(Deklaratë e përbashkët e shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve te Shqipërisë, (AKUSH) dhe “Vullnetari i Lirisë“)
Shoqata “ Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë“, (AKUSH), anëtare e EUROMIL-it, përfaqësuese gjithë ushtarakëve shqiptarë në lirim, në rezervë dhe aktivë të Republikës së Shqipërisë, dhe shoqata „Vullnetari i Lirisë“, përfaqësuese e të gjithë vullnetarëve nga trevat e tjera shqiptare jashtë Kosovës dhe e vullnetarëve nga shtetet e BE, SHBA, Australi dhe Kanada, me rreth 1000 vullnetarët e kombit tonë dhe ata internacionalë, që morën pjesë në radhët e UÇK-së dhe krah për krah me NATO-n, mbështetur në një analizë të thellë, rreth disa deklaratave, zhvillimeve dhe qëndrimeve të kohëve të fundit, jo dashamirëse ndaj UÇK-së dhe shumë drejtuesve të saj, nga administrata ndërkombëtare dhe personalitete të caktuara në Kosovë, mendojmë se është e nevojshme të theksojmë më forcë se të tilla veprime, të një drejtësie të njëanshme, na indinjojnë së tèpërmi.
Indinjata e jonë është e ligjshme dhe e moralshme, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtrie e rregullt, e ndërtuar dhe funksionuar konform të gjitha konventave ndërkombëtare për ushtritë çlirimtare, dhe konfliktet e armatosura dhe jo sikundër duan ta denigrojnë Prokuroria e EULEX-it dhe disa diplomatë të huaj. Njëkohësisht, ne jemi krenarë që në radhët e formacioneve të UÇK-së kishte vullnetarë me dhjetëra oficerë në rezervë e në lirim nga radhët tona, jo vetëm si domosdoshmëri historike, por edhe si kundërpërgjigje të pjesëmarrjes së qindra oficerëve ukrainas, rusë, rumunë, etj., në radhët e formacioneve ushtarako-policore të Serbisë.
Nëse shkuarja e atyre oficerëve të huaj, vullnetarë, në radhët e formacioneve luftarake serbe, ishte e nxitur kryesisht nga ndjenjat pan sllaviste dhe fetare, si rrjedhojë e të qenit të tyre krishterë, prandaj dhe dogjën dhe hodhën në erë 218 xhami si dhe gjithë teqetë bektashiane të shqiptarëve në Kosovë, madje edhe duke vrarë me dhjetëra klerikë të tyre, ndërsa shkuarja vullnetarë e oficerëve dhe vullnetarëve të tjerë shqiptarë dhe ata internacionalë në radhët e UÇK-së, ishte shkuarje në ndihmë të çlirimit të një populli autokton, mijëra vjeçar më trojet e veta si dhe e vëllezërve të një gjaku, pasi shumë prej tyre kishin dhe kanë në Kosovë të afërmit e tyre. Gjithë veprimtari e vullnetarëve pan sllavistë kishte edhe qëllimin tjetër ogurzi: t’i jepte asaj lufte karakter fetar dhe ndëretnik, mirëpo UÇK-ja, duke u udhëhequr nga një shtab profesionistësh, nuk ra kurrë në atë grackë. Dhe ajo që të habit më së shumti, është fakti se deri sot EULEX-i dhe strukturat e tij, jo vetëm që nuk e kanë përmendur këtë fakt, i cili atëherë bëri bujë mediatike, por nuk kanë akuzuar qoftë edhe një serb të vetëm paramilitar të Kosovës, apo të forcave ushtarako-policore serbe, për atë lloj masakre, të cilën nuk e kanë bërë as nazifashistët e dikurshëm të Luftës së Dytë Botërore! Ndërkohë që formacionet e UÇK-së, jo vetëm që nuk shkatërruan gjatë asaj lufte as edhe një ikonë të institucioneve fetare të besimit të krishterë, por nuk prekën me dorë as edhe një klerik të tyre. Vetëm sikur këtë aspekt të ketë parasysh Prokuroria e ngritur nga EULEX-i, nuk ka më nevojë të akuzojë UÇK-së, apo drejtues të ndryshëm të saj, për terrorizëm a për çdo gjë tjetër. Kjo tregon se UÇK-ja është drejtuar nga ushtarakë profesionistë, të cilët i kanë njohur në themel konventat ndërkombëtare, jo vetëm për trajtimin e popullsisë civile dhe të robërve të luftës, por edhe ato që bëjnë fjalë për ruajtjen e mjedisit kulturor, ekonomik dhe ekologjik, gjë që tregon se UÇK-ja ishte një ushtri e rregullt, ndaj dhe u qëndroi atyre konventave rigorozisht, gjë që tek shtabet madhore shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe, nuk u vu re një gjë e tillë.
Rregullsinë e UÇK-së e konfirmon edhe vetë struktura organizative e saj, e cila drejtohej nga një Shtab i Përgjithshëm ushtarak, në përbërje të të cilit funksiononin 9 drejtoritë përkatëse, tipike të një ushtrie të rregullt, pa folur që të katër kërkesat e domosdoshme të përcaktuara në Konventën e Gjenevës, të vitit 1949, kanë qenë plotësuar qysh në ditën e komunikatës së parë të atij shtabi.
Në varësi të atij shtabi të përgjithshëm ishin 7 Zona Operative, ku pranë komandës së secilës zone operative kish nga një anëtar të atij shtabi të përgjithshëm, me qëllim për të kontrolluar nga afër jo vetëm zbatimin e vendimeve dhe urdhrave luftarakë të tij, por edhe për zbatimin me rigorozitet të të gjitha konventave ndërkombëtare për konfliktet e armatosura dhe luftërat –çlirimtare.
Edhe pse në varësi të atyre zonave operative kish 26 brigada luftarake, ku ishin inkuadruar 32.000 luftëtarë, dhe pranë secilës komandë të tyre kish përfaqësues të komandave përkatëse të secilës zonë operative, përsëri Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kish atashuar pranë atyre brigadave edhe të autorizuarit e saj, me qëllim që kontrolli dhe disiplina e tyre të ishte gjithnjë nën kontroll të Shtabit të Përgjithshëm. Ekzistenca e këtij lloj organizimi nuk lejonte shkeljen e konventave ndërkombëtare dhe të disiplinës ushtarake, qoftë edhe nga një luftëtar i thjeshtë. Dhe të gjitha këto ishin sanksionuar në Rregulloren e Disiplinës të UÇK-së. Nuk mund të gjendet në historinë e luftërave çlirimtare një ushtri e pajisur me rregullore e dokumentacione të konventave ndërkombëtare, sikundër ishte UÇK-ja.
Nëse UÇK-ja nuk do të kish këtë organizim e disiplinë, sot ju zotërinj të EULEX-it nuk do të mundoheshit të korruptonit „dëshmitarë të mbrojtur“, që do të thotë mercenarë nga radhët e shqiptarëve kolaboracionistë, por do të ishin qytetarët e thjeshtë serbë ata, që do të dilnin vetë dëshmitarë, me vullnetin e tyre, nëse komandantët apo ushtarët e UÇK-së do të kishin kryer krime, sikundër ju i akuzoni. Ky fakt tregon edhe një herë më shumë që „dëshmitarët“ tuaj nuk janë gjë tjetër, veçse ish kolaboracionistët, spiunët, të cilët nuk i mbron as edhe një konventë ndërkombëtare, pavarësisht se ju i kini pajisur ata me dokumente ndërkombëtare. Dhe na vjen keq që këmbëngulni kaq gjatë e kaq shumë në këtë drejtim, për ta shpallur UÇK-në dhe drejtuesit e saj terroristë, edhe pse kini dështuar në dhjetëra gjyqe, ku, edhe ata ish luftëtarë që deri tashti kini mundur t’i dënoni me burgim, praktika ka treguar se i kini dënuar me fakte fiktive, me dëshmitarë të blerë!
Në rast se UÇK-ja nuk do të ishte një ushtri e tillë, e centralizuar dhe e komanduar nga një shtab i vetëm ushtarak, NATO-ja nuk do të kish mundësi të bashkëvepronte ashtu sikundër bashkëveproi me shtabin e UÇK-së, të cilën e kanë konfirmuar jo vetëm Komandanti i NATO-s, Gjenerali, Uesli Klark, por edhe vetë Presidenti i atëhershëm i SHBA, z. Klinton, i cili në 23 Maj 1999, kur iu drejtua kombit amerikan, midis të tjerave, deklaroi: „Radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shtohen dita-ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’i shpëtuar goditjeve të aviacionit të NATO-s“.
Ne shprehemi në mbrojtje të vlerave të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të ushtrisë së saj, UÇK-së, duke e konsideruar si një nga faqet më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar.
Ne i vlerësojmë luftëtarët e UÇK-së si një vlerë e kombit tonë. Ne, duke mbrojtur luftën për çlirim e Kosovës dhe UÇK-në, ne mbrojmë nderin e popullit tonë, të kombit tonë shqiptar.
Ne i bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare në Kosovë që të trajtojnë drejtë si vlera historike, me objektivitet dhe pa ekuivoke, si Luftën për Çlirimin e Kosovës, ashtu edhe luftëtarët dhe komandantët e të gjitha rangjeve të UÇK-së. Kjo të bëhet në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare, duke hequr dorë nga gjyqet e sajuar dhe pa fakte, sepse ndryshe merren në mbrojtje antivlerat, spiunët dhe kolaboracionistët e kohës së luftës në Kosovë.
Historia është shkruar drejtë me gjakun e mbi 2.000 dëshmorëve nga radhët e UÇK-së dhe të 14.000 viktimave të popullit shqiptar në Kosovë, ku 1.400 prej tyre ende nuk u dihet varri, dhe ju zotërinj të EULEX-it as u shqetëson një gjë e tillë! Historia e jonë dhe ajo e UÇK-së është shkruar me heroizmin e luftëtarëve të saj dhe të popullit më të lashtë në Ballkan, autokton në trojet e veta , të popullit shqiptar të shumëvuajtur të Kosovës.
Tiranë, 5. 7.2013