve, por ka juridiksion vetëm në Kosovë”.


 


Gjermani, Borchard mundohet të na bind  se lufta e UÇK-së ka qenë luftë civile mes shqiptarëve liridashës dhe përkrahësve të regjimit të Milosheviqit, meqë sipas kësaj logjike përkrahësit e regjimit të Serbisë kanë pasur të drejtë të zgjedhjes, edhe atëherë kur kanë bashkëpunuar dhe kanë marrë pjesë në krye të bandave ushtarake e policore serbe, kundër shqiptarëve liridashës, edhe atëherë kur kanë vrarë apo kanë spiunuar bashkëkombës të tyre,  duke i kryer shërbime Serbisë.


Shefit të EULEX-it nuk i interesojnë konventat ndërkombëtare për luftërat çlirimtare apo civile. Ai, thjesht,  interesohet të dënohen dhe të ndëshkohen të gjithë luftëtarët e lirisë së Kosovës, sepse kanë marrë guxim dhe kanë luftuar një regjim kriminal fashist, i tillë sikur kishte qenë regjimi i bashkëpatriotit të tij, Adolf Hitler, kundër hebrenjve dhe kundër tërë botës. Duam të besojnë se gjermani, Bernd Borchardt të paktën si intelektual është diferencuar nga regjimi fashist gjerman, por ai  nuk mund ta mohojë faktin se ndjekja e shqiptarëve nga regjimi i Milosheviqit, dëbimi e masakrimi i tyre ka mjaft ngjashmëri me pësimet fatale e tragjike të hebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse përmasat e krimeve nuk kanë qenë  të njëjta. Por kur marrim para sysh sundimin fashist serb 86 vjeçar në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare të okupuara nga Serbia me bekimin e Evropës së asaj kohe dhe po t’i llogarisim humbjet,  shkatërrimet dhe pasojat  e pësimeve tragjike gjatë afër një shekulli, përmasat  përafrohen shumë.


 


Çlirimtarët e Kosovës edhe pse me rezervë, duket se në fillim  e kishin mirëpritur postimin e një zyrtari gjerman në krye të EULEX-it, sepse  deri në mandatin e tij të gjithë shefat e mëparshëm kishin qenë francezë, aleatë historikë dhe besnikë të Serbisë. Ata  tashmë janë zhgënjyer dhe nuk kanë asnjë arsye t’ i besojnë drejtësisë selektive të EULEX-it, një mision që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk e përkrah atë, por e njeh shtetin sovran të Serbisë mbi Kosovë dhe bazohet në dosjet e përpiluara kundër shqiptarëve nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë në kohën e Milosheviqit. Këtë fakt nuk e ka mohuar gjermani Bernd, meqë nuk ka treguar se e njeh, as i intereson  historia  e armiqësisë 13-shekullore mes shqiptarëve dhe serbëve.


EULEX-i sipas tij qenka vendosur në Kosovë për t’i mbrojtur të drejtat e shqipfolësve, të drejtat e kolaboracionistëve, të dëshmitarëve të mbajtur dhe të atyre që janë shitur me para me qëllim për të dëshmuar rrejshëm. Gjermani Borchard mbase ka dëgjuar si janë përgjigjur dhe si e kanë akuzuar botërisht, preokurorin  Salustro dëshmitarët e shantazhuar nga EULEX-i gjatë gjykimit të Fatmir Limajt. Me të tillë dëshmitarë merret “drejtësia” e misionit evropian për sundimin e ligjit dhe nuk e ka për turp pse merret me ta, meqë është vënë në funksion të diskreditimit të ndjenjave liridashëse të një popull të martirizuar nga regjimet më kriminale dhe më fashiste që ka njohur historia e Ballkanit dhe Evropës, gjatë tërë shekullit XX.


 


EULEX-i nuk është në gjendje të ballafaqohet me realitetin dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është në gjendje t’ ia falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë dhe NATO-s bombardimin e Serbisë së Milosheviqit. Andaj, “drejtësia” evropiane përpiqet t’ i rehabilitojë fundërrinat e Milosheviqit në Kosovë, me qëllim që të marrë përmasa ndasia dhe urrejtja mes shqiptarëve liridashës dhe atyre pacifistë.


 


Deri tani EULEX-i nuk ka arritur gati asnjë rezultat  në këtë drejtim. Përjashto Nazim Bllacën, nuk kemi as edhe një rast tjetër që një shqiptar apo një shqipfolës ta mbrojë regjimin kriminal të Serbisë, jo sepse ata frikësohen, por sepse edhe nëse i kanë shërbyer regjimit të tillë, ata janë penduar dhe për veten e tyre, apo për hir të familjeve të tyre. Ata nuk do të pranojnë të marrin mbi vete turpin e pashlyeshëm mbi pasardhësit. Kurrë nuk mohohet fakti se gjatë luftës nuk ka pësuar edhe ndonjë individ i pafajshëm, por rastet e tilla nuk mund të trajtohen krime lufte.


 


Dëshmitarët e EULEX-it, ata të cilët  kanë pranuar apo nuk kanë pranuar para për shërbimet e tilla duhet të binden se ky mision po i përdor si mish për top, me qëllim që mbi kurriz të fatkeqësisë së tyre Evropa t’i shërbejë “larjes së mëkateve” të Serbisë, në mënyrë që ky shtet të pranohet  në BE, pa hipotekën e krimeve monstruoze. EULEX-i dhe BE-ja përgjithësisht ia kanë falur krimet Serbisë, sepse  kriminelët serbë  kanë vrarë pjesëtarë të fesë myslimane si në mesin e boshnjakëve ashtu edhe të shqiptarëve. Por krimet e Serbisë në Kroaci, Evropa dhe as Gjermania nuk ua kanë falur serbëve. Duhet të ndriçohet ky fakt edhe pse ne kemi konsideratë për luftën çlirimtare të këtij populli, të cilit i kemi ndihmuar për t’u çliruar nga fashizmi serb. Iu kemi ndihmuar edhe myslimanëve të Bosnjës, me kuadro të larta ushtarakësh dhe me qindra luftëtarë të përkushtuar të lirisë, për t’u çliruar nga sodomia serbe.  Evropa ka pranuar realitetin faktik të vendosur nga finalja e luftës në Kroaci. Ajo ka pranuar si fakt të kryer spastrimin etnik të serbëve në krahinën e Kninit  dhe kudo në Kroaci, ndërsa për Kosovën ka venduar që pjesa veriore e saj me shumicë serbe, gradualisht dhe juridikisht  t’i bashkohet Serbisë.


 


Shefi i EULEX-it krejt gjakftohtë e pranon faktin se përderisa misioni i tij nuk ka mundësi të dënojë  serbët, që kanë kryer krime  në Kosovë, atëherë u dashka të dënohen shqiptarët për shkak se paskan kryer krime lufte kundër bashkëkombësve të tyre në Kosovës Shefit të EULEX-it nuk i bën përshtypje se ata kanë qenë kolaboracionistë, por saktëson se  “këta kryes të veprave janë në Kosovë, brenda juridiksionit të Kosovës. Është parim kryesor i sundimit të ligjit që të gjithë janë të barabartë para tij dhe askush nuk është mbi ligjin. Kjo ndodhë në gjithë rajonin: Prokurori serb për krime të luftës i gjykon serbët në Serbi, Dhoma e posaçme e Bosnjës për krime të luftës i gjykon boshnjakët në Bosnjë, Prokuroria kroate për krime të luftës i gjykon kroatët në Kroaci”, shprehet gjermani Bernd, por nuk tregon se sa kriminelë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar Serbia, e cila edhe kur ndëshkon ndonjë kriminel, një herë në vit, atë e dënon  me dy-tre vjet burg për 100 shqiptarë të vrarë e të masakruar. Këtë fakt e di fare mirë, shefi i EULEX-it,  miku i regjimit të Serbisë në Kosovë, por kurrsesi mik i shqiptarëve liridashës të Kosovës.


 


Fushata e EULEX-it kundër luftës së UÇK-së, bëhet  me dy qëllime të caktuara politike. Ajo ka për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së në prag të zgjedhjeve në Kosovë, me qëllim që të dëmtohet e të diskreditohet krahu politik i luftës çlirimtare dhe me qëllim që mundësisht të thellohet përçarja mes shqiptarëve liridashës dhe pacifistë. Të shpresojmë se EULEX-i do të dështojë në të dy drejtimet, sepse praninë e këtij mision në Kosovë e mbështesin vetëm jugonostalgjikët, spiunët e Serbisë dhe ndonjë trutharë shqiptar apo shqiptare që punon në EULEX. Të gjitha sondazhet e deritanishme, që janë kryer në Kosovë kanë treguar se shqiptarët nuk kanë pasur as kanë fare besim në drejtësinë e këtij misioni pro serb në vendin tonë. Kjo i bën nder kombit. Natyrisht se EULEX-i nuk brengoset pse nuk e simpatizojnë  shqiptarët, mjafton që aktivitetin e tij antishqiptar ta lavdërojë Beogradi zyrtar. 


 


 


 


RKL: Kosova ambient i degraduar për gazetarinë, apo  gazetaria e vetë-degraduar e Kosovës


 


Në raportin më të ri të organizatës  Freedom House, e cila të dhënat e veta për Kosovën i bazon në gazetat dhe portalet e “Kohës Ditore”, të asaj që quhet “J. Birni në Kosovë” dhe të ndonjë plehurine tjetër, e cila sa hapet sa mbyllet, sa ndërron titullin e pronarin, sa ankohet se nuk po e financojnë,  qenka thënë se gazetarët, sidomos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin po u përballuakan me presion politik, kërcënime dhe sulme, kurse kanë shënuar rënie edhe kushtet për shoqërinë civile. Kështu përafërisht përkufizohet gjendja në Kosovë, e prezantuar  në raportin e ri të Freedom House. Edhe disa  përfaqësues të medieve dhe OJQ-ve mercenare konsiderojnë se përballen me sfida dhe probleme të mëdha derisa ushtrojnë profesionin e tyre.


 


Realiteti faktik në Kosovë është krejt ndryshe. Këtu ka liri pa fre, për të gjithë gazetarët, të cilët shkruajnë dhe botojnë artikuj  pa asnjë kontroll, kuptohet pa censurë dhe pa vetëcensurë, të paktën morale, pse jo edhe pa atë profesionale. Kjo gjendje shfaqet sapo ta shfletosh shtypin e shkruar, të cilin në aspektin e shpërndarjes, leximit dhe të blerjes, qoftë  edhe të atyre gazetave që blihen për një “mangërr”, apo pesë para, po i “zhvat” koha, Interneti, po i zhvat konkurrenca e ekonomisë së tregut, po i ha koha, meqë shumë e vogël është Kosova të ketë nevojë për 100 gazeta ditore, javor e mujore, 100 radio e televizione, 100 broshura e pamflete të ministrive, të komunave, të OJQ-ve, qindra portale pa asnjë vlerë profesionale e kështu me radhë. Në këtë konkurrencë, për të ekzistuar duhet që prapa një mediumi të qëndrojë mafia e politikës, e klanit të biznesit, e nëntokës, e krimit të organizuar, e trafiqeve, e drogës, prostitucionit dhe të gjitha të mirave që ka sjellur dhe sjell shoqëria e degjeneruar kapitaliste, në stadin e parë të zhvillimit. Por, ka në këtë mes edhe mediume të shkruara e elektronike, të cilat mbijetojnë meqë kanë krijuar besueshmëri, shprehin seriozitet dhe profesionalizëm dhe vetëfinancohen pa donacione dhe ryshfete.


 


Të dhënat e zeza që iu kanë ofruar Freedom House-it disa nga gazetarët dhe botuesit e  Kosovës, dihet se ku e kanë burimin….


Gazetaria e vërtetë serioze dhe profesionale kurrë nuk mund të degradohet, sepse ajo ngrihet pikërisht mbi skemën e degradimit, por degradohet vetëm ajo pjesë e gazetarisë jo serioze, jo profesionle, edhe pse ajo vetëquhet e tillë, duke qenë e kompleksuar nga mungesa e profesionalizmit.


 


Vazhdon…

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …