Arben Veselaj: Jugonostalgjia, ose krimi i disa opinionistëve, analistëve dhe i kolumnistëve

Nuk kaluan as 24 orë që prej se u bë i ditur një shkrim i “analistit” Fatos Lubonja, i cili vargut të deklaratave dhe qëndrimeve të tij antishqiptare ia shtoi edhe një tjetër, s’u vonuan dhe arritën edhe reagimet para të “analistëve” të tjerë edhe në Kosovë. Se çka e ka shtyrë Lubonjën të thotë në revistën “Sudosteuropa Mittelungen”, se Ramush Haradinaj është një vrasës që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve, kjo nuk do lodhë fort kokën, kur dihet se ai është një shule (vllah), që po vdes nga meraku t’ua bëjë një favor të ri sivëllezërve të tij serbë, por zor po e kam ta marrë vesh me tamam se çka e shtyu “analistin” e Express-t, Arben Idrizin, t’i bie në qafë heroit kombëtar të Kosovës, Adem Jasharit? Pas leximit të shkrimit të A. Idrizit te Express-i, “Mbi vrasësit e tjerë”, mendimi i parë që më erdhi në mend ishte: si ka mundësi që një medie, e cila pretendon të jetë serioze, në emër të shprehjes së mendimit të lirë, t’i bëjë një shërbim fyerjes, gënjeshtrës dhe t’i jap hapësirë një spekulimi kaq idiot që Idrizi i bënë kryeheroit të Kosovës, Adem Jasharit?  (“Askush nuk guxon të thotë se ai që konsiderohet ‘legjendë e gjallë’, ‘komandant legjendar’, etj., Adem Jashari, me ngujimin e fëmijëve, grave dhe pleqve, në të vërtetë kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre”.) – citat nga shkrimi i A. Idrizit. Bah… këtë ka “guxuar” ta thotë vetëm A. Idrizi, si më i “guximshmi” dhe më i “mençuri” shqiptar që ecën trotuareve të Prishtinës! “Guxon” Arben Idrizi, sepse ai, (vetëdijshëm ose pavetëdijshëm), është  pjesë e një lufte të poshtër, tinëzare dhe qyqare, që sot po e bëjnë turmat jugonostalgjike, duke fyer dhe poshtëruar shqiptarët e Kosovës dhe shtetin e tyre, deri atje ku nuk ka ku shkon më.


Mbase kjo punë duket se nuk është edhe kaq e thjeshtë. Turmës antishqiptare jugonostalgjike iu kanë shtuar edhe një tufë komunistësh të bashkuar nga disa vende evropiane që në emër të “rendit dhe ligjit” nën siglën e misionit të Bashkimit Evropian-EULEX, po e vënë në kryq luftën drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së. Në këtë situatë A. Idrizi dhe shumë idrriza të tjerë i janë sulur pabesisht dhe pas shpinës kauzës së madhe të UÇK-së, për t’i mohuar dhe zhbërë dinjitetin dhe lirinë popullit të Kosovës.


Nuk është aq i pamençur A. Idrizi sa të mos e kuptojë se lufta e Adem Jasharit nuk është mit, por një e vërtetë që ka ndodhur për gjallje të tij, por është “bisha” serbe që fle në ndërgjegjet e disa shqiptarëve ajo që nuk po e duron këtë fakt. Me moton: shqiptarët s’kanë dinjitet, s’kanë shtet, s’kanë vlera, s’kanë heronj – kjo turmë jugonostalgjikësh po synojnë ta krijojnë opinionin se lufta e UÇK-së është banditeske dhe heronjtë e saj kanë qenë kriminelë ordinerë, për ta zhbërë më në fund shtetin të cilin e ka krijuar kryengritja e armatosur dhe kauza politike e UÇK-së.


Bisha serbe ende rri zgjuar në ndërgjegjet e disa shqiptarëve jugonostaligjkë, të cilët me gjithçka mund të pajtohen por assesi të jetojnë në një shtet ku nuk flitet serbisht dhe nuk ka serbë. Kjo turmë që sot e ka bërë idol (hero) Nazim Bllacën (tradhtinë), duhet ta dijë se UÇK-ja dhe heronjtë e saj nuk lidhen me emra personash që asaj ia kanë dëmtuar rëndë imazhin, por është një kauzë e madhe humaniste dhe liridashëse që e ka mbyllur kapitullin më 12 qershor të vitit 1999.


Nëse disa nga kryeprotagonistët e kësaj lufte sot janë katandisur në krim, korrupsion, reket e dukuri të tjera kriminale, dhe aq u bënë kur lufta e UÇK-së dhe heronjtë e saj përdhosen nga palaçot me kasketë, kjo nuk do të thotë se disa protagonistë të tjerë të thjeshtë, një plejadë intelektualësh të heshtur që nuk janë pjesë e sistemit të korruptuar shtetëror, do të dorëzohen para kësaj lukunie.


Nëse A. Idrizi ka heronj të tjerë (jugonostalgjikët rëndom janë të frymëzuar nga filmat e Emir Kusturicës dhe atë e mbajnë për baba të kësaj fryme), le t’i rrojnë ata, ama heronjtë e shtetit në themelet e të cilit ndryn gjaku i mbi dy mijë dëshmorëve që kanë pasur ideal lirinë dhe pavarësinë e Kosovës – nuk ka të drejtë t’i fyej në një medie që ushtron veprimtari publike në shtetin e Kosovës.


Në emër të një antikonformizimi të shpifur ndërgjegjja kombëtare dhe njerëzore e shqiptarëve të Kosovës është plandosur për tokë nga një kastë patetikësh që po synon ta poshtërojë lirinë dhe dinjitetin e kombit shqiptar, historinë dhe kulturën e tij, njerëzit e thjeshtë dhe heronjtë. Për të arsyetuar tezat tyre (tezat serbe) se shteti i pavarur i Kosovës nuk mund të funksionojë, jugonostalgjikët po synojnë krijimin e një mendësie (doktrine) kundër shtetit të Kosovës, sa që do t’ia kishin lakmi edhe vetë etërit e nacionalizmit serb që prej Garashaninit e deri tek Millosheviqi.


Është turp i madh që në kapërcyellin e këtyre 14 vjetëve pas plojës serbe mbi shqiptarët, tema e masakrës serbe mbi shqiptarët nuk u bë kurrë subjekt këtyre “analistëve” dhe “kolumnistëve” që po krijojnë opinionin (vetëdijen) qytetar në Kosovë.


Por, a e dinë këta zotërinj se shteti të cilin po e adhurojnë aq shumë (Serbia) vetëm brenda një viti i ka prerë në fyt 1386 fëmijë shqiptarë të Kosovës (nuk po i përmend këtu krimet tjera të serbëve mbi shqiptarët), dhe pse këto fakte nuk po i përmendin kurrë?


 


Arben Veselaj, gazetar dhe veteran i UÇK-së


Në Prishtinë, më 18 korrik 2013


P.S.


Këtë reagim e kam dërguar në adresën e postës elektronike të portalit Express dhe në adresa të shumicës së redaktorëve të tij, por ata nuk e kanë edituar. Mendoj se kolegët e Express-it ose nuk e njohin, ose e kanë keqkuptuar, ose nuk duan t’ia dinë për konceptin e lirisë së medias dhe të mendimit të lirë.


**Prishtinë,  19 korrik 2013*

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …