Fatmir Graiçevci: Drejtësia selektive e EULEX-it

Janë interesante disa fabula të  Ezopit, mendjendriturit të  kohës antike. Në një nga ato tregohet se si një herë e një kohë nga që ishin bërë krime të tmerrshme, të gjitha kafshët kishin vendosur të bëjnë gjyqin dhe meqë dhelpra ishte më e mençura ajo do të ishte krye hetuesja dhe krye gjyqtarja. Seanca gjyqësore filloi me luanin i cili fliste lirshëm për krimet që kishte bërë dhe rrëfente se sa dele, drerë e drenusha kishte ngrënë dhe pranonte se kishte bërë dëme të shumta. Pasi dëgjon mirë e mirë, pa thënë asnjë fjalë se kush bëri krime dhelpra kërkon që para bankës së të akuzuarit të dalë ujku. Edhe ai tregon sesa shumë qengja kishte ngrënë dhe për dhimbjet që ju kishte shkaktuar deleve. Pasi vëren se dhelpra nuk po ia vë mendjen krimeve të tij edhe ai del jashtë duke ia liruar radhën shqiponjës. Edhe kjo tregon se si në pamundësi për ta shqyer prenë, atë e kishte hedhur nëpër gremina derisa ishte bërë copë copë dhe ashtu ia kishte dërguar të vegjëlve të saj. Dhelpra shton përsëri se duhet mbajtur të vegjlit disi dhe radha i kishte ardhur edhe qengjit. Ai thotë se nuk di të ketë dëmtuar ndonjëherë ndokënd me përjashtim të një rasti kur i ishte rrezikuar jeta nga mungesa e ushqimit dhe ai kishte marrë dy-tri gojë barë në një kullosë,… dhe ende pa mbaruar fjalë dhelpra filloj të çirret: Ja krimineli. Ky është krimineli dhe këtë duhet dënuar për krimet që janë bërë në mbretërinë tonë!!!


 


Ka kaluar shumë shekuj qyshkur fobilisti i njohur  Ezop i ka krijuar fabulat e tij dhe është normale që gjatë këtyre dymijë e sa viteve, njerëzimi ka bërë hapa të mëdhenj përpara e shembujt e tillë nuk vlejnë më në shekullin e 21 sepse shoqëria i ka tejkaluar këto ligësi dhe marifete me vënien e drejtësisë,  sidomos ato që drejtohen nga ekspert të drejtësisë. Kështu do të duhej të ngjajë edhe në Kosovë ku për vënien e rendit dhe ligjit kemi një mision të përbërë nga ekspert të vendeve më të civilizuara, sikur është Italia e cila gjatë kohës së renesancës, dogji në turrë të druve, Gjordano Brunon, vetëm e vetëm pse ai mbrojti një pikëpamje që ishte në kundërshtim me bindjet dhe shpjegimet e Kishës, bindje që u konfirmuan të vërteta shekuj pas djegies së tij në turrë të druve.


 


Askush nuk e mohon se në Kosovë ka pasur krime të luftës, se janë dhunuar mijëra femra shqiptare, se në Kosovë janë dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre afër 700 mijë  shqiptarë, se janë vrarë e masakruar 15 mijë të tjerë, se ende nuk dihet fati 1800 të rrëmbyerve nga forcat policore e ushtarake serbe dhe që janë bërë krime monstruoze por çështja është se pse heshtet për këto krime por ka filluar kanë filluar gjykimi ndaj atyre që dyshohet se gjatë luftës paskan vrarë ndonjë bashkëpunëtor të forcave vrastare serbe apo ndonjë  ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paska maltretuar ndonjë person të dyshimtë duke i kërkuar dokumente të identifikimit, apo se paskan mbajtur të burgosur nëpër objekte që nuk i kanë pasur kushtet e burgjeve të Zvicrës, Suedisë apo Norvegjisë. Sa human që është Salustro për këto viktima dhe sa i ngjashëm me dhelprën e Ezopit. Por le të më fal Salustro për këtë krahasim sepse ai është dukshëm më i mençur dhe largpamës se sa dhelpra. Këtë e themi duke u bazuar në studimet e themeluesit të sociologjisë dhe për mendimin tim një ndër sociologët më të mëdhenj, Emile Dyrkemi. Kontributi i tij dhënë sociologjisë është i jashtëzakonshëm. Por në këtë rast do veçuar vetëm roli i pikëpamjeve në fushën e drejtësisë dhe rolit të ligjit dhe zbatimit të tij. Duke folur për këtë tematikë, ai në mes tjerash do të konstatonte se qëllimi i dënimit nuk është vetëm dënimi si i tillë, por bindja e shoqërisë dhe anëtarëve të saj se mos zbatimi i normave të saj do të sanksionohet e kjo do të kishte për pasojë kohezionin e shoqërisë dhe anëtarëve të saj. Përkthyer në një gjuhë më të thjesht i bije se Salustro po provon që sjellje dhe veprime jonormale dhe të dënueshme nga bota demokratike të bëhen norma në shoqërinë tonë!!! Do të ishte mirë që ai këtë moral të ua ofroj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës së kohës së Sharl de Degollit e vendeve të tjera.


 


Në vijim të parashtrimit të idesë për krimin dhe ndëshkimit e tij, sociologu, Emile Dyrkem thotë se shoqëria nuk e dënon një vepër pse është kriminale, por vepra është kriminale sepse është dënuar. Pra, një vepër merr konotacionin negativ të saj dhe evidentohet kriminale, vetëm nëse dënohet. Mbase këtu qëndron edhe thelbi i tërë filozofisë së Salustros dhe ekipit të tij mbështetës. Deshëm apo nuk deshëm, kështu po provohet të ndërtohet e vërteta e periudhës dy vjeçare të luftës çlirimtare në Kosovë. Nëse krimet i masim në bazë të dënimeve të tyre, atëherë del se gjatë viteve 1998-1999 më shumë krime kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se sa pjesëtarët e policisë dhe ushtrisë serbe të ndihmuara edhe nga grupe të shumta kriminale paramilitare. Janë me dhjetëra vendbanime në të cilat forcat serbe kanë vrarë civilë shqiptarë, kanë dhunuar vajza shqiptare, kanë vrarë edhe pleq e plaka, fëmijë, foshnje të porsalindura, ua kanë shqyer barkun në mënyrë barbare grave shtatzëna dhe nuk kemi asnjë serbe të dënuar për këto krime rrëqethëse. Nëse nuk ka dënime për këto vepra monstruoze një ditë nëpërmjet mungesës së këtyre dënimeve do të provohet të argumentohet se nuk ka pasur as krime! Një qytetar i Evropës një ditë mund të shtroj pyetjen se si është e mundur që misioni më i madh i Bashkimit Evropian për vënien e rendit dhe ligjit nuk ka mundur të vë para drejtësisë kriminelët për krime të tilla!!! Ai do të besoj se krime të tilla nuk ka pasur sepse po të kishte do të kishte edhe dënime të urdhërdhënësve dhe kryerësve të tyre.


 


Duket se kjo më së shumti i leverdisë Serbisë dhe miqve të saj të vjetër e të rinj. Nëse Salustro me ndihmën e mbështetësve të tij ia del mbanë që të ndërtojë të ‘vërteta’ të tilla atëherë pas një kohe do të hapet mundësia e kontestimit edhe të legjitimitetit moral të sulmit të NATO-s, të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për bombardimin e forcave serbe për shkak të vrasjeve, dhunimeve, masakrimeve dhe dëbimit të popullit shqiptar.


Po të merrnin me kohë dënimin e merituar kryesit e krimeve në Kroaci, nuk do të kishte masakra në Bosnjë e Hercegovinë sikur që po të merrnin dënimin e merituar dhe të menjëhershëm masakruesit dhe dhunuesit e 250 mijë boshnjakëve myslimanë nuk do të kishte krime monstruoze kundër popullit shqiptar në Kosovë. Por meqë ata nuk e morën dënimin e merituar as në Kosovë ata një ditë hëngrën kokën e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq e prej atje shkuan edhe në Libi duke i shërbyer Muhamed Gadafit deri në vrasjen e tij nga kryengritësit libian. Kriminelët nuk njohin kufi dhe Salustro do të ishte mirë që t’i dënoëj këta derisa nuk e kanë mbyllur qarkun në Itali. Neve nuk na mbetet tjetër vetëm se të flasim edhe pak me gjuhën e Salustros. Nëse ai është i brengosur me peshkimin e peshqve të mëdhenjë për shkak të rrezikut që po paraqitkan këta për ekosistemin ujor atëherë shumë më mirë do të ishte që ai të angazhohej për peshkimin e peshkaqenëve që ndodhen në pjesën nga fryjnë erëra të ftohta. Nëse vërtetë EULEX-si dhe Salustro dëshirojnë të dëshmojnë se janë të përkushtuar që në Kosovë të ketë rend dhe ligjësi le t’i marrin sejmenët dhe gjahtojnë në veri.


 


F. Graiçevci: Qeverisja e  Berishës  varet nga suksesi i aktrimit të rolit të patriotit e viktimës


 


Është për keqardhje që ende jemi popull që ju besojmë verbërisht informatave, përshtypjeve të para, të cilat kryesisht bazohen në imazhe dhe dezinformata, e në mungesë të të menduarit kritik ne besojmë pa asnjë dyshim dhe kështu kalojmë në dogmatizëm. E keqja është se bindjet, dogmat nuk ndryshojnë fare ose ndryshojnë tejet ngadalë dhe me shumë vështirësi. Këtë më së miri e shpjegon Psikologjia Sociale. Ekspertë të kësaj disipline kanë ardhur në përfundime se kur ne krijojmë një qëndrim ndaj një personi, ky qëndrim mandej ndikon fuqishëm në perceptimin tonë. Psikologët socialë shpjegojnë se dogmatikët, paragjykuesit, perceptojnë vetëm ato gjëra që përforcojnë dogmat, paragjykimet e tyre dhe të verbër ndaj fakteve që hedhin poshtë bindjen e tyre.


 


Janë të shumta personalitet të cilat i kemi ngritur në piedestalin më të lartë, duke u bazuar në këtë logjikë të mbrapsht. Është për keqardhje që të ndikuar nga propaganda e puthadorëve të të gjitha regjimeve djallëzore, tititiste, rankoviqiste, millosheviqiane, pjesa dërmuese e popullit shqiptar jashtë Shqipërisë londineze, është dashuruar marrëzisht në personalitete të caktuara pa i ditur mirë të vërtetën e veprimtarisë së tyre, biografia e cila do të na kthjellonte dhe vetëdijësonte për marrëzinë tonë. Është për keqardhje kur njeriu ende dëgjon njerëz  që flasin me mallëngjimi për kohën e Titos pa e vrarë mendjen se gjatë regjimit të tij “Tauk Bahqja”,  në Prishtinë ishte bërë varrë masiv ku therreshin e vriteshin liridashësit e dëshmuar të Kosovës, Shqipërisë dhe bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, pa e qarë kokën për marrëveshjet e nënshkruara për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi, pa i vrarë ndërgjegjja për torturimin që po ju bëhej shqiptarëve gjatë vitit me dimër të ashpër në vitin 1956, pa e vrarë mendjen se gjatë kohës së tij, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi dhe qindra e mijëra bashkëveprimtar të tij, sikur ishte Fazli Grajçevci e shumë liridashës të tjerë janë torturuar, dënuar e vrar nëpër burgjet anekënd Jugosllavisë. Por Titoja, Rankoviqi e Millosheviqi kanë vdekur dhe nuk janë të rrezikshëm ndërsa është fat i mirë që shërbëtorët e tyre nuk e kanë fuqinë e tyre.


Rreziku është që ka të tjerë të gjallë që kanë fuqi dhe mund të fuqizohen edhe më tutje por na mbanë shpresa se këta nuk e kanë inteligjencën, ndikimin dhe guximin e antishqiptarëve të përbetuar.


 


Sot askush nuk e mohon faktin se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, që po i numëron ditët e fundit të mandatit të dytë, është personaliteti i Shqipërisë që ka ndikimin më të madh te shqiptarët e Kosovës mbase edhe në pjesën lindore të saj dhe te shqiptarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.


 


Ata që e çmojnë deklarojnë me krenari se ai është idoli i tyre, pa e vrarë mendjen se me dhjetëra herë në ditë shqiptojnë dëshminë e përkatësisë së fesë islame e cila ndalon rreptësisht idiolatrinë! Jezu Krishti do të thoshte: Fali o Zot se nuk dinë ç’ bëjnë!. Por ata bëjnë këtë sakrilegj në mënyrë të pavetëdijshme dhe dashurojnë marrëzisht Salen pa qenë të vetëdijshëm për fytyrën tjetër, atë reale të Sali Berishës.


 


A thua a është ai i tillë sikur deklarohet e hiqet para masës, elektoratit e mjeteve të informimit? A thua ju kujtohen shqiptarëve britmat e tij në Tetovë kur bashkë me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, të pushtuar nga emocionet që ju shkaktoi dashuria e masës së hipnotizuar ata deklaronin se do të jenë gardian të të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen dhe se do të angazhohen për realizimin e ëndrrës më të madhe të kombit shqiptar, bërjen e Shqipërisë etnike.


Pse pak javë më vonë të dy  heshtën dhe u bënë sikur struci kur regjimi i Beogradit shkuli lapidarin e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, kushtuar atyre që me gjakun dhe jetën e tyre u angazhuan për çlirimin dhe bashkimin e kombit shqiptar deri në rënien e tyre heroike!!! Ky ishte rasti më i mirë për të dy kryeministrat, Sali Berisha e Hashim Thaçi, që të dëshmojnë se ata vërtet janë gardianë të të gjithë shqiptarëve,  por ata harrun se ç’ kishin thënë sapo u doli gjumi i shkurtë patriotik.


 


Mbase shqiptarët për pakë ditë janë zhgënjyer në kryeministrat e tyre por dogma dhe besimi ka bërë që ata ta harrojnë këtë mospërputhje në mes të deklaratave dhe veprave të tyre. Frojdi do të thoshte se kjo është harresë tipike për ta ilustruar teorinë e tij për harresën e motivuar.


 


Nëse gërmojmë pakëz më thellë në jetën dhe veprimtarinë e Sali Berishës do të shohim se ai jo që nuk ka reaguar kur janë cenuar interesat e Shqipërisë dhe kombit shqiptar por ka dhënë kontribut të madh në këtë drejtim. Gjatë viteve të ’60-ta kur Shqipëria udhëhiqej nga Enver Hoxha, kompani ruse për hulumtime të naftës kishin konstatuar se në pjesën jugore të saj ka rezerva të mëdha të naftës. Vite më vonë, pas hulumtimeve të shumta, edhe kompania më e njohur ndërkombëtare për gjetjen e burimeve të naftës, British Petrolium, kishte konstatuar se në pjesë të caktuara të jugut të Shqipërisë dhe bregdetit të saj, ka rezerva të jashtëzakonshme të naftës, konstatime të konfirmuara muaj më parë edhe nga kompani dhe ekspert të tjerë të cilët thonë se Shqipëria është vendi më i pasur me naftë dhe gaz në Evropë. Por gjatë vitit 2010, një komision qeveritar i Qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Sali Berisha, pothuaj tinëzisht bëri një marrëveshje me Athinën zyrtare për rishikimin dhe ri përcaktimin e vijës kufitare me Greqinë, marrëveshje nëpërmjet së cilës i faleshin Greqisë pikërisht ato territore në të cilat kishte rezerva të mëdha të naftës. Sipas kësaj marrëveshje Greqisë do t’i falej zona veriore e detit Jon, që fillon në veri të ishullit Pakso e që kalon përreth ishullit të Korfuzit, Gjirit të Igumenicës deri në veri të ishujve Erikusa, pas Sazanit, e pasur me naftë dhe gaz. Sasitë e këtyre lëndëve vlerësohet të jenë rreth 4 miliardë fuqi naftë dhe 1 triliardë metër kub gaz. Përveç kësaj, në këto zona fillon rryma detare e Jonit, që shquhet për shpejtësinë e saj, e cila në një të ardhme të afërt mund të shfrytëzohet për prodhimin e energjisë.


