Në shkrimin tim të titulluar “’mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’” nxorra në shesh se akuzat e Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit kundër personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës bazohen në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete (civil dhe ushtarak) të Serbisë, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”. Reagimet e shumta kundër përpjekjeve të Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës dhe Imer Mushkolajt që të na e “shesin” «vizionin serb» për Kosovën si gjoja “shprehje e mendimit të lirë të shkrimtarëve dhe intelektualëve” mobilizoi personat e lartëpërmendur që t’u vërsulen kundërshtarëve të vet dhe mbrojtësve të «vizionit shqiptar» me një arsenal të llojllojshëm akuzash. Në shikim të parë, përmes kësaj forme akuzash ata përpiqen të krijojnë përshtypjen se janë “viktima të logjikës totalitare”, se gjoja janë “heretikët e mendimit unik” dhe në këtë mënyrë të përmbysin rolet:nga persekutor në viktimë! Për këtë arsye, analizat duhet të jenë të përqëndruara në aspektë të ndryshme. Mirëpo, që në fillim po theksoj se fakti i aspekteve të ndryshme që përmbajnë akuzat e tyre nuk janë të rastësishme. Përkundrazi! Ato janë tejet të koordinuara dhe në harmoni të plotë me logjikën e argumentimit të mbrojtësve të «vizionin serb»! Në këtë shkrim do të përqëndrohem në përpjekjet e këtij klani për të përmbysur rolet dhe për të paraqitur veten si ‘heretik’ dhe ‘vikktima’ dhe do të nxjerr në shesh se stigmatizimi i mbrojtësve të «vizionin shiptar» si “fundamentalist”, “si klerik politik ”, “si inkuizitor”, si “stalinist”, si “enverist” etj. sado kundërthënëse dhe përjashtuese të duket, sado që, siç konstaton Arben Idrizi, “ekziston një dallim fundamental në mes nocioneve” ato janë koherente me arsenalin e termeve të ambalazhuara në “kuzhinën serbe” dhe të përdorura vazhdimisht, si në të kaluarën ashtu edhe sot! Para se të vazhdoj të trajtoj kontekstet shoqërore dhe historike të përgatitjes së “nocioneve” stigmatizuese serbe kundër shqiptarëve, e shoh të udhës që të përmend shkurtimisht domethënjen e dy nocioneve: «ortodoksia» dhe «herezia». Ky digression do të na ndihmojë që të kuptojmë se fjala është për përmbysjen e roleve në dinamikën e konfliktit dhe luftës në Kosovë. Fjala «ortodoksi» ka prejardhje nga greqishtja e vjetër ὀρθός,orthos(« e drejtë », « e saktë», « korrekt »), dhe δόξα,doksa(« rrugë », « opinion » « mendim »), që tekstualisht do të thotë “rrugë e drejtë”, « opinion i drejtë », « mendim i saktë». Ndërsa, nga ana tjetër, fjala «herezi» në shumicën e gjuhëve ka depërtuar përmes fjalës latine haeresis, e kjo ishte huazuar nga greqishta e vjetër dhe paraqiste një mundësi zgjedhje e një« doktrine, opinioni, sistemi ideshë». Pra, përcaktimi për një vision alternative, qoftë religjioz apo politik, përballë «ortodoksisë» dominante. Këto dy «nocione» do të jenë kategori kryesore të luftës së “vizionit religjioz të krishterë” dhe mbrojta e “ortodoksisë” arsyetohej si mission për t’i siguruar «paqen qillore» njerëzimit! Përmes ‘censurës’ dhe ‘inkuizicionit’-terme të preferuara të grupit të lartëpërmendur të “shkrimtarëve” dhe të “intelektualëve- si instrumente dhune, “vizionarët e krishterë” do të krijojnë «ferrin tokësor». Meqenëse në tipologjinë e diskursit të pjestarëve të grupit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” theksohet përndjekja e “heretikeve” nga ” inkuizitorët” dhe “ nga klerikët e indoktrinuar deri në asht nga dogma” po përmendi vetëm disa të dhëna që karakterizojnë luftën në mes «ortodoksisë» dhe «herezisë». Vrasjet, burgosjet dhe shkatërrimi i çdo gjëje që nuk ishte në përputhje me “vizionin e krishterë” janë karakteristikat e kësaj forme të totalitarizmit me të cilën është ballafaquar njërzimi. Që të ruhet ‘vërtetësia e kësaj dogme’ autoritetet kishtare do të hartojnë «Lista të librave të ndaluara (Index Librorum Prohibitorum)» dhe kjo frymë e përndjekjes do të jetë e praninishme deri në vitin 1966). Sa i përket përmasave të ndalesave të librave dhe autorëve përmes futjes në “lista” (Indekse!) po përmendim se “vetëm gjatë periudhës 1600-1996 janë ndaluar rreth 5200 vepra dhe rreth 3000 autorë. (Index Librorum Prohibitorum 1600-1966, Vëllimi i XI, 2002, f.34 Vepër e përpiluar nga grup autorësh nën drejtimin e J.M. Bujanda). Sa i përket kësaj forme të trotalitarizmit dhe analogjisë që bëjnë me Kosovën anëtarët e grupit të lartëpërmendur, e shoh të udhës të përmend vetëm një segment të “visionit të krishtërë” si “ortodoksi”, si “rrugë e drejtë”, si “vizion i drejtë”: “Zbulimi I kontinentit te Ri” dhe kolonizimi i tij! Në mënyrë të ngjajshme si dyndja e popujve sllav mbi territoret iliro-shqiptare, ushtarët dhe klerikët e popujve të “civilizuar” te Europës iu vërsulën territoreve dhe popujve autokton të “Botës së Re”. Duke i stigmatizuar si “njerëz të egër”, si “njerëz pa shpirt”, si “popuj të pacivilizuar”, si “popuj barbar” etj., ata që pretendonin se kishin “mandatin hyjnor” që t’i siguronin njerzimit rrugën drejtë ‘parajsës qiellore’ ushtruan format më çnjerëzore të dhunës. Të udhëhequr nga strategjia se “Konkistadorët janë ketu për te vrarë dhe për të marrë , ndërsa fetarët për të fshirë kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve “( Fernando Baez, Histoire universelle de la destruction des livres, Fayard, 2008, f 156) u shkatërrua çdo gjë që ishte e mundur të shkaterrohej në këtë “Botë të Re”. Nuk do të zgjatem në tërë atë dhunë të ushtruar kundër civilizimeve të kësaj “Bote të pacivilizuar” por, po përmendi sa për ilustrim vetëm këtë. Peshkopi dhe inkuizitori spanjoll i Meksikës, Juan de Zumarraga, me mburrje krenohej se kishte djegur të gjitha kodekset e popullit Aztek qe kishin shpëtuar nga djegja e mëparshme. (Vepra e cituar e Fernando Baez, f.155) ndërsa zëvendësi i tij, Diego de Landa, në vitin 1548 organizoi në qytetin Mani asgjësimin e 27 kodekseve dhe 5000 tempujve dhe idhujve të civilizimit Maja. Vetëm tri kodekse të këtij civilizimi kanë mundur të mbijetojnë kohët. ( Vepra e cituar, f 177) Në këtë artikull nuk mund të nxjerrim tërë atë dhunë të ushtruar nga pushtuesit serb për të humbur të gjitha gjurmëve iliro-shqiptare të territoreve të pushtuara. Nëse ka nevojë mund ta bëjmë në shkrimet e ardhshme. Ajo që mund të thuhet në këtë shkrim ka të bëjë me analogjinë tejet domethënëse në mes të “konkistadorëve të Amerikës Latine” dhe të ushtarëve dhe priftërinjeve serb, ku dikush “vriste dhe mirrte” e dikush përpiqej “të fshinte kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve”. Ti kthehemi edhe një herë temës së mëparshme të stigmatizimit të shqiptarëve. Fenomeni i stigmatizimit të shqiptarët nga institucionet politike, diplomatike dhe mediatike serbe do të merr përmasa jashtëzakonisht të mëdha, sidomos në periudhën e shpërbërjes së Perandorisë otomane dhe krijimin e kontekstit shoqëror dhe historik që lidhet me procesin e krijimit të shteteve të pavarura në këtë pjesë të Europës. Fatkeqësisht, stigmatizimi serb i shqiparëve si “islamik në Europën e krishterë” do të gjejë përkrahësit e vet edhe në qarqet politike dhe diplomatike të Fuqive të Mëdhe të asaj kohe. Mbështetja e “visionit serb” nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia cariste, dhe ‘mbyllja e veshëve me dhyll’ ndaj ‘të vërtetës shqiptare’ do të kenë pasoja të mëdha në përcaktimin e kufijve shtetëror në këtë pjesë të Ballkanit.Tërësia e territoreve të banuara me shqiptar që përfshinte Vilajeti i Kosovës, si njësi administrative e Perandorisë Otomane , dhe një pjesë e madhe e territoreve të banuara me shqiptar që përfshinte Vilajeti i Manastirit, i dhurohen shtetit të ri serb. Të gjithë të interesuarit për këtë periudhe vendimtare në krijimin e shteteve të reja në Ballkan mund të binden se “vizioni serb” dhe’vizioni grek”, të propaganduara si vizione të “krishtera”, do të arrijnë suksese në përhapjen e mendimit se “shteti shiptar në Ballkan” do të ruante prezencën otomane në Evropë. Rezultate e Kongresit të Berlinit, të Konferëncës së Ambasadorëve në Londër dhe e të ashtuquajturës “Paqë e Vërsajës” e trimëruan politikën serbe që të Aplikojë politikat shfarrosëse kundër shqiptarëve në përputhje me “vizionin e saj ortodoks” të shtuar në Platformën famëkeqe «Naçertanje». Moment tjetër që e shoh të rëndësishëm ta përmendi lidhet me pozicionimin e Jugosllavisë në anën e shteteve komuniste. Që nga instalimi i diktaturës komuniste në Jugosllavi, dhjetëra mijë shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq nën akuzën “e antikomunizmit dhe ndikimit me ideologji borgjeze”. Ata që nuk pranonin “ortodoksinë’ serbe, të definuar dhe të kamufluar nën plafin e “parajsës jugosllave” përjetuan ferrin në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Vetëm disa vite më vonë, sidomos pas prishjes së marrëdhenjeve politike dhe diplomatike me “Internacionalen Komuniste “ në vitin 1948, shqiptarët do të vriten, përndiqen, arrestohen dhe dënohen nën akuzën e “ithtarëve të stalinizmit”. Periudha nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 e deri te shpërthimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një moment kyq në strategjinë e luftës antishqiptare. Kontestimi masiv i “ortodoksisë serbe” se gjoja “shqiptarët kishin vendosur me vullnet të vet t’i bashkohen Serbisë” dhe kërkesa e afishuar për të jetuar të pavarur nga Serbia në kuadër të Federatës jugosllave, i terboi bartësit e aparateve shtetërore, politike, mediatike dhe religjioze të “vizionit serb”. Komunistët serb dhe shqiptar të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe të Kosovës u vërsulen me të gjitha aparatet e dhunës fizike dhe mediale kundër ‘heretikëve’ shqiptar. Të akuzuar si “nacionalist” dhe si “enverist” vetëm në periudhën 1981-1987 do të kalojnë nëpër duart e hetuesisë serbe dhe argatëve të tyre komunistë shqiptar të Lidjes së Komunistëve të Kosovës mbi 1/3 e popullsisë shqiptare të Kosovës. Krahas vrasjeve, plagosjeve, arrestimeve dhe dënimeve të atyre që nuk pranonin t’i nënshtroheshin “të vërtetës serbe”, me mijëra libra shqip, të botuara në Tiranë, këngë dhe vepra të diciplinave të ndryshme shkencore u ndaluan me dekret shtetëror. ‘Inkuizicioni i klerikëve komunistë serb e shqiptar të Kosovës kundër ‘herezisë’ shqiptare është i dëshmuar në shumë vepra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Interpretimi zyrtar i komunistëve serb lidhur me vendimin e aneksimit të Kosovës konsistonte në gjoja shprehjen e lirë të vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar nën Serbinë socialiste. Këtë interpretim të “ortodoksisë komuniste serbe” argatët shqiptar në strukturat komuniste të Kosovës të tipit të Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit dhe funksionarëve tjerë që përpiqeshin edhe më tepër se serbët që të mbanin “ortodoksinë e vizionit serb” si opcion të vetëm për Kosovë. Madje, ata do të mundohen të bindin “turmën e manipuluar” “se rruga e Kosovës drejt zhvillimit të gjithanshëm dhe Fondeve të Federatës kalon nëpër Beograd”. Opinionit publik shqiptar dhe të gjithë atyre që kanë përcjellur me vëmendje ngjarjet e asaj kohe ju kujtohen mirë këto deklarata. Siç ju kujtohet edhe deklarata e xhelatit të «Kushtetutës së Tankeve», Rrahman Morinës, “se populli shqiptar me ndryshimet e kushtetutës të vitit 1989 nuk ka humbur asgjë por ka fituar shumë! Por, fatkeqësisht në mesin tonë ka hi një dreq i madh dhe po mundohet ta turbullojë mendjen e popullit” . Kjo deklaratë e Rrahman Morinës për “Dreqin e Madh” që “turbullon shpirtin e popullit dhe që mund ta bëjë të shpërthej kundër Serbisë” ndodhi në kohën kur bartësit e aktivitetit kundër okupimit serb të Kosovës bëhëj në mënyrë tërësisht të fshehtë. Pra, në kohën kur pushteti i okupatorëve të Kosovës nuk i dinin se kush ishin personat konkret. Po rikujtojmë se cilësimi me termin «dreq» është cilësim tipik i “inkuizitorëve dhe klerit fetar”. Përmbysja e komunizmit dhe instalimi i sistemit gjoja demokratik në Serbi, e cila udhëhiqej nga ish diktatori komunist S. Millosheviq, krijoi kontekstin “
Bardhyl Mahmuti: “Mendimi i lirë” dhe skizofrenia politike e Lubonjës, Idrizit, Buzhalës, Matoshit…
Shkrimi i Fatos Lubonjës, i publikuar në “Sudosteuropa Mittelungen” dhe i ripublikuar në shumicën e gazetave shqiptare dhe portaleve në Shqipëri, në Kosovës në Maqedoni, ku ai nuk bëri asgjë të re pos që vuri firmën e vet dhe u pozicionua në anën e atyre që e cilësojnë Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn si “ vrasës, që u liruan nga Haga pas frikësimit, zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve”, nxiti debate të reja për një temë të vjetër: konfrontimin në mes dy interpretimeve të se kaluarës, të ‘vizionit shqiptar’ dhe të ‘vërtetës shqiptare’ për Kosovën, përball ‘vizionit serb’ dhe të ‘vërtetës serbe’ për Kosovën. Përpos pozicionimit të qartë të z. Lubonja në favor të kualifikimeve déjà vu, ai akuzoi shqiptarët se “jetojnë në mënyrë skizofrenike të glorifikimit të heronjve…”
Shumica e reagimeve që lidhen me pozicionim e z. Lubonja, e personalizuan skajshmërisht thelbin e vërtetë të debatit. Në të shumtën e rasteve kemi reagime të logjikës Argumentum ad hominem! Ata që ishin pro këtij shkrimi sillnin si argument të vetëm faktin se Fatos Lubonja është intelektual dhe si i tillë, ai ka të drejtë të “shpreh lirshëm mendimin e vet”. Ndërsa, një pjesë e reaguesve kundër këtij shkrimi shihnin përputhshmëri në mes gjuhës së Fatos Lubonjës dhe atyre që mbrojnë ‘të vërtetën serbe’. Kjo përputhshmëri u dha argumentin e vetëm për ta cilësuar si “pro serb”
Reagimi i gazetarit të Gazetës Espress, Arben Idrizit, i titulluar ‘Mbi vrasësit e tjerë’ (të botuar më 18 gusht në Gazeta Express) përmes të cilit ai sulmon “politikanët, intelektualët, zyrtarët e ndryshëm madje edhe qytetarët e thjeshtë” duke i cilësuar si ” injorantë dhe maskarrenjë” pse nuk i janë “mirënjohës z. Lubonja për atë që ka thënë dhe që është dashur ta themi ne. Sepse, Fatos Lubonja është intelektual i rrallë “, dhe pikë!
Z. Idrizi, në “cilësinë e shkrimtarit dhe intelektualit” nuk kufizohet vetëm me kaq. Ai deklaron se njeh edhe dhjetëra vrasës të tjerë të tillë” të cilëve “ua di emrat”, dhe publikoi “një ‘listë’ kriminelësh”.
Ai “themeluesit e shtetit të Kosovës i cilëson si njerëz pa mend por me muskuj dhe armë, dhe se ndër ne ka vetëm budallallëk dhe çmenduri. Ka, pra, skizofreni. Ka sidomos skizofreni!” Sepse “Askush nuk guxon të thotë se ai që konsiderohet ‘legjendë e gjallë’, ‘komandant legjendar’, etj., Adem Jashari, me ngujimin e fëmijëve, grave dhe pleqve, në të vërtetë kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre”…
Me një fjalë, “shqiptari vrasës”, “shqiptari kriminel”, “shqiptari skizofren”, “shqiptari glorifikues i heronjve”…do të përbëjnë shtyllat e shkrimeve të Arben Idrizit, Berat Buzhalës, Halil Matoshit, Imer Mushkolës.
Qëndrimet për dhe kundër cilësimeve të tilla të disa nga personalitetet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës krijuan një atmosferë, siç do ta definojë Berat Buzhala, e cila “imponon” të pozicionohesh në cilin “kamp” je. Në të njëjtën mënyrë siç deklaron Buzhala se ai zgjedh Lubonjën dhe Benin, unë pozicionohem në anën e atyre që kundërshtojnë kualifikimet e tilla (Jakup Krasniqi, Ernest Luma, Vlora Çitaku dhe Memli Krasniqi ).
Të jem i qartë. Unë flas për pozicionime që tejkalojnë “divergjencat në mes të personave” dhe që nuk kanë të bëjnë aspak me të drejtën e mendimit të lirë! Këtu kemi të bëjmë me lirinë e përcaktimit për njërin apo për tjetrin vizion, për njërën apo tjetrën të ‘vërtetë’.
Më poshtë do të zbërthej zhurmën mediatike që bëhet për të reduktuar shkrimet e z. Lubonja dhe z. Idrisi në nivelin e të drejtës për të shprehur lirshëm mendimin dhe do të nxjerr në shesh se përmes kësaj zhurme tentohet të fshihet realiteti i luftës në mes dy vizioneve për atë që ka ndodhur në Kosovë.
Faktet që do t’i sjellim më poshtë, e që lidhen me luftën në mes këtyre dy vizioneve, do të na ndihmojnë të shohim përmasat reale të asaj që synohet të fshehet prapa “guximit intelektual”, “mendimit të lirë”, “instinktit të zanatit të intelektualit dhe shkrimtarit”….
‘E vërteta shqiptare’ dhe e ‘vërteta serbe’ për atë që ndodhi në Kosovë!
Në përputhje me atë se në çdo luftë ekziston një luftë paraprake për të legjitimuar apo delegjitimuar veprimtarinë dhe aksionet e caktuara praktike, të dyja palët në luftë për Kosovën, shqiptarët dhe serbet, kishin tërësinë e argumenteve mbi të cilat i mbështesnin të drejtat e tyre, vizionin e tyre dhe këndvështrimet përmes të cilave i vlerësonin të gjitha veprimtaritë praktike dhe diskursive.
Meqenëse “demitizimi i glorifikimit të heronjve të luftës çlirimtare” dhe sidomos “demitizimi i Komandantit Legjendar. Adem Jasharit “ përbën qëllimin deklarativ të z. Idrizi dhe kompanisë të tyre po ndalem në këtë ngjarje që përcaktoi rrjedhat e mëvonshme të dinamikës së luftës në Kosovë.
Në historinë e krijimit të shteteve kombëtare në Evropë dhe në Ballkan nuk ishte parë një rezistencë si ajo e Komandantëve të UÇK-së, Adem e Hamzë Jashari, nga njëra anë dhe barbarisë së regjimit terrorist të Beogradit, nga ana tjetër. Kjo rezistencë e përmasave mitike i dha karakter legjendar historisë modern të Kosovës. Asnjë personalitet shqiptar i shekullit XX dhe të gjitha partitë politike shqiptare së bashku nuk mobilizuan shqiptarët dhe qarqet politike ndërkombëtare sa mobilizoi heroizmi dhe tragjedia e « Familjes Jasharaj ».
Pikërisht për karakterin legjendar që i dhanë historisë moderne të luftës për liri, humanisti i njohur francez, z. Bernard Kushner, në cilësinë e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën deklaroi në « Kullën e Jasharajve » se «kjo familje meriton Çmimin Nobel»
Ndërsa ata që kanë lexuar shumë libra fiksioni dhe aso historik dhe janë mësuar ta shohin luftën si nëpër libra të luftës, si Halil Matoshi, imagjinata e tyre nuk mund ta konceptojë se si mund të bien kokat e komandantëve në fillim të tregimit.
Duke parë ndikimin që lufta në Prekaz mund të kishte në qëndrimet dhe vendimet e institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, regjimi i Beogradit, përmes një deklarate informoi opinionin publik se “ Qeveria serbe ka shprehur keqardhje për viktimat e terroristëve të pamëshirshëm shqiptar meqë policia nuk ka mundur ta dijë se aty kanë qenë të pranishëm civil dhe se UÇK-ja është fajtore që nuk u ka lënë civilëve ta lëshojnë vendstrehimin…. Mizoria e A. Jasharit del në pah edhe nga fakti që ai personalisht e kishte vrarë nipin e vet për ta penguar që të dorëzohet” (BBC News, Kosovo killings: Belgrade’s official version of events, 12 mars 1998, shih http:/neës.bbc.co.uk/2/hi/ëorld/monitoring/64947.stm)
Deklarata e Qeverisë serbe dhe përpjekjet për të paraqitur luftën e UÇK-së si luftë terroriste dhe bartësit e saj si “kriminel dhe vrasë” nuk do të këtë efekte te shtetet e demokracive perëndimore dhe bartësit kryesor të institucioneve politike dhe ushtarake ndërkombëtare.
Për të gjithë demokratët e mirëfilltë u bë e qartë Adem dhe Hamzë Jashari, si udhëheqës të luftës çlirimtare, nuk i kishin përcaktuar ‘vijat e frontit’ të luftës te “pragu i shtëpisë”, siç përpiqeshin ta minimizojnë disa “argat të Serbisë”. U bë e qartë se «Kulla e Jasharajve» nuk ishte “strehimore” siç pretendonte propaganda serbe “ku gjoja terroristët e UÇK-së kishin zënë peng civil, dhe nuk i lejonin të të dilnin”. Për bartësit e institucioneve vendimtare në marrëdhëniet ndërkombëtare u bë e qartë se sulmi barbar mbi Prekazin ishte vetëm njëri nga aksionet e planit gjenocidal të shtetit serb kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të vetmit fajtor për këtë masakër ishin ata që kishin përpiluar, ata që e zbatonin dhe ata që përpiqeshin ta fshihnin vizionin gjenocidal serb për Kosovën.
Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jenë gjithnjë e më të favorshme për shqiptarët ndërsa diplomacia amerikane do të merr kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit politik të UÇK-së. Këto kontakte do të rezultojnë me Deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Amerikan (në qershor të vitit 1998) se UÇK-ja nuk është organizatë terroriste dhe se ajo duhej të integrohej në procesin e negociatave për përfundimin e luftës dhe përcaktimin e statusit politik të Kosovës.
Diskurset politike dhe propagandistike serbe do të jenë të njëjta edhe për masakrat në Qirez, në Likoshan, në Abri, në Reçak dhe për të gjitha krimet që ndodhën në Kosovë do të përpiqen që fajin t’ua lënë “terroristëve”, “vrasësve” dhe “kriminelëve” të UÇK-së.
Po ndalemi shkurtimisht në «Masakrën e Reçakut» të 15 janarit 1999, sepse rrëkeja e gjakut të derdhur të civilëve shqiptar nga regjimi terrorist i Beogradit do të thyejë digat e detit gjenocidal të propagandës serbe dhe do të del në shesh e vërteta shqiptare për ngjarjet në Kosovë.
Deklarata e Shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, z. William Wokers, se këtu kemi të bëjmë me ‘krim kundër njerëzimit’ shkatërroi “të vërtetën serbe” dhe shtroi në rend të ditës në agjendën e diplomacisë ndërkombëtare zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.
Të tmerruar nga kjo dinamikë e zhvillimeve politike, diplomatike dhe ushtarake Qeveria e Serbisë urdhëroi hetimin e «Masakrës së Reçakut». Këtë detyrë ua ngarkoi “ekspertëve të mjekësisë ligjore serbe dhe bjelloruse”.
Pas “hulumtimeve profesioniste” ata erdhën te konkluzionet se “asnjë trup nuk bartë shenja të ekzekutimit dhe se trupat ishin gjymtuar më vonë pas vrasjes për të krijuar përshtypjen e masakrës”. Këtë raport “neutral” propaganda serbe do ta shtojë me të dhëna më “precize” dhe përfundimisht do ‘të zbulojnë’ se “terroristët, kriminelët dhe vrasësit e UÇK-së i kishin gjymtuar viktimat për t’ia lënë fajin Serbisë”.
Megjithatë, duhet të përmendim faktin se ‘e vërteta serbe’ për këtë ngjarje do të ketë përkrahësit e vet në Kosovë, në disa shtete te Ballkanit, të Evropës Lindore, të Azisë, të Afrikës dhe në disa qarqe intelektuale.
Nuk do të ndalem në mbështetjen dhe përkrahjen e ‘të vërtetës serbe’ nga ana e Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës edhe në kuadër të KS të OKB-së. Sepse një fakt i tillë është i njohur nga të gjithë ata që kanë përcjellur zhvillimet politike në këtë pjesë të Ballkanit gjatë dy dekadave të fundit.
Po ndalem te intelektualët. Sepse siç e njofton Halil Matoshi “ turmën” përmes artikullit të titulluar ‘Shqiptarët, këta racist të ligj, Koha Ditore, 27.07.2013) se “për Anry-Levin intelektuali në të vërtetë nuk është njeri por dimension njerëzor dhe se në kulturën demokratike intelektuali është po aq i rëndësishëm, në mos edhe institucioni më i rëndësishëm aq sa edhe liria e manifestimit apo e drejta e revoltës!”
Nëse bëhet fjalë për filozofin dhe shkrimtarin me famë botërore, Bernard-Henri Lévy, transkriptimin e emrit të të cilit z. Matoshi e merr nga serbishtja, atëherë opinionit publik po i rikujtoj se gjatë luftës ne mes të vërtetës shqiptare dhe asaj serbe Bernard-Henri Lévy ishte tejet aktiv në mbështetje të UÇK-së dhe luftës për pavarësinë e Kosovës. Për këtë filozof dhe shkrimtar të përmasave botëror e drejta e revoltës për të krijuar dimensionin njerëzor shndërrohet në prioritet për të gjithë intelektualët. (Për ata që nuk kanë pasur mundësi t’i përcjellin zhvillimet e luftës ushtarake, politike dhe diplomatike të asaj kohe dhe nuk kanë mundur të shohin drejtpërsëdrejti Bernard-Henri Lévy në TV-të frankofone, në CNN, në RAI uno dhe në konferenca të shumta anë e mbanë botës i këshilloj që të hulumtojnë në këtë drejtim).
Ndërsa, për të ilustruar mbështetësit e ‘të vërtetës serbe’ po përmendi rastin e shkrimtarit dhe intelektualit francez Regis Debray, i njohur në opinionin ndërkombëtar si njërin nga bashkëluftëtarët e Çe Gevarës që kishte shpëtuar pa u vrarë nga se ishte dorëzuar pa rezistuar. Pas vizitës një javore që i bëri Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë shkroi një letër publike drejtuar Presidentit të Rebublikës së Francës, z. Zhak Shirak. Përmes kësaj letre të titulluar ‘Lettre d’un voyageur au Président de la République’ , dhe të botuar në Le Monde, me 13 maj 1999, Regis Debray kishte konstatuar personalisht se Serbia nuk ushtron dhunë dhe terror dhe nuk aplikon spastrimin etnik.” Për këtë konstatim ai “sjell fakte se Prishtina është plot e përplot me shqiptarë, ku mund të hahet mëngjesi në një pizzeri të pronarit shqiptar, në shoqëri me shumë shqiptarë”! Krahas asaj që kishte “parë vet” z. Regis Debray mbështetet në “dëshmitë e dy gazetarëve që kishin mbetur në Kosovë( njëri Serb dhe tjetri Kanadez) për të pohuar se në Kosovë nuk ka krim kundër njerëzimit! Përkundrazi, janë 2000 shtretërit e Spitalit të Prishtinës ku të plagosurit civilë nga bombardimet e NATO-s, shqiptarë dhe serbë, shërohen njëri pranë tjetrit” Ai “rikujton presidentin francez se në vitin 1998 ishin vrarë 1700 luftëtarë shqiptar, 180 polic, 120 ushtarë” . As civilët nuk i harroi Regis Debray. Por, ata nuk janë vrarë nga aparatet represive serbe. Sipas ti, “ UÇK-ja kishte kidnapuar 380 persona, nga të cilët 103 ishin liruar ndërsa të tjerët ishin vrarë pasi ishin torturuar paraprakisht dhe një numër tjetër konsiderohej i zhdukur. Në mesin e tyre edhe dy gazetarë!” (letrën e plotë mund ta lexoni në …. )
15 vite pas deklaratës së Shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, z. William Wokers, se në Kosovë kishim të bënim me ‘krim kundër njerëzimit’ dhe pas ngritjes së akuzës për ushtrimin e gjenocidit në Kosovë Berat Buzhala përpiqet të minimizojë krimet e Serbisë!
Në fjalimin që mbajti në Kuvendin e Kosovës z. Buzhala deklaroi se “motivi i kryerjes së krimit ishte i qartë: frikësimi i popullatës dhe dëbimi i tyre prej shtëpive. Po i vrisnin pleqtë e plakat në shtëpi, jo pse ndaj tyre kishin urrejtje personale, por sepse duke i vrarë ata synonin t’i frikësonin të gjithë të tjerët që qëndronin në shtëpitë e tyre.” (Gazeta Express, 25 korrik)
Po rikujtoj lexuesin se sipas Nenit II të Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, të vitit 1948, me gjenocid definohen aktet e qëllimshme që synojnë shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesërishëm të një grupi nacional, etnik, racial, religjioz etj….
Vrasjet dhe plagosjet e qëllimshme të dhjetëra mijë shqiptarëve, pra shkatërrimi i pjesërishëm i një grupi nacional, dhunimet e femrave, që përbejnë cenim të rëndë të integritetit fizik dhe moral përbëjnë faktet mbi të cilat u bazua Gjykata e Hagës kur ngriti edhe akuzat për gjenocid në Kosovë.
Deklarata e z. Buzhala në Parlament se gjoja “motivi i kryerjes së krimit nuk ishte vrasja, pra nuk ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesërishëm i shqiptarëve, por frikësimi i popullatës dhe dëbimi i tyre prej shtëpive” nxjerr në shesh motivin e Berat Buzhalës për minimizuar krimin e gjenocidit në Kosovë.
15 vite pas Luftës në Kosovë “e vërteta serbe” shërben si bazë në qarqet intelektuale pro serbe për të argumentuar tezat se gjoja luftën e Kosovës e kanë udhëhequr “kriminel, vrasës dhe mafioz”. Po përmendi vetëm disa nga më të zhurmshmet e viteve të fundit: Karla Del Ponte, ‘Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës’ (2009); Dik Marti dhe akuza për trafikimin e organeve (2010); Pierre Péan, ‘ Kosova: një luftë “e drejtë” për krijimin e një shteti mafioz” (2013) ….
Shihni “mendimet e lira” të Fatos Lubonjës “për kriminelët dhe vrasësit e UÇK-së” , të cilat Halil Matoshi përpiqet t’i paraqes si “fakte të bazuara në librat që qarkullojnë lirshëm nëpër libraritë evropiane” dhe mendimet e lira të Arben Idrizit bazohet në “detyrën prej intelektuali” dhe” instinktin e zanatit të tij”.
15 vite më vonë, në mediet e pavarura të Kosovës së pavarur, Arben Idriz parafrazon diskurset serbe për ngjarjen që i hapi rrugën pavarësisë së Kosovës nga Serbia, parafrazon sepse i pëlqejnë parafrazimet këtij tip “intelektualit” dhe “shkrimtarit” dhe nën plafin e “instinktit të zanatit” shpall Komandantin Legjendar, Adem Jasharin “ngujues të fëmijëve, grave dhe pleqve” dhe e bën “pjesëmarrës në vrasjen e tyre”!
Reagimet kundër qëndrimeve serbe të cilave Fatos Lubonja dhe Arben Idrizit u hapën rrugë edhe në hapësirën mediatike shqiptare ky i fundit mundohet t’ i hedh poshtë me arsyetimin se “ nuk arrin të komunikosh me anëtarët e kësaj turme që nuk dinë të lexojnë dhe që për shkak të mungesës së arsimimit elementar nuk arrijnë ta shkruajnë një fjali të thjeshtë gramatikisht dhe logjikisht korrekt, duke e privuar veten nga mendimi? Dhe nga ‘shkrimi’ i të cilëve e vetmja gjë që arrin me aq mund të kuptosh” vazhdon z. Idrizi” është se janë në gjendje të të vrasin si qenin!”
E drejta për t’u përcaktuar për një vizion politik është njëra nga të drejtat themelore të njeriut. Nuk do të kisha dëshiruar që t’i cenohet dikujt jeta dhe integritetit fizik vetëm për faktin që përcaktohet deklarativisht në mbështetje të vizionit serb. Qoftë ‘intelektualëve dhe shkrimtarëve’ të huaj, qoftë ‘zanatqinjëve’ të tipit të z. Idrizi. Por, pse e bën krahasimin e vetes me qen, në paragrafin e sipërmendur, këtë e di më së miri vet z. Idrizi. Nëse ‘sinqerisht’ nuk e din, atëherë i sugjeroj të kërkojë ndihmën e psikanalistëve!
Ndërsa sa i përket cilësimit që ai bën për “paaftësinë e turmës së paarsimuar që nuk arrinë ta shkruajnë një fjali të thjeshtë gramatikisht dhe logjikisht korrekt” le të na e sqarojë ai “si intelektual” që herë përpiqet të identifikohet me Senekën e herë me Salman Ruzhdiun, se sa është “gramatikisht dhe logjikisht korrekte me gramatikën dhe logjikën shqipe shprehja që e vuri në ballinë të shkrimit të tij ‘mbi mitet’, ku deklaron me pompozitet se “nëse e kemi vdekur Zotin, pse s’do mundkemi t’i interpretojmë mitet”! Ju që e “paskeni vdekur Zotin” duhet ta dini se “turma e paarsimuar” e kupton fare mirë se kjo fjali nuk ka as sintaksë e as logjikë shqipe. Le ti pyet patronët e vet, serb dhe shqipfolës, që ia kanë dhënë bashkë me “listën e kriminelëve dhe vrasësve shqiptar” se kush ua përktheu këtë fjali me sintaksë sllave?!
Kur Arben Idrizi habitet pse “ata pale doktorë shkencash, intelektualë, filozofë, shkrimtarë nuk e tolerojnë, nxisin, mbrojnë dhe përhapin mendimin e lirë” ai nxjerr në shesh besimin që ka mbështetur te stereotipet serbe “për turmën e padijshme shqiptare” dhe mbi këto stereotipe ka shpresuar se do të na e shesë “listën serbe”, “kualifikimet serbe për personalitetet e historisë modern të Kosovës” dhe “të vërtetën serbe për Kosovën” si “mendim të lirë’ dhe si “pjellë e origjinalitetit të instinktit të tyre”!
Pasi “e kishin vdekur Zotin” Arben Idrizi i qaset “interpretimit të mitit të Familjes Jasharaj dhe Komandantit Legjendar”. Kësaj radhe, nën plafin e “mendimit të lirë” përpiqet të fsheh qëllimin që del qartë nga shkrimet e tij, për ta “vdekur” këtë “mit”!
Dhe për t’i ‘vdekur’ mitet për Komandantin Legjendar dhe Familjen Jasharaj ai orientohet për t’i ‘vdekur’ të gjallët që luftuan kundër Serbisë, sepse sipas këtij lloj “intelektuali” dhe “shkrimtari” ata nuk janë gjë tjetër pos “kriminel dhe vrasës”.
Interpretimin zyrtar dhe të vërtetën shqiptare për heroizmin e Jasharajve dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari, Arben Idrizi e cilëson interpretim “totalitar dhe barbar”. Sa i përket cilësimit “barbar”e pamë në versionin zyrtar serb për këtë ngjarje, të cituar më lartë. Ndërsa, sa i përket kualifikimi ‘totalitar’ po theksoj për lexuesin se edhe ky kualifikim bëhet në funksion në fshehjes së gjurmëve. Totalitarizmi, si praktikë dhe formë e të menduarit imponon vetëm një pikëpamje të asaj që ka ndodhur dhe që duhet të ndodh! Ajo që ka ndodhur në Kosovë në përgjithësi dhe në rastin konkret në Prekaz, në veçanti, nuk ka lidhje me totalitarizmin! Përkundrazi! Kemi të bëjmë me dy vizion politike dhe ushtarake që luftonin për jetë a vdekje! ‘Vizioni shqiptar dhe e vërteta shqiptare’ përballa ‘vizionit serb dhe të vërtetës serbe’! Në këtë luftë kemi pozicionime për dhe kundër njërit apo tjetrit vizion si në rrafshin vendor (Kosovë) ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar. ( Më lartë i përmendëm vetëm disa nga qëndrimet e e personaliteteve të njohura ndërkombëtarisht pro dhe kundër njërit apo tjetrit vision….
Lista serbe dhe “plagjiatura” në denoncim!
H.Matoshi, B.Buzhala, I.Mushkolaj dhe kompania e “mbështetësve të kësaj forme të mendimit të lirë” të Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit, përpiqen të fshehin gjurmët se të gjitha këto fakte kanë një burim: “ të vërtetat serbe” për Kosovën dhe për personalitetet më të shquara të saj.
Në të gjitha reagimet e tyre kundër atyre që i përafrojnë me ‘vizionet serbe’ ata përpiqen që përmes zhurmës dhe kërkesës që “t’ju sjellin fakte”, të fshehin këtë realitet tragjik dhe patologjik në të cilin ndodheni.
Më poshtë po sjellim faktet konkrete! Por jo për ata që shtireni se nuk i dini, por për atë lexues që nuk ka pasur mundësi t’i sheh!
Në vazhdën e strategjisë antishqiptare dhe në funksion të njollosjes së Luftës së UÇK-së institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete (civil dhe ushtarak) te Serbisë përpiluan dokumentin prej rreth 200 faqesh dhe të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (teksti është në qirilicë dhe është publikuar edhe në shumë portale internet. Të interesuarit mund ta konsultohet edhe përmes internetit në adresën: htt://sorryserbia.com/ëp/belaknjiga.pdf)
Këtë dokument Ministria e Punëve te Jashtme e Serbisë ua shpërndau institucioneve të ndryshme politike dhe diplomatike si dhe te qarqet intelektuale me ndikim në krijimin e opinionit publik të vendeve të ndryshme të botës. Mjafton të shihen librat e përmendura më lartë të Karla del Pontes, Pierre Péan dhe Dik Marti për të parë vetëm një pjesë të influencës së këtij materiali propagandistik, të stërmbushur me shpifjet për personalitetet që më së shumti kontribuan në luftën çlirimtare dhe në procesin e pavarësisë së Kosovës.
Për t’ia vu kapakun dhe për ta nxjerrë fytyrën e vërtetë të kësaj sortë “intelektualësh dhe shkrimtarësh”, përveç emrave të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt që kishte përmendur Fatos Lubonja, “zanatçiu me instinkt” deklaron me pompozitet se “ unë e di, pa i pasur provat e shenjat, por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari, se vrasës është edhe kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli”.
Kur ai shkruan një gjë të tillë do të kishte qenë e rrugës të jetë i sinqertë dhe të tregoj publikisht se konstatimi i tillë është nxjerrur germë për germe nga dokumenti i përpiluar nga shërbimet sekrete serbe “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”, faqe 46 ku z. Veseli figuron me numrin rendor 23 në këtë listë.
Arbër Idrizi vazhdon me gjoja “listën e vet”! “Vrasës janë edhe Ilmi Reçica e Latif Gashi, menjëherë pas Veselit në hierarkinë e Shërbimit” shkruan ai.
Të njëjtat të dhëna I gjen në dokumentin serbe. Për z.Gashin të dhënat janë nxjerrë nga faqja 70 dhe ai mban numrin rendor 28 ndërsa për z. Reçica, që mban numrin rendor 105 të dhënat figurojnë në faqen 139;
“Vrasës është edhe Azem Syla” i cili është renditur në dokumentin e lartpërmendur në numri rendor 114 dhe të dhënat figurojnë në faqen 148;
“Vrasës është Rrustem Mustafa – Remi”, me numër rendor 94, faqen 130 në dokumentin serb;
“ Vrasës është Xhavit Haliti” numri rendor 129, faqe 162, në dokumentin serb;
“ Vrasës është Ramiz Lladrovci” me numër rendor 78 dhe faqe 113 në dokumentin serb;
“Vrasës është Sami Lushtaku”, numër rendor 86 faqe 120 në dokumentin serb;
“Vrasës është Xhabir Zharku’, numri rendor 41, faqe 83 në dokumentin serb;
“Vrasës është Rexhep Selimi, numër rendor 110, faqe 164 në dokumentin serb;
“Vrasës është Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt”, numër rendor 131, faqe 164… etj. etj. Përfundon “listën” e “vet” Arben Idrizi!
“Origjinaliteti“ i listës që publikon Arbër Idrizit qëndron në disa pika. Ky “zanatçi” publikoi në emër të vet përkthimin e këtyre pjesëve të dokumentit serb në gjuhën shqipe, për të cilin nuk dimë se a e ka përkthyer vet apo ia kanë dhënë të gatshme ata që “ e vdekën Zotin”; Në këtë listë u hoqën numrat rendor për t’i humbur gjurmët e burimit serb të informatave dhe për t’u shitur si diçka që buron nga “instinkti” dhe në fund u shtuan edhe tre emra të ri: “Bekim Haxhiu – Kamishi”, Florin Krasniqi dhe Ukë Rugova, i biri i Presidentit Rugova”!
“Intelektual dhe shkrimtar” se jo mahi! ‘Plagjiaturë’ edhe në denoncim! “Dhe e tërë kjo bën pjesë në zanatin dhe në instinktin e zanatit tim” deklaron me mburrje Arben Idrizi! Ata që Serbia i konsideron si terroristë dhe kriminel të tillë janë edhe për Arbër Idrizin dhe kompaninë e tij.
Kur ky lloj “zanatçiu” deklaron “se Adem Jashari, me ngujimin e fëmijëve, grave dhe pleqve, në të vërtetë kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre”, pra e cilëson si kriminel në të njëjtën mënyrë si institucionet e Serbisë që ushtruan gjenocid në Kosovë, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se për cilën arsye ky mbështetës konkret i të ‘vërtetës serbe’ për Kosovën dhe për personalitetet më të shquara të saj nuk shtoi në listën e “vet” edhe emrat e Rifat dhe Bashkim Jasharit, të cilët në dokumentin e lartpërmendur serb figurojnë si “terroristë”, si “kriminel” dhe si “vrasës”. Apo, prapa “etj.etj” ka paraparë t’i shtojë më vonë, kur t’i përkthejë apo kur t’ia japin të përkthyera! Sepse, ai dhe kompania e tyre e dinë se të dhënat për Rifat Jasharin janë në faqen 95 të këtij dokumenti antishqiptar, dhe se ai është renditur i 56 në listën serbe, ndërsa të dhënat për Bashkimin, i cili mban numrin rendor 54 në këtë dokument, janë në faqen 94.
Fatos Lubonja, Arben Idrizi dhe kompania e tyre përsërisin deri në banalitet se ” ndër shqiptarë ka skizofreni!” “Ka sidomos skizofreni! Sepse askush nuk guxon të thotë se ‘legjenda e gjallë’, ‘komandanti legjendar’, është vrasës i familjes së vet”!
Për ata që nuk e dinë por theksoj se skizofrenia është sëmundje që karakterizohet me personalitet të dyfishtë. Ne, “turma e popullit” që jemi rreshtuar dhe mbrojmë të vërtetën shqiptare për Kosovën, i kuptojmë ata individë, qofshin “intelektual apo shkrimtar”, që luhaten në mes dy personaliteteve: të qënurit ithtar i “të vërtetës serbe” dhe vështirësive për të na e shitur si “mendim i lire”. Kjo skizofreni politike, kjo formë e personaliteteve të dyfishta (jo dyfytyrësisë) mund të provokojë revoltë te “turma e popullit” që janë të bindur në vërtetësinë e interpretimit shqiptar pikërisht sepse skizofrenia politike nuk u lejon Fatos Lubonjës, Arben Idrizit dhe kompanisë së tyre që të pranojnë haptazi se janë rreshtuar në anën e ‘të vërtetës sërbe’ për Kosovën!
Pranoni se duke u fshehur prapa nocioneve “intelektual”, “shkrimtar”, “mendim i lirë”…. ju përpiqeni të fshihni pozicionimin tuaj në favor të ‘vizionit serb’ për Kosovën! Pranoni haptazi të vërtetën dhe do të bindeni me faktin se themeluesit e shtetit të Kosovës, ata që ju i cilësoni “si njerëz pa mend por me muskuj dhe armë, të mbushur me budallallëk dhe çmenduri” do të jenë tolerant ndaj “mendimit ndryshe”!
Pranoni haptazi se po përpiqeni të shisni ‘vizionin serb’ për Kosovën dhe për personalitetet më të shquara të historisë së saj te re si “mendim i lirë”! Pranoni dhe do të bindeni për tolerancën e mbështetësve të ‘vizionit shqiptar’, përkundër arrogancës suaj!
Por, ne “turma pa mend dhe me muskuj” nuk kemi iluzione se ju mund të pranoni publikisht një gjë të tillë! Nuk ju len skizofrenia politike!
Meqenëse kësaj sorte “intelektualësh” u pëlqen të tërhiqni paralele në mes “racizmit shqiptar” dhe atij hitlerian, siç bën Halil Matoshi në shkrimin e tij “ Shqiptarët, këta racist të ligj”, ku konkludon se në “ mes gjuhës së një zëdhënësi të AAK-së, të Jakup Krasniqit, Memli Krasniqit, Vlora Çitakut etj. kundër Lubonjës e Idrizit dhe dhomave të gazit nuk ka kurrfarë dallimi” unë po u them se realiteti është ndryshe. Gjuha e Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës, Imer Mushkolajt dhe gjuha e kriminelëve dhe racistëve serb e sintetizuar në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe shërbimet sekrete të Serbisë të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”, është gjuhë e njëjtë. Nëse ndonjë veprim është në harmoni të plotë me praktikë e dhomave të gazit hitlerian ato janë furrat dhe shkritoret e minierave të Ferronikelit, të Trepçës, të Borit dhe shumë vendeve të tjera në të cilat u dogjën shqiptarët.
As gjuha e racistëve të ligj serb e as gjuha e atyre që mundohen të përmbysin realitetin e fakteve në favor të ‘vizionit serb’ nuk mund të fshehin krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë.
Ndërsa, sa i përket asaj që kanë bërë për lirinë e Kosovës personalitetet si Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj , Azem Syla e Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa-Remi dhe të gjithë emrat e personaliteteve që ju i keni nxjerrur nga dokumenti i lartpërmendur serb dhe përpiqeni t’i shisni si rezultat i “instinktit të zanatit” tënd, populli shqiptar i Kosovës thotë shkurt: Ju lumtë pushka trima!
Ndërsa sa i përket «Familjes Jasharaj» në krye me Komandantin legjendar, Adem Jasharin, do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve dhe në memorien historike të luftërave çlirimtare si luftëtarë që i dhanë karakter legjendar historisë moderne dhe vendosmërisë për të krijuar hapësirën e lirë kombëtare! Falë vendosmërie së Komandantit Legjendar dhe bashkëluftëtarëve të tij, në Kosovë u krijua hapësira ku edhe dimension intelektual i llojit të Arben Idrizit dhe kompanisë së mbështetësve të ‘vizionit serb’ munden lirisht të shkruajnë dhe shprehen në mbështetje të këtij vizioni. Por jo duke fshehur gjurmët! Sepse kjo është metodë e ulët dhe mund të ngjall reagime të ‘ulta! Fatos Lubonja, Arben Idrizi dhe kompania e mbështetësve të vizionit serb në fushën mediatike shqiptare duhet ta dinë se në raportet shoqërore, toleranca dhe arroganca janë reciproke!
Prishtinë, 02 gusht 2013
Bardhyl Mahmuti
(Reagimi bëhet në cilësinë e Ish Shefit të Grupit Diplomatik të UÇK)