Vështirë se do ta gjejë njeriu një vend si Kosova ku ka gazetar që duke bërë analiza i japin vetes të drejtë të bëjnë edhe diagnoza psikiatrike për qytetarët e vendit të tij. Një i tillë këto ditë na u paraqit me një shkrim të botuar në portalin “Koha” ku nëpërmjet shkrimit të tij “Një fushatë e egër kundër drejtësisë” lë të nënkuptohet se të gjithë ata që kanë protestuar ndaj fushatës së EULEX-it kundër UÇK-së, janë jonormal. Në përpjekje për t’ia bërë avokatin EULEX-it, gazetari mendje robëruar, Enver Robelli, në mes tjerash shkruan se qytetarët normalë të Kosovës janë në anën e EULEX-it, e sipas kësaj logjike, të tjerët që nuk janë me EULEX-in janë anormal, gjendje në kuadër të së cilës hynë edhe çmenduria!!! Sipas këtij pseudo psikiatri, ata që nuk janë me EULEX – in janë jonormal, janë kundër misionit të tij për vënien e rendit dhe ligjit dhe në shërbim të manipuluesve, kriminelëve, mafiozëve e kategorive më të poshtra të shoqërisë.
Ata që kanë njohuri nga regjimi komunistë e dinë mirë se çfarë gjuhe është kjo. Gjuhë tipike e mendësisë komuniste. Ashtu sikur ka rezonuar njëherë e një kohë regjimi komunist kundër atyre që luftonin robërinë, ashtu rezonin edhe Enver Robelli.
Komunizmi kishte ndarë njerëzit në dysh, kush nuk është me ne është kundër nesh, kështu na thotë edhe ai: ata që nuk janë me EULEX-in janë kundër tij dhe lë të nënkuptohet se të tillët nuk janë normal. Në vijim të artikullit të tij mllef zbrazës ndaj kritikuesve të fushatës së EULEX-it kundër UÇK-së, dhe duke u shërbyer me gjuhën e mendësisë komuniste ai provon të na tregoj më tutje se cili ishte fati i Bashkimit Sovjetik dhe argatëve të tij!!! Duket se nga huqet e tij të shumta ai ka huqur edhe adresimin e tij kur provon të na tregoj se cili ishte fati i perandorisë së kuqe dhe shërbëtorëve të saj. Nëse dikush ka nevojë për mësime të tilla ai është Enver Robelli dhe ithtarët e tij e jo ata që kanë pësuar si mos më keq nga komunizmi dhe shërbëtorët e tij. Nëse dikush ka nevojë për të mësuar më shumë për konceptin e Xhon Stjuart Millit për lirinë dhe individualizmin, ky është Robelli. Madje-madje ky ka nevojë edhe për autorët bashkëkohorë për demokracinë, një ndër të cilët është edhe Xhovani Sartori i cili në mes tjerash thotë se nëse njeriu nuk guxon të shprehë atë çka mendon, ai pas një kohe më nuk do të mendon për atë për të cilën nuk guxon të shprehet!
Këtë mundohet ta arrij Robelli nëpërmjet shkrimit të tij ku thotë se qytetarët normal që janë shumicë, nuk kritikojnë EULEX-in dhe lë të nënkuptohet se të tjerët që kritikojnë atë na qenkan jonormal e në kuadër të jo normalitetit është mosrespektimi i normave të shoqërisë edhe kur këto norma janë regresive. Në kuadër të jo normalitetit është edhe çmenduria, çrregullimi manioko-depresiv, skizofrenia apo ndonjë çrregullim tjetër. Që të jem i sinqertë dhe jo modest më duhet të them se ndonëse kam njohuri bazike nga shëndeti mendor, fushë në të cilën kam edhe një përvojë solide, nuk kam pasur asnjëherë kaq guxim në vënien e diagnozave për shoqërinë sikur ka Enver Robelli në ndarjen e saj normale dhe jonormale. Se ku bazohet ai kur thotë se EULEX-i përkrahet nga njerëzit normal që janë shumica dhe se cila është gjendja psikike dhe morale e këtyre të tjerëve që po e kritikojnë këtë mision, le të shohim në vazhdim.
Nxitimi i tij për t’i ndalur në ndihmë EULEX – it të përkujton puthadorët e regjimit të Jugosllavisë dhe Serbisë që ishin vënë në shërbim të milicisë, UDB-së e djallit të mallkuar dhe organizonin mbledhje nëpër kolektive punëtorësh, mbledhje nëpër oda dhe takime të tjera në të cilat me fjalime të zjarrta dënonin të rinjtë e të rejat shqiptare që kishin marrë pjesë në demonstratat e ’81 dhe kërkonin dënimin maksimal të tyre ndërkohë që ëndërronin për shpërblimin që do të merrnin të nesërmen nga ata në shërbim të të cilëve ishin vënë me mish e me shpirt. Edhe atëherë përdorej e njëjta gjuhë dhe propagandohej se shumica e popullit nuk mendon sikur demonstruesit.
Madje edhe dënimet kundër rinisë liridashëse të Kosovës merreshin në emër të popullit!!!
Se ku është katandisur mendja dhe botëkuptimi i tij mbi të vërtetën më së miri na tregon historia e vrasjeve mizore të personaliteteve të cilat i respekton çdo mendje e shëndosh, e ndritur e humane dhe që nuk është rob i mendësisë sipas së cilës mendimi dhe vendimi është i vërtetë nëse përkrahet nga shumica. Sipas kësaj logjike, të gjithë ata pjesëtar që nuk pranojnë normat e kohës së tyre janë jonormal, të rrezikshëm për shoqërinë dhe meritojnë dënimin!
Ashtu sikur Enver Robelli i cili na thotë sot se EULEX-i nuk duhet të irritohet nga sulmet primitive sepse qytetarët normal të Kosovës që janë shumica, janë në anën e këtij misioni, kështu kanë rezonuar njëherë e një kohë edhe ata që ia bënë gjyqin Sokratit, një ndër filozofët më të mëdhenj të njerëzimit, i cili u dënua me vdekje! Ishte pikërisht kjo logjikë sipas së cilës dikush meritonte dënimin me vdekje nëse shumica mendonte kështu. Sokrati u dënua me vdekje vetëm për shkak se te rinia e kohës së tij zhvillonte të menduarit kritik, dhe kjo tmerronte klasën sunduese të Athinës të cilët për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht ia bënë gjyqin Sokratit me akuza të sajuara, të pabaza e të marra të cilave nuk iu besonte pakica por meqë atyre i besuan
shumica, ai u dënua me vdekje!
Rreth 300 vite më vonë, një fat të tillë pati edhe profeti i cili mbi të gjitha shquhet për butësinë, mëshirën dhe kundërshtimin e dhunës, Jezu Krishti. Ai përveç tjerash nga pasuesit e tij kërkonte që ndaj armiqve të reagojnë me dashuri. Ai porosiste pasuesit e tij që nëse armiku të godet në anën e djathtë t’i ktheja faqen e majtë. Edhe ky u dënua me vdekje dhe u kryqëzua sepse shumica e qytetarëve iu besonin akuzave të marra ndaj tij dhe mendonin se ky meritonte një ndëshkim të tillë. Edhe Jezu Krishti kishte pasuesit e tij të devotshëm dhe një pjesë të vogël të qytetarëve numri i të cilëve sa vinte e rritej dhe kjo duket se e shqetësonte pushtetin e kohës, njeriun që ishte shpallur perëndi, Jul Cezarin dhe puthadorët e tij. Derisa i pari, Jezu Krishti kryqëzohej dhe nga torturat në agoni i lutej Zotit që t’i falte ndëshkuesit e tij, i dyti, Jul Cezari me puthadorët e tij qëndronin të dehur nga kremtimet në pallat por ishte i pari që ndau kohën në dysh, para dhe pas, dhe sot janë me miliarda njerëz që shprehin respekt, admirim dhe përulje ndaj veprimtarisë dhe doktrinës së të parit – Jezu Krishtit e jo ndaj Jul Cezarit!!!
Por jo vetëm kaq. Historia na mëson se nga mendësia e tillë që ajo çka mendon shumica është e vërtetë, kanë pësuar edhe personalitete të jashtëzakonshme. Një ndër këta është edhe Gjordano Bruno. Ai u dogj në turrë të druve sepse botëkuptimi i tij mbi universin dhe Zotin ishte në kundërshtim me Kishën dhe shumicën e qytetarëve të kohës së tij. Ai kishte arritur të shkëputej nga rezonimi i rëndomtë i kohës së tij duke thënë se nuk është dielli që sillet rreth tokës por toka është ajo që sillet rreth diellit.
Përveç ndonjë matufi i cili ka mbetur rob i mendësisë së mesjetës kur kriter i vërtetësisë ishte mendimi i shumicës, ashtu sikur po provon të na bind Robelli, sot të gjithë qytetarët me mendje të shëndosh dhe një grim rezon e kuptojnë se Brunoja kishte plotësisht të drejtë dhe se vendimi i Inkuzicionit Kishtar ishte jonormal dhe çmenduri. Por nga ajo që mësova nga Robelli këto ditë mbi kriterin e vërtetësisë, nuk e përjashtoj mundësinë që ndonjë mendon se Brunoja kishte të drejt vetëm pse sot shumica mendojnë kështu. Më vjen keq nga të tillët që ende jetojnë, rezonojnë dhe vijnë në përfundime me mendësinë e mesjetës, kohës së errësirës.
Por jo vetëm kaq. Edhe simboli i gjallë i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, sa herë është dënuar nga sahan lëpirësit, aktgjykimi i është bërë duke thënë jeni të dënuar në emër të popullit!!!
Askush si komunistët dhe shërbëtorët e tij nuk ka abuzuar në emër të popullit apo të shumicës.
Në përpjekje për të na treguar ne për misionin e EULEX-it, gjë që e dimë të gjithë, Robelli provon të na tregojë se sa i dhimbsen mërgimtarët tanë në perëndim të cilët bashkë me qytetarët e Bashkimit Evropian paguajnë taksa nga të cilat financohet EULEX-i për vënien e rendit dhe ligjit në mbarë territorin e Kosovës. Por athua a e konsideron Enver Robelli territor të Kosovës edhe pjesën veriore të vendit ku janë të pranishme struktura kriminale të financuara nga Serbia!!!??? Se EULEX-i tregohet tejet i pa kompromis për të arrestuar, burgosur dhe dënuar të gjithë ata për të cilët sajohen akuza për krime të luftës kjo po shihet dhe se Enver Robelli është i revoltuar kundër protestave ndaj kësaj fushate kundër pjesëtarëve të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, edhe kjo po shihet por a ndjehet ai i revoltuar edhe nga mungesa e përpjekjeve minimale të EULEX-it për të vënë rend dhe ligj ku mungon më së shumti, në pjesën veriore të Kosovës, ku para dy viteve ra në krye të detyrës pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi!!!???
Duke zbrazur mllefin kundër atyre që kanë protestuar dhe kritikuar fushatën e EULEX-it ndaj arrestimit, dënimit dhe burgosjes së komandantëve, pjesëtarëve dhe eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Enver Robelli sjellë shembuj të dënimeve të personave të caktuar për korrupsion, shpërdorim detyre, keqpërdorim të profesionit e krime të tjera, dhe nëpërmjet shembujve të tillë provon të lë të nënkuptohet se protestat dhe kritikat kanë të bëjnë kundër dënimeve të personave që kanë bërë vepra të tilla!!!
E vërteta është se asnjë protestë nuk është bërë kundër arrestimit, burgosjes dhe dënimit të atyre që janë përfshirë në korrupsion, shpërdorimit të detyrës, vjedhjes, haraqit apo zhvatjes sikur trillon Enver Robelli, por kundër fushatës së EULEX-it kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E dimë se sot propagandohet me të madhe se arrestimet, burgosjet dhe dënimet që po ju bëhen frymëzuesve, drejtuesve, komandantëve, eprorëve dhe pjesëtarëve të përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë aksioneve kundër UÇK-së dhe eksponentëve të saj por aksione kundër individëve të caktuar por nëse pranojmë një logjikë të tillë të miopëve dhe mendje robëruarve atëherë as Serbia nuk ka luftuar kundër popullit shqiptar por vetëm kundër individëve të caktuar sepse gjatë viteve të luftës forcat policore e ushtarake serbe nuk kanë vrarë dy milion shqiptar por vetëm 15 mijë, se Serbia nuk ka bërë gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë sepse nga rreth 3 milionë boshnjak mysliman ka vrarë dhe masakruar vetëm 250 mijë prej tyre e as krimet e nazizmit dhe Hitlerit nuk janë krime kundër njerëzimit sepse nga mbi dy miliard banorë sa ka pasur bota në vitet e ’40, gjatë luftës së dytë botërore janë vrarë vetëm 60 milionë njerëz.
Robelli beson në drejtësinë ndërkombëtare e jo në institucionet e Kosovës, por si e shpjegon ai faktin e rigjykimit të një prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish ministrin më të suksesshëm, Fatmir Limaj i cili nga gjykata e Hagës është shpallur i pafajshëm por që po rigjykohet nga EULEX-i dhe sejmenët e tij !!!