Vlera e kësaj pasuria është me miliarda dollarë. Por marrëveshja nuk u realizua jo pse nuk donte kryeministri, Sali Berisha, por se reagoi shoqëria civile, qytetarët që vërtet duan Shqipërinë, ekspertët e saj në mesin e të cilëve, Mylim Pashaj, të cilët me angazhimin e tyre bënë që kjo marrëveshje të kalojë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe e cila më në fund rrëzoi këtë marrëveshje.


 


Por jo vetëm kaq. Nëse hulumtojmë edhe pak në të kaluarën e tij prej kryeministri, do të mësojmë se Qeveria e drejtuar prej Sali Berishës lejoi qeverinë greke që të ndërtojë varreza në territorin e Shqipërisë për ushtarët grekë që ishin vrarë gjatë luftimeve për pushtimin e Shqipërisë!!! Vlen të theksohet se historianët kanë tërhequr vërejtjen për pasojat që do të ketë Shqipëria nga Marrëveshja për lejimin e palës greke për të ndërtuar varreza për ushtarët e saj të vrarë në territorin e Shqipërisë. Profesorë të institutit të historisë kanë vlerësuar se kjo marrëveshje duhet të rishikohet pasi që në rrethana të caktuara politike mund të shfrytëzohet nga Greqia për pretendime territoriale ndaj territor shqiptar. Njohësit e marrëdhënieve shqiptaro-greke, kanë përkujtuar se ushtarët e vrarë në Shqipëri nuk kanë luftuar për çlirimin e saj por për shtrirjen e administratës greke edhe në këtë pjesë të Shqipërisë. Në territoret që ata hynë, në Korçë, Ersekë, Leskovik, e deri në Gjirokastër, dihet që ata ngritën flamurin grek, ka përkujtuar historiania, Fatmira Rama. Duke shprehur habinë e tyre me marrëveshjet e realizuar nga Qeveria Berisha dhe të miratuara nga Kuvendi, historianët kanë nënvizuar se marrëveshja për varret duhet të ishte reciproke dhe në këtë rast Shqipëria duhet të kërkonte ndërtimin e një memoriali në Çamëri prej nga u dëbua dhunshëm popullata autoktone shqiptare nga ushtria greke.


 


Gërmimi i mëtutjeshëm në të kaluarën e Berishës do të na ballafaqoj me fakte të reja aspak të këndshme për shqiptarët e mbetur nën regjimin e Jugosllavisë. Kryeministri, Sali Berisha, krenohet me faktin se këshilltar të tij e ka Damir Fazlliçin, nipin e shefit të shërbimit të fshehtë shqiptar vrasës UDB ( Sigurimi i Brendshëm Shtetëror). Ai filloi të pasurohet jashtëzakonisht shumë pas ardhjes së Sali Berishës në pushtet në vitin 2005, për ç’gjë Prokuroria e Shqipërisë e udhëhequr nga kryeprokurorja, Ina Rama kishte nisur hetimet ndaj tij por Qeveria kishte reaguar ndaj këtyre hetimeve ndërkohë që qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishin shprehur shqetësime për këtë ndërhyrje të Qeverisë në çështjet e prokurorisë. Në anën tjetër analistët kishin tërhequr vërejtjen se qasja e qeverisë Berisha manifeston mendësinë komuniste.


 


Por jo vetëm kaq. Të bëmat e tij janë edhe më të shumta nëse vazhdojnë të hulumtojmë tutje në të kaluarën e tij. Gjatë fillimit të viteve të ’90-ta kur Shqipëria udhëhiqej nga Sali Berisha ndërsa Serbia po luftonte kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve myslimanë dhe po shtronte presionin mbi shqiptarët, të ndjekurit nga policia dhe shërbimi sekret e që u strehuan në Shqipëri, pësuan keq dhe u dekonspiruan. Rastin më eklatant paraqet biznesmeni dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Remzi Hoxha. Pas ndjekjes së tij nga regjimi serb, ai vendoset në Shqipëri dhe pas pak kohë atje investon edhe gjithë pasurinë e tij që e kishte bërë me shumë mund e sakrifica. Krahas rritjes së biznesit ai merret edhe me çështjen kombëtare duke provuar t’iu bije në gjurmë kryerësve të vepra të liga për shqiptarët dhe Shqipërinë por mjaftë të dobishme për Serbinë.


 


Ai ia kishte dalë të mësonte se shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede ishte takuar me kriminelin serb, Zhelko Razhnjatoviq-Arkan ndërsa kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha me kryetarin e Serbisë kryekriminelin, Sllobodan Millosheviq. Takimet kishin rezultuar me një marrëveshje nga e cila Serbia e cila gjendej e bllokuar nga embargoja ndërkombëtare për ta gjunjëzuar për shkak të luftërave kundër popujve jo serb të ndihmohej nga Shqipëria!!! Posa kishte mësuar për këto takime, Remzi Hoxha kishte njoftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Dy javë më vonë, Remzi Hoxha arrestohet në Shqipëri dhe mbytet nga torturat që po ia bënin pjesëtarët e Shërbimit Informativ Kombëtar të udhëhequr nga Bashkim Gazidede. Nga intervista e bërë për këtë çështje, djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha ka deklaruar se urdhri për zhdukjen e babait të tij ka ardhur nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të asaj kohe dhe ka pasur për qëllim që të mos dalin në publik bizneset sekrete në mes udhëheqësve të lartë shtetëror të Shqipërisë dhe atyre të Serbisë, që më vonë i bëri publike edhe ish-kryetari i Malit të Zi, siç ishin furnizimet me naftë, armatim, etj.


 


Pas këtyre takimeve Serbia është furnizuar me naftë nëpërmjet Shqipërisë së drejtuar nga Sali Berisha, naftë e cila është përdorur për makinerinë vrastare serbe gjatë luftës në Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë ndërsa pak vite më vonë edhe kundër shqiptarëve të Kosovës. Kur e gjithë bota i kishte vënë sanksione Serbisë me qëllim për ta gjunjëzuar atë nga kërdia që po bënte kundër kroatëve dhe boshnjakëve mysliman liridashës, asaj i dolën në ndihmë Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede ( shef i Shërbimit Informativ Kombëtar ) nëpërmjet takimeve me Sllobodan Millosheviqin dhe Zhelko Razhnatoviq-Arkan, dy kriminelët me urdhër të të cilëve u vranë e u masakruan qindra mijëra civil shqiptarë, kroatë e boshnjakë myslimanë!!! Që Sali Berisha dhe pjesëtarët e oborrit të tij kanë shkuar dhe i kanë bërë nderimet më të larta trupit të pajetë të Bashkim Gazidedes dihet por a ka shkuar ai me suitën e tij për t’i bëjë nderimet më të larta edhe familjes së Indrit Carës, që u detyruar për kafshatë të bukës të emigrojë në Britani të Madhe e t’ia kthej shpinën jetës së atjeshme luksoze dhe të merrte pjesë në luftën çlirimtare në Kosovë deri në rënien e tij heroike, po në familjet e dhjetëra dëshmorëve të tjerë që janë anekënd Shqipërisë së qeverisur prej tij?


 


Po ka edhe çështje të tjera. Cila është arsyeja që institucione të caktuara të Shqipërisë së qeverisur nga Sali Berisha zvarrisin për vite me radhë realizimin e projektit për ndërtimin e interkonjicion 400 kilovoltësh Shqipëri-Kosovë që do të na bënte Kosovën të pavarur nga furnizimi me energji elektrike nga Serbia?.


Janë edhe shumë fakte të tjera. Gjatë paraqitjes para medieve, duke provuar të na bind për diapazonin e gjerë të diturive dhe për moralin e lartë, ai në mes tjerash na tregon se libri i tij i preferuar është “Lolita”, libër subjekt i të cilit është dashuria dhe përkdhelitë e një 40 vjeçari ndaj një të miture, Lolitës. Thënë thjesht, krye temë e këtij romani është pedofilia e cila trajtohet pa provuar për ta zgjuar te lexuesi protestën për këtë akt të pështirë. Sot shoqëritë anekënd botës gjykojnë këtë akt të pështirë të njerëzve të ligj dhe vështirë se do të gjejë njeriu një njeri me mendje të shëndosh të krenohet se libri i tij i preferuar është ai që tematikë qendrore ka pedofilinë. Mbase ia vlen të hulumtohet më shumë në këtë drejtim,..


Gjatë paraqitjeve nëpër emisione të ndryshme ai dhe soji i tillë na paraqiten se ka qenë viktima të komunizmit, ani pse kurrë në jetën e tyre nuk kanë ngritur kokën asnjëherë apo të kenë shkruar një fjalë të vetme kundër komunizmit, ani pse tani na hiqen se kanë shkruar me një stil të tillë sa na paska qenë i pakapshëm për aparatin shtetëror të kohës!!! Por pavarësisht deklaratave të tij e sojit të tij, ai ka qene i privilegjuar ne atë regjim ashtu sikur kanë qenë edhe shumë të tjerë që tani gjatë gjithë kohës përloten dhe luajnë rolin e viktimës. Nuk e besoj që këta që kanë preferenca për libra të tillë si Lolita kanë diapazon për të kuptuar librat e filozofëve, atyre që mbajnë primatin e urtakëve, të maturve dhe vizionarëve por kam përshtypjen se të tillët me ndihmën e të tjerëve kanë kuptuar thelbin e një pjese të filozofisë së një nga filozofët më të mëdhenj të njerëzimit, Imanuel Kantit. Ai thoshte se njerëzit për nga natyra anojnë nga viktima dhe provojnë t’ia mbajnë anën asaj dhe se kjo është një universalje kulturore. Për çudi, askush si ish komunistët, ish socialistët, ish ateistët, ish puthadorët, ish shërbëtorët e plotë ish të tjerë nuk dinë ta luajnë dhe shfrytëzojnë më mirë se këta rolin e viktimës. Por ata mund ta luajnë dhe të përfitojnë nga ky rol derisa spektatorët ta kuptojnë se ky është vetëm një aktrim, vetëm një ndërrim i qimes por jo edhe i zakonit, sepse sa herë që i ofrohet mundësia për ta luajtur rolin e ujkut ata do t’ia kalojnë ujkut.


Sali Berisha e do Shqipërisë vetëm kur mund ta sundojë atë sepse e pamë se si ishte i gatshëm për t’ia vënë flakën sikur në vitin 1997/ 1998 kur ishte në opozitë, ai e do nacionalizmin vetëm kur mund të përfitojë nëpërmjet tij, sikur bëri në Tetovë, ai bëhet patriot vetëm për t’ia zgjatur pushtetin vetes dhe oborrit të tij mbi Shqipërisë dhe ai do t’ia del mbanë me këto marifete deri atëherë kur nëpërmjet këtij aktrimi hipnotizon mendjet e personave lehtë të nënshtrueshëm nga sugjestionimi.


Fatmir Graiçevci


21. 6. 2013

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …